Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 16:13

Prishtinë – Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për shtyp ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën e Kosovës në Bernë, kanë punuar lidhur me rastin e shtetasit kosovar, z. Shemsi Nuhiu.  Menjëherë pas marrjes se informatës lidhur me arrestimin e tij nga autoritetet zvicerane në bazë të fletë arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, për dyshimin e kryerjes se veprës penale ”Krime Lufte”, MD dhe Ambasada e Kosovës kanë kontaktuar me Departamentin për Drejtësi dhe Polici në Zvicër, për sigurimin e informatave më të detajuara lidhur me ketë rast.

Pas sigurimit të këtyre informatave, MD në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të saj, iu është drejtuar me shkrese zyrtare datë 28 Prill 2011 autoriteteve zvicerane për të kërkuar që z. Nuhi mos të ekstradohet në Serbi.  Po ashtu, MD ka argumentuar se Serbia nuk ka kompetence dhe të drejtë për të lëshuar  urdhër – kërkim ndërkombëtare kundër shtetasve kosovare, për dyshimin e kryerjes se veprave penale Krime Lufte në territorin e Republikës së Kosovës, pasi që kjo e drejtë hyn në kuadër të kompetencave dhe mandatit të autoriteteve Kosovare, në rastet kur ka dëshmi se janë kryer Krime Lufte në Kosove.

Ministria e Drejtësisë po ashtu me letrën e datës 10 janar 2012 i është drejtuar me shkrese Sekretarit Gjeneral te Interpolit, duke kërkuar marrjen e veprimeve përkatëse që këto urdhër-kërkime ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia të mos kenë efekt.

Po ashtu, MD në konsultim të vazhdueshëm me Ambasadën e Kosovës në Bernë dhe me Avokatin e z. Nuhiu, kanë kërkuar që të shqyrtohet edhe mundësia e transferimit të procedurës penale nga Serbia në Zvicër, në mënyrë që z. Nuhiut t’i mundësohet një gjykim i drejtë.

Në vijim ne i kemi njoftuar autoritet kompetente që në bazë të nenit 5 parag. 5.1 pika (f) të Ligjit për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kjo Prokurori ka kompetence të veçantë që të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjitha rastet e kësaj natyre dhe kjo prokurori ka qenë e angazhuar në vazhdimësi për krimet e dyshuara të kryera në territorin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar transferimin e procedurës penale nga autoritet serbe.

MD  ka qenë e përkushtuar me kapacitetet e plota të saj në këtë rast dhe ka pasur kontakt të vazhdueshëm për të bashkëpunuar me autoritetet zvicerane, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ambasadën e Kosovës në Zvicër, për mos ekstradimin e z. Nuhiu në Serbi. (LajmeShqip.com)

 

 

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 16:30

Zyrih – Ministria e Drejtësisë e Zvicrës ka konfirmuar dje vonë se ia ka dorëzuar Serbisë kosovarin Shemsi Nuhiu. Tre policë serbë e kanë marrë Nuhiun në fluturimin Cyrih- Beograd, pasi që ai gjendej nën arrestin e shtetit të Zvicrës nga prilli 2011.

Nuhiu është shtetas i Serbisë me letra, por u ka thënë autoriteteve në Zvicër se është kosovar. Beogradi e akuzon për krime lufte si pjesëtar i UÇK-së në zonën e Gjilanit në vitin 1999.

Kërkesa për ekstradim e Serbisë e akuzon atë për vrasje, tortura dhe dhunim. Disa apele kundër ekstradimit, duke e përfshirë një në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), kanë dështuar.

Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë së Zvicrës autoritetet serbe kanë garantuar që gjykimi do të bëhet në përputhje me konventat e të drejtave të njeriut. Garancitë përfshijnë edhe vizitat e përfaqësuesit zviceran në burg, dhe pjesëmarrjen e tij si vëzhgues në gjykim. (LajmeShqip.com)