Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 10:25

Alesandro Del Piero dhe Xhanluixhi Bufon janë dy idhujt e Juventusit dhe ky titull ishte një formë shpagimi pas shumë vitesh vuajtje me një ekip që nuk po shfaqej në lartësinë e duhur. Por pikërisht këto vuajtje janë ato që i vijnë në mendje dy kampionëve pas fitores së titullit me bardhezinjtë.

“Kjo mbrëmje më shpagon për shumë gjëra, duke filluar nga ajo që ka ndodhur në vitin 2006, një epilog i çuditshëm. Pas Serisë B, ky triumf ka një shije të veçantë. Kam dëshirë të kujtoj atë skuadër që ka luajtur në Serinë B dhe të gjithë djemtë që kanë kaluar në këtë ekip që prej asaj periudhe”, ishin fjalët e Del Pieros.

Kjo ka qenë një hakmarrje e vogël edhe për Bufon, të cilin shumë shpesh e kanë kritikuar duke e cilësuar një portier të mbaruar pas problemeve të dy sezoneve të kaluara.

“Pas Botërorit të fituar në vitin 2006, ky është gëzimi më i bukur në karrierë. Kjo skuadër është një shpagim, arsyeja për të cilën qëndrova te Juventus. Nuk mund të largohesha pa fituar asgjë. Që në korrik e kisha kuptuar se mundtë fitonim dhe ia kisha thënë dhe disa prej djemve të Milanit”, shprehet portieri, i cili ashtu si kapiteni nuk ngurron të kujtojë disa nga futbollistët që zbritën bashkë me të në Serinë B.

“Ia dedikoj lojtarëve si Kamoranezi, Trezege, Nedved e Salihamixhiç. Nuk ishte e lehtë të zbrisje në Serinë B pasi kishim fituar Botërorin apo kishim qenë protagonistë, por e bëmë pasi ky klub është historia e futbollit. Duhet të falënderoj edhe skuadrën e Inter, njoh Zanetin dhe shpesh i kam dërguar mesazhe. Këtë radhë i kërkova ndihmë, duke i thënë që të mos bënin shaka”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 09:39

Penalltia e minutës së 44-t të derbit mes Interit dhe Milani ka sjellë edhe një episod mjaft të veçantë mes portierit të zikaltërve, Julio Cesar dhe sulmuesit të kuqezinjve Zlatan Ibrahimoviç që po përgatitej të gjuante nga pika e bardhë. Pas ndeshjes, është mësuar edhe dialogu mes të dyve, shokë të ngushtë gjatë periudhës kur Ibra luante me Interin. 

“Gjuaje jashtë, përndryshe do ta pres”, ishte kërcënimi i Julio Cesar, i cili më pas ka nxjerrë edhe gjuhën jashtë si për të tallur sulmuesin suedez.

Nga ana tjetër, Ibrahimoviç pasi shënon dhe feston pikërisht para tifozëve të flaktë të Interit, kthehet nga portieri dhe e ngacmon: “Më duket se është brenda”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 06 May 2012 22:05

Juventusi shpallet kampione e Italisë një javë para përfundimit të kampionatit, duke marrë një trofe që pakkush e kishte besuar të mundshëm në fillimin e sezonit. Si për ironi të fatit, për këtë titull ata duhet të falënderojnë armiqtë e urryer të Interit që fituan derbin ndaj Milanit dhe i dhanë sigurinë matematike të fitores së trofeut.

Juventusi kishte një transfertë të lehtë në letër përballë Kaljarit, ndeshje e luajtur në fushën asnjanëse të Triestes ku thuajse e gjithë tifozeria ka qenë bardhezi. Si rrjedhojë, ndeshja ka folur kryesisht për skuadrën e Kontes që ka gjetur golin në minutën e 6-të me Vuçiniç, e më pas e ka patur më të lehtë për të kontrolluar takimin e për të shënuar golin e dytë kur mbeteshin 15 minuta nga fundi i sfidës, falë autogolit të Kaninit në portën e tij. Festa ka filluar vetëm kur nga Milano erdhi lajmi se Milani ishte mundur në derbi dhe se tashmë mund të festohej ky titull i shumëpritur nga tifozeria.

Pikërisht derbi ishte ndeshja që mbajti të mbërthyer me miliona spektatorë, pasi ka qenë një sfidë emocionuese, me gola spekatakolarë, “gola fantazmë”, polemika dhe 3 penallti, ku në fund ka dalë fituese 4-2 Inter. Skuadra e drejtuar nga Stramaçioni ka dominuar me meritë ndeshjen dhe ka shuar ëndrrat e titullit të kushërinjve të Milan, ndonëse në këtë mënyrë ka ndihmuar armiqtë e përbetuar të Juventus. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Atalanta-Lacio             0-2

35′ Kozak, 91′ Cana

Bolonja-Napoli             2-0

18′ Diamanti, 64′ Rubin

Novara-Çezena            3-0

28′ (p), 67′ (p), 85′ Rigoni

Palermo-Kievo             4-4

10′ (p), 19′, 65′ Mikoli, 89′ Silvestre / 27′ (p), 72′ Pelisier, 30′ Uribe, 46′ Luçiano

Udineze-Xhenoa          2-0

30′ Di Natale, 66′ Floro Flores

Siena-Parma                0-2

77′ Xhovinko, 92′ Flokari

Kaljari-Juventus          0-2

6′ Vuçiniç, 74′ (ag) Kanini

Inter-Milan                   4-2

14′, 52′ (p), 80′ (p) Milito, 88′ Maikon / 44′ (p), 46′ Ibrahimoviç

Renditja

Juventus 81, Milan 77, Udineze 61, Lacio 59, Napoli 58, Inter 58, Roma 53, Parma 53, Bolonja 51, Katania 48, Atalanta 46, Kievo 46, Fiorentina 45, Siena 44, Palermo 43, Kaljari 42, Xhenoa 39, Leçe 36, Novara 32, Çezena 22.

 
Lajme Shqip Sunday, 06 May 2012 17:55

Lufta për kuaifikimin në Ligën e Kampioneve mes skuadrave të Serisë A kalon nga këmbët e Lorik Canës, i cili ka shënuar një supergol për të mbajtur skuadrën e tij në vendin e katërt në renditje. 

Mesfushori shqiptar ka shënuar golin e dytë në sfidën Atalanta-Lacio, të përfunduar 0-2 për skuadrën mike që deri sot mendohej se nuk do të kishte më shanse për Ligën e Kampioneve dhe rrezikonte të mbetej edhe jashtë Europa League. Por skuadra e drejtuar nga Edi Reja tashmë është në vendin e katërt dhe gjendet vetëm 2 pikë larg Udinezes që mban vendin e tretë.

Kjo e fundit ka mundur lehtësisht Xhenoan me rezultatin 2-0 falë golave të Di Natale e Floro Flores, duke përfituar nga humbja e Napolit, për të qenë tashmë e vetme në këtë pozicion historik për këtë klub, kur ka mbetur vetëm një javë nga fundi i kampionatit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Atalanta-Lacio              0-2

35′ Kozak, 91′ Cana

Bolonja-Napoli              2-0

18′ Diamanti, 64′ Rubin

Novara-Çezena            3-0

28′ (p), 67′ (p), 85′ Rigoni

Palermo-Kievo             4-4

10′ (p), 19′, 65′ Mikoli, 89′ Silvestre / 27′ (p), 72′ Pelisier, 30′ Uribe, 46′ Luçiano

Udineze-Xhenoa          2-0

30′ Di Natale, 66′ Floro Flores

Siena-Parma                0-2

77′ Xhovinko, 92′ Flokari

Renditja

Juventus 78, Milan 77, Udineze 61, Lacio 59, Napoli 58, Inter 55, Roma 53, Parma 53, Bolonja 51, Katania 48, Atalanta 46, Kievo 46, Fiorentina 45, Siena 44, Palermo 43, Kaljari 42, Xhenoa 39, Leçe 36, Novara 32, Çezena 22.

 
Lajme Shqip Sunday, 06 May 2012 11:41

Barazimi 2-2 kundër Katanias ka shuar përfundimisht ëndrrat e Ligës së Kampioneve të Romës, por Françesko Toti mendon se Luis Enrike nuk duhet cilësuar fajtor për rrëshqitjen e ekipit. Sipas tij, trajneri spanjoll duhet rikonfirmuar edhe në sezonin e ardhshëm, ndonëse shpesh është i kontestuar nga tifozeria e skuadrës. 

“Shpresoj që ai të qëndrojë pasi është një trajner i madh dhe duhet t’i japim kohë. Thuajse të gjithë kanë gabuar në vitin e tyre të parë te Roma. Ai është një person i jashtëzakonshëm që nuk fshihet në situata të vështira dhe ka respekt për ngjyrat e këtij klubi. E gjithë skuadra është përkrah tij dhe jep maksimumin, ai ka një të ardhme të madhe përpara”.

“Kjo pikë nuk na shërben për asgjë. Nuk arritëm të fitonim dhe faji është tërësisht i imi pasi humba 11-metërshin. I marr të gjitha përgjegjësitë si kapiten i skuadrës pasi kështu është më e drejtë”, ishin fjalët e numrit 10 të Romës, i cili ishte autor i dy golave në këtë ndeshje dhe lojtari më i mirë në fushën e lojës.

Ndërkohë, Luis Enrike ka bërë të qartë se nuk ka vendosur ende nëse do të qëndrojë apo do të largohet në fund të sezonit. “Fjalët e kapitenit komentohen vetë. Unë nuk kam vendosur ende se çfarë do të bëj, është një zgjedhje që nuk më lë të fle natën. Dua të jem i drejtë me veten, me skuadrën dhe me klubin”, tha trajneri spanjoll pas përfundimit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)