Lajme Shqip Thursday, 16 January 2014 11:23

Me ftesë të presidentit, Bujar Nishani, sot do të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev.

Vizita e kreut të shtetit bullgar zhvillohet në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Thellimi i dialogut politik dhe tregtisë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, procesi i integrimit i Shqipërisë si dhe çështjet me rëndësi dypalëshe do të jenë në qendër të takimeve të kreut të shtetit bullgar me autoritetet shqiptare.

Presidenti Plevneliev do të zhvillojë sot në takim me homologun e tij shqiptar Bujar Nishani, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Gjithashtu, kreu i shtetit të Bullgarisë do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, shkruan shekulli.

Më pas në ambasadën bullgare në Tiranë, të dy presidentët Plevneliev dhe Nishani do të takohen me përfaqësues të biznesit, ku do të diskutohet për thellimin e tregtisë mes dy vendeve.

Më pas, të dy presidentët do të marrin pjesë në ekspozitën që do të zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, që do të zhvillohet në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në këtë eveniment do të performojnë edhe grupet folklorike nga të dyja vendet.

Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, presidenti bullgar Plevneliev do të takohet me kreun e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ndërsa do  të vendosë edhe një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.

Gjithashtu presidenti bullgar do të zhvillojë edhe një vizitë në qytetin e Krujës, ku do të vizitojë edhe kalanë dhe muzeun etnografik.

 
Lajme Shqip Thursday, 16 January 2014 11:06

Ora nuk ka shkuar ende 9 e mëngjesit, por njerëzit kanë nisur të përshkojnë oborrin e selisë së Partisë Socialiste. Një nga një paraqiten në hyrje të selisë me shqetësim në fytyrë, por dhe në zë. Kërkojnë të takojnë një ministër. Janë të paduruar të marrin sqarimin nga zonja e Informacionit që si përherë, është e para që pret çdo qytetar që paraqitet në zyrat e selisë rozë. “Duam të takojmë ministrin, dua të takojmë ndonjë deputet”, është kërkesa e tyre, po pa saktësuar se cilin nga të zgjedhurit e Partisë Socialiste. Për ta mjafton që të jetë dikush nga mazhoranca që të dëgjojë hallin e tyre, tu japë një zgjidhje. Zonja e informacionit i sqaron me radhë, secilin prej tyre, për procedurën, ndërsa u tregon dhe njoftimin e ngjitur në xham. “Të nderuar qytetarë, ju njoftojmë se takimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar do të zhvillohen në selinë e Partisë Socialiste në katin e IV, çdo ditë sipas këtij orari: e hënë – e premte ora 16:00 – 18:00 dhe e shtunë ora 11:00 – 13:00. Jeni të lutur të plotësoni formularin për takimin, që gjendet pranë recepsionit”, – thuhet në njoftim. Qëndroj ende aty ndërsa orët kalojnë dhe të tjerë njerëz drejtohen tek selia. Duke shpejtuar të mbyllnin çadrën që i kishte mbrojtur nga shiu, disa madje dhe krejt të larguar, drejtohen tek dera për të hyrë brenda. Por jo të gjithë ishin ‘me fat’ për të lënë një takim me ministrin. Në 2-orëshin e takimit të paracaktuar jo të gjithë mund të kenë mundësi të takojnë përfaqësuesin e kabinetit “Rama”. “Me vjen keq, por lista është mbyllur për sot. Ka përfunduar që në orën 9”, njofton zonja e dezhurnit të Informacionit, ndërsa ora shënonte 11:30. Mësojmë se sipas një procedure të caktuar nga strukturat e organizimit të Partisë Socialiste, çdokush që dëshironte të takonte një anëtar të kabinetit qeveritar duhet të paraqitej në mëngjes, të plotësonte një formular ku shënonte emrin, mbiemrin, arsimin përkatës dhe një numër kontakti dhe më pas të paraqitej sërish pasdite për të zhvilluar takimin. 

Orari i takimeve 

Pasdite holli i selisë së PS-së është i mbipopulluar. Tashmë jo me 4-5, por rreth 20-30 persona janë mbledhur atje ndërsa akrepat e orës kanë kaluar pak minuta nga 16:00. Të gjithë të shqetësuar presin për të hyrë brenda që të takojnë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. Kur afrohem dhe i pyes disa pohojnë se pasi kanë ardhur herët në mëngjes për të regjistruar emrin, tani presin radhën për të takuar ministrin. Por disa të tjerë thjesht kishin lexuar gazetat dhe pasi ishin informuar për takimin e pasdites, kishin rendur aty sapo ora shënoi 16: 00. “Duam të takojmë ministrin. Berisha dhe Basha na kanë lënë pa punë, kanë fituar dhe kanë ngrënë në kurrizin tonë”, – pohon një zonjë e cila refuzon të thotë emrin. Një tjetër person pohon se ai është pushuar nga puna që bënte në bashki. “Marangoz kam punuar, por dhe nga kjo punë më hoqi”, – pohon ai. Ndërsa ai po fliste dikush shfaqet në derë, “Takimet e parashikuara për sot shtyhen për të shtunën në orën 11:00 për shkak se ministri ka pasur shumë angazhime që nuk mund t’i linte dot”, njofton një djalë i ri. Të gjithë duken të pakënaqur, ndërsa nisin të largohen. Do tu duhet të presin dhe për disa ditë të tjera për t’i qarë hallin ministrit. Takimet në selinë rozë kanë nisur në zbatim të porosisë së kryeministri Edi Rama gjatë një nga mbledhjet e grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. “Kërkoj nga secili prej jush që, pa humbur kohë, të vendosë kontaktin e pandërprerë me qytetarët përmes zyrës së deputetit dhe të mbajë në korrent qeverinë për sugjerimet apo kritikat në çdo zonë”, – ishte porosia e kryeministrit.

Takimet në seli, sot qytetarët i pret Bushati

Çdo qytetar që do të flasë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, mund të paraqitet sot në selinë e Partisë Socialiste. Si dhe në ditët e para, planifikimi i takimit nis me plotësimin e formularit në orët e para të mëngjesit për tu rikthyer sërish pasdite në orën 16:00 deri në orën 18:00. Zoti Bushati ashtu siç bëri dy ditë më parë ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, do të presë qytetarët duke u njohur me shqetësimin e secilit prej tyre. Pasi të paraqitet problemi përkatës çështja mbahet shënim dhe do të përcillet në dikasterin që mund të ofrojë dhe zgjidhje. Kërkesa për punësim ka qenë kryefjala e qytetarëve në takimin e zhvilluar me ministren Nikolla por dhe në takimin e planifikuar me zotin Ahmetaj i cili u shty për ditën e shtunë. 

Të pushuarit nga Basha, kërkojnë zgjidhje te PS-ja

Të gjithë duan një vend pune, jo një punë në zyrë, por një punë të thjeshtë për të siguruar bukën e gojës. Kjo është kërkesa kryesorëve e qytetarëve që presin tek dera e selisë së Partisë Socialiste. Mes tyre është dhe Zydi Hasaj, i cili na tregon se e ka pushuar nga puna kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Me një shkresë në dorë dhe ai, po priste të takonte ministrin, edhe pse mësojmë se nuk kishte shënuar emrin në mëngjes për të rezervuar takimin. “Po pres të takoj ministrin, dua një vend pune. Basha më pushoi nga puna edhe pse isha një punëtor i thjeshtë. Ja dhe shkresa që më dha në dorë”, – pohon ai ndërsa na tregon një letër që në krye të saj shënon Bashkia e Tiranës. “Mbështetur në rregulloren “për organizimin, funksionimin, detyrat dhe kompetencat e administratës së drejtorisë nr. 3 të punëtorëve të qytetit”, miratuar me vendim të këshillit bashkiak nr. 31, datë 01.07.2014… si dhe bazuar në kontratën individuale të punës urdhëroj: Të ndërpriten marrëdhëniet e punës me zotin Zydi Hasaj, me detyrë bojaxhi pranë drejtorisë nr. 3 të punëtorëve të qytetit, Bashkia Tiranë. Arsyeja e largimit nga puna është përfundimi i kontratës individuale të punës. Të ndërpriten marrëdhëniet financiare në datë 05.02.2012. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet zyra e personelit, juristi dhe sektori ekonomik. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, -përfundon shkresa e firmosur nga përgjegjësi i zyrës së personelit në bashkinë e kryeqytetit, Neritan Kokomiri, jurisja Arlinda Pogaj dhe drejtori Alfons Meça. Zoti Hasaj ndërsa na tregon shkresën pohon se përveçse tashmë ka mbetur i papunë vijon të jetë i papaguar për 3 muaj që ka punuar si punonjës sezonal. “I kam kërkuar lekët e mia, por akoma nuk i kam marrë. Kam punuar 6 muaj në të zezë, kurse tani nuk kam më asnjë punë. Qiramarrësi më kërkon lekët se jam me qira. Dua të takoj ministrin të gjej një punë”, – shprehet ai. 

Zyrat e deputetëve, çdo fundjavë takime në zonë

Deputetët e Partisë Socialiste ishin të parët që nisën të zbatojnë urdhrin e Kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar takime me elektoratin. Sipas porosisë së veçantë të dhënë dhe të ripërsëritur dhe publikisht nga Rama, ligjvënësit socialistë kanë ngritur tashmë zyrat e tyre në zonat ku janë zgjedhur, ku kryesisht në fundjavë zhvillojnë takime me qytetarët. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, që kryesonte listën e kandidatëve për Tiranën, vijon çdo të mërkurë dhe të premte takimet në zonën e tij në Njësinë Nr. 5 në kryeqytet. “Në Njësinë 5 vazhdojnë takimet me organizatat e Partisë Socialiste. Ju faleminderit të gjithëve, sidomos ata që presin deri në orët e vona. Lista është e gjatë dhe tregues i një pune të palodhur në familjen e Njësisë 5. Nga muaji shtator çdo qytetar i Njësisë 5 ka pasur dhe ka dyert e hapura, çdo të mërkurë pas orës 5-së në zyrën e Partisë Socialiste tek Rruga “Komuna e Parisit” dhe çdo të premte pas orës 10 tek zyrat e Njësisë Bashkiake. Takimet mbyllen kur është takuar edhe qytetari i fundit”, – shkruan deputeti Majko në postim e tij në Facebook. Ndërsa deputeti i Librazhdit, Taulant Balla i zhvillon takimet çdo ditë të shtunë. “Çdo ditë të shtunë, pritje me popullin në zyrën time në Librazhd. Problematikat e shumta që ngrenë qytetarët do të ndiqen me përparësi”, – shkruan ai në Facebook. Alfred Peza, i zgjedhur për herë të parë si deputet, i fakton takimet me qytetarët në zonën e tij, duke publikuar foto në Facebook. “Jam i lumtur të njoftoj se mbajta premtimin që familja e Blerim Tabakut në komunën Shezë të Peqinit, ta kalojë Vitin e Ri 2014 në shtëpinë e re që i ndërtova me ndihmën e biznesit. Një atmosferë e jashtëzakonshme, ku festoi i gjithë fshati, nga fëmijët e deri te pleqtë. Një familje, pas 2 vjetësh jetese mesjetare në çadër, Rilindi”, – shkruan Peza në një nga këto postime./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 19 December 2013 15:11

Komiteti i Helsinkit ka prezantuar raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2013.

Në raport evidentohet rritja e kriminalitetit gjatë këtij viti, duke shtuar se katër vepra penale ndodhin brenda një ore, shumica e tyre për shkak të konflikteve për pronësinë.

Gjithashtu në raportin e Komiteti i Helsinkit theksohet se gjatë këtij viti kanë ndodhur edhe 95 vepra penale në ditë ndërsa janë vrarë 19 gra si dhe janë rritur aksidentet.

Komiteti shton gjithashtu se është lëkundur besimi ndaj drejtësisë për proceset gjyqësore dhe sidomos për proceset e bujshme si “Dajti”, “Gërdeci”, dhe”21 Janari”. raporton shekulli.

Më tej në raport thuhet se ka ankesa të shumta edhe ndaj sjelljes së prokurorëve ndërsa shton se  shqetësues mbetet trajtimi i shqiptarëve në pikat e kalimit kufitar, siç janë ato me Greqinë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 06 August 2013 12:36

Tiranë – Në Shqipëri vetëm marihuana e prodhuar në fshatin Lazarat, nëse do të shitej me pakicë në tregjet europiane do të kapte një vlerë prej 4.5 miliardë eurosh. Këtë e bëri të ditur dje komandanti i repartit të aviacionit të Guardia di Finanza-s italiane, Stefano Bastoni, i cili i dorëzoi autoriteteve të policisë shqiptare të dhënat mbi praninë e plantacioneve të mbjella me Canabis sativa të cilat u realizuan falë angazhimit dy mujor të avionëve të specializuar, transmeton VOA. Janë të paktën 304 plantacione të lokalizuara në zonat e Gjirokastrës, Vlorës, Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës

Për vite të tëra fshati i Lazaratit në jug të vendit është identifikuar si simboli i kultivimit të canabisit, por sot për herë të parë të dhënat e ofruara nga Guardia di Finanza italiane e cila prej fillimit të gushtit realizoi me anë të avionëve të specializuar identifikimin e zonave të kultivuara me këtë bimë narkotike, ofruan një panoramë të përmasës së këtij fenomeni. “Eshtë identifikuar në mënyrë tejet të detajuar ajo që nga qielli duket si një sipërfaqe e vetme prodhimi, zona e Lazaratit, e cila e vetme ka 319 hektarë terren të kultivuar me cannabis, e barabartë me po kaq fusha futbolli, që prodhojnë afër 900 ton produkt të përfunduar, të cilët të hedhur në tregun europian, me një çmim prej 5 eurosh grami do të vlente 4.5 miliard euro”, deklaroi Stefano Bastone, komandant I repartit të aviacionit të Guardia di Financa-s, italiane

Një shifër e cila ngjan marramendëse duke qenë se është vetëm pak më e vogël se gjysma e prodhimit të Brendshëm bruto të Shqipërisë. Të dhënat për Lazaratin i janë nënshtruar një përpunimi në një nga Universitetet e specializuara italiane dhe janë kryqëzuar edhe me imazhet dixhitale të marra nga një satelit izraelit.

Avioni i Guardia di Finanza-s italiane ka kryer misione dhe në zona të tjera të vendit. “Përmes të dhënave të marra në dy muaj në 25 misione fluturimi janë monitoruar 3618 kilometra katror sipërfaqe, e barabartë me afër 12.5 për qind të sipërfaqes së Shqipërisë. Përpunimi I të dhënave ka bërë të mundur identifikimin me një saktësi maksimale të 304 plantacioneve të cilat prodhojnë afër 4.5 ton produkt final”, shpjegoi zoti Bastone.

Avioni italian ka vëzhguar zona të cilat ishin përcaktuar si më problematiket nga autoritet e policisë shqiptare. “Zonat e identifikuara si me problematike gjatë këtij viti ka rezultuar të jenë Qarqet Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Tiranë dhe Durrës. Nga analiza e bërë rezulton se kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla të kultivuara larg zonave të banimit dhe kryesisht në zona të thella malore. Ndërkohë sa i përket autorëve mund të themi se ashtu si vitet e mëparshme, në shumë raste autorët janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre dhe kanë zhvilluar këtë aktivitet kriminal, në zona të tjera, duke shfrytëzuar lidhjet shoqërore e miqësore të tyre”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Hysni Burgaj.

Drejtori i Policisë njoftoi se ka nisur ndërhyrja në zonat e lokalizuara si plantacione me cannabis: “Deri në këto momente janë identifikuar dhe asgjësuar sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike në 108 raste, ku janë asgjësuar rreth 14.772 rrënjë bimë narkotike, si dhe janë proceduar 36 shtetas (23 janë arrestuar e ndaluar, 3 ndiqen në gjendje të lirë dhe 10 janë shpallur në kërkim)”.

Drejtori i policisë shqiptare tha se operacionet e ndërhyrjes në plantacione do të vazhdojnë në të gjithë territorin e vendit. Ai u shpreh se pjesa më e madhe e marihuanës është arritur të kapet përpara se të kalojë kufirin, duke përmendur shifrat e vitit të kaluar ku llogaritet të jenë sekuestruar mbi 21 ton. Por krahasuar kjo, me prodhimin që sipas të dhënave të sotme, realizohet vetëm në Lazarat, shifrat janë shumë të ulta. Policia shqiptare me gjithë premtimet e herëpashershme duket se ka dështuar në ndërhyrjet e saj në këtë fshat të jugut, ku vjet përpjekjet për të prishur disa plantacione hasën dhe në rezistencën e armatosur të narkotrafikantëve.

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 July 2013 14:57

Tiranë – Situata kriminale ka sjellë në Lezhë, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në takimin me krerët e policisë së qarqeve Lezhë, Shkodër e Kukës, Burgaj ka deklaruar se është e pakuptueshme një situatë e tillë dhe kjo mefshtësi e paraqitur në këtë periudhë tek uniformat blu do të ndëshkohet, raporton Shqiptarja. 

Ngjarjet e fundit kriminale, kryesisht në Shkodër e Lezhë e sidomos ajo e ndodhur në Pukë me plagosjen e 5 personave gjatë një tentative grabitjeje, do të ketë angazhim maksimal për zbardhjen e saj. 

Burgaj ka folur edhe për strukurat e policisë rrugore, duke deklaruar se ato nuk duhet të fshihen dhe të qëndrojnë në zona që nuk përbëjnë rrezik për aksidente, por të përqendrohen në pikat nevralgjike dhe që janë objekt i personave që grabisin.

 
Lajme Shqip Sunday, 23 June 2013 08:55

Tiranë – Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur sot që në orën 7:00, për t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve, në Tiranë, aty ku edhe ka votuar.
Pritet që rreth 3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës të ushtrojnë të drejtën për të votuar, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik, transmeton BalkanWeb.
Nga këta për herë të parë votojnë 165 mijë zgjedhës të rinj të grupmoshave 18, 19 dhe 20 vjeç . Po ashtu drejt kutive, në të gjithë Shqipërinë do të shkojnë edhe 560 mijë pensioniste nga të cilët 750 zgjedhës konfirmon Ministria e Brendshme nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe se të cilët nuk janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile. Por ndryshe nga këta, 380 persona të moshës 100-vjeçare të tjerë, të cilëve u ishin bllokuar emrat për shkak të moshës me kërkesë të posacme rifituan të drejtën e votës.
Në orën 7:00 të kësaj të diele hapën 5508 qendra votimi, të cilat, pritet të qendrojnë të hapura deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 të dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli.
Subjektet politike janë grupuar në dy koalicione: “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, ku pritet të votojnë 785 mijë persona kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë, ku pritet të votojnë 77 mijë.
Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtarët dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve printoi në Slloveni rreth 3 milion e 337mijë e 385 fletë votimi, ashtu siç e parashikon kodi, 2% më shumë se numri i zgjedhësve. Kryetarja e këtij komisioni i bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë. Kosto e këtyre zgjedhjeve është llogaritur nga KQZ rreth 744 milionë lekë. Kësaj vlere iu shtuan dhe rreth 3 milionë euro të tjera që cilat i janë paguar kompanisë spanjolle Indra pavarësisht se dy projektet pilote për numërimin elektronik në Fier dhe identifikimit elektronik të kartave të identitetit në Tiranë dështuan.
Menjëherë pas votimit kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi i bëri apel të gjithë shqiptarëve t’i drejtohen qendrave të votimit, pasi vota e tyre vlen, sic tha ajo.
“I ftoj shqiptarët të paraqiten të votojnë pasi është përgatitur e gjithë infrastruktura zgjedhore që të votojnë të lirë dhe në fshehtësi. Motoja jonë është: Vota jote vlen, votoni”, tha ajo.
Një apel tjetër kryetarja Lleshi e bëri për të gjithë komisionerët zgjedhorë, të cilët i ftoi të bëjnë detyrën duke iu përmbajtur kodit zgjedhor.
“Komisionerët të kryejnë detyyrën sipas kodit zgjedhor, të jenë jashtë ndikimeve politike’, shtoi ajo.

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 11:24

Tiranë – Partitë politike në Shqipëri mbrëmë i dhanë fund fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Dita e shtunë është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën shqiptarët do të japin votën e tyre në qendrat e votimit që do të hapen nga ora 07.00 e mëngjesit. 
Partitë politike mbrëmë përmes mitingjeve kryesore kanë mbyllur fushatën njëmujore, duke mbajtur tubimet qendrore në qendrat më të mëdha të vendit. 
Partia Demokratike i dha fund fushatës me një miting në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku më pas vijoi një koncert festiv. 

Ndërsa Partia Socialiste mbylli fushatën në Shkodër dhe më pas në Vlorë. Partitë e tjera politike gjithashtu mbyllën fushatën përmes mitingjeve finalizuese dhe takimeve me qytetarët dhe forma të tjera të fushatës. 
Në votimet e 23 qershorit gara kryesore do të zhvillohet midis dy koalicioneve politike, të djathtëve dhe të majtëve. Koalicioni i së majtës i quajtur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” e udhëhequr nga Partia Socialiste tubon rreth 40 parti politike.

Ndërsa koalicioni ““Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” i udhëhequr nga PD tubon 24 parti politike. 

Në garën zgjedhore janë edhe partitë e tjera politike LSI, FRD, Aleanca Kuq e Zi dhe partitë tjera më të vogla. Ndërsa kësaj gare i janë bashkëngjitur edhe deputetë të pavarur mes tyre politikanët e njohur si Arben Malaj, Nikollë Lesi, Dritan Prifti dhe emra tjerë në disa qarqe. 
Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që nga demokratizimi dhe fillimi i pluralizmit politik në Shqipëri.

Gjithsej mbi 3.1 milion zgjedhës janë të regjistruar për votimet e 23 qershorit.

Për herë të dytë zbatohet sistemi zgjedhor proporcional-rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe prej ku do të dalin 140 deputetët e parlamentit të ri.

Përveç vëzhguesve lokalë, rreth 550 vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE-ODIHR, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, NATO dhe BE do të ndjekin nga afër zgjedhjet.

Këto zgjedhje konsiderohen si një test i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri dhe integrimet evropiane. /INA/LSH/ 

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 15:04

Prishtinë – Fillimi i qershorit shënon edhe fillimin e sezonit turistik. Dy pikë-kalimet kufitare: ai në Morinë që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe pikë kalimi kufitar në Kullë që lidh Kosovën me Malin e Zi, janë të gatshme për pritje të fluksit të turistëve nga të dyja anët e kufirit. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Sabrije Kamberi, thotë spër Radio Kosovën se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e madh gjatë muajve të verës. Ajo tha se nuk do të ketë pritje të gjata të qytetarëve në këto vendkalime kufitare. 

Kamberi bëri të ditur se kalimi i kufirit bëhet vetëm me letërnjoftim. Ndërsa për fëmijët nën moshën 16 vjeç, nevojitet një dokument ku duhet të jetë e bashkangjitur një fotografi identifikuese. Kjo rregull vlen për të dy pikëkalimet, thotë Kamberi.
Ajo tha se janë marrë masa jo vetëm për të përforcuar shërbimet policore në doganë, por janë shtuar edhe postblloqet e policisë përgjatë aksit rrugor Bajram Curri – Qafë Morinë, me synimin e vetëm parandalimin e ndonjë ngjarje të papëlqyer. Kalimi me letërnjoftim vlen gjatë sezoni turistik në tre muajt e verës, qershor, korrik dhe gusht.

 
Lajme Shqip Friday, 31 May 2013 00:49

 

Në natën finale, të talent show-t  “The Voice of Italy”, sonte garuan katër këngëtarët e mbetur në skuadrat e Piero Pelu, Rafaela Carra, Noemi dhe Ricardo Cocciante, ku këngëtarja shkodrane, Elhaida Dani ishte e përzgjedhura e Cocciante-s.

Pas performancave të shkëlqyera  të këngëtarës shqiptare,  kjo e fundit bindi fuqishëm jurinë dhe publikun Italian.

Interpretimi i parë ishte  “I will always love you”, e cila përveç duartrokitjeve ka marrë edhe vlerësimin e juries, duke vazhduar me interpretimin e saj të dytë sëbahsku me trajnerin Riccardo Cocciante, që duhet theksuar se, për herë të parë ka kënduar në duet këngën e tij të famshme “Margherita”, aq shumë e dashur për publikun italian dhe më gjerë.

Një këngë që Cocciante e mbante në sirtarin e tij, me tekst të Roxanne Seeman, e titular ‘When love calls your name’ ishte interperetimi i saj i tretë. Me këtë interpretim vajza nga Shqipëria la me gojë hapur edhe vetë Coccianten, i cili u shpreh se e ruante si një gur të çmuar këtë këngë në sirtarin e tij, por që sot Elhaida e ktheu në një diamant.

Ishte Elhaida Dani që me sharmin dhe bukurinë prej femre shqiptare, arriti të shtrijë autoritetin qysh në rrethin e parë, ku ajo arriti që të rrëmbejë zemrat e të gjithëve, duke lënë të harruar konkurrentët tjerë finalistë Silvia Capason, Timothy Cavicchinin dhe Veronica De Simone.