Lajme Shqip Sunday, 30 September 2012 15:20

Tiranë – Zv.Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto ka marrë pjesë sot në çeljen e një shkolle në gjuhën shqipe në Volos të Greqisë.

Në fjalën e tij, Haxhinasto tha se hapja e kësaj shkolle është një ngjarje e rëndësishme për emigrantët shqiptarë që jetojnë në këtë zonë.

Ai e cilësoi shërbimin ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët në greqi janë të shumtë, si një detyrim madhor.

Zv.Kryeministri falenderoi kryebashkiakun e Volosit, Panos Skotiniotis për kontributin e tij personal në hapjen e shkollës shqipe.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 15:14

Shkup – Pasi që shumica parlamentare të martën mbrëma ka votuar ligjin për interpretimin autentik të ligjit të amnistisë, duke mbyllur kështu rastet e Hagës, familjarët e të rrëmbyerve maqedonas, të revoltuar, i kanë sulmuar verbalisht deputetët e BDI-së.

Ata ditën e kanë kaluar në Parlament, duke pritur Trajko Veljanovskin, që t’ua lejojë që seancën ta ndjekin nga galeria. Por, Veljanovski nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

Pas përfundimit të seancës, ata me sharje dhe ofendime i kanë përcjellë deputetët e shumicës, mes të cilëve edhe njërin nga deputetët e BDI-së, Talat Xhaferi.

Ndërkohë, familjarët e të rrëmbyerve maqedonas po protestojnë para qeverisë. Zyrtarisht askush nuk u ka thënë nëse do t’i pranojnë, por thonë se disa herë janë lajmëruar nga VMRO që të mos shqetësohen dhe se takim do ketë.

“Nëse nuk mund të na prese Gruevski, të na pranojë ndonjë këshilltar, Vllatko Ilievski ose shefi i kabinetit Martin Protogjer”, ka thënë Branko Jakimovski. Ai ka thënë se nga Gruevski ose nga këshilltarët e tij pret përgjigje se pse e ka shkelur premtimin dhe, në vend se në gjyq, rastet e Hagës janë zgjedhur në Parlament.

Ndërkohë, nga ana e qeverisë ende nuk ka ndonjë konfirmim nëse do të pranohen familjarët e të rrëmbyerve.

Me 63 vota pro dhe 29 kundër, Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për interpretimin autentik të nenit 1 të Ligjit për amnisti. (LajmeShqip.com)


 
Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 14:40

Shkup – U zhvillua debat i nxehtë në Parlamentin e Maqedonisë lidhur me ndryshimet në ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Interesim më të madh për të debatuar për këto ndryshime kanë shfaqur deputetët e opozitës, si të asaj shqiptare ashtu edhe të asaj maqedonase.

“LSDM nuk do t’i mbështesë ndryshimet në ligjin për gjuhën shqipe, këto ndryshime janë kundërkushtetuese dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit. DPMNE-ja, mes interesave shtetërore zgjodhi të mbrojë postin e kushëririt të Nikolla Gruevskit, Sasho Miallkov”, ka thënë nga foltorja e Parlamentit të Maqedonisë, deputetja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska.

Në fillim të seancës, deputetët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë kanë shpalosur qëndrimin e tyre se nuk do t’i mbështesin ndryshimet e këtij ligji, pasi që me këtë bëhet shkelja e kushtetutës.

Aleksandër Spasenovski, nga VMRO-DPMNE, ka thënë se me ndryshimet e ligjit implementohet Kushtetuta e Maqedonisë, sipas së cilës përdorimi i gjuhës së bashkësive të cilën e flasin mbi njëzet për qind e qytetarëve që nuk janë shumicë në Maqedoni, do të rregullohet me ligj. Sipas tij, këto ndryshime janë në harmoni të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 20:12

Shkup – Propozim-ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe interpretimi autentik i ligjit të amnistisë kanë shkaktuar të enjten debate të ashpra midis partive rivale maqedonase dhe atyre shqiptare. Interpretimi autentik i ligjit për amnisti ka marrë dritën jeshile nga Komisioni ligjvënës-juridik në Parlament, ndërsa atë e kanë votuar vetëm deputetët e VMRO-së dhe BDI-së, por jo edhe opozita.

Bekim Fazliu, nga PDSH, ka përkujtuar se një ligj të tillë identik para një viti e më shumë ka ngritur edhe partia e tij, por VMRO deri më tani nuk ka dashur ta vë në rend dite.

“Me këtë pazar politik, BDI bëhet peng i DPMNE-së dhe fillon një mandat i cili do jetë i keq për shqiptarët dhe BDI kërkon që të mbyllen rastet e Hagës vetëm që të shpëtojnë vetveten”, ka thënë Fazliu.

Ndërkaq, Talat Xhaferi ka konstatuar se nëse PDSH do të mendonte për shqiptarët, ajo do t’i mbyllte rastet e Hagës derisa ishte në qeveri.

Nga ana tjetër, partia e Branko Cërvenkovskit ka akuzuar partinë maqedonase në pushtet, VMRO, se po bën shkeljen e kushtetutës, duke mos respektuar procedurat parlamentare për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Opozita maqedonase ka kërkuar, madje që propozim-ligji të tërhiqet nga procedura parlamentare dhe të vendohet me procedurë të rregullt.

“Kur Gruveski dhe Ahmeti dëshirojnë të fshehin diçka nga opinioni, përfaqësuesit e qeverisë nuk janë prezentë në institucionin ligjdhënës. Sot këtu ka një të vërtetë, VMRO-DPMNE mes shtetit, kushtetutës ka zgjedhur postet kolltukët”, ka thënë Radmilla Sheqerinska, gjatë debatit në komisionin parlamentarë të sistemit politik.

Nga ana tjetër, Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE-ja, në fjalimin e tij ka thënë se me ndryshimet e reja të ligjit për gjuhët nuk do të çrregullohet sistemi shoqërorë në Maqedoni përveç se siç tha se “ministrat do të kenë të drejtë të flasin në gjuhën shqipe”.

“Është e tmerrshme kjo që e bëni ju, me këtë patriotizëm të rrejshëm pasi që kjo nuk do të ndikojë në rritjen e rejtingut të LSDM-së e as në zvogëlimin e asaj të VMRO-së. Një ish-kryeministër kuadër i LSDM-së, bashkëpunonte me një banda kriminale me qëllim të përfitimeve personale”, ka thënë Nikollovski.

Ndërkohë, deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Izet Zeqiri, ka thënë se këto janë vetëm ndryshime teknike, të cilat aspak nuk do ta avancojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe kërkoi që e njëjta të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 16:07

Shkup – Propozim-ligji për përdorimin e gjuhës shqipe ka shkaktuar debate të ashpra midis partive rivale maqedonase VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).

Partia e Branko Cërvenkovskit ka akuzuar partinë maqedonase në pushtet se po bën shkelje të kushtetutës, duke mos respektuar procedurat parlamentare për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Opozita maqedonase ka kërkuar që propozim-ligji të tërhiqet nga procedura parlamentare dhe të vendohet me procedurë të rregullt.

“Kur Gruveski dhe Ahmeti dëshirojnë të fshehin diçka nga opinioni, përfaqësuesit e qeverisë nuk janë prezentë në institucionin ligjvënës. Sot këtu ka një të vërtetë, VMRO-DPMNE mes shtetit e kushtetutës, ka zgjedhur postet e  kolltuqet”, ka thënë Radmilla Sheqerinska, gjatë debatit në komisionin parlamentar të sistemit politik.

Nga ana tjetër, Aleksandër Nikollovski, nga VMRO-DPMNE-ja, në fjalimin e tij ka thënë se me ndryshimet e reja të ligjit për gjuhët, nuk do të çrregullohet sistemi shoqëror në Maqedoni, përveç se, siç tha ai, “ministrat do të kenë të drejtë të flasin në gjuhën shqipe”.

“Është e tmerrshme kjo që bëni ju, me këtë patriotizëm të rrejshëm, pasi që kjo nuk do të ndikojë në rritjen e rejtingut të LSDM-së e as në zvogëlimin e asaj të VMRO-së. Një ish-kryeministër, kuadër i LSDM-së, bashkëpunonte me një bandë-kriminale me qëllim të përfitimeve personale”, ka thënë Nikollovski.

Ndërkohë, deputeti i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Izet Zeqiri, ka thënë se këto janë vetëm ndryshime teknike, të cilat aspak nuk do ta avancojnë përdorimin e gjuhës shqipe dhe kërkoi që e njëjta të jetë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 14:12

Shkup – Në Parlamentin e Maqedonisë vazhdojnë mbledhjet e komisioneve, ku në rend dite është kërkesa për dhënien e interpretimit autentik nenit 1 të Ligjit për amnisti, parashtruar nga deputetët e BDI-së Talat Xhaferi, Ermira Mehmeti, Rexhail Ismaili, Suzana Salihu, Vjollca Mehmeti Nuredini, Arben Labënishta, Dëshira Ymeri, Behixhudin Shehapi, Irfan Deari, Rafet Muminoviq.

Anëtarët e komisionit ligjdhënës-juridik është paraparë t’i shqyrtojnë edhe propozim-ligjet për ndryshimin e ligjve për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20 për qind të qytetarëve të Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale, për përdorimin e flamujve të bashkësive, për veprimtarinë radiodifuzive, për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, për Këshillin e Prokurorëve publikë dhe për mbrojtjen nga pirja e duhanit, të gjitha këto me procedurë të shkurtuar.

Në rend dite janë edhe mbledhjet e komisioneve për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, për financim dhe buxhet, për transport, lidhje dhe ekologji dhe komisioni ligjdhënës-juridik.

Deputetët, mes tjerash, do ta shqyrtojnë edhe Propozim vendimin për miratimin e Planit financiar të Ndërmarrjes publike Radiotelevizioni i Maqedonisë për aktivitete të rregullta dhe investuese dedikuar për emetimin e aktiviteteve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2011. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 19:21

Shkup – Xhelal Bajrami është kandidati më serioz për ministër të ri të Ekonomisë, pasi që në kryesinë qendrore të BDI-së është vendosur që kryesuesi i deritanishëm me këtë dikaster, të bëjë rotacion në Mbrojtje, mëson nga burime jozyrtare portali Lajmeshqip.com.

Edhe pse ish-ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Xhelal Bajrami, me profesion është jurist, ai shikohet favorit, shkaku i, siç thuhet, “afërsisë që ka me kreun e Likovës, Sadulla Duraku”. Kësaj i shtohet edhe ajo se në listën për deputet ai ishte në vendin e 19 në zonën zgjedhore 2, një vend para Xhevat Buçit, me premtimin se që të dy do hyjnë në pushtetin ekzekutiv.

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), sipas burimeve të portalit LajmeShqip.com, ka vendosur edhe për kandidaturat e ministrave të tjerë në Qeverinë me VMRO-DPMNE. Me euro-integrimet do të udhëheqë Teuta Arifi, me Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, me Ministrinë Ekologjisë Abdilaqim Ademi, me Ministrinë e Pushtetit Lokal Nevzat Bejta, derisa me Ministrinë e Drejtësisë, kryetari aktual i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti.

Gjithashtu, krerët e kësaj partie janë informuar dhe kanë miratuar marrëveshjen që lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, e ka arritur me mandatarin për formimin e qeverisë, Nikolla Gruevski.

Deri në fund të javës, mandatari Gruevski do të dorëzojë përbërjen e re qeveritare në arlamenti. Nga eshalonët tjera, BDI do udhëheq me Fondin për rrugë, Policinë pyjore dhe drejtor të dytë në Sigurimin shëndetësor, derisa postet e drejtorëve në MPB, DHP dhe Doganë, mbeten në DPMNE.

Por, siç kanë bërë të ditur burime të Lajmeshqip.com, një ditë më parë nuk ka kaluar kërkesa e BDI- për pensione të luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa rreth rasteve të Hagës, sipas rekomandimeve të Gjykatës së Hagës dhe ndërkombëtarëve janë marrë vesh për autenticitetin e tyre. Gjuha nuk do jetë si e dytë zyrtare sikur ka kërkuar BDI. Kryesuesi i Parlamentit nuk do të mund të flasë në gjuhën shqipe, ministrat shqiptar do të mund të përgjigjen në gjuhën e tyre nëse deputetët u drejtohen në gjuhën shqipe. Nuk ka kaluar as kërkesa e BDI-së që gjykatësit në komunikimin zyrtar të shfrytëzojnë gjuhën shqipe.

Madje, BDI ka lëshuar pe edhe në parimin e Badenterit në gjykata. Partnerët e koalicionit kanë arritur marrëveshje për precizimin e ligjit për përdorimin e flamujve, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 14:44

Shkup – Parlamenti i Maqedonisë sot shqyrton propozim-ligjin për ndryshim të Ligjit për përdorim të gjuhës që e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve në vend dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale si dhe propozim-ligji për ndryshim të Ligjit për përdorim të flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë.

Kjo me procedurë të shkurtuar është parashtruar të martën nga deputetët e BDI-së. Deputeti, funksionari i zgjedhur ose i emëruar nga Parlamenti i Maqedonisë, i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, ndërsa të cilin e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, në seancë të Parlamentit dhe në seancë të trupit punues, mund të flasë në atë gjuhë. Në vetëqeverisjet lokale ku më shumë se 50 për qind e popullatës janë pjesëtarë të bashkësisë, flamuri i saj do të mund të theksohet së bashku me atë shtetëror në objektet me karakter publik dhe lokal.

Vetëqeverisja lokale do të vendosë se kur do të përdoret flamuri i bashkësisë në jetën publike dhe zyrtare, parashikojnë ndryshimet e Ligjit për përdorim të flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë.

Edhe ky Propozim-ligj është parashtruar nga ana e deputetëve të BDI-së dhe do të shqyrtohet me procedurë të shkurtuar. Parashihet, gjithashtu, që flamuri shtetëror të jetë më i madh për një të tretën nga flamujt tjerë. Flamuri i bashkësisë do të theksohet gjatë ardhjes zyrtare të një përfaqësuesi të lartë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në ditë të mbajtjes së manifestimeve me karakter lokal dhe ndërkombëtar.  (LajmeShqip.com)