Lajme Shqip Thursday, 05 December 2013 17:21

 

Shkup- Vendosja e përmendores së Car Dushanit është premtuar dhe paralajmëruar në Kongresin e Partisë Demokratike Serbe në Maqedoni, nga lideri i saj Ivan Stoilkoviq. Më 9 nëntor të këtij viti, në Kongresin e 5të të partisë së tij, Stoilkoviq kishte premtuar ngritjen e përmendores së Car Dushanit, premtim i realizuar shpejtë.

“Këto ditë, pas plot 6 shekujsh edhe Car Dushani i shenjtë na kthehet në Shkup dhe prej nesër edhe ju si edhe gjeneratat e ardhshme serbe në këto vise, do të keni mundësi që ti shëtisni fëmijët në Urën e civilizimeve ku do të vendoset përmendorja e madhe, dhe t’u tregoni se çfarë heroi serb ka qenë, se në kohën e tij Shkupi ka qenë kryeqendra e një mbretërie të madhe”, citohet të ketë thënë Stoilkoviq.

Në Kongresin e Partisë Serbe, mysafire ka qenë edhe Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, si përfaqësuese e partnerit të koalicionit VMRO DPMNE. Megjithatë edhe pse prezente në Kongres, Jankullovska nuk e ka dëgjuar këtë premtim të Stoilkoviqit, dhe as nuk ka njohuri për institucionin që ka financuar dhe porositur përmendoren e Carit.

“Unë isha prezente në pjesën e hapur për mysafirët, kështu që nuk mund të flas për të gjithë rendin e ditës dhe vendimet që janë vendime brenda-partiake dhe janë miratuar në organe të ndonjë partie politike, qoftë ajo Partia Demokratike Serbe. Por me gjithë qejf morra pjesë në atë Kongres, në emër të bashkëpunimit të mirë, në kuadër të koalicionit ‘Për Maqedoni më të mirë’”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Në Kongres si nikoqir ka marrë pjesë edhe Dragan Nedelkoviq, anëtar i partisë serbe dhe zv/ministër i Kulturës. Por edhe përkundër kësaj, Ministria e Kulturës dje nuk kishte njohuri se kush e ka vendosur atë përmendore. Nga ana tjetër, lideri i Partisë Demokratike Serbe Ivan Stoilkoviq, në një intervistë për mediat serbe të publikuar sot, përveç që është lavdëruar për vendosjen e përmendores së Car Dushanit dhe përkujtimores në Zebërnjak të Kumanovës, ka paralajmëruar edhe iniciativë për ndryshimin e librave të historisë në gjuhën maqedonase dhe shqipe, për të mënjanuar pohimet negative për popullin serb, njofton Alsat-M.

“Para nesh ka mbetur punë detale dhe analizë për librat e historisë si në gjuhën maqedonase ashtu edhe shqipe, të cilat janë përplot me interpretime të njëanshme të ngjarjeve historike dhe insinuatave negative ndaj popullit serb, për çka neve na duhet ndihmë e domosdoshme e ekspertëve të historisë nga Serbia që të mund të ndikojmë drejtpërdrejt në mënjanimin e të pavërtetave qëllimkëqija”, ka deklaruar Stoilkoviq.

Ndërkohë edhe sot ka vazhduar heshtja e partisë shqiptare në pushtet BDI lidhur me vendosjen e përmendores së Car Dushanit. Heshtin edhe institucionet e tjera dhe mbetet i paqartë porositësi i kësaj përmendoreje. Nuk flet as Stoilkoviq për të treguar se cili institucion kishte porositur përmendoren e Car Dushanit, me të cilën ai lavdërohej para anëtarësisë partiake.