12
 
Lajme Shqip Sunday, 27 April 2014 11:37

Shërbimi Informativ Shtetëror përgënjeshtroi dje zyrtarisht akuzat e ngritura nga opozita se forcat e ushtrisë ishin në krye të transportit të drogës me anë të avionëve të vegjël. Fushata e nisur prej tri javësh madje do të shkojë edhe në një komision hetimor parlamentar, për të hetuar zyrtarisht akuzat, por që, sipas sqarimit të djeshëm të SHISH-it, është thjesht një furtunë në gojë uji, prej së cilës nuk ka mbetur asgjë zyrtare, por vetëm fantazi të sajuara për të dëmtuar reputacionin e qeverisë vetëm pak muaj para vendimit të shteteve të BE-së për statusin e vendit kandidat. Fushata e drogës e stisur nga PD-ja, nisi nga sallën e Kuvendit, por nuk arriti të faktohej, edhe pse prokuroria e Përgjithshme thuhet se u kërkoi deputetëve akuzues që të paraqisnin fakte, por asnjëri prej tyre nuk u paraqitur për të provuar akuzat për implikimin e ushtrisë në trafikun e drogës. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në një deklaratë për mediat pak ditë më parë tha se: ”Prokuroria do iu kërkojë të gjithë deputetëve që kanë ngritur dyshime, lidhur me mundësitë e trafikimit të lëndëve narkotike me mjetet e ushtrisë, të paraqesin të gjitha faktet që disponojnë”.

Por deklarata e djeshme e SHISH-it i bën nul të gjitha akuzat e hedhura deri më sot nga PD-ja, duke qenë se ato zyrtarisht janë motivuar si të bazuara te informacioni i mbledhur nga SHISH-i, që mohoi pretendimet e dala në media, se ky institucion ka në dispozicion dokumente që vërtetojnë trafikun e drogës nga ana e ushtrisë. “Shërbimi Informativ Shtetëror shprehet tejet i shqetësuar për valën e spekulimeve mediatike e politike lidhur me një informacion të klasifikuar të këtij shërbimi, me të cilin po abuzohet në dëm të punës sonë e të interesit të vendit tonë përmes një publikimi të paligjshëm në media. Ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne, lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, por po shpërdorohet mediatikisht në një formë krejt të papranueshme që cënon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Puna e SHISH-it është t’u përcjellë autoriteteve të larta, në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi çdo fakt të vërtetuar, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar apo parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit. SHISH u bën apel mediave dhe politikës që, për interesat e ditës, të mos dëmtojnë punën e institucionit dhe interesat e vendit, duke e siguruar publikun se informacioni në këtë rast nuk lidhet me përfshirjen e asnjë strukture shtetërore, si dhe duke u kërkuar organeve të drejtësisë të vendosin para ligjit burimet e dekonspirimit të informacionit të klasifikuar”, thuhej në deklaratën e djeshme të bërë nga SHISH-i.

Akuzat për trafikun e drogës

Gjatë seancës parlamentare të enjten e shkuar, opozita ashpërsoi akuzat ndaj qeverisë si të implikuar në trafikun e drogës. “Nuk akuzojmë asnjëherë Forcat e Armatosura, por qeverinë që bën drogën. Nuk akuzojmë oficerët tanë, është padrinoja që është si fije e kalbur bari kur një gazetari i hidhet koka e dhisë tek dera e shtepisë”, deklaroi deputeti Sali Berisha. Qeveria u tregua e hapur për hetime, duke i quajtur të pabaza akuzat për trafik droge dhe Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, ku PD-ja, edhe pse konfirmoi pjesëmarrjen, nuk e votoi, duke shtuar se kërkonte hetim më të gjerë për drogën sesa akuzat për implikimin e infrastrukturës ushtarake.

Qëndrimi reaksionar i opozitës u bë më i ashpër pas publikimit të një shkrese zyrtare të dalë nga SHISH-i, tre ditë më parë, ku flitej për dyshime në trafikun e drogës nga aeroporti i Gjadrit. Sipas shkresës së firmosur nga kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika dhe drejtuar Ministres së Mbrojtjes, thuhej se ekzistojnë dyshime se aerodromi i Gjadrit përdoret për transport të trafikut të drogës. Në këtë shkresë, jepet edhe rasti i fundit i evidentuar nga SHISH-i, që mban datën 19 mars të këtij viti, rreth orës 7:00 të mëngjesit në fund të pistës së aerodromit të Gjadrit është ulur një avion sportiv, tip charter me ngjyrë të bardhë. Pranë tij, sipas shkresës, u afrua një furgon tip “IVEKO“ me ngjyrë të bardhë, i mbyllur dhe me targa të qytetit të Vlorës. Pak minuta më pas, banorët e zonës konfirmuan se avioni është larguar, ndërsa rreth orës 8:00 të mëngjesit të asaj dite policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, pa arritur që të gjejë shoferin e furgonit apo avionin sportiv. Në shkresë thuhet, se efektivët e Gjadrit, të pyetur nga policia, janë shprehur se nuk kanë dijeni dhe nuk kanë konstatuar uljen e ndonjë avioni, ndërsa kanë pranuar se radarët nuk funksionojnë…

SHISH theksonte në shkresë, referuar edhe informacionit të dhënë nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë në tetor të vitit të kaluar, dyshimet se aerodromi i Gjadrit përdorej nga trafikantët e drogës dhe se po vazhdonte punën për të evidentuar rastet. Ndërkaq, në 18 tetor të vitit të kaluar, në zonën mes plazhit të Shëngjinit dhe Velipojës është ulur një avion i vogël. Në atë kohë, policia tha se avioni i përkiste dy turistëve italianë që udhëtonin nga Kroacia drejt Italisë, por që për shkak të defektit ishte detyruar që të bënte ulje në zonën e plazhit. Nga ana tjetër, SHISH theksonte se këto lloj avionësh të vegjël, dyshohet se përdoren për trafik droge edhe në rrethet e Gjirokastrës dhe Lushnjës.

Moisiu: Akuzat për trafik droge, qesharake dhe të pavërteta 

Ish-Presidenti Alfred Moisiu ka reaguar nga Kukësi në lidhje me akuzat e opozitës për implikim të Forcave të Armatosura në trafik narkotikësh, duke i cilësuar si qesharake dhe të pavërteta. Sipas Moisiut përfshirja e ushtrisë në trafik droge është e pamundur pasi sipas tij, hapësira ajrore monitorohet nga dy vende të NATO si Greqia dhe Italia.  “Është qesharake që Forcat e Armatosura të përfshihen në trafik të lëndëve narkotike. Kjo pasi edhe për arsye se hapësira jonë ajrore kontrollohet nga vendet fqinje si Greqia dhe Italia, që janë edhe vende anëtare të NATO-s”- u shpreh Moisiu. Jo vetëm kaq, por për ish-Presidentin, kohët e fundit edhe kontrolli kohët e fundit është bërë më i rreptë dhe më rigoroz. Në fjalën e tij ish-Presidenti dhe ish-Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i bëri apel politikës për të qenë më e kujdesshme në zgjedhjen e strukturave të shtetit, ndërsa tha se ka ardhur koha që të bëhen ndryshime kushtetuese dhe që Presidenti të zgjidhet nga populli.

Përçarja

Protestat e PD-së, aleatët: Nuk jemi sindikalistë 

Partia Demokratike ka kërcënuar se do të nisë një fushatë protestash në të gjithë vendin, por duket se ende nuk e ka mbështetjen e partive të tjera të koalicioni opozitar. Pavarësisht se kryetari i PD-së, Lulzim Basha në çdo dalje kërcënon me revolta popullore ndaj keqqeverisjes socialiste, brenda opozitës nuk ka një frymë bashkëpunimi. Dy partitë e tjera të koalicioni opozitar, PDK-ja e Nard Ndokës dhe PR-ja e Fatmir Mediut ende nuk kanë një plan konkret  për organizimin e protestave.  “Ne nuk jemi parti sindikaliste. Me aq sa jam informuar ai ishte një takim në formë konsultative dhe tejet i domosdoshëm për opozitën, në mënyrë që të koordinojë dhe të përfshijë në kauzën e saj sa më shumë grupe interesi. Por nga ana tjetër, deri tani nuk është organizuar asnjë takim mes partive të koalicionit për këtë çështje, kështu që nuk ka ende asnjë vendimmarrje përfundimtare nga partitë e opozitës për nisjen e këtyre protestave. Dhe nëse do të vendoset bashkërisht për protesta, natyrisht që ne do të jemi pjesë e tyre”-tha Ndoka.

Duke nënkuptuar se opozita ende është e paorganizuar në aksionin e saj, republikanët shprehen të mendimit se për nisjen e protestave  duhet të rakordohet me të gjitha grupet e interesit, për të hartuar një plan konkret veprimi për opozitën, ku aksioni të mos përqendrohet vetëm te protesta. “Që të kemi veprime konkrete dhe të mos i ngelemi spontanitetit, apo anës deklarative duhet që kjo tryezë të krijojë një grup pune që të analizojë të gjithë veprimtarinë që ne duhet të kryejmë në kohë me të gjitha grupet e interesit, si: iniciativa politike, protesta, iniciativa ligjore në mbështetje të këtyre grupeve të interesit, në mënyrë që zëri ynë në Kuvend të jetë vërtet një zë përfaqësues i interesave të qytetarëve shqiptarë. Besoj se përcaktimi i prioriteteve do të na bënte që të ishim më efektivë, dhe, kam bindjen se po ashtu, duhet të organizohemi edhe me grupe të tjera interesi, sidomos me një përfaqësi më të gjerë të biznesit, të pronarëve, të përndjekurve politikë, të të rinjve, për të parë dhe dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e tyre dhe në këtë mënyrë, për të përfaqësuar edhe zërin e tyre”, deklaroi Mediu.

PD: Dëshmi të reja tronditëse për drogën

 

Megjithëse SHISH-i, dje, zyrtarisht, përgënjeshtroi të ashtuqujturat fakte se ushtria është përdorur për trafik droge, PD-ja, përmes zëdhënëses Laura Vorpsi, denoncoi të ashtuquajturat dëshmi të reja tronditëse, të cilat tregojnë se avionët e drogës, janë ulur në territorin tonë, janë ngarkuar me mall dhe janë larguar. “Genti Kuqi, banor i Bedatit në Lushnjë deklaroi, se ka parë avionin të ulet në rrugën Bedat-Adriatik. Disa persona me fuoristradë e kanë ndaluar atë dhe 20 banorë të tjerë dhe nuk i kanë lënë të kalojë për 25 minuta derisa avioni është ulur dhe ka ikur sërish. Kjo dëshmi, dëshmitë e banorëve të Kardhiqit, dokumente zyrtare të bëra publike, janë tregues rrëqethës të faktit se territori i Shqipërisë është kthyer në një pistë të narkotrafikantëve. Në Gjadër, në Lushnje, në Kardhiq, etj, avionë ngarkohen me drogë dhe e trafikojnë atë në vende të tjera. Kjo është një situatë e paprecedentë. Dëshmitë tregojnë se në 7 muaj të qeverisjes Rama-Meta, Shqipërinë e kanë shtënë në dorë narkotrafikantët, droga ka plasur sheshit dhe trafiku i saj bëhet me çdo mjet e mundësi”- tha zëdhënësja Vorpsi.

 
Lajme Shqip Saturday, 12 April 2014 12:29

Deputetët e PD-së kanë zbuluar padashur dje, atë që përflitej prej kohësh, se SHISH- i i drejtuar nga Visho Ajazi Lika dhe i kontrolluar nga ish-kryeministri Berisha vijon të përgjojë eksponentët e majtë në qeveri, ashtu si më parë në opozitë. Ishministri i Brendshëm, Flamur Noka, tregoi përpara pasardhësit, Saimir Tahiri, një sms, për të cilin ai tha se ishte e marsit 2014 dhe i ishte dërguar nga kryeministri Rama, ku ai shprehte pezmatimin e tij për shifrat alarmante të kriminalitetit. Tahiri e pranoi mesazhin, por qartësoi se atë ua kishte dërguar bashkëpunëtorëve, ndërsa deputetët e majtë në Komisionin Hetimor për Lëvizjet në polici, thanë se ky përgjim i deputetëve dhe ministrave është shumë i rëndë dhe duhet hetuar, sepse prek sigurinë kombëtare. Përgjimi ndaj eksponentëve të majtë u zbulua dje si një skandal i radhës në Komisionin Hetimor për emërimet që janë bërë në polici gjatë qeverisjes së majtë, ku ish-ministri i Brendshëm,Flamur Noka i lexoi ministrit aktual, Tahiri një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga kryeministri Edi Rama. Ky mesazh, në të cilin gjoja shprehej shqetësimi i kryeministrit në lidhje me punën e ministrit si dhe rritjen e krimit në vend gjatë muajit mars, ngjalli debate të ashpra si dhe dyshime të forta në radhët e deputetëve të majtë në këtë komision, se nga e kishte prejardhjen. Ndonëse ministri Tahiri e justifikoi këtë mesazh, si njëri prej atyre që ai u ka dërguar vartësve, kjo sërish ngjall dyshime se, edhe nëse do të ishte kjo rruga që ka ndjekur, se në çfarë rruge është marrë ai për t’u bërë publik. “S’e kam problem t’i përgjigjem asnjë pyetje të komisionit. 

Atë mesazh e konfirmova se ja kam çuar dy bashkëpunëtorëve të mi. Besoj Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe ai e di se ku e ka marrë, e dini ju fort mirë, s’po i them se s’ka rëndësi, e megjithatë unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe të skuadrës së policisë së shtetit”-iu përgjigj Tahiri shqetësimit të opozitës. Por dyshimet e mazhorancës qëndrojnë pikërisht në një dekonspirim informacioni pikërisht nga Shërbimi informativ Shtetëror, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, pas akuzave të ministrit Tahiri se   nuk ka bashkëpunuar për zbardhjen e krimeve në vend. Deklarata e bërë nga deputeti Blendi Klosi për raportet e veçanta që ka Noka me kreun aktual të SHISH, Visho Ajazi Likën, sipas tij, tregon qartë burimin e përgjimeve të mesazheve private të bëra publike dje. “Z.Noka ka raport të rëndësishëm me kryetarin aktual të Shërbimit Informativ dhe duket qartë se nga i ka burimet e këtyre përgjimeve”, tha Klosi. Kjo i lë dhe një herë rrugë të hapur mazhorancës për dyshimet që ka hedhur edhe më parë në lidhje me mosbashkëpunimin e kreut të SHISH me qeverinë e re, por raportimin te opozita. Duket qartë se pikërisht organi i SHISH-it në vend është burimi kryesor i zbardhjes së mesazheve mes Ramës dhe Tahirit.

Reagon Braho

 Kreu i Komisionit të Sigurisë, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, i cilësoi një rrugaçëri politike gjithë atë çfarë ndodhi dje në Komisionin Hetimor në lidhje me skandalin përgjimeve. Ai tha se ish-ministri i Brendshëm, Noka, shquhet për vjedhje elektronike. “Është rrugaçëri politike çfarë do që të jetë përgjim, sajim apo montim. Nuk besoj se janë përgjuar celularët. Më shumë se përgjim janë lojëra telefonike apo marifete që i ngrenë në nivel të lartë intrigat politike dhe veçanërisht Flamuri shquhet për këto punë, grabitjesh elektronike”, tha Braho. 

Akuzat për përgjime 

Mëse një muaj më parë, u bë publik shqetësimi i Komisionit Parlamentar të Sigurisë se shumica e telefonëve të ministrave të qeverisë “Rama” ishin nën përgjimin e SHISH-it. Sipas deputetëve të majtë, anëtarë të komisionit, shërbimi i drejtuar nga Visho Ajazi Lika po vijonte një praktikë të nisur që kur e majta ishte në opozitë, duke rregjistruar bisedat apo mesazhet telefonikë të figurave të qeverisë. Sipas të dhënave, nën përgjim ishin ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai i jashtëm, Ditmir Bushati, i Financave Shkëlqim Cani, ai i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zyrtarë të lartë, por edhe deputetë. Në fillim të marsit media publikoi emrat e disa zyrtarëve që ishin në përgjim, ku listoheshin emrat e disa drejtorëve të rëndësishëm, por edhe deputetë.

Rama: Sms shpifje, Berisha: Gjykojeni vetë 

 Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një shpifje mesazhin dërguar ministrit të Brendshëm e publikuar nga opozita në lidhje kritikat për rendin në vend. “Sms-ja ime për Ministrin e Brendshëm?Një shpifje! Mendimi im për Saimir Tahirin? Ministri i duhur që meriton respekt për punën e palodhur”, shkruan Rama në Twitter. Ndërkohë që i pari që reagoi në rrjetin social “Facebook” për përgjimin e telefonave, ishte pikërisht ish-kryeministri, Sali Berisha. Në statusin e tij, ai kujton deklaratën që kryeministri Rama ka bërë para disa ditës në një emision televiziv ku tha se krimi në vend ka rënë, ndërsa në mesazhin   që opozita pretendon se Rama i ka dërguar Tahirit tregohet shqetësimi i kreut të ekzekutivit për krimin në vend. “Edi Rama, që vetëm një javë më parë deklaronte në emisionin “Opinion” se vrasjet në tremujorin e parë të vitit 2014 janë 30% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2013, i drejton sot mesazhin që vijon zëdhënësit të tij për rendin S. Tahirit ku pohon se vrasjet janë dyfishuar. Gjykojeni vetë”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin plotë. Nga ana e tij, deputeti socialist, Erjon Braçe, e konsideroi këtë shkelje të Kushtetutës nga ana e opozitës që duhet hetuar. 

Ja mesazhi i Tahirit 

“Nga muaji Mars 2014 dyfish vrasje krahasuar me muajin Mars 2013, gjithashtu janë përkeqësuar gjithë treguesit e tjerë dhe kjo është e trishtë për mua dhe e rëndë për qytetarët dhe shpresoj që për ty të mos jetë vetëm tregues statistike. Kjo nuk është kërkund ajo që ke marrë përsipër para meje dhe ne kemi marrë përsipër përballë qytetarëve, pra si unë edhe ti. Është e përsëritur thirrja për hir të punës dhe dashamirësisë njerëzore karshi teje, por k y kufi nuk mund të shkelet me neglizhencë fatale, si ky lëshim skandaloz i punës dhe për këtë nuk jam shum larg së menduari se problem je ti dhe jo vartësit e tu, dhe nëse janë të paaftë ata, nuk kam kohë dhe dëshirë të merrem me ta, por mua më takon të merrem me ty. Unë besimin që të kam dhënë, detyra dhe pritshmëria e publikut se meritojnë gjëkundi këtë pritshmëri. Flasim nesër për më tepër, por këto orë që kanë mbetur bëjë më pak orë gjumë dhe mendo ku ke gabuar, çnuk ke bërë mirë e çdo bësh për t’i riparuar në qoftë se mundesh”.    

Mesazhi, ministri: E nisa unë 

Tahiri: Unë i kam dërguar sms, s’ma ka çuar mua Rama, ja kam çuar unë bashkëpunëtorëve. T’ju vijë trup që përmendi të tilla gjëra.

Noka: Është mesazh i Kryeministrit ky apo jo, po jo? Se unë kam dhe tjetër, ti këtë më thuaj, po jo? 

Tahiri: Kjo që sapo dëgjuat është arsyeja që Policia e Shtetit ishte katandisur në atë nivel. Që merrej me mesazhet, me jetën private të njerëzve. 

Noka: Është një mesazh për punën që të ka dërguar kryeministri dhe të ka rrëzuar punën për gjithë këto përralla që thotë ky. Është apo s’është, të ka ardhur apo jo?

Klosi: Duhet ndërprerë seanca. Si mundet që një ish-ministër, aludon se ka përgjuar komunikimin telefonik mes kryeministrit dhe ministrit. Për përmbajtjen aludoni si të doni, por përgjimi është shkelje e sigurisë kombëtare. 

Ristani: Mesazhin sapo e konfirmoi dëshmitari në seancë dhe përmbajtja e tij është publike dhe e regjistruar në këtë komision. 

Tahiri: S’e kam problem t’i përgjigjem asnjë pyetje të komisionit. Atë mesazh e konfirmova ja kam çuar dy bashkëpunëtorëve të mi, besoj Flamuri ka burime për ta gjetur atë mesazh dhe ai e di ku e ka marrë, e dini ju fort mirë, s’po i them se s’ka rëndësi, e megjithatë unë jam krenar për bashkëpunëtorët e mi dhe të skuadrës së policisë së shtetit. 

Tahiri: Ndryshimet në polici, me Burgajn, shkarkova rojet e PD 

Tahiri: Së bashku me ish-drejtorin e Përgjithshëm z.Burgaj vlerësuam se drejtuesit e policisë nuk i përgjigjeshin asnjë lloj ritmi për të garantuar siguri për qytetarët. Një pjesë e drejtuesve që gjetëm në detyrë nuk plotësonin kriteret. Konkretisht zoti Mërgim Hoxha, drejtor i qarkut Lezhë, pa punuar asnjë ditë në Policinë e Shtetit, shkoi në atë detyrë direkt nga drejtori i ujësjellësit Lezhë. Mori gradën drejtues i parë në kundërshtim të hapur me ligjin për gradat, duke pasur vetëm 1 vit e 7 muaj punë karrierë policore. Ky zotëri u bë dhe drejtor i Akademisë së Policisë, dhe ndërkohë ushtrohej në “Facebook” për fushatë të theksuar politike në zgjedhjet e fundit. Ismail Elezit i ishte llogaritur punësimi i tij për vjetërsi pune si nënkryetar i PD dega Peqin. 

Ristani: Për këtë arsye e keni hequr zotin Elezi? 

Tahiri: Për këtë duhet të pyesni drejtuesin e policisë. Osman Levanaku, administruar në dosjen e punës, roje PD e Shqipërisë. Roje tek PD-ja mund të jetë punë e nderuar, ishte emëruar drejtori i FNSH-së.

Ristani: Të gjitha arsyet që ju po thoni janë arsyet që kanë çuar në largimet e këtyre njerëzve nga puna apo jo?Tahiri: Shtetasi A.K. oficer policie, është arrestuar në një shtet të BE-së me një ngarkesë kokainë. Ka nxjerrë dokumentin e policisë për t’i shpëtuar procedimit në atë moment, duke deklaruar se ishte agjent në mbulim. Autoritetet kanë   kërkuar sqarime tek drejtori i Përgjithshëm zoti Burgaj.

Qefalia: Z.Burgaj është shantazhuar, është ndier në presion që të firmosë lëvizjen e 12 drejtorëve të qarqeve? Tahiri: Vetë s’e kam në detyrë që të shantazhoj dhe të ushtroj presion ndaj kujtdo. 

Noka: Keni patur dijeni që ishkreu i SHISH, Fatos Klosi i ka dërguar zyrtarisht letër ish-kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, ku i thotë se Artan Didi u ka marrë 4 milionë dhrahmi personave që kanë pasur probleme me ligjin? 

Tahiri: Artan Didi sot është një njeri i vlerësuar nga ndërkombëtarët me medalje kundër terrorizmit. Në momentin që kam bërë propozimet kam bërë verifikimet e duhur. Ty të paska ngarkuar partia që të nxjerrësh edhe këtë letër, të nxjerrësh edhe atë të kamionëve të ushtrisë.

Balla: Pyetja ishte jashtë çështjes që ne po hetojmë 

Ristani: Pyetja është brenda kontekstit të hetimit. O të verifikojmë nëse ka vrarë apo jo njerëz të pafajshëm në aksion. 

Noka: Për çështjen që sapo folët keni konflikt interesi, dolët për të mbrojtur kushëririn. Kijeni parasysh se po flisni për kushëririn, por takojeni pastaj kushëririn dhe sqarohuni. 

Ristani: Keni koment për deklaratën e Prokurorisë së Italisë që kanali i Otrantos është kthyer në autostradë për trafikun e lëndëve narkotikëve? Jeni njohur me këtë deklaratë? 

Tahiri: Jo, nuk jam njohur./Shekulli/              

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 March 2014 15:39

Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare u përfshi sot nga debatet lidhur me seancën dëgjimore me kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi. Seanca e planifikuar për 5 mars u shty për shkak se z. Ajazi nuk ishte i pajisur me çertifikatën e vlefshme të sigurisë, e domosdoshme në rastet e raportimit të ‘sekreteve shtetëtore’.

Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, në fillim të mbledhjes së sotme të komisionit tha se seanca me kreun e SHISH është lënë në mes dhe duhet të kemi një përgjigje, se kur z. Ajazi do të jetë i pranishëm në komisionin parlamentar.

“Në rastet kur kreu i SHISH nuk paraqitet në komision atëhere deputetëve iu lind e drejta, sipas ligjit, që të shkojnë vetë pranë institucionit në fjalë dhe të verifikojnë të gjitha pretendimet e tyre”, tha z. Lutaj.

Në reagimin e tyre deputetët e opozitës, përmes nënkryetarit të komisionit, Flamur Noka tha se deputetët e shumicës vijnë në komision vetëm për të bërë zhurmë. “Kreut të SHISH nuk i kemi vënë afat se kur do të vijë në komision”, tha Noka.

Një javë më parë, kryetari i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi u paraqit për të raportuar në komisionin e Sigurisë, pa çertifikatën e vlefshme të sigurisë. Kjo u konsiderua e paligjshme nga ana e deputetëve të maxhorancës, të cilët kërkuan ndërprerjen e mbledhjes dhe shtyrjen e saj në një moment tjetër, deri sa kreu i SHISH të pajiset me çertifikatën e nevojshme./shqiptarja/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 March 2014 15:11

Seanca dëgjimore e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, është ndërprerë pak minuta pasi ka nisur. Mbledhja në Komisionin Parlamentar të Sigurisë është ndërprerë nga kryetari i komisionit Spartak Braho. Mësohet se shkak për këtë është bërë mungesa e certefikatës së sigurisë së vetë kreut të SHISH-it, si dhe të disa anëtarëve të komisionit. 

Mësohet se kryetari Braho i kishte paralajmëruar më herët anëtarët e komisionit që të paraqiteshin në seancë me certifikatat e sigurisë, por si duket ata nuk e morën seriozisht paralajmërimin e Brahos, madje as Ajazi, raporton shekulli.

Kryetari i Komisionit, Spartak Braho tha se Visho Ajazi nuk ishte i pajisur me certefikatën e sigurisë, pasi i kishte skaduar që para dy javëve. Ky ka qenë dhe shkaku i ndërprejes së mbledhjes. Braho sqaroi gjithashtu se anëtarët e tjerë të komisionit, të cilët nuk i kishin certifikatat janë nxjerrë jashtë. Certefikata e sigurisë lëshohet nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar.

Sipas deputetit socialist, Piro Lutaj, Visho Ajazi nuk kishte certefikatë, dhe se ai dyshon se edhe certefikatën e parë Ajazi e ka marrë kundër rregullave dhe ligjeve të shtetit. 

Mbledhja kishte filluar në orën 12:00 dhe po zhvillohej me dyer të mbyllura. Visho Ajazi do të raportonte mbi punën e SHISH-it përgjatë vitit 2013, si dhe mbi akuzat e fundit në lidhje me përgjimin e disa drejtuesve të Policisë së Shtetit. 

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e ka akuzuar Ajazin se SHISH nuk po bashkëpunon për të dhënë informacione mbi shpërthimet me tritol që po ndodhin kohët e fundit në vend. 

Ndërkohë mbledhja e komisionit pritet të rifillojë pasi të rikthehen deputetët që nuk kishin marrë me vete certifikatën e sigurisë.

ANËTARËT E KOMISIONIT TË SIGURISË KOMBËTARE

 1. Spartak Braho, kryetar LSI 

2. Flamur Noka, zëvendëskryetar PD 

3. Pirro Lutaj, sekretar i PS

 4. Arben Çuko, anëtar i PS

 5. Armando Prenga, anëtar PS 

6. Paulin Sterkaj, anëtar PS 

7. Shkëlqim Selami, anëtar LSI 

8. Luan Rama, anëtar LSI

9. Pjerin Ndreu, anëtar PS 

10. Taulant Balla, anëtar PS

11. Xhemal Qefalia, anëtar PS

 12. Ermonela Felaj, anëtare PS

 13. Ulsi Manja, anëtar PS 

14. Vexhi Muçmataj, anëtar PS 

15. Armando Subashi, anëtar PS

16. Alban Zeneli, anëtar PDIU 

17. Aqif Rakipi, anëtar PDIU 

18. Ylli Shehu, anëtar PR 

19. Mesila Doda, anëtare PD 

20. Ardian Turku, anëtar PD 

21. Astrit Patozi, anëtar PD 

22. Keltis Kruja, anëtar PD 

23. Helidon Bushati, anëtar PD 

24. Arben Ristani, anëtar PD

 25. Anduel Xhindi, anëtar PS

 26. Arben Ndoka, anëtar PS

 
Lajme Shqip Monday, 03 March 2014 14:40

Në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar të Sigurisë është vendosur që Kreu i SHISH të raportojë në një seancë me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar.

 
Visho Ajazi Lika do të raportojë në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj institucionit të tij për mosbashkëpunim me policinë sa i takon shpërthimeve me tritol por pritet që temë diskutimi të jenë edhe denoncimet në media për përgjimet që janë kryer nga ky institucion për drejtuesit e lartë të policisë, tatimeve dhe doganave por dhe drejtorë, prefektë, deputetë.

Në një prononcim për A1 Report, kreu i komisionit të Sigurisë Spartak Braho tha se nuk dinte që ishte në përgjim por nëse ka ndodhur atëherë do të merren masa drastike.

“Nuk di që përgjohem. Nuk ka bir nëne që më përgjon mua por nëse ka ndodhur kjo është kundër rregullave dhe do të merren masa drastike. Përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale”- tha Braho për gazetaren Joniada Koçi. 

Në numrin e së dielës, 2 mars 2014, gazeta “Shqiptarja.com” zbuloi disa nga emrat që agjentët e SHISH mbajnë nën vëzhgim dhe një pjesë e informacioneve rreth këtyre emrave janë bërë pjesë e debateve politike në parlament dhe jo vetëm. 
Një burim, i cili është pjesë e skemës së ndjekjeve operative i ka thënë gazetës, se bëhet fjalë për deputetin e LSI-së Spartak Braho, këshilltarin e kryeministrit Edi Rama, Ermal Beqiri, Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj, prefektin e Vlorës Besnik Dervishi, kryebashkiakun e këtij qyteti Shpëtim Gjika, Drejtoreshën e Doganave Elisa Spiropali dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, si dhe shefin e qarkullimit në Vlorë Ilir Rrokaj.


Kryetari i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho tha se  kreu i SHISH do të raportojë me kërkesë të opozitës. 
 Visho Ajazi Lika do të jetë i pranishëm në Komisionin e Sigurisë në një seancë dëgjimore në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj institucionit të tij për mosbashkëpunim me policinë sa i takon shpërthimeve me tritol. 
Kërkesa për këtë seancë dëgjimore është bërë nga deputeti ish ministri i Brendshëm. Gjithashtu Visho Ajazi do të flasë edhe për emërimet në SHISH. Kjo është kërkuar nga deputeti i PS-së Qefalia. /shqiptarja/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 01 March 2014 19:00

Shërbimi Informativ Shtetëror duket se ka më shumë në fokus hetimin e policisë, se sa mbledhjen e informacionit për personat apo ngjarjet kriminale.

Top Channel publikon pjesë të një dokumenti të SHISH-it i hartuar prej Departamentit të kundrazbulimit dhe mban firmën e drejtuesit R.T. ku kërkohet informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjoretë emëruar në Policinë e Shtetit. Shkresa e Drejtorisë së Kundrazbulimit u kërkon degëve në shërbimit në të gjithë Shqipërinë të “identifikojnë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit në qarqe më konkretisht, drejtori i Qarkut, shefi i rendit, shefi i krimeve, shefat e komisariateve,drejtori qarkullimit rrugor, ata të emigracionit dhe kufirit dhe specifikisht të identifikohen personat dhe pozicionet e tyre drejtuese të emëruar pranë policisë së qarqeve, kohët e fundit me të dhëna që i implikojnë në veprimtari antiligjore”.

Sa më sipër, thuhet në shkresë, të indentifikohen shtetasit, drejtues policie për të cilët mund të kemi informacione se janë implikuar në veprimtari antiligjore që ndiqen nga drejtoria “KKON” si trafik lëndësh narkotike, trafik klandestinësh, trafikveprash arti, trafik prostitucioni, pastrim parash, trafik të miturish, falsifikim dokumentash.

 
Lajme Shqip Friday, 31 January 2014 12:55

Mazhoranca e re do të ndryshojë ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, ndërsa paralajmërohet edhe një reformë e thellë në këtë institucion. 

Pas akuzave të ministrit të Brendshëm , Saimri Tahiri, se SHISH nuk i jep informacione Policisë së Shtetit , ka ardhur edhe deklarata e kryeministrit Edi Rama në seancën e djeshme plenare.

 Sipas kreut të qeverisë, lufta ndaj krimit dhe veçanërisht pas ngjarjeve të fundit ku ka pasur disa atentate me tritol, kërkon edhe një reformë ligjore në shërbimet inteligjente, ndërsa u shpreh se përveç ngritjes së byrosë kombëtare të hetimit, do të ketë edhe një reforme ligjore e organizative edhe në shërbimet inteligjente. 

“Janë kapur 15 për qind më shumë kriminelë brenda vendit dhe 110 për qind më shumë nga të kërkuarit ndërkombëtarisht. Janë kapur 35 për qind më shumë në fushën e drogës, 59 për qind më shumë autorë trafiqesh dhe mbi 70 për qind më shumë për korrupsion.

 Ne kemi trashëguar policinë me moshën më të lartë në Evropë dhe me nivelin më të ulët arsimor, ndaj e kemi të vështirë. Sot ndjehet se keni përkeqësim të ndjeshëm sidomos në fytyrë. Aktet terrorizuese të goditjes me tritol janë për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se thjesht reagimi i policisë së shtetit.

 Siç thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut, R. Xhuliani, ka të bëjë me kohën që i duhet rendit ligjor të organizohet siç është i organizuar krimi. Së shpejti në Kuvend do të shqyrtojmë reformën ligjore për rendin publik dhe do të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit”, vijoi Kryeministri.

 Gjatë debatit në seancë plenare, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e deritanishme të Policisë së Shtetit, ndërsa ka akuzuar opozitën se po bën politikë me krimin.

 “Aq keq e luani pjesën e të përvuajturit për mëmëdhenë sa duket sikur tërë natën e kaloni natën duke pritur plagë tritoli dhe të dilni me vrap të akuzoni jo krimin, po policinë. Që ju se keni me krimin, po policinë, këtë luftën tuaj të dëshpëruar këtë e tregon mirë dhe fakti se ju si bëni kurrë thirrje policisë për të zbardhë ngjarjet, por nxitoni t’i kërkoni Ministrit të Brendshëm dorëheqjen”, tha ai. 

Ndërsa për opozitën, qeveria ka dështuar në garantimin e sigurisë publike në  vend, duke e cilësuar atë sinonim të tritolit. Duke folur për mbi 60 minuta në parlament, deputeti demokrat Sali Berisha u shpreh se kriminaliteti është shtuar që pas ardhjes në pushtet të qeverisë së majtë.

 “Me ardhjen në pushtet me premtimet anti-globaliste fjala e vetme që u zhduk nga fjalori është punësimi. Rikujtoni të gjitha retorikat boshe të piktorit dështak që i mbushet mendja se në Shqipëri sak ekonomist sesa ai.

 Duke mbjellë vrer e zi flet për tmerr dhe ferr në këtë vend, duke përshkruar Shqipërinë me atë realitet që ka në mendjen e tij dhe kurrë realitetin që ekziston. Ka shkatërruar dhe po shkatërron pa mëshirë me dhjetëra vende pune. Keni hedhur në erë shtetin ligjor duke shkelur rregullat e tij. 

Ky është një mekanizëm i zi që është Shqipëria në kaos, Shqipëria nën thundrën e krimit, Shqipëria e vrasjeve me maska dhe trafiqe. Çfarë bëtë me ardhjen tuaj në pushtet, për të mbyllur dosjet e kartelave shkarkuat policinë kriminale dhe sollët një mjerim që është ulur këmbëkryq në çdo rrugë”, tha Berisha. 

Përplasja Berisha-Tahiri 

Ministri i Brendshëm ,Saimir Tahiri, i kërkoi ish-kryeministrit Sali Berisha që të shpjegojë vendosjen e tritolit në shtyllën e tensionit të lartë në muajin dhjetor. “Mallkuar qoftë dita kur harrove emrin e baxhanakut tënd, nuk dije ku ishte Gërdeci. Mallkuar qoftë dita kur bodigardi i djalit tënd qëlloi me armë një kamerier se nuk i ndërroi tavllën

 Ta dini mirë se deri ditën e fundit të detyrës sime askush nga ju që guxon të nxis kriminalitetin në këtë vend do e pësojë paq. S’ke guxim të shohësh në sy. Nuk ke folur ishte pikënisja, tritoli te shtylla e tensionit të lartë. Ki kurajon të dalësh këtu e të flasësh për atë.

 Janë akte të pastra terroriste. Sot ata që nxisin dhe frymëzojnë krimin në këtë vend ,ndoshta edhe nën emrin tënd dje ishin në zyrat e pushtetit. Ky shtet e ka hedhur një herë e mirë lidhjen e pushtetit me krimin, dhe lidhjen me qeverinë dhe në familjen tënde. 

Deri në atë ditë bëni durim dhe lini policinë të punojë. Bekuar qoftë dita kur do e kuptosh që të ka ardhur fund”, deklaroi Tahiri. Ndërsa ish-kryeministri akuzoi ministrin Tahiri se mban kriminelë për truproje dhe se e ka kthyer Tiranën në lavatriçen e krimit..   

Topalli: Rama të japë llogari për Frrokun  

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli kërkoi shpjegime nga kryeparlamentirari Ilir Meta dhe nga kryeministri Edi Rama për denoncimin e bëre nga gazeta belge për deputetin Mark Frroku. “Para disa ditësh në gazete belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit që akuzohej për vepra të renda penale, trafiqeve etj, unë nuk di cili do jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë kryeministrit: Fol e shpjego. 

Ku do shkojë vendi nëse të gjithë do të heshtin, nëse gazetat e huaja hapen me të tille emra e probleme, nëse është i pafalshëm pse nuk i del zot  kryeministri”, tha Topalli.

 Mediat ne Belgjike shkruajnë se deputeti i Partisë Kristian Demokrate Shqiptare ne Parlament, Mark Frroku është dënuar me 10 vjet burg ne vitin 2010 për vrasjen e një shqiptari dhe se muajin e ardhshëm duhet te rigjykohet. 

Sipas mediave belge, Frroku është dënuar për vrasje në bashkëpunim të shqiptarit Aleksandër Kurti, i vrarë me thikë në 5 mars të vitit 1999. Sipas belges “Sudinfo”,”vrasja e Kurtit lidhet me botën e prostitucionit ku veprojnë disa rrjete imigrantësh shqiptarë në Bruksel.

 Por, deputeti Frroku e cilësoi lajmin si të nxitur politikisht, duke garantuar se nuk ka asnjë problem me drejtësinë në asnjë vend të botës. /shekulli/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 30 January 2014 12:43

Shërbimi Informativ Shtetëror ka për detyrë të informojë lidhur me probleme që cenojnë sigurinë kombëtare. Dhe ngjarjet e ndodhura ditët e fundit janë ngjarje që cenojnë sigurinë kombëtare. Kështu deklaron në një intervistë për “Shekullin”, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. 

Duke i konsideruar ngjarjet e fundit si akte terroriste, Klosi pohon se detyra kryesore e SHISHit në këto momente duhet të jetë lufta ndaj këtyre fenomeneve. 

Ishkreu i SHISH-it shprehet se situata e rënduar e rendit shkon paralelisht me akuzat për dobësim të policisë për shkak të shkarkimeve apo emërimeve.

 “Shoh që këto ngjarje u përqendruan shumë në këtë periudhë, kur po diskutohet shumë se gjoja nga policia janë hequr shumë specialistë dhe janë vënë militantë, e diskutime si këto. Janë në unison këto dy skenarë. 

Dobësimi gjoja i policisë meqenëse qenkan hequr specialistët dhe shtimi i i këtyre lloj fenomeneve. Kjo duhet parë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e ka këtë detyrë”, – pohon ai. 

Klosi nuk shprehet i habitur as nga ideja se kreu aktual i SHISH-it mund të vijojë të informojë ish-kryeministrin për ngjarje të caktuara, ndërsa thekson se Ajazi është i zgjedhur në atë detyrë nga Berisha. 

Klosi shton se në situatën aktuale është kryeministri ai i cili mund të kërkojë informacion të detajuar nga kreu i SHISHit sepse kjo strukturë është në varësi të ekzekutivit dhe e ka për detyrë të raportojë për fenomene të caktuara, madje brenda afateve që i vendosen.

 

Zoti Klosi a ka një procedurë ligjore mbi bazën e të cilës Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të japë informacion?

 

 Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të bëjë punën e vet që të ketë   informacion. Natyrisht jo për ngjarje të veçanta se kjo është absurde, por kur ngjarjet marrin pamjen që kanë marrë sot dhe praktikisht po bëhet si rregull vendosja e dinamitit, natyrisht duket që këtu ka një dukuri. Nuk është një ngjarje e thjeshtë që ndodhi njëherë, ja ndodhi dhe njëherë të dytë.

 Kjo mënyrë po bëhet praktikisht mënyrë e zakonshme. Për sa kohë që është kthyer në fenomen, është e qartë që Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të ketë informacion ose duhet të punojë të paktën për të pasur informacion dhe të informojë.

 Shërbimi Informativ Shtetëror është pjesë e ekzekutivit dhe si i tillë të gjitha detyrat i merr nga kryeministri. 

Natyrisht në sektorin e vet të punës, për informacionin lidhur me sigurinë  kombëtare, por prioritetet e punës sa herë që bëhet plani i punës, plani vjetor zakonisht se kështu funksionon administrata tek ne, merr prioritetet nga kryeministri dhe ai duhet të punojë dhe të japë llogari për ato detyra që ka marrë.

 Një nga detyrat kryesore në këtë periudhë është lufta ndaj këtyre fenomeneve që janë vërtet fenomene terroriste sepse të vësh bombë, nuk mund ta quash thjesht një ngjarje. Nuk është se po bëhet thjesht një vjedhje apo diçka e tillë. 

Njëherë vë një bombë nëpër shtyllat e tensionit të lartë, pastaj nëpër makinat, në dyert e shtëpive… Skandaloze ishte vendosja e bombës në furgonin e një banori të Lezhë, ajo nuk kishte asnjë lloj shpjegimi tjetër. 

Ai ishte njeri pa asnjë problem, një gjynahqar në punën e vet. Kështu që më duket se në këto ngjarje ka një orientim të përgjithshëm. Edhe nëse nuk ka një planifikimin, një orientim është. 

 

Si e konsideroni shqetësimin e ministrit Tahiri të shprehur në Komisionin e Sigurisë, sipas të cilit mungesa e informacionit nga SHISH-i po cenon sigurinë kombëtare? 

 

Mosdhënia e informacionit për këto gjëra që po ndodhin, cenon sigurinë kombëtare. Shërbim Informativ Shtetëror është ai institucion që furnizon ekzekutivin me informacion për të gjitha ngjarjet, më shumë për të gjitha dukuritë, fenomenet që cenojnë sigurinë kombëtare.

 Unë thashë që kjo u bë fenomen. Është bërë i shpeshtë dhe ata duhet ta vrasin mendjen qoftë dhe në aspekte teknike shumë të thjeshta, nga vjen ky dinamit, ku gjendet, kush janë linjat në të cilat zhvillohet kjo gjë?

 Sepse është një pajisje, dinamiti i bashkuar me një celular a me një radio krijon një pajisje, domethënë janë gjëra teknike që kanë kohë që diskutohen në Shqipëri. 

Kush janë linjat e furnizimit të atyre që i përdorin këto pajisje?  Pra në një mënyrë apo në një tjetër duhet t’u kishte rënë në mendje me kohë për këto fenomene që po ndodhin sot. Nuk është se bëhen brenda ditës. Jam i sigurt se nuk janë ngjarje të veçanta nga njëra-tjetra. 

Kanë një gjë të përbashkët, qoftë dhe furnizimit me pajisje. Unë kam përshtypjen se kanë dhe më shumë të përbashkëta. 

Unë po përdor fjalën orientim për të qenë brenda, sepse unë sot jam një qytetar i zakonshëm dhe nuk di asgjë konkrete, por e shoh që u përqendruan shumë në këtë periudhë, kur po diskutohet shumë se gjoja nga policia janë hequr shumë specialistë dhe janë vënë militantë, e diskutime si këto.

 Janë në unison këto dy skenarë. Dobësimi gjoja i policisë meqenëse qenkan hequr specialistët dhe shtimi i i këtyre lloj fenomeneve. Kjo duhet parë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e ka këtë detyrë. 

 

Ish-presidenti Bamir Topi në një intervistë për “Shekulli” ka deklaruar se SHISH-i vijon të jetë në shërbim të Berishës duke përgjuar kundërshtarët e tij politikë…

 

 Nuk besoj se kjo bëhet e mundur zyrtarisht. Por mund të bëhet. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror është një njeri që është vënë nga Berisha. Nuk do çuditesha fare që ai informon dhe Berishën për gjëra që i duhen. 

 

Në këto kushte ku jemi sot, kur SHISH akuzohet për mosdhënie informacioni cila është zgjidhja ligjore e kësaj situate? 

 

Në kushtet që jemi për mua, nuk është kaq e thjeshtë por kryeministri ka të gjitha të drejtat, si epror direkt i drejtorit të SHISH-it, që të japë orientimet lidhur me prioritetet e punës së shërbimit, qoftë për 3-4 muajt e ardhshëm dhe natyrisht prioriteti numër një është zbulimi i atyre që acarojnë situatën sot. Sepse për mua kjo që po ndodh është një politikë që acaron situatën.

 Unë nuk i quaj të shkëputura. Kryeministri ka të drejtën e plotë të kërkojë llogari duke vënë dhe afate të caktuara se kur kërkon informacion për këtë problem, kur për këtë tjetrin. Është shumë e kollajshme për kryeministrin, ai i jep detyrat Shërbimit dhe ka të drejtë të kërkojë llogari.

 Në ligjin për SHISHin thuhet: raporton për kryeministrin. Raportimi natyrisht është dhënie llogari për diçka që është kërkuar. Me këtë synim është vënë fjala raportim. 

 

 Braho: I zhgënjyer nga superlativat e Nishanit për SHISH-in 

 

 Kreu i Komisionit të Sigurisë flet për rolin e munguar të institucionit të drejtuar nga Visho Ajazi dhe pse është kundër presidentit 

 Burimi i parë i informacionit për luftën kundër krimit është Shërbimi Informativ Shtetëror. Nëse ai nuk kryen këtë detyrë atëherë është kthyer në një organizatë fronti si dikur. Kështu shprehet kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho lidhur me detyrat e SHISH në një kohë kur janë shtuar akuzat ndaj tij për mungesë bashkëpunimi.

 Spaho shprehet i zhgënjyer dhe për vlerësimet me superlativa të Presidentit ndaj SHISH-it ndërsa paralajmëron hetim për akuzat për punësime jashtë kritereve ligjore. 

 

Zot Braho, Presidenti Nishani ka deklaruar se SHISH-i ka bërë punë të mirë. Ministri i Brendshëm ka deklaruar se nuk bashkëpunon, po ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të nuk janë të kënaqur me punën e SHISH-it. Ju çfarë mund të na thoni për punën e bërë nga zoti Ajazi? 

 

Ç’ka thënë presidenti e di, edhe pretendimin e djeshëm në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Çfarë kanë thënë partnerët amerikano-anglez, për Visho Ajazin dhe strukturën e SHISH nuk e di.

 

 Gjatë dy ditëve të kaluara kanë bërë një inspektim dhe është një reagim i zyrtarëve të DASH…

 

 Nuk e besoj. Inspektimi ka qenë për të tjera gjëra në dijeninë time. Tv “Ora Neës” shfaqi inserte dhe pamje nga një dokumentacion, që bënte fjalë për emërtime të paligjshme në strukturën e SHISH-it. 

Duke veshur këtë edhe me opinionin tjetër, që pjesa dërrmuese e tyre janë shokë të Vishos gjatë periudhës që ka drejtuar SHISH-in Gazidede, gjatë periudhës ‘92-‘97. 

Nëse janë të sakta apo jo është proces tjetër. Ne i kemi kërkuar televizionit që materialet t’i verë në dispozicion të Komisionit të Sigurisë dhe ai i ka dorëzuar pranë kuvendit. Pasi ti shohim do të gjykohet si do të veprohet. 

Rrugët janë dy: verifikimin mund ta bëjë dhe qeveria, kryeministri nga varen detyrat që kryen SHISH-i, nëpërmjet inspektores së përgjithshme ose mund ta bëjë dhe një grup i ngarkuar nga Komisioni i Sigurisë pranë zyrave të SHISH-it për të ballafaquar këto materiale me situatën konkrete në këtë institucion.

 

  Ju si kryetar i Komisionit të Sigurisë keni kontakte me zotin Ajazi dhe a ju shqetësoi ajo çka deklaroi ministri Tahiri?

 

 Kontaktet e mia me zotin Ajazi janë normale. Kemi shkëmbyer mendime të ndryshme lidhur me funksionimet e SHISH-it. U përpoqëm ta ndihmonim financiarisht gjatë kohës së miratimit të buxhetit. Iu dhanë më shumë fonde se vitin e kaluar. 

U njoha me deklaratën e ministrit të Brendshëm. Tentova të lidhem me Vishën por është jashtë shtetit. Padyshim që do ta kontaktoj dhe për këtë çështje. 

 

Sa mund të ndihmojë SHISH në dhënien e informacioneve lidhur me çështje të rëndësishme që cenojnë sigurinë kombëtare? 

 

Atë ka detyrë kryesore.

 

 E ka bërë deri tani sipas jush?

 Nuk mund të shpreh ndonjë opinion. Unë mund të them që opinioni i shprehur nga Presidenti ishte me superlativa. 

Nga dozat e asaj kënaqësie, mbeta i zhgënjyer sa kohë që në Shqipëri shfaqet veprimtaria kriminale qoftë në formën e shfaqjes së terrorizimit, të elementëve të ndryshëm të tij apo të krimit të organizuar. Sa kohë që SHISH-i nuk është prezent nuk e di nëse ka apo jo informacione. 

Ministri i Brendshëm thotë që nuk kam informacione. Mundet që këto informacione ti marrë dhe presidenti por është e pamundur. 

Nëse presidenti i ka këto informacione duhet t’i konsumojë me qeverinë, me ministrin e Brendshëm, mos ti mbajë vetë, por nuk besoj të ndodhë kështu. Nuk dua të bëj asnjë aludim për presidentin. 

Por roli i SHISH-it në luftën kundër krimit është burim i parë i informacionit, element i parë i veprimtarisë së tij, i strukturave kudo ku është prezent. Nuk e di me çfarë mund të merret SHISH-i nëse nuk merret me këto informacione. 

Ose është kthyer në organizatë fronti si dukur që bën letra anonime, apo veprimtari të tjera që nuk i shërbejnë punës apo qëllimit për të cilin është ngritur dhe funksionon. 

Natyrisht Shërbimi ka dhe funksione të tjera që lidhen me bashkëpunimin me agjenci të tjerë të huaja. Nuk e di si i ka raportet me këto agjenci. Është një çështje që do të hetohet.   

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 August 2012 08:15

Tiranë  – Në një intervistë për televizionin Klan, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha se emërimi dhe shkarkimi i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) është një nga kompetencat ligjore të Kryeministrit dhe jo të tijat, ndërsa shtoi se akuzat e opozitës janë të pabaza.

Detyra e Presidentit, vijon Nishani, – nuk është që të pengojë Kryeministrin në ushtrimin e kompetencave të tij.

Në lidhje me nivelin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u shpreh se duhen akte të tjera ligjore dhe vendime nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa sqaroi se emërimi i Elvis Cefës si nënkryetar i KLD-së u votua në mënyrë unanime nga anëtarët e KLD-së dhe jo nga vetë presidenti.

Ndërkaq, presidenti foli edhe për referendumin popullor për çështjen e imunitetit duke e vlerësuar atë si ushtrim të demokracisë së drejtpërdrejtë, ndërsa shtoi se ndërhyrja e tij në këtë proces do të ndodhë atëherë kur e përcakton Kushtetuta.

I pyetur në lidhje me letrën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste e cila kërkonte ndërhyrjen e tij në bisedimet e fshehta sipas saj, të një marrëveshjeje kufitare me Greqinë, Bujar Nishani tha se letra nuk ka mbërritur ende, por megjithatë sqaroi se nuk po bëhet asnjë negociatë në hije lidhur me këtë fakt.

LEXONI INTERVISTEN E PLOTE

Z. President një nga vendimmarrjet e para pas betimit tuaj në postin e kreut të shtetit ishte edhe shkarkimi i kryetarit të SHISH. Opozita pas këtij vendimi ju akuzoi ashpër dhe tha se, po i shërbeni interesave të partisë në pushtet. Në fakt pse e shkarkuat ish-kreun e SHISH?
Presidenti i Republikës ka ushtruar tagrin e vet kushtetues duke lejuar Kryeministrin e vendit të përmbushë të drejtat e tij ligjore. Ata, të cilët mendojnë që puna apo detyra e Presidentit të Republikës është që të pengojë Kryeministrin e vendit të ushtrojë detyrat e tij kanë një keqkuptim të madh me sistemin. Pa diskutim që shqetësimet e opozitës janë pjesë e vëmendjes së pa ndërprerë të Presidentit të Republikës, por besoj se ato duhet të jenë të fokusuara gjithmonë në mënyrën sesi funksionojnë institucionet.

Opozita thotë se nuk ka pasur konsultë me aleatin kryesor SHBA, ju thjeshtë e firmosni shkarkimin e tij nuk merrni informacion më tej?
SHBA përmes përfaqësuesve të tyre në Tiranë kanë treguar gjithmonë qartë se, marrëdhëniet ndërtohen me shtetin, marrëdhëniet ndërtohen më institucionet, marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën sesi funksionojnë këto institucione të respektimit të kushtetutës dhe të respektimit të ligjeve dhe besoj se ky standard ka qenë është dhe do të mbetet i pacenueshëm.

Z. President, sistemi i drejtësisë edhe sot vuan nga niveli i lartë i korrupsionit, a është fajtore KLD-ja për këtë nivel të lartë korrupsioni?
Ne duhet ta nisim përballjen e kësaj sfide që është sfida e çdo qytetari në radhë të parë duke rritur besimin e vetë gjyqtarëve ndaj sistemit. Nëse gjyqtarë të shumtë, të cilët janë brenda sistemit me një nivel të admirueshëm profesional, me një integritet moral dhe qytetar të atyre standardeve që kërkojnë qytetarët tanë, shohin se në pjesën e promovimit dhe karrierës nuk promovohet ky model, pra i atyre që shërbejnë me dinjitet, por promovohen persona, të cilët nuk e kanë këtë integritet atëherë këta gjyqtarë dekurajohen dhe kjo reflektohet tek vetë sistemi, tek vetë shërbimi, që do të marrin qytetarët tek shërbimi i drejtësisë dhe kjo reflektohet pastaj në hapin e dytë tek mungesa e besimit që kanë qytetarët tek sistemi i drejtësisë.

Si do ta bëni këtë z. President, është vetëm çështje vullneti apo ka mungesë legjislacioni në këtë drejtim?
Padyshim që vullneti është hapi i parë, por do të jetë e nevojshme që i gjithë infrastruktura ligjore që ekziston që nuk është e dobët është e mirë të plotësohet me akte të tjera dhe vendime të tjera të KLD, i cili ka mundësinë për të kompletuar këtë set ligjor.

Lidhur dhe me funksionin tuaj si kryetar i KLD-së, opozita ka akuzat e veta, duke iu referuar mënyrës sesi u zgjodh nënkryetari i KLD-së, ai është një propozim i Kuvendit. Pse Cefa nënkryetar?
Kryetari i KLD-së është Presidenti i Republikës, pra institucioni i presidencës përfaqësohet me kryetarin në KLD-së. Komuniteti i gjyqtarëve përfaqësohet me shumicën vendimmarrëse, qeveria përfaqësohet me ministrinë e drejtësisë dhe parlamenti ka ligjërisht tre përfaqësuesit e tij dhe praktika e të gjithë kohërave ka qenë i tillë dhe në respekt të balancimit të pushteteve. Posti i nënkryetarit i është ofruar përfaqësuesit të Kuvendit. Së dyti z. Cefa nuk u emërua nga Presidenti i Republikës, u votua në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e KLD-së.

Z. President a është pengesë imuniteti për korrupsionin në drejtësi?
Heqja, kufizimi i imunitetit në drejtësi është mesazhi më i mirë që i jepet shoqërisë porsa i takon ruajtjes së konceptit të barazisë para ligjit.

A po bën mirë mazhoranca që po ndërmerr iniciative për një referendum popullor për çështjen e imunitetit në mungesë të konsensusit të opozitës, duhet zgjidhur në parlament apo me referendum popullor?
Kjo është një çështje që i takon debatit politik të partive politike. Natyrisht që konsensusi do të jetë gjeja më e mirë që mund të arrijnë forcat politike, në parim çështja e votimit nga qytetarët është ushtrimi i një demokracie të drejt për drejtë, por edhe në rastin konkret të referendumit presidenti është pjesë e vendimmarrjes, është e përcaktuar nga kushtetuta momenti kur presidenti duhet të veprojë dhe të shfaqet me vendimet e tij, që do të jetë pas një gjykimi që vjen nga gjykata kushtetuese.

Në të shkuarën pa pasur diskutime të ashpra mes institucionit të presidencës dhe kuvendit lidhur me dekretet e presidentit për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo në Gjykatën e Lartë, si do ta zgjidhni këtë konflikt me Kuvendin?
Do të parapëlqeja dhe do të ofroja të gjitha konsultat paraprake me grupet parlamentare për përcaktimin e kritereve për të profilizuar kandidaturat, që duhet ti ofrohen Kuvendit për nivelet e këtyre gjykatave kaq të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe nga pikëpamja procedurale presidenti është predispozuar për të ndjekur apo hapa që janë përcaktuar në kushtetutë.

Opozita ju ka akuzuar ashpër dhe ju ngarkon ju me përgjegjësi edhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të SHIU, a keni përgjegjësi ju ?
Policia ushtarake është pjesë e administratës publike, procedura e emërimit të kreut të këtij institucioni nuk ka asnjë lidhje me Presidentin e Republikës. Është një çështje që nuk kalon në asnjë rast nga Presidenti i Republikës.

Z. President ka kaluar një muaj nga betimi juaj në krye të institucionit më të lartë dhe marrëdhëniet tuaja me opozitën janë shumë te tensionuara. Çfarë garancish i jepni ju opozitës se, do të jeni president mbi palët dhe se nuk do të jeni noter i partisë në pushtete apo ministër i partisë në pushtet siç ju akuzon opozita?
Unë nuk kam asnjë tension me opozitën, përkundrazi kam respektin maksimal për opozitën politike. E shoh atë si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend, por nga ana tjetër unë dua të garantoj qytetarët e vendit tim, që Presidenti i Republikës nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike apo taktike elektorale të partive politike, por gjithmonë do të jetë në përmbushje të misionit dhe detyrës së tij. Presidenti i Republikës duhet të funksionojë me gjithë kapacitetin që parasheh kushtetua e vendit.

A ka ndonjë dyshim se kur i përfundon mandati Prokurorit të Përgjithshëm?
Në momentin kur Presidenti i Republikës do të ketë në agjendë mandatin e prokurorit, natyrisht edhe në konsultë me këshilltarët e tij juridik dhe specialistët ligjor do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhura. Për momentin ne kemi një Prokuror të Përgjithshëm në detyrë, e cila do të mbështetet deri ditën e fundit të detyrës së saj nga Presidenti i Republikës në përmbushje të misioneve të saj ligjore dhe kushtetuese.

Do të riemëroni Ina Ramën apo do ketë një emër të ri?
Dhe kjo është një çështje e një kohe të caktuar, unë e kam shprehur vazhdimisht publikisht se institucioni i prokurorisë ka nevojë për një rritje të madhe të profilit të tyre profesional për një rritje të forcës dhe integritetit të të gjithë pjesëtarëve të prokurorisë në luftën ndaj kriminalitetit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, unë personalisht e shoh institucionin e prokurorisë në një moment, i cili duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional dhe angazhimin dhe kurajën e saj.

Grupi parlamentarë i PS-së bëri publike se ju ka dërguar një letër në të cilin ju kërkon të ndërhyni për disa çështje kryesore, ndër të tjera edhe lidhur me marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Grupi i PS pretendon se po bëhen negociata në hije lidhur me këtë marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke dhe se opozita nuk është në dijeni të kësaj marrëveshje dhe kërkon që ju të ndërhyni. A e keni marrë këtë letër?
Përsa i takon çështjes së marrëveshjes për ujërat, unë jam informuar edhe nga autoritetet shqiptare, që nuk ka asnjë negociatë asnjë nisje bisedimesh apo procedurë të hapur rreth kësaj çështje, por gjithsesi edhe njëherë në respekt të plotë, që meriton opozita me mbërritjen e letrës, sepse nuk ka mbërritur ende, ajo do të ketë përgjigjen e saj.

Z. President a keni një apel për forcat politike nisur nga fakti se në tetor do jepet vendimi për statusin dhe nëse do të jete një përgjigje pozitive kjo ndodh për herë të tretë për vendin tonë?
Kjo kohë që ka mbetur deri në momentin që KE dhe BE do të kenë një vendim lidhur me statusin për Shqipërinë është një kohë, që ende ka nevojë për kontribute dhe mund të përmbushet me angazhime. Ndaj nëse e quaj se është një e drejtë që ju takon qytetareve shqiptarë po me atë forcë e shoh si një detyrim që kanë partitë politike dhe institucionet për të përmbushur detyrimet e tyre.

Ju për herë të parë do të vizitoni Kosovën, pse vizita juaj e parë në Kosovë?
Ka të bëjë me çështjen e vlerësimit dhe respektit të bashkombasve tanë që jetojnë në Kosovë, së dyti është një vizitë e cila do të shprehë të gjithë respektin dhe nderimin për përpjekjet e bëra për shumë e shumë kohë nga qytetarët e Kosovës për arritjen e standardeve të lirisë, dhe Kosova është një nga kontribuueset e rëndësishme të rajonit dhe Ballkanit, ndaj dhe për mua do të jetë një moment për të shprehur të gjithë nderimin dhe vlerësimin tim në emër të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 08:24

Tiranë – Ish-presidenti I Shqipërisë Bamir Topi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se zgjedhja e kreut të ri të SHISH është një hap i rëndësishëm prapa.

“Për mua personalisht nuk ka asnjë lloj surprize, pasi gjithçka është e paralajmëruar nga unë katër vite më parë në prag të ndryshimeve kushtetuese, kur shikohej qartë një marrje e plotë e kompetencave, sidomos kur bëhej fjalë për zgjedhjen e presidentit”, tha Topi.

Ai tha se drejtuesit e institucioneve nuk janë më zgjedhje politike, por zgjedhje partiake. “Nga kjo pikëpamje ky shkarkim padyshim që sjell shumë pikëpyetje për ecurinë e këtij institucioni, i cili për hir të vërtetës ka qenë një institucion që arriti në standarde të larta, duke iu larguar atyre institucioneve që kishin ndikim nga politika”, tha Topi.

Ish- presidenti deklaroi se nuk ka pasur asnjë propozim nga kryeministri Sali Berisha për ndryshimin e kreut të SHISH gjatë kohës që ai ishte president.

“Nuk ka pasur absolutisht asnjë propozim. I vetmi debat ka qenë ai për ndryshimin e ligjit të SHISH, ligj që nuk ishte në ato standarde. Pati një protestë nga aleatët tanë. Një ligj i ndryshuar pa u konsultuar me aleatët, sidomos me SHBA, nuk ofronte asnjë sinjal pozitiv se institucioni do vendosej në standardet e NATO-s.”

Presidenti u shpreh se tani vendi po shkon drejt totalitarizmit. “Ka simptoma të qarta të një politike totalitariste që Shqipëria e ka flakur që në vitin 1992. Brenda dy-tre javësh keni parë ndryshime të rëndësishme në institucione kushtetuese dhe janë të gjitha kandidatura politike të mazhorancës.”

Presidenti komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe pse nuk ai këmbënguli në votimin për nënkryetarin kur ishte president.

“Unë zhvillova një betejë parimore në KLD. Ishte një tendencë e qartë që tregonte se kërkohej një kandidaturë e mazhorancës. Tentativa e kryeministrit është e qartë: për të kapur çdo institucion dhe për të futur frymën totalitariste në vitin 2012,” tha Topi.

Gjatë intervistës Topi deklaroi se tanimë nuk ka dyshim, ai do kthehet në politikë me FRD. “Nëse ka pasur një mëdyshje, tani unë e them se tani është detyrim për të hyrë në politikë. Në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit do të nis karrierën politike me FRD”. (LajmeShqip.com)

12