Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 19:56

Lufta për titullin kampion në Serinë A vazhdon e pandryshuar, me Juventusin që kryeson dhe Milanin që e ndjek me 3 pikë diferencë. Të dy ekipet kanë fituar me rezultate identike 1-0 në ndeshjet e sotme, me gola në minutat e fundi që kanë mbajtur gjallë rivalitetin mes tyre. 

Juventus ka fituar 1-0 në fushën e Çezenës, me një ndeshje të kaluar tërësisht në sulm, ku Pirlo ka humbur një penallti që në minutat e para, ndërsa De Çelje ka goditur traversën. Meqë situata nuk po zhbllokohej, Konte ka hedhur në fushë Del Pieron e Borrielon, një lëvizje mëse e saktë, pasi dy lojtarët kanë qenë protagonistët e fitores. Një aksion i nisur nga sulmuesi legjendar i bardhezinjve është finalizuar nga Borrielo, në golin e tij të parë me fanellën bardhezi, për t’i dhënë kësaj skuadre tre pikë mëse të rëndësishme kur kanë mbetur edhe 4 javë nga përfundimi i kampionatit.

Edhe Milani ka fituar 1-0, në një ndeshje që është dukur shumë më e vështirë se sa pritej përballë Xhenoas që lufton për mbijetesë. Kuqezinjtë kanë shfaqur problemet e fundjavës dhe janë dukur shumë të ngadaltë në manovrën e tyre, duke u bërë të lexueshëm për mbrojtjen e skuadrës mike. Por duke iu afruar fundit të ndeshjes, ka mjaftuar një gjuajtje e fortë diagonale e Boateng për të dërguar topin në rrjetë dhe për të bërë “San Siron” të marrë frymë thellë, duke vazhduar të shpresojë për një përmbysje ndaj bardhezinjve të Juventus. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 16:19

Java e 33-të e Serisë A, e shtyrë për shkak të vdekjes tragjike të Piermario Morosinit, është luajtur sot me shumë rezultate surprizë, të cilat kanë hapur luftën për renditjen në zonën e Ligës së Kampioneve. 

Fillimisht Lacio është mundur nga Novara me rezultatin 2-1, duke vënë në rrezik vendin e tretë. Kryeqytetasit e drejtuar nga Edi Reja kanë gabuar një ndeshje vendimtare dhe nuk përfitojnë për të ruajtur avantazhin e tyre në renditje ndonëse kishin përballë një ekip të rënë nga kategoria.

Tani ata kanë vetëm një pikë diferencë nga Napoli, që falë dyshes Hamshik-Kavani likuidon Leçen, ndërsa tani duhet të ruhen edhe nga rikthimi i Interit.

“Kura” Stramaçioni funksionin si duhet dhe këtë e tregon fitorja bindëse 3-1 në fushën e Udinezes, një skuadër që deri dy muaj më parë pretendonte të luftonte për titull, por që tani e sheh veten në vendin e 6-të në renditje. Zikaltërit kanë shfaqur një lojë shumë të mirë falë edhe zgjedhjeve të duhura të trajnerit të ri, i cili preferon Shnajder në formacion dhe holandez përgjigjet duke shënuar 2 gola që tashmë ngjitin Interin vetëm 3 pikë larg Ligës së Kampioneve.

Zhgënjen Roma, e cila mundet në shtëpi nga Fiorentina, ndërsa duket se Luis Enrike nuk do ta ketë të gjatë në stolin e verdhekuqve pas disfatës së radhës. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Leçe-Napoli                 0-2

5′ Hamshik, 51′ Kavani

Palermo-Parma            1-2

7′ Hernandez / 55′ Okaka, 71′ Biabiani

Roma-Fiorentina           1-2

71′ Toti / 2′ Jovetiç, 91′ Lazari

Siena-Bolonja               1-1

52′ Destro / 69′ Diamanti

Udineze-Inter               1-3

5′ Danilo / 10′, 28′ Shnajder, 37′ Alvarez

Novara-Lacio               2-1

36′ (ag) Diakite, 79′ Maskara / 37′ Kandreva

Renditja

Juventus 71, Milan 68, Lacio 55, Napoli 54, Inter 52, Udineze 52, Roma 50, Katania 46, Parma 44, Kievo 43, Atalanta 43, Siena 43, Bolonja 42, Palermo 41, Kaljari 41, Fiorentina 41, Xhenoa 36, Leçe 35, Novara 28, Çezena 22.