Lajme Shqip Wednesday, 06 March 2013 10:58

 

Jurgen Klop nuk e ka fshehur dot gëzimin e tij pas kualifikimit të Borusia Dortmund në turin tjetër të Ligës së Kampioneve, si rrjedhojë e një suksesi të pastër 3-0 përballë Shakhtar Donetsk. Trajneri i kampioneve në fuqi të Gjermanisë ka qenë i lumtur, sidomos për mënyrën se si skuadra e tij luajti për të shkruar emrin mes 8 ekipeve më të mira të turneut.

“Ky është një momenti jashtëzakonshëm dhe po e përjetojmë si të tillë. E pamë gjatë pejsës së dytë se sa i fortë mund të jetë Shakhtar nëse e lejon të luajë. Por ne ishim të shkëlqyer për 80 minuta dhe nuk e lamë sulmin e tyte të hynte në ritmin e ndeshjes”, shpjegoi trajneri i Borusias që këtë e ka padyshim si një nga pikat më të larta të karrierës së tij.

Edhe një nga heronjtë e ndeshjes, Mario Gëtze, ka të njëjtin opinion me trajnerin e tij rreth kësaj paraqitje ku ai shënoi një gol dhe dha një pasim për gol.

“Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme dhe ne kishim raste të shkëlqyera. Dy golat e parë na dhanë qetësi dhe pas golit të tretë, luajtëm në mënyrë të pabesueshme”, ishte komenti i 20 vjeçarit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 23:40

Borusia Dortmund ka ruajtur çdo parashikim duke fituar 3-0 ndeshjen e kthimit ndaj Shakhtar Donetsk, për të kaluar lehtësisht në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ekipi gjerman nuk ka vënë në diskutim asnjëherë kalimin e turit, pasi kishte konstatuar që në ndeshjen e parë në Ukrainë të përfunduar 2-2, se skuadra e drejtuar nga Mirçea Luçesku nuk ishte më ai ekipi i frikshëm që kishte shkëlqyer ndaj Juventusit e Çelsit në fazën në grupe.

Përballë 80 mijë tifozëve në “Iduna Park”, Borusias iu deshën pak më shuam se 30 minuta për të gjetur golin e avantazhit, me anë të Felipe Santana, i cili me kokë nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. Vetëm pak minuta më vonë, një kombinim Levandovski-Gëtze nxjerr talentin gjerman para portës dhe ai nuk fal duke dyfishuar shifrat.

Armata e Klop vazhdon dominimin dhe e ka shumë të thjeshtë të kontrollojë çdo tentativë të dobët të ekipit ukrainas për të kthyer ndeshjen. Në minutën e 58-të vjen edhe goli i tretë që mbyll kualifikimin, ai i polakut Blaszczikovski që përfiton nga një gafë e Piatov për të shënuar qetësisht.

Tani Dortmund shkon në çerekfinale me petkun  një pretendenteje, pasi ka vërtetuar se pikët e lëna kohët e fundit në kampionat kanë shërbyer për t’u përqendruar më shumë në Ligën e Kampioneve, një aktivitet ku dëshirojnë të vazhdojnë të dhurojnë surpriza të këndshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 04 March 2013 10:28

Sulmuesi i Borusia Dortmund, Robert Levandovski, beson se sulmi është mbrojtja më e mirë në ndeshjen e të martës përballë Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampioneve. Skuadra gjermane është në një pozicion shumë të favorshëm pasi ka siguruar një barazim 2-2 në transfertë. Por duke parë se sa mirë luajti ekipi ukrainas, sulmuesi mendon se kualifikimi nuk do të jetë aspak i thjeshtë për skuadrën e tij.

“Donetsk shënoi dy herë ndaj nesh në ndeshjen e parë dhe ata treguan se sa të rrezikshëm janë. Nuk mund të luajmë për një barazim, apo të synojmë të marrim një 0-0 apo 1-1. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme për ne”, shpjegoi Levandovski.

“Ne duam të fitojmë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Ne e dimë se mund të shënojmë ndaj tyre pasi e treguam një gjë të tillë në ndeshjen e parë dhe besoj se do të gjejmë rrugën e rrjetës të paktën një herë në takimin e të martës”.

“Luajmë në shtëpi ndaj duhet të kemi sjellje pozitive. Ne duam dhe duhet të kalojmë në turin tjetër dhe ky është objektivi ynë i qartë për këtë ndeshje”, deklaroi sulmuesi polak që ka qenë në një formë të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve në këtë sezon. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 09:38

Një avion i mbushur me tifozë të Borusia Dortmund është rrëzuar në Donetsk të Ukrainës, një incident pasojë e të cilit kanë humbur jetën 4 persona dhe janë plagosur rëndë 2 të tjerë.

Avioni i kompanisë “Southern Airlines” që vinte nga Odesa dhe mbante 45 pasagjerë në bord, është munduar të kryejë një ulje emergjence në aeroportin ndërkombëtar “Prokofyev”, por është përfshirë nga flakët në momentin kur ka prekur tokën.

Incidenti ka ndodhur rreth orës 17:35, kur avioni “Antonov-24”, i mbushur me tifozë që do të shkonin në stadium për të parë ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes ekipit ukrainas dhe Borusia Dortmund, ka tentuar të ulet në një fushë rreth 700 metra larg aeroportit të Donetsk.

Sipas deklaratave të Ministrit të Shëndetësisë në Ukrainë, është 39 numri i personave të shpëtuar dhe mes tyre janë rreth 12 persona që kanë marrë ndihmën mjekësore por janë jashtë rrezikut për jetën.

Për shkak të kësaj tragjedie, dy skuadrat mbajtën një minutë heshtje në fushën e lojës në nderim të viktimave para fillimit të ndeshjes së Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 23:14

Shakhtar Donetsk-Borusia Dortmund ka qenë sfida tjetër e Ligës së Kampioneve për këtë të mërkurë, një ndeshje që ka përfunduar me rezultatin 2-2 dhe ku kampionët e Gjermanisë kanë dalë më të fituar pasi kanë marrë një barazim në transfertë. 

Ekipi ukrainas ka dominuar në këtë sfidë dhe ka arritur të gjejë golin e avantazhit me një goditje dënimi nga distanca të Dario Srna në minutën e 31-të. Por 10 minuta më vonë, ishte i zakonshmi Levandovski që gjeti rrugën e rrjetës për të mbyllur pjesën e parë në barazim 1-1.

Shakhtar dominoi duke treguar se jo rastësisht ka mbërritur në këtë pikë të turneut. Goli i zëvendësuesit Daglas Kosta në minutën e 68-të dha përshtypjen sikur ekipi ukrainas po merrte një fitore të vyer në këtë sfidë. Por entuziazmi i vendasve është shuar në minutën e 87-të, kur mbrojtësi Humels devijoi me kokë në portën e ukrainasve një goditje këndi të Shmelcer, duke vulosur rezultatin 2-2 të kësaj ndeshje, me takimin e dytë që luhet në “Iduna Park” të Dortmundit. (LajmeShqip.com)