Lajme Shqip Wednesday, 22 January 2014 11:40

Me emërimin e Drejtorit Visho Ajazi Lika në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror në gusht të vitit 2012, nga ishkryeministri Sali Berisha, në këtë institucion kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në personel e sidomos në kupolën drejtuese të tij. Po ashtu sikurse kreu i këtij dikasteri u rikthye në drejtimin e këtij shërbimi, edhe shumë prej punonjësve të këtij shërbimi në kohën e frikshme të SHIK-ut të Gazidedes. Pas një investigimi të emisionit “Alarm” në Ora Neës, rezulton se një pjesë e mirë e punonjësve të SHIK-ut të kohës së Gazidedes janë rikthyer në detyra të rëndësishme. Në disa raste konstatohen edhe emërime në poste drejtuese, ndonëse në kohën kur i kanë ndërprerë marrëdhëniet kanë qenë vetëm punonjës të thjeshtë. Pasi kanë qenë të larguar për shumë vite nga ky shërbim, rikthimi i tyre është vlerësuar duke ju dhënë mundësi që ata të mbajnë tani poste të rëndësishme drejtuese. Së dyti, punonjës të dikastereve të tjera të emëruar në kundërshtim me statusin e punonjësve të SHISH pranë këtij të fundit, por edhe punonjës të mbetur nga vitet ‘92-‘97, janë promovuar me ndryshimet e fundit, në pozicione drejtuese. Megjithëse një institucion që në bazë të punës së tij ka sekretin, pas një investigimi është arritur të zbulohen se, edhe pse në mungesë të disa kushteve si kursi bazë , apo kushti i sigurisë, këta punonjës janë sot kupola e SHISH-it. Rasti më flagrant është ai i një ish-punonjësi të Gardës së Republikës, i cili ka shërbyer më herët si bodigard i z.Lika, është emëruar direkt kryetar dege pa qenë më parë i emëruar në nivel më të ulët, atë të inspektorit.

Denoncimet

Janë mbi 16 raste të evidentuara në shkelje të hapur me ligjin. Personi me inicialet S.K nga Mirdita, ka ushtruar më parë detyrën e inspektorit në strukturën e zbulimit të SHIK-ut të viteve ‘92-’97. Është emëruar drejtor i Departamentit në SHISH në mars 2013. Ky është pozicioni më i lartë në hierarkinë e linjës Informativo- Operative në SHISH. Nuk ka vërtetim për plotësimin e kushtit të Sigurisë. Një tjetër rast është i personit me incicialet S.H nga Shkodra. Më herët në kohën kurSali Berisha ka qenë President, ka qenë kryetar i degës së SHIK-ut të Malësisë së Madhe në kohën e SHIK-ut ‘92-’97. Me rikthimin e të djathtëve në pushtet dhe pas emërimit të Visho Ajazit në krye të këtij institucioni, është emëruar në mars 2013, pa kursin bazë, drejtor i Departamentit në aparatin qendror, detyrë kjo mjaft e rëndësishme pasi ndër të tjera ka në vartësi edhe Drejtorinë e Përgjimeve. Rasti i tretë është ai i personit R.T nga Mirdita, që figuron të ketë qenë kryetar i Degës në strukturën e Zbulimit të SHIK-ut të viteve ‘92-’97. Është emëruar në mars 2013, pa kursin bazë, drejtor në Aparatin qendror. Nuk ka vërtetim për plotësimin e kushtit të Sigurisë për të punuar në SHISH. Gjatë “rebelimit” të vitit 1997 në Vlorë ka kryer detyra specifike për shtypjen e “rebelëve”. Ndërsa qytetari K.K ka qenë kryetar i SHIK-ut në Elbasan në vitet ‘92-’97. Është emëruar në shkurt 2013 pa kursin bazë kryetar i ….(verifikon të gjithë shtetasit që punësohen në SHISH) në aparatin qendror. Eshtë transferuar nga policia. Një tjetër rast paraqitet nga Dibra, ku shtetasi Xh. Sh ka qenë inspektor i drejtorisë Operacionale të SHIK-ut të viteve ‘92-’97. Është emëruar Drejtor në një nga drejtoritë e Aparatit qendror. Për të evidentohet një rast në vitin 2005 që është kapur nga policia, pa qenë punonjës i SHISH, me një dokument të falsifikuar sikur punonte në SHISH. Është emëruar në këtë detyrë pa kryer kursin bazë. Edhe në një rast tjetër të një personi nga Dibra, punonjësi i rekrutuar është emëruar në shkelje me ligjin. Sipas dosjes së zbuluar, U.H nga Dibra rezulton të ketë qenë inspektor në strukturën e zbulimit të SHIK-ut të viteve ‘92-’97. Është emëruar në korrik 2013, edhe pse ka pasur kusht sigurie të mangët, pasi në polici figuron me probleme.

Si aplikohet për në SHISH

Të gjitha aplikimet për punësim në SHISH mbahen në konfidencialitet të plotë e rigoroz, sikundër e njëjta gjë kërkohet edhe nga aplikanti. Pranimi në SHISH, si rregull, bëhet me konkurrim të hapur, por në raste të veçanta dhe për profesione specifike pranimi në Shërbim mund të kryhet edhe pa konkurrim, me Urdhër të Drejtorit të SHISH-it. Personat që punësohen në SHISH, krahas kërkesave të përgjithshme, duhet të plotësojnë kushtin e sigurisë dhe disa kërkesa të veçanta për punë specifike. Verifikimi i kushtit të sigurisë zbatohet ndaj personit, i cili kërkon të punësohet në SHISH, si dhe për lidhjet e tij me personat e familjes ose jashtë saj. Personat që nuk plotësojnë kushtin e sigurisë nuk mund të lidhin marrëdhënie pune me SHISH-in. Punonjësi që punësohet në SHISH i nënshtrohet periudhës së provës prej një viti nga data e emërimit. Kriteret e punësimit janë: të jetë shtetas shqiptar; të jetë jo më pak se 18 vjeç; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor; të jetë i aftë nga ana shëndetësore; të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi; të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore e largimit nga administrata shtetërore për shkak të një shkelje të rëndë disipline etj.

Abuzimet me emërimet e tjera

Por, rastet e abuzimeve në detyrë nga Drejtori i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror me ardhjen ë krye të këtij institucioni nuk përfundojnë me kaq. Siç janë edhe publikuar në emisionin “Alarm; në Ora Neës, figurojnë edhe mjaft punonjës të tjerë të emëruar vitet e fundit, duke u rikthyer në punës që pas trazirave të ’97-s. Punonjësi K.P nga Fieri, ish- inspektor në Fier është emëruar drejtor departamenti. Ai ka filluar punë kohën e SHIK të viteve ’92-’97. Ndërsa F.N nga Shkodra, ish-këshilltar, është emëruar drejtor Drejtorie para pak muajsh. Ai ka filluar punë që në kohën e SHIK-ut të viteve ’92-’97. Gjatë “rebelimit” të vitit 1997 në Vlorë ka kryer detyra specifike për shtypjen e “rebelëve”. Një tjetër i punësuar është G.I nga Tropoja, ish-inspektor në aparatin qendror, i cili është emëruar drejtor në një nga drejtoritë në shkurt të vitit 2013. Ka filluar punë në kohën e SHIK-ut ’92-’97. Ndërsa D.T nga Kukësi, ka qenë punonjës në zyrën e ish-Inspektorit të Përgjithshëm të SHISH dhe është emëruar drejtor i një prej drejtorive në gusht të vitit 2013. Denoncimi tjetër është ai për punonjësin G.P nga Përmeti, i cili nga ish –inspektor në Degë, është emëruar drejtor në muajin gusht 2012, duke kapërcyer dy shkallë në hierarkinë e shërbimit. Ka filluar punë ne kohën e SHIK-ut të viteve ’92-’97. Të njëjtin fat ka pasur edhe Y.A nga Dibra, i cili më herët ka punuar si inspektor në Aparatin qendror. Por më pas, është emëruar drejtori drejtorie në janar 2013, ndërsa ka filluar punë që në kohën e SHIK-ut ’92-’97. Nga kryeqyteti rezulton punonjësi E.B nga Tirana, i cili është emëruar në shkurt të vitit 2013 në Institutin e SHISH duke patur në vartësi profesorë dhe instruktorë me mjaft eksperiencë në një kohë që ai vetë ka vetëm dy vjet shkollë policie dhe asnjë lloj trajnimi apo kualifikimi pasuniversitar. Nuk ka eksperiencë terreni apo mësimdhënieje. Vjen nga pozicioni i konsullit në një prej ambasadave tona.

Qefalia: Ka ardhur koha të monitorohet SHISH

luis tanushi Anëtari i Komisionit të Sigurisë, Xhemal Qefalia, kërkon seancë dëgjimore me Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, për të dhënë sqarime në lidhje me publikimin në media të rekrutimit të punonjësve në SHISH dhe të emërimit të kupolës drejtuese të këtij shërbimi. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, një nga deputetët më me eksperiencë në Komisionin e Sigurisë thekson se ky shërbim, i cili është i pamonitorueshëm si institucionet e tjera publike për vetë specifikën e punës që ka, duhet kontrolluar nga një përfaqësi me anëtarë të Komisionit të Sigurisë të cilët duhet të jenë të pajisur edhe me certifikatën e ruajtjes së sekretit shtetëror. Sipas deputetit Qefalia, një monitorim i tillë do të ndihmojë në transparencën e veprimtarisë së këtij institucioni dhe se si janë respektuar të drejtat e njeriut gjatë punës.

Ju keni kërkuar që të raportojë në Komisionin e Sigurisë kreu i SHISH-it, Visho Ajazi. Pse kjo kërkesë?

Duke marrë shkas për disa emërime të zbatuara jashtë kritereve, me të drejtën që më jep Rregullorja e Kuvendit, kam paraqitur në sekretari kërkesën për të thirrur për të raportuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare Drejtorin e Shërbimit Informativ Kombëtar rreth kësaj problematike që u publikua në media. Për shkak të çështjes së sigurisë… Pse jo edhe për shkaqe të sigurisë, sepse veprime të tilla kanë çuar në moszbardhjen e autorëve të krimeve të 21 janarit. Prandaj ende nuk janë identifikuar dhe nuk janë vënë para drejtësisë fajtorët e vërtetë, ata që dhanë urdhrin për të ndodhur një ngjarje e tillë. Çdo institucion është një institucion i kontrollueshëm nga parlamenti, nga deputetët e Kuvendit, kjo e mbështetur dhe në rregullore. Patjetër që kjo do kërkojë dhe raportimin e kryetarit të SHISH-it. Kjo është një e drejtë kushtetuese që e gëzon çdo deputet, aq më tepër në Komisionin e Sigurisë. Mënyra pastaj nëse do jetë publike apo jo publike, kjo është çështje pastaj që e vendos me shumicë votash Komisioni i Sigurisë.

Mendoni se ka ardhur koha për ristrukturimin e këtij institucioni?

Unë mendoj që raportimi për situatën që unë kam kërkuar do të tregojë drejtpërsëdrejti nëse situata është vërtetë e tillë siç u paraqit në media, pse jo që ka ardhur koha që të shikohet me prioritet që ky shërbim, i cili është i pamonitorueshëm si institucionet e tjera publike për vetë specifikën e punës që ka, ndaj ka nevojë që anëtarët e Komisionit të Sigurisë me përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës të certifikuar për ruajtjen e sekretit të ushtrojnë kontrollin. Kjo do ta bënte këtë institucion më transparent në veprimtarinë që ai kryen duke pasur në konsideratë edhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën./shekulli/.