Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 16:12

Nuk ka kaluar pa probleme miqësorja e kombëtares shqiptare mes Shqipërisë dhe Moldavisë, si rrjedhojë e tensioneve që kanë shpërthyer në fushë mes lojtarëve kuqezi.

Në minutat e fundit të ndeshjes, dukej qartë mosmarrëveshja dhe debati mes lojtarëve të prapavijës: Cana, Dallku e Mavraj, si dhe më pas këtu u përfshinë edhe lojtarët e mesfushës si Bulku e në disa raste edhe Roshi. Shkak u bënë aksionet e kundërshtarëve të cilët depërtuan disa herë në zonë për shkak të pasigurisë së prapavijës kuqezi.

Cana, duke qenë edhe kapiten i skuadrës, ka ngritur zërin disa herë duke u kërkuar Dallkut e Mavrajt që të mbulonin daljet e tij para, ndërsa dy shokët e tij të repartit nuk ishin shumë të lumtur me faktin që ai braktiste vazhdimisht pozicionin e tij.

Ky ka qenë shkaku që më pas në debat janë përfshirë edhe lojtarët e mesfushës, të cilëve u është kërkuar që të “vrapojnë dyfish” për të dubluar pozicionet sa herë që një prej mbrojtësve dilte para.

Shkëmbimet e fjalëve mes lojtarëve ishin aq të dukshme sa edhe Cana, pas përfundimit të takimit, e pranoi një fakt të tillë, por duke saktësuar se kishin qenë shokët e skuadrës ata që kishin gabuar gjatë këtij takimi dhe se ai u kishte tërhequr me të drejtë vëmendjen.

“Kjo është normale pasi një pjesë e mirë e çunave janë të rinj dhe nuk janë ambientuar me ekipin. Unë doja t’i karikoja dhe t’u jepja sa më shumë besim edhe kur humbnin topin apo bënin gabime të thjeshta”, ishin fjalët e Canës që nuk ka dashur të përmendte emra të veçantë të “të rinjve” që gabuan. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 10:50

Miqësorja e radhës e kombëtares shqiptare i ka treguar trajnerit Xhani De Biasi se do të jetë shumë e vështirë që kjo përfaqësuese të arrijë rezultatet e shpresuara nëse nuk gjen sa më parë një mesfushor organizator. Këtë e ka bërë të qartë vetë tekniku i kuqezinjve pas ndeshjes me Moldavinë, të mbyllur në barazim 0-0, ku kombëtarja u shfaq me një lojë krejtësisht pa ide.

“Ishte ndeshje e vështirë, pasi lojtarët tanë nuk janë në formën më të mirë. Për më tepër, patëm vështirësi në ndërtimin e lojës, pasi repartet nuk funksionuan siç duhet. Prisja më shumë nga reparti i mesfushës, sepse aty kishim më shumë vështirësi nga të gjithë repartet”, deklaroi trajneri italian i përfaqësueses.

“Moldavët nuk kishin një skuadër më të mirë se e jona, por ishin më të freskët në fushë pasi kampionati i tyre ka filluar prej kohësh. Ndoshta nëse takimin do ta luanim pas 2-3 javësh, mund ta fitonim. Gjithsesi, këtë ndeshje unë e përdora për të bërë eksperimente dhe morra përgjigjet që doja si nga sulmi, ashtu edhe nga mbrojtja”.

“E nisëm lojën mirë dhe po të kishim shënuar, do të flisnim ndryshe tani. Nuk do të marr me radhë të gjithë lojtarët, them vetëm që Cana e Mavraj ishin në një formë të mirë, ndërsa mesfushorëve u mungonte përgatitja fizike në këtë sfidë. Tani do të ulem të mendoj për të bërë korrigjimet e mia për ekipin para ndeshjes me Qipron”, deklaroi trajneri italian që duket se ka kuptuar se ka shumë punë për të bërë që të ndërtojë një ekip konkurrues me lojtarët që kanë dispozicion. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 August 2012 22:27

Ka përfunduar me rrjeta të paprekura miqësorja mes përfaqësueses shqiptare të futbollit dhe Moldavisë, e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”. Në një takim kur pritej konfirmimi i një skuadre të fortë për eliminatoret e Botërorit 2014, zgjedhjet e De Biasit kanë zhgënjyer, duke shfaqur shumë pak para publikut shqiptar dhe duke mos arritur të përsëritin formën e mirë të shfaqur në miqësoret e mëparshme.

De Biasi ka bërë eksperimente duke u bazuar në formacionin që do të hidhte në fushë për ndeshjen me Qipron, duke aktivizuar nga minuta e parë Ujkanin në portë, e para tij Dallkun, Canën, Mavrajn e Lilën, me këtë të fundit që “debutonte” në pozicionin e mbrojtësit të majtë. Në mesfushë, Bulku e Memushaj luanin në qendër, ndërsa Vila e Bakaj nga krahët, për të mbështetur dyshen e sulmit Salihi-Çani.

Është pikërisht emri më i ri i sulmi kuqezi që bëhet protagonist në disa aksione radhazi në fillimin e takimit, duke pasur mundësi që në minutën e 2-të të ndeshjes për të gjetur avantazhin, por gjuajtja e tij me kokë nuk përfundon në kuadrat. Por fillimi i vrullshëm nuk vazhdon gjatë dhe loja bie në ritme monotone, për shkak të pasaktësisë së kuqezinjve, ndërsa moldavët rrinë në mbrojtje dhe mendojnë më shumë për të mos pësuar gola.

Mesfusha kuqezi duket se është problemi kryesor pasi nuk arrin të furnizojë siç duhet Salihin e Çanin, me këta të fundit që detyrohen shpesh të kthehen mbrapa për të marrë topin. Çani ka edhe një tjetër mundësi me një gjuajtje me kokë në minutat fundit të pjesës së parë, që mbyllet me shumë pak gjëra për t’u shënuar.

De Biasi bën lëvizje të menjëhershme në pjesën e dytë, duke larguar Çanin e Memushajn, për t’i bërë vend Bogdanit e Roshit. Por përsëri kuqezinjtë nuk arrijnë të gjejnë një të çarë në mbrojtjen kundërshtare dhe thuajse çdo aksion i krijuar përfundon pa një gjuajtje në portë.

As aktivizimi i Agollit, Zeqirit e Hykës nuk shërben për të ndryshuar këtë situatë dhe ndeshja mbyllet me një barazim që ka krijuar shumë pikëpyetje mbi mundësitë që ka kombëtarja jonë për të arritur rezultate pozitive gjatë eliminatoreve të Botërorit 2014. Ndonëse trajneri De Biasi e ka cilësuar këtë si një test i rëndësishëm për të parë gjendjen e futbollistëve, vështirë se ai do të jetë kënaqur nga ajo që ka parë në fushën e lojës, pasi çdo repart ka shfaqur probleme të cilat në një ndeshje zyrtare duhen evituar për të shmangur humbjet. (LajmeShqip.com)