Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 10:04

Shkodran Mustafi nuk do të veshë fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit pasi do të shfrytëzojë maksimalisht shansin që i jepet për të qenë pjesë e kombëtares gjermane. Mbrojtësi kosovar i cili aktivizohet me sukses te Sampdoria në Serinë A, ka marrë dje ftesën nga përfaqësuesja U-231 e Gjermanisë, e cila do të marrë pjesë në fazën finale të turneut që zhvillohet në Izrael.

Trajneri i kësaj kombëtareje, Rainer Adrion, ka përfshirë mbrojtësin në listën paraprake prej 25 futbollistësh, por sipas mediave gjermane, prania e tij në listën përfundimtare është e sigurt. Mustafi ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave të Gjermanisë, por për të mungonte interesimi nga përfaqësueset gjermane prej rreth dy vitesh.

Kjo shty trajnerin e kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, që të shkonte personalisht të kontaktonte me futbollistin dhe t’i bënte atij ftesën për të veshur fanellën kuqezi që në ndeshjen e qershorit ndaj Norvegjisë.

Ndonëse futbollisti premtoi se do të mendohej për këtë ftesë, ai duket se ka bërë zgjedhjen e tij duke u bërë pjesë e përfaqësueses gjermane U-21, ndërsa i mbyll thuajse përfundimisht dyert kombëtares shqiptare të futbollit.

Lajmi i zgjedhjes së Mustafit vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër talent kosovar, Adnan Januzaj, i cili luan te ekipi i të rinjve të Mançester Junajtid, vendosi të refuzonte një ftesë nga përfaqësuesja shqiptare. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Friday, 19 April 2013 19:23

Fakti që përfaqësuesja shqiptare është kthyer në një pretendente për t’u kualifikuar në Botërorin 2014, ka shtyrë trajnerin De Biasi që të vazhdojë të kërkojë “përforcime” për kuqezinjtë. Kjo është arsyeja pse tekniku italian ka qenë dje në stërvitjen e Sampdorias, për të takuar mbrojtësin kosovar Shkodran Mustafi, me shpresën për të bindur këtë të fundit të veshë fanellën kuqezi.

Mbrojtësi 21 vjeçar ka fituar më shumë hapësirë në radhët e kësaj skuadre në javët e fundit, ndërsa në këtë sezon regjistron deri tani 12 ndeshje të luajtura me ekipin italian. Kosovari ka pasaportë gjermane dhe ka luajtur me kombëtaret U-17 dhe U-19 të Gjermanisë. Por pas kalimit në radhët e Evertonit në Angli, karriera e tij nuk ka shkuar siç shpresonte dhe deri tani ai është injoruar plotësisht nga përfaqësueset e moshave të Gjermanisë. Kjo ka shtyrë trajnerin italian të përfaqësueses shqiptare të shkojë ta takojë atë dhe të kërkojë ta bindë të veshë fanellën kuqezi, mundësisht që në ndeshjet e radhës.

Futbollisti ka premtuar se do të mendohet rreth këtij opsioni mjaft interesant që i është shpalosur nga trajneri i kombëtares shqiptare, iu cili shpreson që përgjigja e mbrojtësit 21 vjeçar të jetë pozitive dhe të bëhen sa më shpejt procedurat e pajisjes së tij me pasaportën shqiptare. Në këtë mënyrë, ai do të ketë një alternativë më shumë në ndeshjen kundër Norvegjisë, ku do të mungojnë dy elementë shumë të rëndësishëm të prapavijës, Cana dhe Lila. (LajmeShqip.com)