Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 16:48

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, sheh me pozitivitet zhvillimin që ka pësuar kombëtarja shqiptare gjatë kësaj periudhe në drejtimin e tij, duke mbyllur ndeshjet e vitit 2012 me një paraqitje mjaft pozitive ndaj Kamerunit.

“Nga këndvështrimi im, skuadra po përmirësohet ndjeshëm nga aspekti taktik. Vlen për t’u theksuar se kemi pësuar më pak se një gol për ndeshje dhe kjo është diçka e mirë, bashkë me faktin që prej dy ndeshjesh nuk pësojmë gol. Kjo do të thotë që ekipi është i ekuilibruar në fushë. Që nga momenti kur kemi filluar këtë rrugëtim e deri më sot, kemi bërë shumë punë”, u shpreh tekniku i kuqezinjve pas ndeshjes me ekipin afrikan të përfunduar në barazim 0-0.

Tekniku është i kënaqur edhe me faktin se po shihen të gjithë futbollistët e rinj dhe në grumbullime janë thirrur thuajse të gjithë ata lojtarë që janë kandidatë për ekipin kombëtar.

“Kam parë shumë lojtarë të rinj në këtë periudhë, kam grumbulluar 36 të tillë. Nga ky moment dhe deri tek ndeshja e radhës kemi një pushim prej 84 ditësh dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme. Pas ndeshjes miqësore me Gjeorgjinë kemi 6 ndeshje të tjera zyrtare për eliminatoret dhe unë jam i fokusuar pikërisht tek ato. Periudha që ka një trajner për të përgatitur skuadrën është shumë e shkurtër. Mjafton të them se sa i përket ndeshjes me Kamerunin, ne filluam përgatitjet ditën e hënë, ku disa lojtarë kishin luajtur të dielën e kishin udhëtuar pas saj, ndaj nuk bëmë stërvitje. Gjithsesi më erdhi mirë që lojtarët mbanin mënd këshillat e mija të ndeshjeve të shkuara, pasi lëvizën tamam siç e mendoja. Kjo gjë më bëri të ndihesha mirë”, deklaroi tekniku italian i cili ka bërë të qartë se vazhdon të zbatojë parimin e tij, duke hedhur në fushë atë që mendon se është më i zoti apo në formë më të mirë, pa parë emrin e lojtarëve, siç e kanë treguar zgjedhjet e tij me lënien në pankinë të lojtarëve si Ujkani, Dallku, Salihi e Bogdani. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 23:39

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka regjistruar një barazim të bardhë pa gola përballë Kamerunit në ndeshjen miqësore të luajtur në Gjenevë të Zvicrës, duke bindur me lojën e tyre dhe duke u shfaqur si të barabartë me gjigandët e kontinentit afrikan.

Ashtu siç ishte konfirmuar që një ditë më parë, De Biasi e ka filluar ndeshjen me Arapin titullar në të majtën e mbrojtjes dhe Lilaj në mesfushë, të dy zgjedhje që kanë funksionuar mirë në lojën e kuqezinjve, ndonëse ka qenë Kameruni që në minutat e para është munduar të krijojë raste të rrezikshme me anë të dyshes Eto’o-Matip. Më pas, loja është bërë e barabartë, ndërsa duhet theksuar se kanë munguar rastet për t’u shënuar nga të dy krahët.

Në pjesën e dytë, De Biasi bën një zëvendësim të menjëhershëm, duke aktivizuar Currin në vend të Lilaj, për të kaluar Canën në mesfushë. Duket se kjo lëvizje taktike funksionon pasi kuqezinjtë krijojnë disa raste radhazi dhe mbyllin në gjysmëfushën e tyre ekipin kundërshtar. Çani ka mundësinë të shënojë golin e avantazhit, por portieri kundërshtar eviton një gol të sigurt me një devijim vendimtar. Më pas fillon vala e zëvendësimeve nga të dy ekipet, ku për Shqipërinë aktivizohen edhe Dallku, Vangjeli, Bakaj, Vajushi e Balaj.

Ndeshja bëhet e hapur dhe detyrat taktike nuk është se zbatohen më nga dy ekipet. Kuqezinjtë fillimisht rrezikojë të pësojnë gol në minutën e 72-të, kur topi i gjuajtur nga një prej lojtarëve kamerunas ndalet nga traversa e portës së mbrojtur nga Berisha. Ndërsa më pas janë dy të rinjtë shkodranë, Balaj e Vajushi që kanë raste të shkëlqyera për të shënuar, por nuk arrijnë të dërgojnë topin në rrjetë. Ndeshja përfundon 0-0, mes duartrokitjeve të rreth 3-4 mijë tifozëve shqiptarë të pranishëm në stadium, ku kishin ardhur për të parë nga afër idhujt e tyre kuqezi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 09:25

Xhani De Biasi ka vendosur t’i besojë të rinjve në ndeshjen kundër Kamerunit, duke shpresuar që të gjejë në këtë miqësore përgjigjet e duhura për ndryshimet në kombëtare para ndeshjes kundër Norvegjisë në mars.

Tekniku italian ka bërë edhe përzgjedhjen e tij për takimin e sotëm, me një skuadër me shumë të rinj, por që konfirmon gjithashtu se kombëtarja po pëson ndryshime të mëdha edhe mes atyre që cilësohen të paprekshëm në formacionin kuqezi.

Në portë mbetet titullar Etrit Berisha, që ka fituar vendin mes shtyllave në ndeshjen ndaj Sllovenisë dhe me sa duket ka kthyer në një zëvendësues Samir Ujkanin, i cili në fillim të edicionit mendohej se ishte titullar i paprekshëm te kuqezinjtë.

Edhe në mbrojtje konfirmohet Andi Lila në krahun e djathtë, me Armend Dallkun që do ta fillojë takimin nga pankina, një sinjal i qartë ndaj mbrojtësit se tashmë duhet të luftojë për t’u rikthyer në formacionin e kombëtares ku ai është ndër “veteranët”. Në qendër të mbrojtjes konfirmohet dyshja Mavraj-Cana, ndërsa në të majtë do të aktivizohet Arapi i Skënderbeut, që ka fituar balotazhin me Kristi Vangjelin.

Mesfusha pëson një ndryshim shumë të rëndsëishëm për shkak të dëmtimit të Mehës, i cili ishte planifikuar të luante titullar. Tani do të jenë Bulku dhe Lilaj që do të formojnë dyshen e tërhequr të këtij reparti, me objektiv shkatërrimin e aksioneve të kundërshtarëve, ndërsa nga krahët veprojnë Vila e Roshi, të dy futbollistë që kanë aftësi edhe të dalin përpara dhe të krijojnë rrezikshmëri për portën kundërshtare.

Në sulm është e konfirmuar dyshja Çani-Sadiku, dy lojtarët e preferuar të trajnerit të kombëtares që tashmë duket qartë se janë titullarë të padiskutueshëm të kuqezinjtë. Aktivizimi i vazhdueshëm i tyre, lënia jashtë e Bogdanit e Salihit, si dhe mosgrumbullimi i “konkurrentëve” të tjerë si Kapllani e Sukaj, tregon qartë se trajneri italian sheh te këta lojtarë dyshen e tij ideale të repartit të avancuar mes të gjithë alternativave kuqezi dhe nuk ka ndër mend të ndryshojë. Gjithsesi, ndaj Kamerunit, pritet që t’i rezervohen disa minuta edhe sulmuesit tjetër, Bekim Balaj, ndërsa me interes do të shihet se ku do të pozicionohen Vajushi e Bakaj nëse luajnë si zëvendësues, pasi De Biasi i sheh ata më shumë si sulmues të tërhequr sesa si mesfushorë organizatorë të mirëfilltë.

Në ndeshjen e sotme në Gjenevë priten të jenë të pranishëm rreth 4 mijë spektatorë shqiptarë, të cilët do të mbështetin kuqezinjtë përballë një prej ekipeve më të mira të kontinentit afrikan. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 15:48

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka bërë të qartë se ndeshja miqësore kundër Kamerunit do të jetë një mundësi për të parë nga afër disa futbollistë të rinj, por kjo nuk do të thotë se do të eksperimentohet pa kriter ndaj ekipit afrikan.

“Nuk mendoj se do të bëjmë eksperimente në këtë ndeshje. Le të themi se do të jetë pak a shumë formacioni që luajti kundër Sllovenisë. Sigurisht që mund të ketë dy apo tri ndryshime, por nuk mund të themi se do të bëjmë eksperiment. Dua që skuadra të paraqitet mirë dhe të luftojë për ta fituar këtë ndeshje”, ishte premtimi i guximshëm i trajnerit italian, duke parë se në radhët e ekipit kamerunas ka lojtarë mes më të mirëve në botë, si Samuel Eto’o apo Aleks Song.

“Kameruni ka disa futbollistë që nuk janë të zakonshëm. Kanë Eto’o, kanë Song, por edhe futbollistë të tjerë që mund të bëjnë diferencën. Unë u druhem atyre edhe në aspektin fizik, sepse është një ndër armët më të forta që kanë. Sa i përket Eto’o, do të ishte më mirë që të merrja një snajper dhe ta qëlloja nga tribuna pasi, në të kundërt, nuk ke shans ta ndalësh”, ishte batuta e trajnerit italian rreth sulmuesit që ka një të kaluar shumë të suksesshme në skuadra si Barcelona e Inter.

Në fund, trajneri ka komentuar edhe grumbullimet e reja në kombëtare, por edhe arsyet pse janë lënë jashtë disa futbollistë të veçantë, të cilët kanë qenë zakonisht në kombëtare.

“Kam grumbulluar të rinj për t’i parë, pikësëpari në seancat stërvitore që do të zhvilloj. Nuk mund t’ju them se cili prej tyre do të jetë titullar dhe cili në stol. Nga kjo ndeshje dua të shoh gjendjen e skuadrës dhe pres një përgjigje në fushë edhe nga disa futbollistë. Synimi im është që t’i zgjerojmë disi alternativat për pjesën tjetër të ndeshjeve eliminatore, me qëllim që të ketë konkurrencë në grup, por edhe mundësi zgjedhjeje. Bogdani e Salihi përfundimisht jashtë? Jo, absolutisht jo. Bogdani dhe Salihi janë pjesë e projektit që unë kam për ekipin përfaqësues. Salihi është duke luajtur në fazën “play-off” në SHBA dhe afati kohor që kishim në dispozicion nuk ishte shumë i përshtatshëm për të. Ndërsa Bogdani ka një axhendë të ngjeshur te Siena, sepse kjo skuadër po luan ndeshje realisht të rëndësishme, ku Bogdani mund të përfitojë për të pasur më shumë hapësira. Pastaj, më falni, por mendoj se të gjithë e dimë se çfarë potenciali ka Bogdani, apo jo?!”, deklaroi tekniku italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 11 November 2012 17:06

Xhani De Biasi ka marrë seriozisht idenë e rinovimit të kombëtares shqiptare të futbollit, duke afruar emra të rinj për miqësoren kundër Kamerunit që do të luhet të mërkurën në Gjenevë.

Trajneri italian ka publikuar sot listën ku bien në sy ndryshime të mëdha si dhe të reja mjaft interesante. Gjithçka fillon nga mungesat, ku konfirmohen ato të Bogdanit e Salihit, i pari për zgjedhje teknike, ndërsa i dyti për çështje largësie të udhëtimit nga SHBA. Në vend të tyre, në repartin e avancuar është grumbulluar për herë të parë me kombëtaren e madhe sulmuesi Bekim Balaj, i cili po shkëlqen me skuadrën e Sparta Pragës në Çeki.

Në listën prej 21 lojtarësh bie në sy edhe grumbullimi për herë të parë i mesfushorëve Armando Vajushi (Liteks Loveç-Bullgari) dhe Bruno Telushi (Flamurtari), me këtë të fundit që ka shkëlqyer në këtë sezon me skuadrën e tij dhe ka bërë paraqitje mjaft pozitive edhe në ndeshjet e kombëtares U-21.

Në kombëtare kthehet pas shumë kohësh edhe dyshja e Çernomorets Odesa, Bakaj-Vangjeli, që ka munguar më parë për shkak dëmtimesh. Të dy futbollistët janë një armë më shumë që trajneri italian do të ketë në dispozicion për këtë ndeshje, por edhe për vazhdimin e eliminatoreve.

Përveç Agollit të dëmtuar, në kombëtare në krahasim me ndeshjet e fundit mungojnë edhe Veliu, Lika, Kukeli e Hyka. Mbetet përsëri mister mospërfshirja e Edmond Kapllanit në listën e përfaqësueses, pasi sulmuesi durrsak vazhdon të shkëlqejë në Bundesligën 2 me FSV Frankfurt. (LajmeShqip.com)

Lista e kombëtares shqiptare për ndeshjen Shqipëri-Kamerun

Portierë: Samir Ujkani (Palermo), Etrit Berisha (Kalmar).

Mbrojtës: Armend Dallku (Vorskla Poltava), Lorik Cana (Lacio), Kristi Vangjeli (Çernomorets Odesa), Tefik Osmani (Vllaznia), Andi Lila (PAS Janina), Mergim Mavraj (Grojter Furth), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Renato Arapi (Skënderbeu).

Mesfushorë: Elis Bakaj (Çernomorets Odesa), Ervin Bulku (Sepahan), Emiljano Vila (PAS Janina), Bruno Telushi (Flamurtari), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Alban Meha (Paderborn), Odise Roshi (FSV Frankfurt).

Sulmues: Bekim Balaj (Sparta Praga), Edgar Çani (Polonia Varshavë), Armando Sadiku (Lugano).

 
Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 14:34

Ndonëse ndeshjet miqësore zhvillohen për të bërë eksperimente dhe për të parë gjendjen e lojtarëve të ndryshëm, Xhani De Biasi synon një rezultat të bujshëm në miqësoren e 14 nëntorit kundër Kamerunit. Trajneri i përfaqësueses shqiptare ka pohuar në një intervistë të dhënë për Afrikitalia.it se në takimin përballë skuadrës ku luan Samuel Eto’o ai do të hedhë në fushën e lojës futbollistët më të mirë që ka në dispozicion.

“Kjo ndeshje është e rëndësishme për grupin dhe për stafin që të shohë gjendjen e lojtarëve. Do të ndeshemi me një skuadër e cila ka një nivel teknik më të lartë se ne, që gjendet shumë më lart se ne në renditjen e FIFA-s. Kameruni është një test i mirë për ne pasi pak muaj më vonë do të luajmë një ndeshje të rëndësishme kundër Norvegjisë. Ndaj Kamerunit do të jetë një ndeshje impenjative dhe ne duhet të japim një paraqitje sa më të mirë. Kam patur fatin të takoj Eto’o në Spanjë kur drejtoja Levanten, ai është një lojtar i nivelit ndërkombëtar. Por Kameruni ka futbollistë të tjerë si Shedju, Mbia, Kameni, Song, Nkulu, etj. Janë lojtarë që çdo trajner do të dëshironte të kishte në ekip dhe që mund të vënë në vështirësi çdo kundërshtar. Ndaj tyre ne duam të bëjmë progres, që është pikërisht ajo që kërkojmë”, tha ai, duke pranuar superioritetin e kundërshtarit.

“Shqipëria ka lojtarë që kanë patur mundësinë të luajnë për vende që i kanë ofruar privilegje personale, por në fund ata kanë bërë zgjedhjen të luajnë për tokën e tyre. Të thirresh në ekipin kombëtar të vendit tënd është një nder i madh. Do të mbledh lojtarët më të mirë për këtë ndeshje kundër Kamerunit, me përjashtim të ndonjë dëmtimi. E di që tani që do të na mungojë Agolli që është dëmtuar dhe i është nënshtruar operacionit me sukses”, tregoi situatën e skuadrës shqiptare trajneri që pritet të bëjë publike listën e futbollistëve të grumbulluar vetëm gjatë javës së ardhshme.

Në fund, trajneri i Shqipërisë ka bërë edhe një bilanc të Grupit E ku merr pjesë përfaqësuesja shqiptare si dhe shanset e saj për një kualifikim historik në Botërorin 2014.

“Grupi E është shumë i vështirë. Është Zvicra që kryeson me 10 pikë, dhe pastaj jemi ne që kemi një pikë më pak se Norvegjia, që ka 7 dhe që luan pikërisht kundër nesh në ndeshjen e radhës. Do të bëjmë gjithçka që kemi mundësi për të mos rënë nga kjo renditje. Nuk jemi favoritë, por është pikërisht ky status që e bën më tërheqëse sfidën tonë. Do të luajmë shanset që na jepen deri në fund”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 14:10

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë një miqësore kundër Kamerunit me 14 nëntor. Lajmi është zyrtarizuar nga FSHF që ka bërë të ditur se është arritur akordi mes palëve për zhvillimin e kësaj ndeshje, ndonëse ajo do të bëhet në një fushë asnjanëse, me më shumë probabilitet në Zvicër.

Data 14 nëntor është datë e lënë e lirë nga FIFA për takime ndërkombëtare dhe meqë Shqipëria nuk ka planifikuar në kalendarin e saj të luajë ndeshje për kualifikueset e  Botërorit 2014, e ka shfrytëzuar atë për të luajtur miqësore. Si rrjedhojë, janë kërkuar kombëtare cilësore në mënyrë që trajneri De Biasi të shihte ekipin përballë një kundërshtari të fortë. Pas kontakteve me një kompani menaxhimi është arritur të sigurohet zhvillimi i kësaj ndeshje me Kamerunin, ku palët janë parimisht dakord që ndeshja të luhet në Zvicër dhe të dy ekipet do të grumbullojnë lojtarët më të mirë që kanë në dispozicion, jo përfaqësueset B.

Në radhët e Kamerunit luajnë shumë lojtarë të njohur në arenën ndërkombëtare, duke filluar nga Eto’o, Kameni, Matip, N’Kulu dhe Song, ndërsa trajner i ekipit është Zhan Pol Akono, ish futbollisti i kësaj përfaqësueseje. Kamerunasit nuk arritën të kualifikohen në Kupën e Kombeve të Afrikës që luhet në janarin e vitit 2013, ndërsa tani po mendojnë që të përgatiten sa më seriozisht për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin 2014. (LajmeShqip.com)