Lajme Shqip Thursday, 07 February 2013 09:40

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, ka fajësuar lodhjen e disa lojtarëve që janë në fazën përgatitore me klubet e tyre si dhe mungesat e futbollistëve të rëndësishëm për humbjen e pësuar përballë Gjeorgjisë në “Qemal Stafa”.

“Shpresoja të bënim një ndeshje më të mirë, por ndikuan shumë mungesat dhe gjendja fizike e futbollistëve të grumbulluar. Sipas meje, kjo miqësore nuk pasqyron mundësitë reale të ndeshjeve të fundit. Skuadra kishte probleme të shumta fizike, përveç faktit që gaboi shumë”, pranoi ai.

“Kanë kaluar tre muaj nga ndeshja e fundit dhe gjendja e futbollistëve nuk është e njëjtë. Pastaj, thirra lojtarë nga Zvicra e Ukraina, që janë mbrapa me përgatitjet. Nëse shihni golin e dytë, ai ka ardhur si rezultat i një lodhjeje fizike nga ana jonë, ndërsa i pari erdhi për shkak të një gabimi që nisi që në mesfushë dhe ata na kapën në kundërsulm. Gjithsesi, qe një ndeshje nga e cila mua më pëlqyen disa gjëra”, ishin fjalët e De Biasit në përfundim të takimit.

Por justifikimi i trajnerit italian duket absurd po të shohësh se futbollistët shqiptarë që nuk kanë filluar ende aktivitetin me klubet e tyre janë shumë pak, edhe po të krahasohen më ata të Gjeorgjisë, të cilët aktivizohen në kampionatin vendas apo atë rus, që fillon vetëm në muajin mars.

Edhe justifikimi i mungesave bie në kontrast me atë që kishte thënë vetëm pak ditë më parë se tashmë kishte një listë prej 35 futbollistësh të vlefshëm për kombëtaren që mund të luanin në eliminatoret e Botërorit 2014. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 21:23

Kombëtarja shqiptare e futbollit është mundur me rezultatin 2-1 në ndeshjen kundër Gjeorgjisë që bëri të lindin përsëri dyshime mbi aftësitë që ka kjo skuadër për të pretenduar në eliminatoret e Botërorit 2014. 

Përballë një kundërshtari që qëndron shumë shkallë poshtë në renditjen botërore të FIFA-s, De Biasi kishte vendosur të eksperimentonte, me Osmanin e Currin në mbrojtje, për të kaluar Canën në pozicionin e tij origjinal në mesfushë, ndërsa në sulm ishte i vetëm Bogdani, pas të cilit vepronin Bakaj-Roshi e Vila.

Por mungesa e një fantazisti të mirëfilltë në radhët e kuqezinjve bën që ndeshja të përqendrohet më shumë te aksionet nga krahët, ndonëse harkimet në adresë të Bogdanit mungojnë. Në rastin e vetëm që një gjë e tillë ndodh, sulmuesi shtatlartë tregon aftësitë e tij duke kaluar në avantazh përfaqësuesen tonë, për të shënuar golin e 18-të me kombëtaren.

Por kuqezinjtë vazhdojnë të mos bindin dhe për më tepër zhvillojnë disa gabime elementare edhe në pasim, si ai i Bakajt, i cili në minutën e 41-të i dhuronin topin kundërshtarëve, të cilët me një kundërzbritje të shpejtë realizojnë barazimin, me aksionin e finalizuar nga Vatsadze.

Barazimi i ndeshjes bën që De Biasi të tentojë një skemë të re në pjesën e dytë, duke kaluar rreshtimin kuqezi në 3-5-2, për të larguar Osmanin e për të aktivizuar Vajushin. Por kuqezinjtë e kanë të vështirë të krijojnë aksione të rrezikshme dhe nuk kanë saktësi as me gjuajtjet nga distanca. As aktivizimi me radhë i Hysajt, Sadikut, Balës, Arapit e Likës nuk ndryshon lojën e kombëtares kuqezi, që e ka të vështirë të gjejë hapësira në mbrojtjen kundërshtare. Rasti i vetëm për t’u shënuar është goditja e dënimit e Bulkut, e cila devijohet në shtyllë nga portieri gjeorgjian.

Por nëse kuqezinjtë zhvillojnë lojën në gjysmëfushën kundërshtare pa krijuar raste, miqve i mjafton vetëm një rast për të gjetur rrugën e rrjetës. Është minuta e 82-të kur një pasiguri në krahun e djathtë të mbrojtjes kuqezi, sjell golin e shënuar nga Lobzhanidze me një devijim me thembër që nuk i lë kohë Ujkanit të reagojë.

As tentativat e dëshpëruara të minutave të fundit nga kuqezinjtë nuk evitojnë këtë humbje, por për më tepër nuk mjaftojnë për të bindur dhe për të treguar se kuqezinjtë kanë një identitet të mirëfilltë loje. Kjo duket se do të jetë edhe detyra e parë e De Biasit për muajin në vazhdim, para ndeshjes shumë të vështirë me Norvegjinë në Olso. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 17:16

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, është dakord me vendimin e marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së se lojtarët që refuzojnë kombëtaren shqiptare të futbollit nuk duhet të grumbullohen më në të ardhmen. Vendimi i KE erdhi pas rasteve të radhës ku Ergys Kaçe refuzoi kombëtaren e madhe, Mërgim Brahimi kaloi nga U-21 e Shqipërisë te ajo e Zvicrës, ndërsa Elvis Kabashi refuzoi U-21 të Shqipërisë pasi kërkon të thirret nga kombëtarja e madhe.

“Besoj se është një rregull për t’u futur në rrugën e duhur. Mendoj se një lojtar që refuzon kombëtaren për arsye te ndryshme, ose është i këshilluar keq nga menaxheri i tij, ose nuk e ndien aq shumë lidhjen me shqiponjën dykrenare, pra me simbolin tonë. Kjo mungesë ndjnje për fanellën është një shenjë shumë e rëndësishme për një lojtar që nuk duhet të jetë lojtar i kombëtares”, ishin fjalët e trajnerit italian në konferencën për shtyp para miqësores që kombëtarja shqiptare do të zhvillojë të mërkurën kundër Gjeorgjisë.

Trajneri kuqezi ka përzgjedhur disa emra të rinj për këtë ndeshje, për të cilën mendon se do të ndihmojë më shumë ekipin kombëtar që të përgatitet për takimet zyrtare në kualifikueset e Botërorit 2014.

“Ky është një moment i rëndësishëm për ne, pasi lojtaret tanë janë pushim, sepse aktivizohen kryesisht në kampionate si Zvicra, Azerbajxhani apo Ukraina që nuk kanë rifilluar akoma. Kjo është ndeshja e 10-të që zhvilloj dhe këto ndeshje miqësore na ndihmojnë shumë për të provuar disa lojtarë e ndoshta për të gjetur elementët që t’i përdorim më pas edhe në ndeshjet zyrtare. Ekipit tonë i duhen sa më shumë ndeshje pasi mjafton t’i rikthehesh ndeshjes me Gjeorgjinë një vit më parë dhe ta krahasosh me tani për të dalluar sa shumë elemente kanë ndryshuar”, ishin fjalët e trajnerit kuqezi në lidhje me këtë takim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 03 February 2013 17:50

Elseid Hysaj dhe Erjon Dushku janë dy emrat e rinj që trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, ka përfshirë në listën e tij për miqësoren me Gjeorgjinë që luhet të mërkurën. Të dy mbrojtësit pritet të jenë mes debutuesve në këtë ndeshje, ndërsa duket se ndryshimet më të mëdha i ka pësuar reparti i sulmit.

Emri i Hysajt ishte mësuar prej dy javësh, pasi mbrojtësi shkodran kishte bindur trajnerin De Biasi me paraqitjet e tij mjaft pozitive në radhët e Empolit në Serinë B, duke u bërë një lojtar i domosdoshëm për prapavijën e kësaj skuadre. Ndërsa Dushku ka shkëlqyer në vitet e fundit me fanellën e Tiranës duke u konfirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë në kampionatin tonë, duke e merituar këtë ftesë që në fakt pritej prej kohësh.

Emrat e tjerë të kampionatit shqiptar janë mbrojtësit Renato Arapi e Tefik Osmani si dhe mesfushorët Erjon Vucaj e Gjergj Muzaka. Ndërkohë, jashtë listës është lënë Armend Dallku, i cili duket tashmë se është “divorcuar” me kuqezinjtë që nga momenti kur ka humbur vendin në formacionin titullar dhe kur i shpreh se nuk vinte në kombëtare për të qëndruar në stol.

Për këtë ndeshje, ndryshimet më drastike janë ato të repartit të sulmit, ku nuk janë thirrur as Egdar Çani e as Hamdi Salihi, ndërsa pritet të kenë më shumë hapësirë Armando Vajushi dhe Bekim Balaj.

Trajneri do të shpjegojë të gjitha zgjedhjet e tij gjatë ditës së hënë, kur fillon zyrtarisht edhe grumbullimi i përfaqësueses shqiptare për ndeshjen që luhet të mërkurën në orën 19:00 në stadiumin “Qemal Stafa”. (LajmeShqip.com)

Lista e Shqipërisë për miqësoren me Gjeorgjinë:

Portierë: Samir Ujkani (Kievo Verona), Etrit Berisha (Kalmar).

Mbrojtës: Lorik Cana (Lacio), Erjon Dushku (Tirana), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Andi Lila (PAS Janina), Mergim Mavraj (Grojter Fyrth), Renato Arapi (Skënderbeu), Elseid Hysaj (Empoli), Tefik Osmani (Teuta).

Mesfushorë: Alban Meha (Paderborn), Emilian Vila (PAS Janina), Gjergj Muzaka (Flamurtari), Ansi Agolli (Karabak), Odise Roshi (FSV Frankfurt), Ervin Bulku (Sepahan), Erjon Vucaj (Laçi), Elis Bakaj (Çernomorets Odesa).

Sulmues: Armando Sadiku (Lugano), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Erjon Bodgani (Siena), Bekim Balaj (Sparta Pragë).