12
 
Lajme Shqip Friday, 17 January 2014 13:36

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me disa anëtarë të ekipit të tij ka marrë vendimin për rrënimin e objektit të kompanisë ‘Elkos Group’ në Kodrën e Trimave. KTV njofton se rrënimi tashmë ka filluar.

Përfaqësuesi i kompanisë, Fatos Alimehaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e bën këtë me qellim dhe ende pa marrë përgjigje nga Drejtoria e urbanizmit.

Njëra pjesë e këtij objekti ka leje, por Inspektoriati i Komunës ka vendosur të rrënojë vetëm pjesën e tejkalimit te lejes. 

Në asistencë janë edhe Policia e Kosovës./koha/

 
Lajme Shqip Friday, 27 December 2013 16:36

Prishtinë- Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti në ditën e parë në orar të plot në komunën e Prishtinës ka prezantuar kabinetin e tij.Ky është kabineti :

Dardan Sejdiu- Nënkrytar i komunës së Prishtinës.
Liburn Aliu- Drejtori i Urbanizmit
Arben Zhitia-Drejtori i Shëndetësisë:
Blerta Zeqiri-Drejtoreshë e Kulturës 
Xhelal Svelça- Drejtor i Inspeksionit-
Ardian Gashi- Drejtor për Shërbime Publike
Nora Kelmendi- Drejtoria e Kadastres
Besnik Bislimi – Ushtrues detyre i Drejtorisë së Financave
Muhedin Nushi- Drejtoria e Administratës 
Dardan Sejdiu – Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik
Fitore Pacolli-Dalipi- Kabineti i Kryetarit të komunës
 

Ahmeti shkoi me autobus në punë 

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka filluar me realizimin e parë të njërit nga premtimet. Ai sot në vendin e punës ka shkuar me trafik urban. Gjatë udhëtimit ai ka folur me qytetarë për probleme të kryeqytetit. Sot, në ditën e tij të punës, është paralajmëruar se Shpendi do të prezantojë qeverinë vet komunale. /koha/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 December 2013 15:15

Prishtinë- Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë sot betimin para flamurit kombëtar dhe atij të Kosovës. Ai ka falënderuar administratën e Komunës që ia ka mundësuar një gjë të tillë.

“Falënderoj administratën e Komunës që ma mundësoi betimin tim para flamurit kombëtar”, është shprehur Ahmeti.

Ahmeti është pritur edhe në zyrën e ish-kryetarit Isa Mustafa. 

Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Komuna e Prishtinës është e qytetarëve të saj dhe se ai bashkë me të tjerët janë vetëm menaxherë.

Ahmeti është zotuar se do të punojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës, duke përmendur se prioritet i tij është zbatimi dhe sundimi i ligjit për të gjithë pa marrë parasysh se kush janë ata. 

Ahmeti krejt në fund u ka thënë punëtorëve të administratës së Prishtinës, se ata të cilët kanë punuar nuk kanë nevojë t’i frikësohen ndryshimit./epoka e re/

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 December 2013 15:44

-Është peshë e madhe të mbash të gjithë këtë shpresë?

Ahmeti: Natyrisht, në të njëjtën kohë krahas gëzimit është dhe përgjegjësi. Festuam natën e fitores, por më pas filluam të mendojmë për përgjegjësitë që na presin, sytë janë të kthyera nga Prishtina nëse do kemi një ndryshim të qeverisjes. Kemi pasur një ekip të jashtëzakonshëm, 2000 vullnetarë dhe aktivistë të cilët kanë punuar shumë dhe besuar në fitore.

-Mënyra si u përcoll fitorja, eufori, pritshmëri të madhe, do ja dilni ta justifikoni?

Ahmeti: Prishtina ka shumë probleme si dhe Kosova. Është punuar në mënyrë të gabuar. Me pak politika ndryshe mund të përmirësohet. Ndryshimet që do i bëjmë, do i bëjmë me qytetarët, nuk është e lehtë por besoj se do ja dalim. Mendoj se do ikim nga politika klasike, klienteliste që është vërejtur në Kosovë, por dhe këtu në Shqipëri.

-Armand Shullaku kishte bërë një përshkrim për ju.Pati shumë reagime dhe komente tjera nga analistët që kjo ishte më tepër fitore juaja, sesa e Vetëvendosjes?

Ahmeti: Ishte kombinim i të gjithave. Vetëvendosja është sigla e ndershmërisë. Unë si Shpend Ahmeti nuk do të fitoja pa Vetëvendosjen dhe Vetëvendosja nuk do fitonte pa Shpend Ahmetin. Kemi marrë vota dhe nga subjekte të tjera politike. Votuesit klasikë tejkaluan vijat e tyre politike. Ne kemi dhënë 12 zotime, të cilat besoj se do të mund të arrihen.

-Sa keni ndryshuar ju që nga momenti që jeni bërë pjesë e Vetëvendosjes?

Ahmeti: Unë i mbetem besnik qëndrimeve të mia të qendrës së majtë, luftës për barazi dhe mirëqenie dhe Vetëvendosja e përfaqëson këto. Ne jemi të hapur për diskutime. Arsyeja pse kjo fushatë u duk e butë nga ne është se për herë të parë ne flasim për nivelin lokal. Ne duam që programi jonë të krahasohet me atë të subjekteve të tjera politike. Arsyeja pse spati rezultat në komunat e tjera është se ne marrim pjesë për herë të parë. Në Prishtinë ishte tjetër gjë, pasi unë kandidova si nënkryetar.

-Do jetë më e hapur Vetëvendosja ndaj SHBA, veçanërisht me Ambasadën Amerikane në Kosovë?

Ahmeti: Ka qenë më shumë një mbyllje e Ambasadës ndaj Vetëvendosjes. Ambasadorja pas fitores sonë tha se Shpendi është shkolluar në SHBA, por unë edhe para dy vitesh kisha të njëjtin shkollim.

-Ka dhe skeptikë ndaj fitores suaj, mendojnë se modeli juaj është i parakohshëm për Kosovën?

Ahmeti: Çdo qëndrim që unë kam marrë dhe politika që kam prezantuar është në të njëjtën kohë qëndrim i Vetëvendosjes. Unë nuk e shoh veten të ndarë nga Vetëvendosja. Ne kemi 12 deputetë në Kuvend që kanë ngritur nivelin e debatit. Jemi prezent në çdo kuvend komunal.

-Do ndaheni nga Albin Kurti?

Ahmeti: Jo. Nuk do ketë ndarje. Neve na bashkon koncepti ynë politik, jam po bashkëpunimit dhe jo kualicioneve. Do shtyjmë përpara këto programe. Ne me fitoren tonë e treguam se me një punë të sinqertë mund të bëjmë ndryshimin. Kemi dhe 9 muaj të tregojmë veten deri në zgjedhjet parlamentare. 9 muaj mjaftojnë që qytetarët të shohin ndryshime në qeverisje. Buxheti i Prishtinës është i vogël, por mjafton për të përmirësuar situatën.

-Ku ndryshoni me Albinin për mënyrën si qeveriset Kosova dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?

Ahmeti: Ai është njeri kombëtar që lufton për kombin. Për ne qëllimi është i njëjtë dhe ai është zhvillimi i shtetit tonë. Ne kemi debate të jashtëzakonshme brenda Vetëvendosjes, por kur kemi qëndrime politike jemi solidarë. Subjektet tjera politike janë para çarjes, mundohen të trillojnë ndarje. Në Vetëvendosje ka vetëm gëzim për fitore, nuk ka xhelozi.

-Keni deklaruar se do shisni makinën Audi Q7 të Isa Mustafës?

Ahmeti: Po të shikoni buxhetet e komunave do shihni se makinat luksoze,darkat dhe drekat janë një pjesë e mirë e buxhetit. Nuk guxojmë ne të kemi këtë lloj luksi kur pjesa më e madhe e popullatës është zhytur në varfëri. Ne duam të përmirësojmë transportin publik, nuk ka nevojë për një makinë 70 mijë euro në komunën e Prishtinës. Unë mendoj se mundemi ta ndryshojmë këtë mentalitet, ne u kthyem komunën qytetarëve.

-A ju frymëzon puna e Edi Ramës si kryetar bashkie e Tiranës?

Ahmeti: Ne do marrim përvojat më të mira prej tij. Prishtina nuk ka lumë, por ka ca probleme që ngjasojnë me ato që kishte Lana para Edi Ramës. Nuk do bëjmë mrekullira, por do të shpëtojmë ato që kanë mbetur.

-Ndërtimet ilegale, do përdorni tritol?

Ahmeti: Në Kuvend është ligji për legalizimet që do jetë i zbatueshëm edhe për komunën tonë. Nuk ka asnjë kompromis për ndërtimet pa leje. Ne do zbatojmë ligjin ashtu siç na vjen dhe kjo vlen për të gjithë. Ata që janë ndërtues të mirë dhe duan të ndërtojnë do ti japin kahun zhvillimit të qytetit. Në komunë do kemi dhe një staf për zbardhjen e informacionit lidhur me ‘mafian’ e shumëpërfolur të ndërtimit.

-Do ta ruani terminologjinë komunë?

Ahmeti: Do ta ruajmë këtë emërtim, por na nevojitet një ligj i veçantë për Prishtinën.

-Financimet e Vetëvendosjes, deklaruat se deputetët financojnë me gjysmën e rrogës?

Ahmeti: Në Prishtinë kemi shpenzuar në dy raundet 60 mijë euro. Këto para nuk ishin as për reklamat, i shpenzuam për komisionerë dhe vëzhgues ditën e zgjedhjeve, për të mbrojtur votën. Në media kishim prezencë 5- fish më të vogël se partitë e tjera. Shkuam me një fushatë modeste por kjo ishte dhe një nga arsyet e suksesit. Kur janë dhe financimet kaq të vogla, donatorët nuk kërkojnë asgjë si këmbim përpos zhvillimit të vendit.

-Si do ta bëni zhvillimin e Prishtinës kur deklaroni se nuk do bëni koalicione, ju duhet vota për këshillat?

Ahmeti: Kryetari i komunës ka më shumë kompetenca sesa këtu. Por prapë ka nevojë, unë kam kërkuar bashkëpunim. Unë nuk i druhem bashkëpunimit dhe as ballafaqimit politik me asnjë prej këshilltarëve. Drejtorët komunalë nuk do jenë vetëm të Vetëvendosjes. Mua as më duhet një drejtor shkolle pse është i Vetëvendosjes, por nuk bën punën. Në komunë nuk do ketë punëtorë që janë nën hetime, nuk kemi çfarë bashkëpunojmë me ata njerëz.

-Çfarë do bëni me kontratat që ka nënshkruar paraardhësi juaj?

Ahmeti: Ne do kërkojmë auditimin, të jashtëligjshmet do të anulohen pa asnjë lloj problemi. Prishtina ka qenë e mbyllur përballë donacioneve. Ne do shohim të ngremë edhe filantropinë. Nuk do jetë problem financimi, nuk jemi shumë të pasur por do bëjmë shumë më shumë. Do zhvillojmë modelin e transparencës radikale./koha/

 
Lajme Shqip Saturday, 07 December 2013 14:47

Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar “shpullën” e parë për partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje. Ai në një interviste për Epoka e Re ka thënë se nuk do t’i heqë nga objekti i Komunës simbolet shtetërore, pavarësisht se Vetëvendosje është kundër tyre.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka futur flamurin kombëtar në institucione, por në të njëjtën kohë ne luftojmë që politikisht dhe institucionalisht ta ndërrojmë simbolin në gjithë shtetin, sepse ai flamur nuk e përfaqëson vullnetin e popullit.

Nuk mendoj se çështjen mund ta zgjidhim nga bishti. Ani pse edhe tani flamuri kombëtar është në Komunën e Prishtinës, megjithatë stema dhe gjërat e tilla do të mbesin, për shkak se ato i rregullon niveli qendror. Një gjë e tillë i mbetet Kuvendit të Kosovës. Do të vazhdojmë t’i përdorim simbolet që janë edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka mohuar se ka pasur marrëveshje të fshehtë në mes të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës për ta mbështetur atë në balotazh, ndërsa duke ironizuar me deklarimet e anëtarëve të LDK-së se është përkrahur nga PDK-ja, Ahmeti ka thënë se është votuar edhe nga elektorati i LDK-së.

“Unë kam pasur votues edhe nga LDK-ja. A i bie kjo që kam pasur marrëveshje me disa degë të LDK-së në Prishtinë? Jo”, është shprehur Ahmeti,

Ai gjithashtu është shprehur i bindur se do t’i realizojë premtimet e dhëna gjatë fushatës.

“Për mua si kryetar janë të rëndësishme ato 12 zotimet që i kemi dhënë gjatë fushatës. Kjo nuk do të thotë se tash jam i mbyllur ndaj pjesëve të programeve që janë të mira, nuk po them të Isa Mustafës, sepse ne kemi qenë për ndryshime”, ka deklaruar i dyti i Vetëvendosjes.

Më tutje, Ahmeti ka premtuar se gjatë mandatit të tij të parë do ta nxjerrë Ligjin për Prishtinën dhe se do të bashkëpunojë në mënyrë institucionale dhe transparente me kryeministrin e Kosovës, me të cilin Vetëvendosja ka kohë që “nuk flet”. 

 
Lajme Shqip Friday, 06 December 2013 11:54

Prishtinë- Kryetari i ri i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një intervistë në gazetën Dita, tha se e njëjta frymë e ndryshimit e Prishtinës do të përcillet në të gjithë Kosovën.

“Fitorja në Prishtinë është fitore e qytetarëve që besuan në programin tonë për Prishtinën. Programi ynë qe ndërtuar sipas nevojave të banorëve të Prishtinës dhe vizionit tonë politik,” shprehet ai, teksa thekson se është çështje kohe për ta pasur shumicën edhe në nivel qendror.

Ndonëse Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti, janë kritikuar shpesh nga ndërkombëtarët, Ahmeti nuk sheh asnjë pengesë për kryerjen e detyrës së tij si qytetari numër një i Prishtinës.

“Nuk ka asnjë arsye. Këto ditë jemi duke mbajtur takime me përfaqësuesit e plotfuqishëm diplomatikë në Prishtinë dhe ata janë të gatshëm të ndihmojnë. Por më duhet të sqaroj diçka. Me termin “kritikat e ndërkombëtarëve” shpeshherë bëhet përpjekje të njehsohen pasojat e një politike aspak të denjë të qeveritarëve në Kosovë. Së bashku me Albinin kemi qenë për një vizitë të gjatë në SHBA këtë pranverë, kemi qenë në Bruksel vitin që shkoi. Albini është kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme. Si kryetar, bashkë me drejtuesit e tjerë, kemi mbajtur qindra takime në nivele të ndryshme me përfaqësues e diplomatë. Është e vërtetë që kemi marrë kritika në kohën kur kemi kundërshtuar negociatat Thaçi- Daçiç dhe marrëveshjen me Serbinë, koha po e tregon se kemi pasur të drejtë. Ne nuk zmbrapsemi, edhe nëse ka kritika, kur vërtet besojmë se po na dëmtohet vendi”, nënvizon ai.

Sipas tij, shumë pak është bërë mes Tiranës dhe Prishtinës, teksa thekson se duhet një bashkëpunim intensiv.

“Kemi ndjekur prej distance udhëtimin e tij politik. Do na duhet të lidhim bashkëpunim intensiv se shumë pak është bërë midis Prishtinës dhe Tiranës”, shprehet ai teksa i referohet kryebashkiakut Lulëzim Basha.

Për sa i përket kryeministrit Rama, Ahmeti shprehet se marrëdhëniet me të janë të ndërtuara.

“Ka pasur vizita dhe më herët në Prishtinë. I ka të qarta qëndrimet tona politike e social- ekonomike. Po ashtu si ish-kryebashkiak patjetër që do të kemi për të kërkesën për të na i kaluar përvojat që qytetarët në Tiranë i kanë vlerësuar si pozitive”, nënvizon ai

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 05 December 2013 11:17

Prishtine- Ka vetëm tre ditë prej që është shpallur fitues i garës për Prishtinën, dhe u bën thirrje ndërtuesve pa leje që të ndalin menjëherë punimet, e të mos i nxjerrin punë më pas. Shpend Ahmeti, i cili shumë shpejt do ta marrë timonin e kreut të Prishtinës, në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, bën të qartë se s’do të ketë kompromis për ilegalët, të korruptuarit dhe ata që kanë problem me ligjin.

Bile nuk “çan kokën” as për financuesit e partive të mëdha politike, të cilët janë ndërtues të mëdhenj në Prishtinë.

Ndërkohë që këmbëngul se nuk do të bëjë koalicion me asnjë subjekt politik. Por bën me dije se do të bashkëpunojë me secilin, ngase, sipas tij, “asnjërit në ballë nuk i shkruan se nga cili subjekt politik vjen”. Ndër punët e para emergjente, me të marrë postin është nxjerrja në ankand e veturës Audi Q7 të ish-kryetari, Isa Mustafa.

“Nuk janë dhënë zotime të paarritshme, nuk po i quaj as premtime, se kur po u them premtime po kujtojnë që po barazohem me premtimet e të tjerëve, kemi dhënë zotime të cilat jam munduar t’i mbaj në nivel të arritshmes, por gjithmonë duke i bërë të prekshme për qytetarët. Do të thotë i kemi prekur problemet të cilat ne e dimë se i kanë munduar.

Disa zgjasin më shumë, disa do të jenë një mandat, disa do të jenë 24 muaj e disa do të fillojnë që në ditën e parë të qeverisjes. Mendoj që në 100 ditët e para, do të ketë një përmirësim të dukshëm në transparencë, në ndaljen e së keqes. Ndalja e së keqes nënkuptohen plot gjëra të këqija, që janë ndërtimet pa leje, korrupsioni që mund të ndalet, hapja ndaj qytetarëve, transparenca, një bashkëpunim më i mirëfilltë, edhe me qytetarët edhe me shoqërinë civile, tubimet nëpër lagje do të vazhdojnë ngase e kam dhënë një zotim që pas zgjedhjeve do të shkojë në çdo lagje, të paktën një herë në tre muaj. Mendoj se pritjet janë të mëdha, mirëpo në 100 ditët e para do të vërehet një ndryshim në qeverisje”, ka thene Ahmeti. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 19:34

Prishtinë- Kreu i ri i Prishtinës, i cili më 1 dhjetor nga qytetarët e Prishtinës është përzgjedhur tashmë kryetar i tyre, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka fort dert pse nuk ia ka uruar fitoren kundërshtari i tij, ish-kryetari i deritanishëm i kryeqendrës së Kosovës, Isa Mustafa i LDK-së, madje as nuk u druhet sfidave që e presin atë.

Edhe pse Ahmeti nuk i ka marrë ende çelësat, nuk e ka problem aspak se mendon dikush si ai, apo jo.

“Nuk është problem që dikush nuk mendon si unë. Ai është problemi më i vogël. Por, në qoftë se të gjithë pajtohemi me qëllimin që ta përmirësojmë jetën, atëherë, i kemi punët mirë”, ka thënë kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, transmeton Bota sot.

Shpendi mund të ketë marrë shumë urime me rastin e fitores së tij, por nuk mori urim personal nga LDK-ja, nga vetë Isa Mustafa.

“Jo. Personalisht nuk më ka uruar. Por e pashë dje përmes medieve qe me kishte uruar fitoren. Mendoj që është një hap shumë i mirë, një hap demokratik dhe per mua kjo mjafton”, ka theksuar për gazetën ‘Bota sot’, z. Ahmeti.

Ai ka folur se prioriteti i tij gjatë mandatit që do ta ushtrojë do të jetë qasja në institucione, posaçërisht, i atyre me karroca dhe me nevoja të veçanta, që sipas tij, janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë.

“I kam tre-katër persona që i njoh unë personalisht”, pohoi Ahmeti.

Lëvizja Vetëvendosje!, me në krye Shpend Ahmetin është e hapur të bashkëpunojë. Prandaj, as që druhet prej sfidave që e presin. Për të cilat ka potencuar vetë Ahmeti. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 13:05

Prishtinë- Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk pranon të bëjë pazare me subjektet e tjera politike për të siguruar numrat e mjaftueshëm në Kuvendin Komunal. Ai kërkon bashkëpunim me të gjithë që janë të gatshëm të çojnë programin e tij përpara. Edhe në kabinetin e tij nuk premton se do të jetë i tëri nga anëtarë të lëvizjes “Vetëvendosje”. Ahmeti premton se Prishtinën do ta bëjë model të transparencës edhe për komunat e tjera.Ahmeti ka thënë se është i hapur për bashkëpunim me secilin subjekt politik në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por jo edhe për ndarjen e qeverisjes me ta. Për të nuk paraqet fakti se në Kuvendin Komunal të Prishtinës një subjekt tjetër ka shumicën e ulëseve. Ai është shprehur kundër pazareve politike me partitë e tjera në këmbim të drejtorive. 

Ai është shprehur se ka përgjegjësi para qytetarit për programin që ka prezantuar, të cilin ka synim ta zbatojë brenda mandatit.

Qysh në ditën e parë Ahmeti ka thënë se do t’i ndalë ndërtimet pa leje, dhe gjithçka që nuk është sipas ligjit dhe rregullave do të ketë vendim për rrënim.

Gjatë mandatit të parë ai ka thënë se do ta përfundojë procesin e legalizimit të objekteve. Personat që janë nën hetime, sipas tij, nuk mund të ushtrojnë funksione publike. /Koha/ 

 
Lajme Shqip Monday, 02 December 2013 18:07

Prishtine- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari në largim i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, gjatë një konference për media të mbajtur të hënën, i ka uruar kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, fitoren e tij.

“Me gjithë përkrahjen e madhe që kemi marrë nga qytetarët, ne nuk kemi arritur të fitojmë në garën për kryetar të Prishtinës. Unë dëshiroj të falënderoj të gjithë votuesit e LDK-së, të gjithë qytetarët e Prishtinës për besimin që më kanë dhënë në dy mandate, ndërsa kundërkandidatit, z. Shpend Ahmeti, ia uroj fitoren dhe i dëshiroj suksese në punën e tij”, ka theksuar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke premtuar se bartja e pushtetit në Prishtinë të përfundohet në mënyrë të suksesshme.

Mustafa ka thënë se, pavarësisht që LDK në Prishtinë ka humbur, ajo ka fituar në shumicën e komunave të Kosovës, duke dalë si partia më e votuar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në: Gjilan, Podujevë, Ferizaj, Pejë, Lipjan, Istog, Fushë-Kosovë, Suharekë, Viti dhe, në koalicion me AKR-në, në Mitrovicë. Ne, tani, me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, jemi kthyer në vendin e parë, aty ku LDK-ja e meriton të jetë”, ka thënë Mustafa, raporton Zwri.

Ai më tej shtoi se LDK, “pas këtij procesi të suksesshëm, LDK-ja do të vijojë punën dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat ne jemi të bindur se do të fitojmë edhe më bindshëm se në këto zgjedhje”.

Në fund, ai ka falënderuar edhe njëherë të gjithë qytetarët e Kosovës që, siç tha ai, “këtë herë i besuan LDK-së dhe që treguan kulturë të lartë politike”.

Mustafa ka falënderuar edhe institucionet përgjegjëse, që kanë punuar shumë për mbarëvajtjen e procesit dhe mediet e pavarura, që kanë raportuar me korrektësi dhe pananshëm. “Faleminderit shumë”, tha në fund Mustafa!

12