Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 18:00

Tiranë – Mijëra trëndafila të kuq janë blerë sot në dyqanet e Tiranës nga klientë të moshave të ndryshme, të cilët kanë vendosur t’ua dhurojnë njerëzve të tyre më të dashur në ditën e Shën Valentinit.

Shumica prej tyre kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të blejnë trëndafilat që do të bëjnë dhuratë, ndërsa ambalazhimet speciale, sipas shitësve, kanë pasur dy deri në dhjetë trëndafila të kuq brenda.  Sipas tregtarëve të luleve në Tiranë, porositë janë kryer që një ditë më parë dhe kryesisht janë preferuar trëndafilat, por nuk kanë munguar edhe porositë për karafilat.

Por, edhe pse trëndafilat e kuq dhe çokollatat janë blerë me shumicë, gjatë kësaj dite ka patur edhe shumë puthje, ndërsa nuk kanë munguar dhurata të tjera të preferuara si CD me këngë dashurie, libra me të njëjtën temë, bizhuteri me gurë të kuq dhe aksesorë, veshje intime, si dhe një sërë dhuratash të tjera nga më të ndryshmet.

Në një nga dyqanet e luleve të Tiranës, thonë se për vit është i njohur përkushtimi i qytetarëve për të dhuruar lule në shenjë dashurie, por qytetarët blejnë veç trëndafilave dhe karafilave edhe lule të tjera jo në ngjyrë të kuqe, në varësi të shijeve dhe çmimit të luleve.

Gjatë kësaj dite thuajse pranverore, në rrugët e Tiranës është ndjerë atmosfera e festës, ndërkohë që udhëkryqet kryesore të kryeqytetit kanë qenë të zhurmshëm dhe me më shumë lëvizje se zakonisht.

Lorena, 17 vjeç, tregon se ditën e Shën Valentinit e ka nisur me një mesazh dërguar të dashurit të saj. Ajo thotë se “kjo ditë nuk është e vetme, por si të gjitha ditët e tjera ku njerëzit dashurojnë, mërziten, mirëkuptohen, e veçanta është një dhuratë më shumë. Gjithsesi Lorena rrëfen se do ta kalojë mbrëmjen e sotme me të dashurin e saj dhe miqtë në një nga lokalet e Tiranës, ku luhet muzikë “live”.

“Një nga dhuratat e kësaj dite feste janë edhe çokollatat, tortat në formë zemre, të cilat janë preferuar shumë për kremtimin e festës”, shprehet një shitëse në një dyqan ëmbëlsirash në Tiranë.

Momenti me rëndësi i festës për të dashuruarit ka qenë dhe përzgjedhja e restorantit ku do të drekojnë apo darkojnë, ndonëse ka edhe nga ata që kanë preferuar të qëndrojnë në shtëpi me familjet e tyre. Menuja e pëlqyer për këtë ditë është e shumëllojshme, që nga kuzhina shqiptare deri tek ajo europiane, e shoqëruar me verë të kuqe, si shenjë e dashurisë.

Trëndafili i Valentinit, simbol i pajtimit dhe dashurisë së sinqertë
Nëse i pyet të rinjtë në rrugë se përse kanë vendosur të blejnë trëndafila për të dashurit e tyre, në ditën e 14 Shkurtit, shumë prej tyre nuk gjejnë një përgjigje të saktë. Por, për Shën Valentinin, i cili në këtë ditë dërgoi tek Xhon Pastori nga Margery Brews një letër me fjalët “është e drejta ime për të qenë një Valentin i dashuruar sinqerisht”, ekziston dhe legjenda e bashkimit të dy gjysmave të zemrës me një trëndafil të vetëm, nga dy të rinj të zemëruar. Legjenda tregon se Valentini dëgjoi pas gardhit të kopshtit të tij dy të rinj që grindeshin, ndërsa këputi një trëndafil dhe iu afrua dy të rinjve. Ai u foli gjatë për pajtimin, duke arritur t’i bindë dy të rinjtë, të cilët me trëndafilin e Shën Valentinit në dorë, i luteshin Zotit.

Trëndafili i kuq u bë shumë shpejt simbol i dashurisë kur ata u kthyen tek shenjti Valentin dhe i kërkuan t’i lidhte në martesë. Që nga ajo ditë, Shën Valentini, i cili thirrej nga njerëzit vetëm për mort dhe fatkeqësi, u bë simboli i miqësisë dhe dashurisë së sinqertë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 15:00

Tajlandë – Në resortin Thai në Pattaya, 100 metra larg Bangkokut, ka nisur maratona e puthjes. Me buzë të ngjitura çiftet duhet të rrijnë më shumë se 2 ditë, për të thyer rekordin e fundit botëror që u vendos vjet. Kjo nuk është një puthje e mirëfilltë pasi gjatë kësaj kohe ata mund të hanë, të shkojnë edhe në tualet, por të gjitha duke i bërë sëbashku dhe pa i shkëputur buzët nga njëri-tjetri.

Maratona e 7 çifteve ka nisur ditën e djelë dhe do të zgjasë deri ditën e Shën Valentinit. Ata do të përpiqen të thyejnë rekordin prej 46 orësh e 24 minuta e 9 sekonda. Shënuesit e këtij rekordi ishin Lakkana Tiranarat, 31 vjeç, dhe burri i saj, të cilët i kanë hyrë sërish këtë vit kësaj maratone, me shpresën për të thyer vetë rekordin e tyre të vjetshëm.

Çiftet që janë të detyruar të qëndrojnë në një holl, secili prej tyre do të ketë në dispozicion një hapësirë prej 1 metër katror për të treguar dashurinë e tyre. Çifti që do të ketë fatin të thyejë këtë rekord botëror do të fitojë një unazë prej 3.333 dollarësh dhe një kupon hoteli me vlerë prej 6.400 dollarësh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 14:00

Tiranë – Një buqetë me lule…, ndoshta me lule të kuqe, e shoqëruar me një dhuratë të këndshme. Prej disa vjetësh, kjo është mënyra më e natyrshme, me të cilën të rinjtë shqiptarë përpiqen të festojnë ditën e Shën Valentinit.

Shumë njerëz, e sidomos të rinj, në qoftë se do të pyeten rreth përkujtimit të kësaj dite dhe domethënies së saj, do të përgjigjen shkurt, se pak u intereson zanafilla e kësaj feste, përmbajtja e saj apo mënyra sesi festohet. Të tjerë do të thonin se festat në përgjithësi, sjellin gëzim dhe se për ditë të tilla kemi nevojë.

Gjithsesi është fakt se shqiptarët, sa më shumë po kalojnë vitet, aq më natyrshëm po e kremtojnë këtë ditë, në krahasim me vitet e para të pas 90-tës kur të gjitha qytetet 14 shkurtin e kthenin në një festë të madhe kolektive, ku vetëm intimitet nuk kishte.

Si një popull me temperament, me sa duket shqiptarët në vitet e para të demokracisë kremtuan më shumë të ndaluarën, ndërsa tani ‘të ambientuar’ me lirinë  kremtojnë ritualin e zakonshëm  dhe të mirë që ofron kjo ditë.

Historiku i “Ditës së dashurisë”
Tek romakët e lashtë, që para 17 shekujsh, dita e dashurisë konsiderohej si festa më madhështore, e cila nënkuptonte dashurinë që romakët paganë kishin për Zotin e tyre. Legjendat rreth kësaj feste, janë të shumta, por më e spikatura është ajo që vetë romakët e besonin si të vërtetë.

Thuhet se themeluesi i Romës së lashtë, Romulus, një ditë prej ditësh, kur ishte ende foshnjë, piu nga gjiri i një ujkonje, qumështi i së cilës i dhuroi trupit të tij forcë e energji. Duke marrë shkas nga kjo, romakët e lashtë e paganë, e përkujtonin atë çdo vit, në mes të muajit shkurt, duke therur atë ditë një qen e një dhi dhe me gjakun e tyre dy djem të rinj lyenin trupin.

Më pas, dy të rinjtë të ndjekur nga qindra njerëz, vërtiteshin nëpër rrugët e qytetit. Ata mbanin në duar dy copa lëkure kafshe dhe me to fërkonin çdo njeri që takohej me ta, ndërsa femrat romake besonin se një rit i tillë i mundësonte atyre mbetjen shtatzënë.

Nga “Dashuri hyjnore”, në “Martirizim dashurie”
Tregohet se Shën Valentini vdiq në Romën e lashtë, në vitin 296 e.s. i ekzekutuar barbarisht nga prijësi i ushtrisë romake, Klaudios. Në shenjë përkujtimi për të, banorët e këtij qyteti, në vitin 350 e.s. ngritën një kishë, pikërisht në vendin ku ai u ekzekutua. Ndërkohë, edhe pse romakët e përqafuan fenë e krishterë, ata vazhduan ta festonin këtë ditë “të shenjtë”, mirëpo i ndryshuan kuptimin pagan nga “Dashuri hyjnore”, në “Martirizim dashurie”, për të cilën, siç thuhet Shën Valentini kishte dhënë jetën, pasi qe i pari nismëtar që thirri për paqe dhe dashuri. Më vonë, kjo festë, u quajt “Festa e të dashuruarve”.

Në një legjendë tjetër, thuhet se kur perandori romak Klaudios i II-të, ishte në pushtet (shek. III-të e.s.), dha urdhër që askush nga ushtarët e tij të mos martohej, pasi martesa i pengonte ata të merrnin pjesë nëpër beteja.

Por këtë vendim, e shkeli prifti Valentin, i cili në fshehtësinë më të madhe, nisi të nënshkruajë akte martesash, të cilat i sollën edhe ekzekutimin nga perandori.

14 shkurti festë për të gjithë
Sot, të gjithë e dinë se për frymën e sakrificës që shprehu Shën Valentini dhe në përkujtim të flijimit të tij, mbeti dita e 14 shkurtit, dita simbol e të dashuruarve! Në të njëjtën kohë, shumëkush mund të bëhet kurioz për ‘suksesin’ dhe jetëgjatësinë e këtyre legjendave, të cilat edhe pse pa shumë baza të forta historike, mundën që në mbarë botën të sjellin një atmosferë të ndryshme nga ditët e tjera të vitit, një atmosferë e cila njëkohësisht ngjan me ndrojtjen, ëmbëlsinë e natyrisht me ndjenjën e bukur të dashurisë…

Aktualisht, jo vetëm mes të rinjve, por edhe mes opinionit më të ‘rritur’, ka një sërë interpretimesh e bindjesh rreth simbolit të kësaj feste.  Dikush shprehet për dashurinë, e dikush tjetër mendon më shumë për miqësinë, e në këtë mënyrë teksa vitet ikin me festime sa herë e më origjinale, ajo që mbetet është gjithmonë emocioni, që festa e Shën Valentinit përcjell me aq lehtësi. Në fund të fundit, është dashuria ajo që festohet, e dashuria është edhe arsyeja e ‘suksesit’ e jetëgjatësisë të legjendave të tilla me origjinë pagane, sepse në ditët tona, pak dashuri bën mirë…

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 13:37

Një buqetë me lule e shoqëruar me një dhuratë të këndshme, prej disa vitesh, është mënyra më e mirë  me të cilën të rinjtë kryeqytetas përpiqen të festojnë ditën e Shën Valentinit.

Shumë njerëz, e sidomos të rinj, në qoftë se do të pyeten rreth përkujtimit të ditës së Shën Valentinit dhe domethënies së saj, do të përgjigjen shkurt se pak u intereson zanafilla e kësaj feste, brenga e tyre për këtë ditë mbetet vetëm dhurata për më të dashurin e tyre.

E festa e Shën Valentinit është një legjendë metropolitane  që ka nisur të rrëfehet në fillim të viteve 1800 nga shkrimtarët evangjelist të kohës së mbretëreshës Viktoria.

Madje Shën Valentini nuk është aspak i shenjti i dashurisë. Shën Rafeali është më shumë se ai, mbrojtësi i zemrave të dashurisë.

Megjithatë festa që tashmë mbanë emrin e të shenjtit të gabuar shënohet në të gjithë botën.

Ndërkohë, për këtë ditë, në Tajlandë po vazhdon gara që ka nisur dje, për të thyer rekordin e puthjes më të gjatë. Në garë janë  7 çifte që do të mundohen të thyejnë rekordin e një viti më parë, ku puthja kishte zgjatur 46 orë, 24 minuta dhe 9 sekonda.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 13:15

Durrës – Të paktën katër çifte të rinjsh nga Durrësi kanë vendosur ta organizojnë ceremoninë martesore në Ditën e të Dashuruarve.

Megjithë temperaturat e ulta të këtyre ditëve, vajzat kandidate nuk kanë hezituar të pozojnë për fotografët në krah të bashkëshortëve të ardhshëm. Të veshura me fustanet e holla nusërore ato kanë qenë të pranishme edhe në këto ditë të ftohta dimri në mjediset e hapura pranë mureve mesjetare, galerive të amfiteatrit antic si dhe në Vilën mbi kodër, të cilat mbeten vendet më të preferuar për albumet fotografike të dasmës.

Po sot, në Ditën e Shën Valentinit në Zyrat e gjëndjes civile në pesë rajonet e bashkisë së qytetit bregdetar pritet të kurorëzohen në martesë civile 9 çifte të tjerë të rinjsh.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 09:09

Matt Greves pasi ka marrë medaljen në Mossouri Grand Prix, e ka surprizuar të dashurën e tij Annie Chandler duke e tërhequr sipër podiumit gjoja për të bërë fotografi dhe menjëherë i është ulur në gjunjë për t’i propozuar për martesë. Dhurata më e bukur që një vajzë e dashuruar mund të priste për Shën Valentinin, megjithëse vetëm një ditë përpara tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 14:45

Tiranë – Aktivitetet e planifikuara në Tiranë për ditën e Shën Valentinit nuk do të organizohen.

Në shenjë solidarizimi me banorët e zonave të bllokuara nga bora dhe përpjekjet që po kryen Shtabi i Emergjencave Civile për përballimin e kësaj situate të fatkeqësisë natyrore, Bashkia e Tiranës ka vendosur të anullojë të gjitha aktivitet e parashikuara për nesër, Ditën e Shën Valentinin.

Në ditën e të dashuruarve Bashkia e Tiranës kishte planifikuar disa aktivitete për të rinjtë.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës ka ofruar 100 mijë euro për banorët e zonave të bllokuara nga reshjet e borës. Fondi prej 100 mijë eurosh i Bashkisë së Tiranës i jepet Shtabit të Emergjencave Civile.

Bashkia e Tiranës, gjithashtu ofron edhe kapacitete njerëzore për përballimin e situatës në këto zona.

 
Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 10:15

Katërmbëdhjetë shkurti po afron dhe shumëkush e pret me dëshirë të madhe. Kjo ditë mund të konsiderohet si dita më e veçantë e vitit, ku çdokush përpiqet që këtë ditë t’ia dedikojë posaçërisht dashurisë.

Festimi i kësaj dite simbolike është kthyer në një zakon të ëmbël edhe në Shqipëri, ku çiftet e dashuruar përveç emocioneve të bukura të asaj dite, janë edhe në dilemë se çfarë t’i dhurojnë njëri-tjetrit.

Dhuratat që mund të ofrohen në këtë ditë janë nga më të ndryshmet dhe pa dyshim që ato zgjidhen edhe në varësi të shijes së partnerit. Por, simbol i Shën Valentinit kanë mbetur trëndafilat e kuq, të cilët janë simbol i hershëm i dashurisë.

Një thënie e vjetër thotë “Miqtë më të ngushtë të një femre janë diamantët”. Sa e vërtetë është kjo thënie? Është mëse e vërtetë, por problemi thelbësor është që jo çdokush mund të përballojë një shpenzim të tillë. Prandaj, ne do t’ju japim disa këshilla se çfarë mund të blini për festën e të dashuruarve duke mos shpenzuar shumë para.

Qirinjtë aromatik luksoz

Era e këtyre qirinjve është bërë për të krijuar atmosferën më sugjestionuese dhe për të përmirësuar humorin. Provoni të ndizni qirinjtë e shijshëm me ‘shegë noir’ për të pasur një efekt të përsosur.

Shampanja Rozë

Çfarë mund të jetë më romantike se sa një shampanjë rozë? Fatmirësisht, me këtë ofertë fantastike Oddbins ofron një shampanjë rozë dhe ju nuk keni pse të kërkoni më për një përgjigje se çfarë duhet të blini.

Çokollata Prestat

Një fitues i sigurtë i zjarrit, xhevahir i shumëllojshmërisë së çokollatës është Prestat. Ajo ofron 16 çokollata me qumësht dhe çokollatë të bardhë dhe ka diçka për të gjithë, me kusht që Shën Valentini juaj të ndahet me të tjerët. (LajmeShqip.com)