Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 13:23

Gafa e Xhanluixhi Bufon mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë Juventusit që në rast fitoreje do të kishte hedhur një hap më të rëndësishëm drejt titullit kampion. Për këtë arsye, portieri i bardhezinjve, në fund të takimit, u ka kërkuar falje të gjithëve.

Pas vërshëllimës përfundimtare, ai ka hequr dorezat dhe i ka kërkuar falje të gjithë publikut në stadium për gabimin që ka bërë duke u munduar të driblonte kundërshtarin, ndërsa në fakt ia ka dhënë topin në këmbë duke e lejuar që të shënonte në portën e tij.

“Na ka kërkuar falje të gjithëve në dhomat e zhveshjeve”, ishin fjalët e mëvonshme të Markizios. Por në fakt nuk ka qenë nevoja që të konfirmohej, pasi keqardhja e portierit u kuptua nga të gjithë. Jo rastësisht, i pari që ka shkuar për ta ngushëlluar ka qenë miku i tij i vjetër, Alesandro Del Piero, ndërsa pas tij kanë qenë vetë futbollistët e Leçes që kanë ngushëlluar portierin e përfaqësueses italiane.

Ndërkohë, trajneri Antonio Konte i ka bërë thirrje skuadrës të harrojë sa më parë këtë episod dhe të përqendrohet te sfida e fundjavës kundër Kaljarit. “Ishte një fatkeqësi, si të humbësh gol kur je dy metra larg portës. Tani jemi të detyruar të fitojmë dy ndeshje që na mbeten. Nëse do ia arrijmë, komplimente për ne, nëse jo, do të thotë që nuk jemi ende gati për titullin kampion dhe do t’i bëjmë komplimente skuadrës që na ndjek”, ishin fjalët e trajnerit të Juventus. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 09:20

Seria A në javët e fundit është kthyer në një spektakël ku sheh shumë gjëra përveç futbollit. Pas ultrasve që morën peng ndeshjen e Xhenoas dhe gjyqtarit që nuk është i sigurt për 10 minuta nëse është gol apo jo në takimin Udineze-Lacio, vjen edhe gjesti i pabesueshëm i një trajneri që rrah lojtarin e skuadrës së tij. 

Gjithçka ka ndodhur në minutën e 32-të të sfidës Fiorentina-Novara, kur rezultati ishte 0-2 për ekipin mik. Trajneri i Fiorentinës, Delio Rosi, zëvendëson sulmuesin serb Adem Ljajiç, i zhgënjyer nga paraqitja e 20 vjeçarit.

Ky i fundit, duke u ulur në bankinë e duartroket me ironi dhe më pas e fyen teknikun. Kjo sjell reagimin e ashpër të trajnerit i cili vërsulet në pankinë dhe e godet atë me grusht, ndërsa i gjithë stadiumi mbetet i shtangur nga ky gjest.

Pasojat e grushteve ishin të paevitueshme. Pas përfundimit të takimit, drejtuesit e Fiorentinës kanë bërë të ditur se kanë shkarkuar nga puna Delio Rosin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 22:31

Një gafë e Xhanluixhi Bufon ka rihapur kampionatin italian kur mbeten vetëm dy javë nga fundi i tij. Portieri i Juventus ka gabuar në minutën e 85-të të ndeshjes duke dashur të driblojë një futbollist kundërshtar dhe ia ka dhuruar topin Bertolaçit i cili nuk ka gabuar, duke sjellë barazimin 1-1 të bardhezinjve me Leçen në një ndeshje që mund dhe duhej ta kishin fituar. 

Nga kjo situatë ka përfituar Milan, që ka fituar 2-0 në fushën e vet me Atalantën falë golave të Muntari e Robinjo, ndërsa kuqezinjtë kanë qenë gjithë kohës me një vesh në radio për të dëgjuar se çfarë bëhej në stadiumin ku luanin rivalët për titull.

Me këto rezultate, diferenca mes dy ekipeve është vetëm 1 pikë, por kalendari në javën e ardhshme favorizon Juventusin që luan kundër Kaljarit, ndërsa Milan luan kundër Interit në derbin e Milanos.

Pikërisht Interi tashmë ka më pak motivim për të dhënë maksimumin në sfidën e fundjavës pasi zikaltërit janë mundur 3-1 nga Parma dhe duket se i kanë dhënë lamtumirën ëndrrave për kualifikimin në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Gara për në Champions është një duel mes Napolit dhe Udinezes, më këta të fundit që mbajtën hapin e napolitanëve duke fituar 1-0 në fushën e Çezenës falë golit të Fabrinit.

Falë rezultateve të javës së 26-të, edhe Novara ka rënë matematikisht në Serinë B, ndërsa Leçe është skuadra që aktualisht rrezikon më shumë dhe mund të bjerë që në ndeshjen e fundjavës. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Katania-Bolonja         0-1

78′ Ramirez

Çezena-Udineze        0-1

4′ Fabrini

Fiorentina-Novara   2-2

48′ (p), 72′ Montolivo / 13′ Zheda, 30′ (p) Rigoni

Xhenoa-Kaljari         2-1

12′ Palasio, 75′ Jankoviç / 13′ Ariaudo

Juventus-Leçe         1-1

9′ Markizio / 85′ Bertolaçi

Lacio-Siena               1-1

62′ (p) Ledesma / 26′ Destro

Milan-Atalanta         2-0

9′ Muntari, 93′ Robinjo

Parma-Inter             3-1

52′ Markes, 54′ Xhovinko, 83′ Biabiani / 13′ Shnajder

Renditja

Juventus 78, Milan 77, Udineze 58, Napoli 58, Lazio 56, Inter 55, Roma 52, Parma 50, Bolonja 48, Katania 47, Atalanta 46, Kievo 45, Siena 44, Kaljari 42, Fiorentina 42, Palermo 42, Xhenoa 39, Leçe 36, Novara 29, Çezena 22.

 
Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 21:54

Napoli ka hedhur një tjetër hap drejt sigurimit të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm pasi ka fituar 2-0 ndaj Palermos, duke u ngjitur i vetëm në vendin e tretë në renditje.

Skuadra e drejtuar nga Valter Maxarri ka dominuar dhe ka zgjidhur ndeshjen shumë shpejt. Që në minutën e16-të ka qenë Kavani që ka gjetur rrugën e rrjetës pas një 11-metërshi të fituar nga Pandev, ndërsa në minutën e 35-të ka qenë Hamshik që ka vulosur rezultatin përfundimtar 2-0 me golin e tij të 9-të në kampionat.

Tashmë skuadra napolitane pret e qetë ndeshjet e rivalëve të saj direkt për vendin e tretë: Inter, Udineze e Lacio, të cilët jo vetëm duhet të fitojnë, por edhe të realizojnë goleada pasi për momentin kjo skuadër ka golavarazhin më të mirë.

Ndërkohë, një rival që i thotë përfundimisht lamtumirë ëndrrave të Ligës së Kampioneve është Roma, e cila është ndalur në një barazim pa gola ndaj Kievos. Shkak për këtë paraqitje të dobët është bërë edhe terreni i stadiumit të Veronës, i rënduar nga shiu i tepërt i rënë gjatë gjithë kohës.

Kryeqytetasit nuk kanë më shanse të kapin vendin e tretë në renditje dhe për më tepër, e ardhmja e Luis Enrikes në stolin e kësaj skuadre duket e përcaktuar, pasi tifozeria ka kontestuar përsëri spanjollin, duke e shpallur “të padëshiruar”. (LajmeShqip.com)