Lajme Shqip Tuesday, 14 August 2012 14:10

Tiranë  – Policia e Tiranës ka arrestuar pronare e agjencisë turistike “Pasha Holiday”, pas braktisjes që agjencia u bëri 188 turistëve shqiptarë në Egjipt. Marselinda Kortoçi, 27-vjeçe akuzohet se u ka marrë 188 qytetarëve shuma të konsiderueshme parash për ti çuar me pushime verore në Sharm El Shaik të Egjiptit. Ndërkohë që kompania nuk ka zbatuar detyrimet për kthimin e tyre, pasi pretendon se ka falimentuar.

Sipas policisë, më 02 gusht 2012 kompania ka nisur 188 qytetar për në Egjipt kundrejt pagesave që variojnë nga 316 deri 600 euro.

Agjencia ka paguar vetëm ditët e qëndrimit në Egjipt dhe nuk ka paguar kthimin e tyre. Pasagjerët janë kthyer me shpenzimet e tyre, duke paguar 250 euro për transportin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 August 2012 08:03

Tiranë  – Lot, kaos dhe lutje mes turistëve shqiptarë në Aeroportin e Sharm El Sheik. Shqiptarët e mashtruar nga shoqëria “Pasha Holiday”, e cila tashmë ka shpallur falimentimin, sot e kanë gjendur veten në udhëkryq të vërtetë.

Një avion i kompanisë BelleAir është gati t’i marrë ata mbrëmjen e sotme dhe t’i sjellë në Shqipëri, me kusht që të gjithë të kryejnë pagesën e biletës.

Disa kanë arritur ta bëjnë këtë përmes familjarëve nga Tirana, por ka shumë të tjerë që nuk e kanë të mundësi të pagujnë shumën prej 250 eurosh për person dhe rrezikojnë të mbesin në aeroportin e qytetit egjiptian.

Problemet e para për grupin e turistëve nga Shqipëria lindën që të premten pasdite, kur ata u detyruan të largoheshin nga hotelet ku qëndronin pasi shoqëria “Pasha Holiday” nuk kishte paguar për qëndrimin e tyre.

TV A1Report gjatë gjithë ditës ka kryer lidhje të shumta telefonike me disa prej turistëve shqiptarë pjesë e këtij grupi, të cilët kanë dëshmuar për një situatë kaotike në aeroportin e Sharm el Sheik.

Sipas disa prej tyre dëshmuan se mbrëmjen e sotme në aeroport është shfaqur edhe një përfaqësues i shoqarisë së falimentuar “Pasha Holiday”, gjë që ka rritur nivelin e tensionit mes grupit të turistëve. Këta të fundit vazhdojnë të deklarojnë, disa edhe në lot, se nuk i kanë paratë që u kërkohen për t’u kthyer në Shqipëri dhe se vazhdojnë të qëndrojnë në aeroport së bashku me fëmijët e vegjël. “Kam vajzën me temperaturë në aeroport. Situata është jashtë kontrollit dhe askush nuk përgjigjet për ne”, pohoi një grua gjatë një lidhje telefonike në A1Report.

Të dëshpëruar dhe të lodhur, turistët shqiptarë bënë thirrje për ndihmë pasi kanë me vete edhe fëmijë të vegjël, që sipas dëshmive të tyre janë pa grënë prej disa orësh dhe në gjendje jo të mirë.

MPJ: SHTETI S’PAGUAN, PAGUANI VETE
Thirrjet e turistëve për ndihmë duket se janë injoruar nga Shteti shqiptar. Gazmend Turdiu, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, tha gjatë një interviste telefonike për A1Report se Qeveria nuk mund të paguajë biletat e tyre dhe se turistët duhet të gjejnë një mënyrë dhe ta paguajnë vetë atë.

Ai pohoi se Ministria e Jashtme po merret me këtë çështje. “Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me konsullin tonë”, tha Turdiu i cili shtoi se “kam biseduar me drejtorin e BelleAir” që ka dërguar atje një avion. “Konsulli ynë është nisur për në aeroport”, shtoi Turdiu, ndërsa përsëriti që turistët duhet të gjejnë mënyrën se si të paguajnë biletën e udhëtimit.

11 TE BRAKTISURIT
Nga grupi prej 191 turistë, pjesa më e madhe ka arritur të ngjitet në avion. Rreth orës 21:30, në aeroportin e Sharm el Sheik qëndronin ende 11 shqiptarë të cilët nuk kanë pasur mundësinë të blinin biletën. Mes tyre gjendet edhe një grua e moshuar e paralizuar dhe me karrocë, dy fëmijë, gjashtë gra dhe dy burra. Konfirmimi erdhi nga Eno Roshi, një nga pjesëtarët e grupit me të cilët komunikoi A1Report e Shqiptarja.com, e që gjatë gjithë këtyre ditëve jo vetëm është kthyer në zërin e grupit, por është munduar të gjejë një zgjidhje për të gjithë. “Nuk kisha ç’tu bëja më”, tha ai i përlotur në telefon me redaksinë tonë, ndërsa i drejtohej avionit.

Ky grup i fundit – që sipas MPJ përbëhet prej 9 personash – është i detyruar të kalojë natën në aeroport. Për ta pritet të mbërrijë nesër një tjetër avion, bileta e të cilit do të jetë edhe më e shtrenjtë për shkak se bëhet fjalë për një linjë që kalon transit nga Athina, mësoi Shqiptarja.com nga burime zyrtare të MPJ-së. (SH.C)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 03:33

Egjipt – Rreth 180 turistë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në Sharm el Sheik të Egjiptit, dhe nuk kanë mundësi të kthehen në Shqipëri pasi pretendojnë se janë braktisur nga agjencia turistike.

Turistët shqiptarë thonë se kanë kontaktuar me përfaqësues të agjencisë turistike “Pasha Holiday”, por ata u kanë thënë të gjejnë mundësinë për tu rikthyer vetë në vendlindje, pasi kompania ka falimentuar.

Në një komunikim telefonik me NEWS24, njëri prej turistëve, Eduard Smajli, tregon se rreth 180 shtetas shqiptarë kanë shkuar në Egjipt që prej datës 2 gusht me kompaninë “Pasha Holiday”, por prej ditës së parë kanë hasur probleme me prenotimin e hotelit, pavarësisht se kishin paguar paketën e plotë që në nisje të udhëtimit.

“Që ditën e parë na dolën disa shqetësime me prenotimet e hotelit. Në hotel kompania paguante me ditë, është e pakuptimtë. Që prej katër ditësh ne paguajmë nga xhepi jonë. Tani na kanë thënë bëni përpjekje të ktheheni vetë. Këtu ka njerëz që nuk kanë para, sepse kur nisesh me pushime i paguan të gjitha dhe nuk llogarit të marrësh shumë para.”- u shpreh Smajli. 

Turistët shqiptarë i bënë apel autoriteteve shqiptare që ti ndihmojnë për tu rikthyer në Atdhe, pasi nuk kanë mundësi për ta siguruar vetë udhëtimin.

NJË CHARTER I KOMPANISË “BELLE AIR” NISET TË HËNËN DREJT EGJIPTIT PËR TË MARRË TURISTËT
Ora: 21:50 – Pak minuta pas publikimit të lajmit në NEWS24, apelit të turistëve për ndihmë iu përgjigj drejtori i Fondacionit “Besa” Bajram Muça, falë ndërhyrjes së të cilit, në Egjipt do të dërgohet të hënën një avion charter për të rikthyer turistët në Shqipëri.

Mësohet se kontrata për charterin është nënshkruar me kompaninë “Belle Air”. Një avion i kësaj kompanie do të niset të hënën drejt Egjiptit për të marrë turistët e bllokuar.(B.W)