Lajme Shqip Tuesday, 19 March 2013 14:05

Migjen Basha është shfaqur mjaft i emocionuar në ditën e tij të parë si futbollist i kombëtares shqiptare të futbollit, pasi ka marrë pjesë në stërvitje bashkë me pjesën tjetër të lojtarëve të grumbulluar nga trajneri De Biazi për ndeshjet kundër Norvegjisë dhe Lituanisë.

Lojtari luajti në ndeshjen brenda grupit duke marrë pozicionin e zakonshëm para mbrojtjes, ndërsa pas stërvitjes nuk ka ngurruar të tregojë për mediat shqiptare edhe emocionet e tij të para, duke i shoqëruar me gjestin simbolik të puthjes së fanellës kuqezi.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Gjeta një ambient mjaft të ngrohtë, pasi me disa lojtarë njihem edhe më përpara. Kjo ishte seanca ime e parë stërvitore me Kombëtaren, për të cilën do të jap gjithnjë maksimumin, sa herë që të më kërkohet. U ndjeva mirë. Në fillim pata disi emocione, por më pas gjithçka u normalizua. Pashë se kisha të njëjtin potencial edhe me lojtarët e tjerë, ndaj shpresoj që shumë shpejt të zbres në fushë. Kam shumë dëshirë të udhëtoj drejt Oslos, por kjo varet nga përgjigjja që presim. Ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Unë jam gati dhe po pres me padurim të vesh fanellën e kombëtares, pasi është nder për mua”, ka shpjeguar futbollisti kosovar i Torinos.

Ai ka treguar më pas se pse zgjedhja e tij ka qenë Shqipëria dhe jo Zvicra, pavarësisht faktit se kjo e fundit po e mban peng duke mos lejuar aktivizimin e tij te kuqezinjtë.

“Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Zvicra nuk është interesuar asnjëherë për mua dhe as unë nuk jam interesuar për të. Zgjodha të përfaqësoja vendin tim dhe jam krenar për këtë vendim. Dua t’i shërbej vendit tim dhe do jem gati sa herë që do të jetë nevoja. Jam gati të jap kontributin tim për ekipin kombëtar. Edhe sikur të isha thirrur nga Zvicra, nuk do pranoja. Unë dua që të luaj dhe me kombëtaren e Zvicrës do ta kisha shumë të vështirë, sepse në rolin tim ka disa lojtarë si: Behrami, Inler etj, të cilët është shumë e vështirë për t’ua zënë vendin”, shpjegoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 18:47

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një miqësore me përfaqësuesen e Lituanisë me 26 mars në Tiranë, 4 ditë pas ndeshjes zyrtare të eliminatoreve të Botërorit 2014 në Oslo ndaj Norvegjisë.

Ky takim do të shërbejë për të parë edhe një herë nga afër disa lojtarë të rinj të cilët do të shërbejnë për pjesën e dytë të eliminatoreve, pasi trajneri De Biasi ka bërë të qartë se nuk është përzgjedhur ende përfundimisht grupi i futbollistëve me të cilin dëshiron të vazhdojë të punojë në pjesën e dytë të këtij edicioni.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme është publikuar edhe renditja e re e FIFA-s për muajin shkurt ku kuqezinjtë kanë pësuar një rënie prej 8 vendesh, si rezultat i humbjes me Gjeorgjinë në miqësoren e javës së kaluar, pasi tani jemi të 71-tët në botë.

Ndonëse të gjithë skuadrat që bëjnë pjesë në grupin eliminator të Botërorit 2014 përkrah Shqipërisë kanë pësuar rënie të lehtë, kuqezinjtë lënë pas vetëm Islandën (98) dhe Qipron (135). Mbeten ende shumë përpara Zvicra (14), Norvegjia (27) dhe Sllovenia (54). Klasifikimi vazhdon të kryesohet nga Spanja, që ndiqet nga Gjermania dhe Argjentina. (LajmeShqip.com)