Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 12:30

Xhani De Biasi është shfaqur dukshëm i zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes kundër Islandës, ku ai dhe tifozët shqiptarë prisnin një fitore për të vazhduar ëndrrën e kualifikimit në Botërorin 2014. Sipas trajnerit italian, ishin kuqezinjtë ata që e meritonin fitoren në këtë sfidë dhe jo kundërshtari që krijoi vetëm 3 raste.

“Të vjen keq të humbësh në një ndeshje si kjo, në të cilën mendoj se luajtëm më mirë se kundërshtari. Goli i parë që pësuam ishte krejtësisht gabimi i ynë. Nuk duhet të bëjmë më gabime të tilla. Më vjen shumë keq për këtë ndeshje që humbëm pasi ishte përgatitur krejtësisht ndryshe dhe është e tmerrshme të mendosh që kemi pësuar dy gola nga Islanda”, tha trajneri italian që dukej qartë që nuk e kishte parashikuar kurrsesi një rezultat kaq negativ në “Qemal Stafa”.

“Ne bëmë gabime dhe krijuam raste për shënim, por realizuam vetëm një gol. Ata u mbrojtën mirë dhe ishin finalizues edhe më të mirë. Kishim gjithë javën që flisnim për rivënien anësore të kundërshtarit dhe pikërisht aty gabuam. Luajtëm një ndeshje më të mirë se ndaj Qipros, por u ndëshkuam nga gabimet tona”, tha trajneri i cili më pas tregoi se pse kishte bërë zëvendësimet në pjesën e dytë të ndeshjes.

“Nga Meha prisja më tepër, prandaj e zëvendësova, sepse pashë se nuk arrinte të shprehte në fushë potencialin e tij. Aktivizova Roshin pasi dëshiroja që të përmirësoja lojën në krahë. Sadiku bëri një ndeshje të shkëlqyer, futa Salihin e Bogdanin për ta mbështetur, me synimin për të fituar ndeshjen, por u ndëshkuam nga një goditje dënimi”, tregoi trajneri. Në fund, De Biasi nuk ka mbetur pa thumbuar edhe kundërshtarin e tij, Lars Lagerbak, i cili pas ndeshjes i bëri komplimente kuqezinjve për lojën e zhvilluar në këtë sfidë.

“Uroj që herën tjetër, ose më mirë në Islandë, të shkojmë ne dhe të bëjmë tre raste e dy gola, siç bënë ata. Pastaj do ta shihni se edhe unë do t’i bëj komplimentet e mia trajnerit Lagerbak”, ishte batuta ironike e trajnerit italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 21:01

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka regjistruar një humbje zhgënjyese në shtëpi 1-2 përballë Islandës dhe qartësisht që tani mund t’i thotë lamtumirë ëndrrave për një kualifikim të mundshëm në Botërorin 2014. Skuadra e drejtuar nga Xhani De Biasi ka dominuar në fushën e lojës por është goditur në momentet e saj më të mira nga islandezët që kanë shfrytëzuar rastet që i janë shfaqur. 

De Biasi kishte vendosur të mos rrezikonte me eksperimente, duke vendosur në prapavijë katërshen e zakonshme me Dallkun, Canën, Mavrajn e Lilën. I vetmi ndryshim në mesfushë ishte aktivizimi i Likës, ndërsa sulmi përbëhej nga dyshja Sadiku-Çani. Kuqezinjtë japin menjëherë sinjale se kërkojnë me ngulm fitoren, ku është Meha që provon të gjejë portën me një gjuajtje që në minutën e 6-të, por topi përfundon jashtë.

Por në momentin më të mirë të kuqezinjve, në minutën e 19-të, vjen goli i Islandës, falë një rivënie anësore, “arma e fshehtë” e islandezëve të drejtuar nga mjeshtri Lars Lagerbak. Topi përfundon te Bjarnason, i cili harrohet i vetëm para portës kuqezi dhe fillimisht me kokë kalon topin mes këmbëve të Ujkanit e pastaj e shtyn në rrjetë.

Kuqezinjtë hidhen me forcë në sulm, ku janë disa raste radhazi para portës kundërshtare, me Bulkun e Lilën që i afrohen golit. Megjithatë, në minutën e 29-të vjen edhe goli i barazimit që ndez entuziazmin e 10 mijë tifozëve të pranishëm në stadium që i rezistuan shiut për të mbështetur kombëtaren shqiptare. Meha shpërthen në krahun e djathtë dhe jep një top në qendër ku Çani shtyn sferën në rrjetë.

Në minutat e mbetura të kësaj pjese, fillon një rrebesh i dendur shiu që jo vetëm penalizon lojën e dy skuadrave, por edhe përmbyt stadiumin “Qemal Stafa”, duke bërë që të shtyhej fillimi i pjesës së dytë për të larguar ujin nga fusha, pjesë e të cilës ishte thuajse e papraktikueshme.

De Biasi vendos të ndryshojë diçka dhe aktivizon Roshin në vend të Mehës në fillimin e pjesë së dytë, por mesfushori e ka shumë të vështirë të tregojë teknikën e tij në terrenin e rënduar nga shiu. Të vetmet rreziqe për portën islandeze vijnë nga kombinimet mes dyshes Çani-Sadiku, ku i pari ul topin, ndërsa i dyti tenton të gjejë portën, por kundërpërgjigjet portieri kundërshtar që shpëton portën nga një gol i sigurt.

De Biasi aktivizon edhe Salihin, duke rreshtuar tashmë 3 sulmues në fushë, por ndërsa Roshi nga një anë humb mundësinë për avantazhin e kuqezinjve, janë kundërshtarët që gjejnë golin e dytë, falë një goditje dënimi perfekte të yllit Sigurdson në minutën e 81-të.

Në minutat e fundit ka kohë edhe për aktivizimin e Bogdanit, i cili tregohet i rrezikshëm me sugjerimet e tij për Sadikun e Roshin, por asnjëri nuk gjen rrugën e rrjetës dhe ndeshja mbyllet me fitoren e Islandës me rezultatin 2-1.

Me këtë humbje, kuqezinjtë duhet të bëjnë llogaritë mirë për të evituar vendin e fundit në grup, pasi tani edhe Islanda ka kaluar në renditje sipër kuqezinjve dhe pretendon pikërisht atë vendin e katërt që ishte objektivi minimal i Shqipërisë në këtë edicion. (LajmeShqip.com)

GRUPI E

Shqipëri-Islandë           1-2

29’ Çani / 19’ Bjarnason, 81’ Sigurdson

Zvicër-Norvegji            1-1

79’ Gavranoviç / 81’ Hangeland

Slloveni-Qipro              2-1

38’, 62’ Matavz / 83’ Aloneftis

Renditja: Zvicër 7 pikë, Islandë 6, Norvegji 4, Shqipëri 3, Slloveni 3, Qipro 3.

 
Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 08:40

Përfaqësuesja e Islandës ka pësuar një goditje mjaft të rëndë natën para ndeshjes me kombëtaren shqiptare të futbollit, pasi ka humbur shërbimet e një prej lojtarëve të saj më të mirë, mesfushorit Helgi Danielson. Ky i fundit është shtruar me urgjencë në një nga spitalet private të Tiranës pas simptomave akute të një viroze.

Gjatë pasdites së djeshme ai nuk është ndjerë mirë dhe ka shfaqur nauzea, duke alarmuar stafin e skuadrës nordike. Këta të fundit kanë vendosur të çojnë lojtarin në spital për ekzaminime, pas të cilave është zbuluar se ai ka simptomat e një viroze që po qarkullon aktualisht në Shqipëri.

Lojtari ka qëndruar i shtruar në spital nën kontrollin e mjekëve, i shoqëruar nga anëtarët e stafit mjekësor të Islandës., ndërsa pritet që sot të kthehet pranë kombëtares së tij. Por vështirë se mesfushori 31 vjeçar që luan me AIK Stokholm do të zbresë në fushën e lojës për sfidën e orës 19:00.

Kjo është një goditje e rëndë por skuadrën e Islandës dhe një lajm i mirë për kuqezinjtë e De Biasit, pasi futbollisti në fjalë është një nga pikat kyçe të mesfushës së ekipit dhe ishte planifikuar të luante titullar ndaj Shqipërisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 11:40

Trajneri i përfaqësues shqiptare, Xhani De Biasi, po mendon të bëjë ndryshime shumë të rëndësishme në formacionin e kombëtares për ndeshjen kundër Islandës, ku padyshim më i rëndësishmi është kthimi i Lorik Canës në repartin e mesfushës, vend ku ai ka shumë kohë pa luajtur me fanellën kuqezi.

Trajneri italian e ka eksperimentuar një gjë të tillë në miqësoren e luajtur dje kundër skuadrës së Olimpikut, të fituar me rezultatin 9-0 dhe ku shihej qartë se ai po ideon një rreshtim ndryshe nga ai i ndeshjeve të kaluara.

Ndryshimet fillojnë që nga mbrojtja, ku Curri është kthyer përsëri në qendër të këtij reparti, përkrah Mavrajt, me Dallkun djathtas e me Agollin që i është kthyer pozicionit të mbrojtësit të majtë, vend të cilin e ka mbajtur gjatë kohëve të fundit Andi Lila.

Kapiteni Cana do të kthehet në mesfushë, ndërsa bashkë me Kukelin do të formojë digën para mbrojtjes. Dy mesfushorët ofensivë do të jenë Roshi dhe Meha, për të shfrytëzuar aftësitë teknike të tyre dhe shpejtësinë përballë shtatlartëve islandezë. Edhe dyshja e sulmit pritet të formohet nga dy lojtarë të shpejtë, Salihi e Sadiku, duke parë se ata janë të vetmit që kanë luajtur më me rregullsi në kohët e fundit, në kundërshtim nga Çani e Bogdani që deri tani kanë ngrohur pankinën në ndeshjet e kampionatit.

Me këtë skemë, “të sakrifikuarit” janë Bulku, Lila e Vila, tre titullarët e sfidave të fundit, të cilët tashmë do të ulen në stolin e rezervave dhe do të shërbejnë si alternativa gjatë zhvillimit të ndeshjes.

De Biasi mendon që me këtë rreshtim, të sigurojë sa më shumë prapavijën, por edhe të ketë njëkohësisht 4 lojtarë që marrin pjesë aktive në lojën sulmuese, duke patur parasysh problemet që u shfaqën në takimin kundër Zvicrës, ku sulmi dukej i izoluar nga pjesa tjetër e ekipit dhe çdo veprim ofensiv ishte rastësor. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 October 2012 20:10

Debatik Curri ka bërë të qartë se synon të luajë të premten përballë Islandës në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2014. Qendërmbrojtësi i përfaqësueses kuqezi ka bërë të qartë se ka si objektiv të zbresë në fushë, ndonëse për rreth një vit ka qëndruar jashtë saj për shkak dëmtimesh të njëpasnjëshme që ndalën karrierën e tij te Gençlerbirligi në Turqi.

Në konferencën për shtyp të zhvilluar sot në hotelin ku gjendet e grumbulluar kombëtarja shqiptare, Curri analizoi kundërshtarin e radhës së kuqezinjve.

“Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë ndeshje, pasi Islanda është një kundërshtar i rrezikshëm. Forca e tyre është shtatlartësia e lojtarëve që kanë, ndaj na duhet që të përqendrohemi maksimalisht në goditjet standarde, në ato nga këndi dhe rivëniet anësore. Ata do të mundohen që të shfrytëzojnë rastet që krijojnë, sidomos në lojën në ajër”, tregoi qendërmbrojtësi.

“Personalisht jam shumë i lumtur për rikthimin në kombëtare, pasi më ka munguar ajo dhe shokët e ekipit gjatë kësaj periudhe. Unë jam i angazhuar në maksimum për t’u vënë në shërbim të suksesit të ekipit, ndërsa shpresoj që të marrim rezultate pozitive në të dy ndeshjet”, tha Curri para gazetarëve.

Me kthimin e Currit, De Biasi ka një alternativë më shumë në prapavijë, por njëkohësisht edhe telashet e para për ndërtimin e formacionit. Prapavija e dy ndeshjeve të fundit ka qenë ajo me Dallkun djathtas, Canën e Mavrajn në qendër e Lilën majtas.

Nëse Curri do të luajë në qendër të mbrojtjes, atëherë një mes Canës dhe Mavrajt duhet të ulet në stolin e rezervave, gjithmonë nëse trajneri italian nuk vendos të aktivizojë lojtarin në krahun e majtë ku u eksperimentua disa herë nga ish-trajneri Bariç, apo në qendër të mesfushës, ku ai ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 15:23

Ndonëse ndeshja kundër Zvicrës tregoi limitet e dukshme të përfaqësues shqiptare në krahasim me kundërshtarët më të fortë që kemi në grup, trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, ka deklaruar se synon vetëm fitore në dy sfidat e radhës që luajnë kuqezinjtë në Tiranë, ndonëse një prej tyre është një skuadër shumë e fortë si Sllovenia.

“Është në natyrën e trajnerit të kërkojë maksimumin në çdo ndeshje nga skuadra. Këtë kërkoj edhe unë nga skuadra për dy ndeshjet e radhës kualifikuese që luajmë në fushën tonë. Por unë jam tërësisht i përqendruar te Islanda, pasi duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të përgatitim gjithsesi secilën sa më mirë. Ndaj deri me datë 12 tetor do të luajmë ndaj Islandës, një sfidë ku pa dyshim do të luajmë vetëm për fitore”.

“Nuk kënaqemi me 4 pikë, sepse duam maksimumin. Sidoqoftë, këmbëngul se me rëndësi është fillimisht të fitojmë me Islandën. Duhet të kalojmë me sukses këtë kundërshtar dhe pastaj të bëjmë llogari për sllovenët. Islanda është ekip shumë i përgatitur në aspektin fizik, ndaj do të jetë përballje e vështirë me ta. Duhet të bëjmë kujdes me kartonët, sepse mund të humbim ndonjë lojtar të rëndësishëm”, ishte paralajmërimi i tij për lojtarët që janë ndëshkuar me karton të verdhë në dy sfidat e para ndaj Qipros e Zvicrës.

Trajneri ka sqaruar se pavarësisht mungesës në listë të disa futbollistëve të njohur, ai është duke i ndjekur ato me vëmendje dhe në të ardhmen mund të bëhen pjesë e kombëtares.

“Kombëtarja është e hapur për lojtarët më të mirë. Nuk janë ftuar për këto dy ndeshje por mund t’ju them se po shihen me vëmendje Edmond Kapllani, Bekim Balaj dhe Besart Berisha. Ata janë futbollistë që mund të thirren shumë shpejt në kombëtare”, tha De Biasi për futbollistët që mungojnë, ndonëse nuk ka hyrë në detaje porsa i përket mungesës së tyre, edhe pse ata po luajnë më rregullisht se sulmuesit e tjerë të grumbulluar me kuqezinjtë.

Në fund, De Biazi ka bërë të qartë se pavarësisht dëshirës së mirë, kualifikimi në Botëror mbetet ende një ëndërr. “Pavarësisht dëshirës së madhe për t’u kualifikuar e arritur sa më shumë rezultate pozitive në grupin tonë, nuk duhet të harrojmë se jemi ekip modest”, pranoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 13:20

Debatik Curri duket se më në fund ka lënë pas kalvarin e gjatë të dëmtimeve duke u kthyer përsëri pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është përfshirë në listën që trajneri De Biasi ka përpiluar për ndeshjet kundër Islandës dhe Sllovenisë.

Trajneri italian ka konfirmuar thuajse të gjithë lojtarët të cilët grumbulloi edhe një muaj më parë, për sfidat me Qipron dhe Zvicrën, ndërsa jashtë asaj liste ka mbetur vetëm sulmuesi Ahmed Januzi që luan në Ukrainë.

Ndërkohë, vazhdon të bëjë përshtypje fakti se nuk merret në konsideratë grumbullimi përsëri i Edmond Kapllanit, i cili është aktualisht sulmuesi më në formë kuqezi dhe po shënon rregullisht në Bundesligën 2. Sulmuesi durrsak aktualisht kryeson renditjen e golashënuesve të këtij kampionati me 5 gola të shënuar dhe është kthyer në lojtarin kyç të skuadrës së FSV Frankfurt që gjendet aktualisht në mesin e tabelës së klasifikimit.

Duhet theksuar se në repartin avancuar janë grumbulluar sulmuesit Çani, Bogdani, Salihi dhe Sadiku, ku vetëm ky i fundit luan rregullisht dhe shënon me skuadrën e tij, ndërsa të tjerët janë aktivizuar pak ose aspak me skuadrat respektive. (LajmeShqip.com)

Portierë: Samir Ujkani (Palermo), Etrit Berisha  (Kalmar), Orges Shehi (Skënderbeu)

Mbrojtës: Lorik Cana (Lacio), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Tefik Osmani (Vllaznia), Andi Lila (PAS Janina), Mergim Mavraj (Grojter Furth), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Renato Arapi (Skënderbeu), Franc Veliu (Flamurtari).

Mesfushorë: Jahmir Hyka (Luzern), Emiljano Vila (PAS Janina), Burim Kukeli (FC Zyrih), Ansi Agolli (Karabak), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Gilman Lika (Tirana), Ervin Bulku (Sepahan), Alban Meha (Paderborn), Odise Roshi (FSV Frankfurt).

Sulmues: Armando Sadiku (Lugano), Hamdi Salihi (DC Junajtid), Erjon Bodgani (Siena), Edgar Çani (Polonia Varshavë).

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 16:01

Kombëtarja shqiptare e futbollit mban vendin e 84-t në renditjen botërore të FIFA-s edhe për muajin tetor, pasi nuk ka bërë hapa para apo prapa në klasifikim pas dy ndeshjeve të luajtura kundër Qipros e Zvicrës.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani De Biasi kanë marrë pikët maksimale për suksesin ndaj qipriotëve, por asnjë pikë për humbjen në Zvicër, ndërsa mbeten në këtë pozicion në renditjen botërore dhe në vendin e 36-të në Evropë, shumë larg çdo pretendimi për “hapin pozitiv para” që trumbetohet prej kohësh.

Ndërkohë, ndër rivalët që kemi në grup për kualifikueset e me Botërorin 2014, me fitoren kundër Shqipërisë, kombëtarja zvicerane ka bërë hapa të rëndësishëm në klasifikimin botëror (+5 vende), duke mbajtur aktualisht vendin e 15-të në botë dhe të 11-tin në Evropë. Ky sukses është padyshim meritë edhe e futbollistëve shqiptarë të kësaj përfaqësueseje, pasi ishte Xhaka autor i golit në suksesin ndaj Sllovenisë, ndërsa Shaqiri shënoi pikërisht në sfidën kundër Shqipërisë.

Edhe Norvegjia është ngjitur në renditjen botërore (+8 vende), duke mbajtur tashmë vendin e 26-të, të 15-tin në Evropë. Një nga kundërshtarët e Shqipërisë në ndeshjet e  tetorit, Sllovenia, ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 11 vendesh, ndërsa tani mban vendin e 35-të në botë.

Islanda me të cilin luajmë po në tetor, është ngjitur me 21 vende ne renditjen botërore, duke qenë e 97-ta. Ndërsa Qipro ka fituar edhe më shumë vende, 28 të tillë, duke qenë tashmë e 107-ta në renditjen botërore, ndonëse u mund 3-1 nga kuqezinjtë në “Qemal Stafa” një muaj më parë.

Renditja botërore vazhdon të kryesohet nga Spanja, që është e shkëputur ndjeshëm nga Gjermania e vendit të dytë dhe Portugalia që mban vendin e tretë. Mbetet për t’u theksuar se vazhdon rënia e lirë e Brazilit, që tashmë mban vendin e 14-të në renditjen botërore, të cilën e ka dominuar për shumë vite me radhë. (LajmeShqip.com)