Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 20:50

Edgar Çani ka treguar për mediat italiane se si ka qenë grumbullimi i tij i parë me përfaqësuesen shqiptare, ku ka qenë protagonist në ndeshjen kundër Gjeorgjisë me golin e shënuar në minutën e 3-të.

“Ishte bukur të shënoje me fanellën e kombëtares, por fatkeqësisht rezultati nuk ishte pozitiv. Duhet të punojmë shumë, kemi shumë gjëra për të rregulluar edhe si strukturë loje. Konkurrenca me Bogdanin? Na nevojiten të gjithë, për skuadrën dhe për grupin. Është i mirëpritur kushdo që mund të na ndihmojë”.

Më pas, sulmuesi ka folur për trajnerin De Biazi, duke treguar se e sheh të motivuar për të dhënë maksimumin, ndërsa ka zbuluar se tashmë kombëtarja shqiptare e futbollit po përshtatet mjaft mirë me trajnerin italian dhe idetë e tij.

“De Biazi shpjegohet në italisht dhe të gjithë e kuptojnë, ndoshta disa gjëra jo por për këtë kemi përkthyesin. Por mund të them se mirë apo keq e kuptojnë të gjithë, edhe për faktin se në Shqipëri të gjithë shohin televizionet italiane”.

“Trajnerin e shoh shumë të motivuar, por të ndërgjegjshëm që duhet të luftojmë shumë për të arritur kualifikimin. E shoh të bindur dhe me ide të qarta mbi punën që duhet bërë. Më ka lënë një përshtypje të mirë, ka dëshirë që të bëjë një punë të bukur”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar për mediat italiane. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 20:46

Samir Ujkani ka qenë padyshim lojtari më i mirë në fushë për kombëtaren shqiptare, pasi ka arritur të presë dy 11-metërsha të gjuajtur nga futbollistët e Gjeorgjisë. Portieri ka treguar me siguri se protesta e tij në golin e dytë të gjeorgjianëve ishin për prekje të topit me dorë, ndërsa ka bërë të qartë se gjyqtari ishte ai që kishte gabuar në favor të vendasve.

“Jam shumë i kënaqur me lojën tonë, sidomos atë që bëmë në pjesën e parë. Ne vuajtëm vetëm në 20 minutat e para të pjesës së dytë, pasi Gjeorgjia ushtroi presing të lartë dhe në këtë moment pësuam golin e parë. Goli i dytë i gjeorgjianëve ishte i parregullt. Protestova të gjyqtari pasi lojtari kundërshtar e preku topin me dorë në atë aksion, por ai vazhdoi lojën”.

“Luanim në një fushë të vështirë, ndaj paraqitja e kombëtares në këtë miqësore, në total, duhet konsideruar pozitive. Me De Biazin do të përfitojmë shumë faktikisht”.

“Personalisht, jam i kënaqur që prita dy penallti, edhe pse nuk e evitova humbjen. Po punoj shumë te Novara, ndërsa po mundohem të përparoj edhe me kombëtaren. Në të shkuarën kam bërë ndonjë gabim, por më duhet të fitoj edhe pak eksperiencë”.

“Etrit Berisha në kombëtare? Unë nuk e njoh personalisht, por e di se është një portier shumë i mirë. Ai është i mirëpritur nga unë, sepse të gjithë kemi një qëllim: Të ecim sa më para me kombëtaren! Dhe konkurrenca, edhe në portë, e siguron këtë gjë. Këtu nuk kanë përparësi interesat personalë të miat apo të ndokujt tjetër, por përfaqësimi sa më dinjitoz i Shqipërisë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 20:11

Një nga futbollistët më të lumtur të përfaqësueses kuqezi, pavarësisht humbjes, ka qenë sulmuesi Edgar Çani, i cili ka bërë realitet ëndrrën të shënojë në ndeshjen e parë me fanellën e kombëtares.

Por pavarësisht gëzimit për golin, ai ka theksuar se ky është vetëm një fillim për të dhe ekipin, ndërsa duhet shumë punë për të ecur përpara.

“Jam shumë i kënaqur për golin dhe debutimin që bëra me kombëtaren. Por dua të them se luajtëm një ndeshje me dy tablo. Një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën e nisëm keq, shumë të ndrojtur, ndaj edhe pësuam golin e barazimit shumë shpejt. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi ndeshje pas ndeshjeje”.

“Kisha shumë emocione që para se të niste loja, duke qenë se kisha debutimin tim me Shqipërinë. Por, fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë, sepse shënova gol që në minutën e tretë. Kjo më ndihmoi ta përballoja presionin e ndeshjes së parë me kombëtaren”.

“Mund të bënim më shumë dhe më mirë në pjesën e dytë, por duke qenë se ishte një ndeshje miqësore, nuk kemi pse hidhërohemi nga humbja. Duhet të nxjerrim mësimet e duhura dhe të shohim përpara”, deklaroi sulmuesi i përfaqësueses shqiptare që ka bindur me lojën e tij që në ndeshjen e parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:32

Xhani Di Biazi nuk e ka nisur me fitore karrierën e tij në stolin e përfaqësueses shqiptare siç e kishte premtuar pak ditë më parë pasi kuqezinjtë u mundën 2-1 nga Gjeorgjia. Por tekniku italian është i ndërgjegjshëm që në këtë rezultat ka patur gisht gjyqtari i takimit.

“Preokupimi im nuk është për rezultatin, është për episodet që bëjnë ndryshimin në një ndeshje dhe mund të them se sot gjyqtari na ka rënë “kokës”. Ajo që më intereson është fakti se skuadra, sidomos në pjesën e parë, ka treguar futbollin që më pëlqen mua, futbollin me organizim dhe kundërzbritje, me dëshirë të madhe për të luajtur”.

“Në ndryshim nga rezultati, paraqitja e skuadrës ishte shumë pozitive dhe ashtu siç e thashë edhe më parë, episodet ishin vendimtare pasi ishin ata që bënë ndryshimin. Por skuadra më pëlqeu shumë”.

“Mendoj se duhet të punojmë më shumë që të menaxhojmë rezultatin. Është e qartë se sot kemi hedhur hapat e parë, ndaj unë jam mjaft i kënaqur”.

“Mendoj se Çani bëri gjithçka shumë mirë, punoi shumë dhe bëri një gol të bukur. Ishte një lojtar i rëndësishëm sot për ne. Edhe ata që u futën në pjesën e dytë, ndonëse patën probleme të lehta në lojë, arritën të shfaqen mirë”, ishte komenti i trajnerit italian referuar debutuesve në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 17:40

Xhani De Biazi e ka filluar me një humbje eksperiencën në stolin e përfaqësueses shqiptare, pasi kuqezinjtë janë mundur 2-1 në Gjeorgji. Ka qenë një ndeshje me dy fytyra ku kombëtarja ka shkëlqyer në pjesën e parë, ndërsa ka treguar dobësi në pjesën e dytë, duke i lënë ndeshjen në dorë vendasve. 

De Biazi ka konfirmuar skemën 4-1-4-1 me Bulkun para mbrojtjes dhe Çanin si sulmues të vetëm. Ndeshja fillon si mos më miri për kuqezinjtë që gjejnë golin e avantazhit pikërisht me anë të Çanit, i cili shfrytëzon një gabim të kundërshtarëve për të rrëmbyer topin dhe për të shënuar me një diagonale që në minutën e 3-të.

Për minuta më radhë, loja flet vetëm për kuqezinjtë që mbrojnë dhe sulmojnë në grup. Por këtu hynë në skenë personazhi i “paftuar”, gjyqtari moldav Genadi Sidenko. Ky i fundit nuk ngurron të japë një penallti të dyshimtë në favor të vendasve në minutën e 27-të kur një ndërhyrje e Veliut cilësohet e parregullt. Por Ujkani tregon aftësitë e tij duke pritur penalltinë e Dvalishvilit dhe tentativën e dytë të Martsvaladze.

Pjesa e parë mbyllet me një epërsi të dukshme në lojë për kombëtaren tonë por pjesa e dytë fillon si mos më keq. Agolli gabon dy herë radhazi dhe i fal topin kundërshtarëve, ndërsa Kobakidze “falënderon” duke e dërguar sferën pas krahëve të Ujkanit.

Që nga ky moment, në fushë është vetëm Gjeorgjia që nxjerr në pah të gjitha gabimet e kombëtares tonë, duke e vënë në presion të vazhdueshëm mbrojtjen kuqezi dhe duke tentuar disa herë të kalojë Ujkanin.

Në minutat e fundit të ndeshjes, kur përfaqësuesja jonë po shihte gjithnjë e më shumë drejt portës kundërshtare duke arritur të çlirohej nga presoni i vendasve, mendon përsëri gjyqtari i takimit t’i japë një ndihmë vendasve duke akordua një 11-metërsh absurd kundër një largimi topi të Zeqirit.  

Ujkani vesh sërish petkun e “superheroit” duke pritur një tjetër penallti, por pas tre gjuajtjes në vazhdim të kundërshtarëve, topi i gjuajtur nga Amisulashvili përfundon në rrjetë, ndërsa gjyqtari injoron faktin që sfera preket me dorë dhe në pozicion jashtë loje nga një prej futbollistëve gjeorgjianë.

Sfida mbyllet mes protestave të kuqezinjve ndaj gjyqtarit i cili rrethohet nga forcat e policisë në stadiumin gjeorgjian, duke treguar se kjo ndeshje kishte humbur krejtësisht kuptimin e fjalës “miqësore”. (LajmeShqip.com)