12
 
Lajme Shqip Monday, 28 April 2014 18:15

Gjykata e Tiranës ka vijuara sot seancën e radhës në lidhje me çështjen “Gjika”, ku ka dëshmuar  Theodhoraq Pashai anëtar i Këshillit të Rregullimit te Territorit të Bashkisë së Vlorës në 2010.

Ndërsa kreu i bashkisë së Vlorë, Shpëtim Gjika dhe të akuzuarit e tjerë nuk kanë qenë sot të pranishëm në seancë.

Prokuroria po heton për tre leje ndërtimi të dyshuara me shkelje ligjore të dhëna gjatë vitit 2010. Pashaj ka dëshmuar në lidhje me procedurat e mbledhjes së KRT-së dhe shqyrtimin e lejeve për sheshe ndërtimi.

Gjatë dëshmisë së tij, mësohet se Pashai ka deklaruar se, “gjatë kësaj kohe janë shqyrtuar kërkesat për leje ndërtimi për shoqëritë “Deco Sistem sh.p.k” dhe “EN BJO sh.p.k.”

Dy javë më parë 3 të pandehur përfituan nga amnistia e bërë nga qeveria. Deri më tani kryebashkiaku Shpëtim Gjika dhe 4 të pandehur të tjerë akuzohen për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve”.

 

 
Lajme Shqip Monday, 21 April 2014 12:11

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ka munguar për të tretën herë në seancën gjyqësore të zhvilluar ndaj tij dhe katër bashkëpunëtorëve të akuzuar për “falsifikim dokumentesh” për leje ndërtimi.

Gjatë zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, përveç Gjikës nuk ishin të pranishëm as 4 të pandehurit e tjerë, që siç mësohet përfaqësoheshin nga avokatët e mbrojtjes.

Ndërkohë, tre të pandehur të çështjes “Gjika” u kanë rënë akuzat pas amnistisë së bërë nga qeveria që hyri në fuqi në datën 10 prill 2014. Gjithashtu dhe tre të pandehur të tjerë janë lehtësuar nga akuzat, pasi u ka rënë ajo e ndërtimit pa leje.

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në bashkëpunim me persona të tjerë akuzohet për falsifikim të dokumenteve të KRRT-së të institucionit që ai drejton. Më konkretisht bëhet fjalë për objektin që ndodhet te vendi i quajtur “Tre racat”, ndërsa objekti i dytë ndodhet brenda territorit të portit.

Ndërkohë, në total numri i personave në hetim nga Prokuroria e Vlorës në lidhje me dosjen “Gjika” janë shtatë persona, ku janë zhvilluar dy seanca gjyqësore në Gjykatën e Vlorës dhe më pas është marrë vendimi për të transferuar dosjen për gjykim në Tiranë.

 

 
Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 12:16

Gjatë shqyrtimit të çështjes “Gjika” në Gjykatën Penale të Tiranës, organi i akuzës ka paraqitur prova të reja për lejet e ndërtimit në Vlorë.

Sipas Prokurorisë, “tre firmat që kanë kryer ndërtimet më përpara, kanë firuar lejen e ndërtimit dhe më pas janë regjistruar në QKR”.  Provat e paraqitura nga Prokuroria u pranuan nga Gjykata Penale e Tiranës.

“Bashkia dhe INUK-u nuk mori parasysh kallëzimet e mia. U detyrova dhe kallëzova në Prokurori”, – u shpreh dëshmitari Mezn Mezani. 

Ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika nuk ndodhej në gjykatë pasi ai ndodhej në aktivitetin e zhvilluar në Vlorë për prezantimin e prefektes së re.

 
Lajme Shqip Monday, 31 March 2014 14:58

Është shoqëruar me debate seanca gjyqësore e rradhës e kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe eskpertes së çështjes Luiza Bala. Në këtë seancë, të caktuar nga gjykata me kërkesë të prokurorisë, është marrë në pyetje nga avokatët, ekspertja Bala.

 
Në fjalën e saj ekspertja është shprehur se është shkelur vendimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit i cili nuk lejon ndërtime në zonën e portit dhe “3 racat”. pasi konsiderohen si zona të gjelbërta.
 
“Në bazë të vendimit të KRTRSH në vitin 2002, nuk lejohen ndërtime në zona të gjelbërta, dhe kjo do të thotë se nuk lejohen ndërtime në zonën e portit pasi konsiderohet zonë e gjelbërt.” mësohet të jetë shprehur ekspertja Bala.

Ndërkaq ka replikuar ​Shpëtim Gjika i cili ka mohuar akuzat duke hedhur poshtë provat. Sipas tij nuk ka vendim të tillë për moslejimin e ndërtimeve në zonën e portit dhe “3 racat”, ndërsa ka shtuar se do të mbajë përgjegjësi penale për atë që deklaron.
 
Pasi ka dëgjuar të dyja palët gjykata vendosi që në seancën e rradhës të thërrasë nga organi i akuzës 4 dëshmitarë, për tu marrë në pyetje për çështjen në fjalë. Seanca e rradhës do të zhvillohet javën e ardhshme me datë 7 prill./shqiptarja/

 
Lajme Shqip Monday, 03 March 2014 14:42

Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar sot seanca për kryetarin e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në seancë ishte i pranishëm edhe vetë kryetari i bashkisë së Vlorës dhe shtatë të pandehurit e tjerë të cilët akuzohen për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”. 

Avokatët e të pandehurve kanë kërkuar pushimin e çështjes, me arsyetimin se Prokuroria e Vlorës ka shkelur procedurat gjatë hetimit. Ndërsa kryebashkiaku Gjika e ka cilësuar hetimin e tij si një proces të montuar nga prokuroria dhe se është hetuar në mënyrë skandaloze.

 “Në fakt siç e shikoni unë jam prapë në seancë çdo të hënë. Këto nuk ishin vetëm kërkesat e mia. Ky është një proces i montuar nga prokuroria, prandaj unë jam në paqe me moralin tim, sepse e di si ka filluar dhe pse është hetuar në mënyrë skandaloze. Ky proces ka filluar 3-4 muaj pas zgjedhjeve dhe sot prokuroria kërkon kohë. Kjo të skandalizon. Ka pasur shkelje të afateve të hetimit. Prokuroria nuk ka zbritur nga qielli, por është këtu për të bërë punën”, -deklaroi Gjika. 

Megjithatë Gjika garantoi se ai do të jetë i pranishëm në çdo seancë që do zhvillohet në kryeqytet për të mbrojtur moralin e tij. Seanca e radhës është caktuar për të hënën e ardhshme, kur do të dëgjohen pretendimet e organit të akuzës. 

Sipas Prokurorisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka falsifikuar, në bashkëpunim, procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-së së Vlorës, duke ndryshuar përmbajtjen e tyre. Në vijim këto dokumente dyshohet se i kanë “hapur rrugë” ndërtimit për dy pallate shumëkatëshe në qytetin bregdetar.

 
Lajme Shqip Monday, 03 February 2014 12:30

Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika doli sot në një deklaratë për shtyp kundër prefektit Besnik Dervishi i cili sipas tij ka bërë aludime shumë të rënda kur ka aluduar për një klan që ndodhet pas tentativës së atentatit të tij dhe që e gjithë Vlora e njeh.

“Më ka ardhur keqardhje për çka  ai ndodhi, sepse dhe unë kam pasur gjëra të tilla. Por insituticoni i prefektit  ka bërë deklaratë shumë të rëndë dhe aludime shumë të rënda për një klan që ndodhet pas tentativës se e gjithë Vlora e njeh.

Sa për “klanin” që ju, z. Prefekt e aludoni si “klanin tuaj kundërshtar dhe të drejtuar nga unë vetë” dhe si të tillë e keni hedhur për konsum tavolinash, ju siguroj se i vetmi klan, të cilit unë i përkas është “klani” i qytetarëve vlonjatë i përkas “klanit” socialist që ka vendosur mes një mijë vështirësive ta rilindë Vlorën dhe Shqipërinë.”- tha Shpëtim Gjika, raporton Shqiptarja.

“Si nëpunës shteti nuk duhej të kishe bërë gol në portën tonë. E di tërë Vlora ata që më duan se Gjika nuk është as hajdut dhe as kriminel sot jam në dyert e gjykata e ti si jurisit e di shumë mirë se përse jam.”- vazhdoi më tej ai.

DEKLARATA E PLOTE SHPETIM GJIKES 
Të nderuar bashkëqytetarë,
Dëshiroj të ndaj sot me ju dy fjalë, pas një periudhe jo të shkurtër reflektimi.

Kjo deklaratë e sotme ka lidhje me situatën më të fundit të krijuar në qytetin tonë pas arrestimeve të bujshme e të suksesshme nga ana e Policisë së Shtetit, të disa bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të dyshuar të asaj që po quhet “banda e tritolit”.

Nuk mund të ketë qytetare e qytetar vlonjat që të mos e përshëndesë e të mos e inkurajojë këtë sukses më të fundit të qeverisë socialiste të Edi Ramës, të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, të zotit Saimir Tahiri, si ministër, dhe të vetë Policisë së Shtetit.

Çdokush nga ne e kupton se këto janë përpëlitjet e fundit të një krimi monstruoz, që po ia merrte frymën Vlorës e po e terrorizonte atë.

Sepse deri para 23 qershorit, organet e specializuara, madje dhe prokuroria, paskan qenë shumë të zëna me Shpëtim Gjikën dhe i kanë mbyllur sytë para këtyre formave tepër të rrezikshme të krimit të organizuar, deri terrorist.

Por sot nuk dua të flas për pozitën time në raport me ligjin, të cilën, siç jua kam premtuar juve dhe do ta mbaj atë premtim, ia kam lënë drejtësisë shqiptare të thotë fjalën e vet, me besimin ende të palëkundur se e drejta dhe e vërteta zhytet, por nuk mbytet.

Edhe pse pa lidhje të drejtpërdrejtë me pozitën time ligjore, këto arrestime e këto hetime më bëjnë të jem optimist, se ato dëshmojnë që shteti është ashtu siç e donim, në këmbë, se policia po vepron, se krimi po humbet dita-ditës terrenin që kishte fituar padrejtësisht në kurriz të qytetit e tuajin, të dashur bashkëqytetarë.

Shqetësimi im si kryetar i bashkisë dhe si i zgjedhuri juaj tre herë me radhë, me një plebishit votash, lidhet me investimin e përbashkët që kemi bërë përgjatë tërë këtyre viteve për ta çliruar Vlorën nga imazhi dhe nga pasojat negative, të frikshme, të vitit 1997.

Mund të krenohemi se ia kemi dalë mbanë ta kthejmë Vlorën nga kryeqyteti fajdeve, i skafeve, i krimit dhe i drogës, në një qytet normal, që përballet me sfida normale të zhvillimit e të përparimit.

Por, fatkeqësisht, dikush po përpiqet ta hedhë në erë këtë investim, dikush po u fryn zjarreve dhe kërkon të ringjallë nga hiri, hijet e errëta të 97-s.

Po e bën këtë gjë, sipas mendimit tim dhe opinionit qytetar, me shumë mendjelehtësi, edhe opozita politike parlamentare dhe sidomos njeriu që e ka fort të lidhur emrin me 97-n, Sali Berisha.

Dhe po e merr përgjigjen politikisht.

Por ajo që nuk e prisja as unë dhe as ju është që, për fat të keq, po jep një dorë për këtë, me ca deklarime “absurde”, njeriu që është i dërguari i qeverisë në qark, mëkëmbësi i saj në qytet.

Po, e kam fjalën për Prefektin e Qarkut.

Dhe, që të kuptohem drejt, nuk kam parasysh z. Besnik Dervishi si person, për të cilin nuk kam veçse keqardhje dhe solidaritet për çka i ndodhi, meqë edhe vetë, siç e dini, i kam pasur ca siklete të ngjashme nga një “dorë bujare”, nga këto që të godasin pas shpine e në pabesi.

E kam fjalën për institucionin e Prefektit që sot ai përfaqëson e nga i cili ai ka bërë, para pak ditësh, një deklaratë shumë të rëndë, me ca aludime shumë të errëta e shumë të rrezikshme.

Në një dalje publike, z. Prefekt ka aluduar për një “klan” që ndodhet pas tentativës për goditjen e tij e të cilin, po sipas tij, “e gjithë Vlora e njeh”.

Dëshiroj t’i kujtoj z. Prefekt, madje po të dojë, edhe nga pozita e zyrtarit që e ka mbajtur para tij atë post, se ai, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në qarkun e Vlorës dhe në qytetin e Vlorës, duke qenë se për shkak të detyrës duhet të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm e të klasifikuar, nuk mund të flasë me opinione e me llafe rruge, e ca më pak t’i amplifikojë thashethemet e ligësitë, duke i humbur rrugën e duke ia ngatërruar pistat hetimeve që po kryhen.

Pra, z. Prefekt ose e ka këtë informacion për këtë “klan që vepruaka në qytet” (dhe nëse e ka, nuk i takon ta dekonspirojë para mikrofonave të gazetarëve dhe telefonave të opinionbërësve, por ta çojë atje ku ligji e detyron atë dhe çdo qytetar), ose nuk e ka dhe flet me mllefe personale dhe e kthen hatërmbetjen personale në “kauzë shtetërore”, duke bërë kështu sërish një shkelje, më së paku të etikës së nëpunësit të shtetit.

E sa për “klanin” që ju, z. Prefekt e aludoni si “klanin tuaj kundërshtar dhe të drejtuar nga unë vetë” dhe si të tillë e keni hedhur për konsum tavolinash, ju siguroj se i vetmi klan, të cilit unë i përkas është “klani” i qytetarëve vlonjatë që punojnë me zemër e me mendje për Vlorën, i përkas “klanit” socialist që ka vendosur mes një mijë vështirësive ta rilindë Vlorën dhe Shqipërinë.

Dhe ti, mesa di, je pjesë e të njëjtit “klan”.

Unë dhe ti, sikurse çdo qytetar i ndershëm vlonjat, s’kemi asnjë lidhje okulte me klane mafioze e me celula vrasësish gjakftohtë, qofshin këta edhe “të penduar”.

Z. Prefekt, me deklaratat e tua të papërgjegjshme politikisht e ligjërisht, ti mund “t’ua pasosh topin” ca pseudo-gazetarëve dhe pseudo-opinionistëve, që në ajër e pritën “pasimin” tënd, por si nëpunës shteti e si pjesë e politikës, për aq sa je, ti nuk duhej “të kishe bërë gol në portën tonë”.

E përsa më takon mua, e di tërë Vlora, e dinë të gjithë vlonjatët, ata që më duan e ata që s’më kanë dashur kurrë, se Shpëtim Gjika nuk është as hajdut, as kriminel.

Po, jam sot në dyert e gjykatave, por edhe ti e di besoj, së paku si jurist, se për cilat arsye.

Nuk mund të duroj as ty, Besnik Dervishi, as ty Fatos Lubonja e as këdo tjetër që gjoja në emër të opinioneve personale, të lëshoni akuza në erë që të më inkriminojnë në veprimtari të tilla, tipikisht mafioze.

Jo, kurrësesi, jo!

Keni shkuar shumë larg, po aq larg sa ç’shkonin akuzuesit e Lubonjës, në një kohë tashmë të harruar, kur i atribuonin atij të pabëra e të pathëna.

Prandaj jam sot këtu, para jush, të nderuar qytetarë.

Nga njëra anë që t’ju siguroj edhe një herë se Shpëtim Gjika është po ai që ka qenë deri më sot, po ai që do jetë edhe kur të mos jetë më kryetar i Bashkisë suaj, një qytetar i Vlorës, pa biznese të fshehura, pa asnjë ambicie për ta bërë politikën biznes e ca më pak biznes kriminal.

Nga ana tjetër, dhe kjo ka shumë më tepër rëndësi për të gjithë, t’ju siguroj edhe një herë, në emër të qeverisë socialiste që ju e keni votuar e së cilës jo vetëm politikisht, por me mish e me shpirt i përkas,

· se gjithçka do të sqarohet e do të qartësohet,

· se qeveria ka vullnetin e hekurt ta zbërthejë deri në ingranazhin më të fundit çdo qelizë kriminale e çdo tentativë për të detonuar arritjet e saj, të sotme apo të nesërme.

Në emër të këtij qëllimi do të punojmë të gjithë, unë si kryetar i Bashkisë, ju si qytetarë, zoti Prefekt po ashtu, e kushdo tjetër që e dëshiron Vlorën në pararojë të zhvillimit të të gjithë vendit, ashtu si deputeti i parë i Vlorës, kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka premtuar.

Ju faleminderit!

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 January 2014 13:50

Pas transferimit të dosjes në Tiranë, Gjykata e Vlorës ka ndërprerë gjykimin ndaj Kryetarit të Bashkisë të këtij qyteti, Shpëtim Gjika.

Në seancën e sotme gjyqësore, Gjika nuk ishte i pranishëm në sallë por ai është përfaqësua nga dy avokatët mbrojtës.
 Ndërkohë Gjykata e Lartë ka vendosur që kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika të gjykohet në Tiranë.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së qytetit bregdetar, pasi ky qytet nuk ofronte kushtet për zhvillimin e një proçesi të rregullt gjyqësor, shkruan shqiptarja. 
Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika, akuzohet për falsifikim të dokumentave dhe dhënie e lejeve të ndërtimit në vendet ku nuk është e ndaluar me ligj.

Më konkretisht bëhet fjalë për objektin që ndodhet te vendi i quajtur “Tre racat”, ndërsa objekti i dytë ndodhet brenda territorit të portit të Vlorës.

 
Lajme Shqip Sunday, 05 January 2014 13:54

Vlorë– Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka postuar ditën e djeshme në profilin e tij në rrjetin social Facebook një foto të realizuar në qytetin bregdetar me kryeministrin dhe deputetin e Vlorës Edi Rama.

Gjika e shoqëron foton me një status urimi. “04 Janar 2014! Me Kryeministrin dhe deputetine Vlorës, Edi Rama! Për mua jo vetëm mbarësi, por përgjegjësi dhe angazhim!”, shkruan qytetari numër një i Vlorës që është pjesë e një gjykimi lidhur me abuzimet me lejet e ndërtimit në qytetin bregdetar. /albeu/

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 November 2013 13:06

Vlorë-Dosja e të akuzuarit Shpëtim Gjika dhe të bashkëpandehurve të tij, për shpërdorim detyre dhe falsifikim pritet të zhvendoset në një tjetër qytet.

Bëhet me dije se Gjykata e Vlorës, ka bërë një kërkesë për të transferuar dokumentacionin përkatës në gjykatën e një tjetër rrethi gjyqësor.

Gjykata e Lartë do të jetë ajo, e cila do të vendosë nëse seancat gjyqësore ndaj Gjikës do të zhvillohen në qytetin e Vlorës ose jo, shkruan shekulli.

Dyshimet e trupit gjykues për kërcënime apo presion ndaj prokurorëve të çështjes, e kanë detyruar gjykatën të kërkojë transferimin e këtij procesi. 

 
Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 19:28

Tiranë- Shpëtim Gjika shkon para Gjykatës së Vlorës, për herë të parë në cilësinë e të pandehurit. rrethuar nga mbrojtësit e tij, kryebashkiaku i Vlorës është shoqëruar edhe nga simpatizantët që e kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre ditëve. I zgjedhuri i tyre është përballur me akuzat e ngritura nga prokuroria për falsifikimin e lejeve të ndërtimit për dy pallate. Në sallën e gjyqit, nga lista e të pandehurve është paraqitur vetëm Kryetari Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, pasi pjesa tjetër janë përfaqësuar vetëm nga avokatët mbrojtës të tyre.  Gjika në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas ngritjes së akuzave bëri me dije se do të fliste vetëm para gjykatës për të gjitha akuzat që iu publikuan dhe vetëm aty do të provonte të kundërtën e tyre. Mirëpo në seancë mungoi njëri nga të pandehurit, për të cilin ishte depozituar një raport mjekësor. Në këto kushte gjyqtarët vendosën të shtyhej seanca për në datën 5 dhjetor 2013. Prokuroria e Vlorës e akuzon Gjikën se, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë që datojnë marsin dhe korrikun e vitit 2010. 

 

Hetimet  

 

Hetimet ndaj kryebashkiakut të Vlorës kanë nisur që në shkurt të këtij viti, për t’u finalizuar me marrjen e tij dhe disa personave të tjerë si të pandehur. Sipas organit të akuzës, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera lidhur me këtë çështje penale, është arritur në përfundimin se Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë, konkretisht të datave 24.03.2010 dhe të datës 15.07.2010. Në dosjen e prokurorisë  theksohet se Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, ka lëshuar vendimet e datës 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010, që janë dokumente të cilat kanë në përmbajtjen e tyre rrethana të rreme, pasi dy sheshet e ndërtimit dhe dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë marrë në shqyrtim dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë. Prokuroria saktësoi se këtë fakt e kanë dëshmuar vartësit e Gjikës gjatë procesit hetimor disamujor. Kështu, procesverbali i mbledhjes së KRRT-së së datës 15.07.2010, si dhe vendimi i lëshuar nga Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së më 15 korrik 2010, bën fjalë për miratimin në lagjen “29 Nëntori”, të sheshit të ndërtimit dhe të lejes së ndërtimit për kompleks banimi dhe shërbimi 13 kate, me parkim nëntokë, me pronarë të truallit të pandehurit Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati, Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj. Vendi për të cilin është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Racat”. Ndërsa procesverbali dhe vendimi i marsit të po atij viti kanë lejuar ngritjen e ndërtimit në lagjen Pavarësia, me pronar Gëzim Fetën, i cili gjendet në listën e të pandehurve. 

 

Akuzat dhe të  pandehurit 

 

Prokuroria pretendon se e ka të faktuar se këto dokumente me rrethana të rreme janë përdorur nga të pandehurit Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, ndërsa të pandehurit Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj, Artan Ferati, si dhe i pandehuri Gëzim Feta, kanë bashkëpunuar me të pandehurit Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, sipas episodeve përkatëse. Së bashkua ata kanë kryer ndërtimin e objekteve në mënyrë të paligjshme, duke ditur që nuk kanë marrë në formën e parashikuar nga ligji ndonjë vendim nga organet kompetente për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit si dhe vendim për miratimin e lejes së ndërtimit. Lidhur me rrethanat e theksuara, të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga personi që e ka për detyrë, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë. Të pandehurit Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, të kryera në bashkëpunim. Ndërsa, të pandehurit Mustafa Tartari, Artan Ferati dhe Aleks Ahmataj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, të kryer në bashkëpunim./shekulli/ 

 

12