Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 21:47

Juventus ka hedhur një tjetër hap drejt titullit kampion duke fituar 4-0 në fushën e  Novarës. Në një ndeshje ku i ftuar nderi ka qenë Mishel Platini, bardhezinjtë kanë dominuar dhe kanë marrë një sukses që i afron më shumë me trofeun. 

Gjithçka ka qenë shumë e thjeshtë për bardhezinjtë të cilët kanë shënuar dy herë me Vuçiniç, të rilindurin Borrielo dhe Vidal, i kthyer përsëri në një nga elementët më në formë të skuadrës së Kontes. Tashmë Juventusit i mjaftojnë vetëm 6 pikë në tre ndeshjet e fundit për të marrë titullin kampion, i cili në fillimin e sezonit dukej një utopi.

Milani po bën maksimumin që të shtyjë festën e rivalëve për javën e fundit, pasi ka arritur të fitojë 4-1 kundër Sienës duke ruajtur distancën prej 3 pikësh nga kryesuesit e kampionatit. Kasano ka qenë protagonist me golin e avantazhit, ndërsa ka dhënë edhe pasimin për golin e Ibrahimoviç që çoi rezultatin në 2-0. Sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani ka shënuar në portën e Abiatit kur mbeteshin edhe 6 minuta lojë për të ringjallur shpresat e vendasve për një rezultat pozitiv, por Noçerino dhe përsëri Ibrahimoviç kanë vulosur rezultatin e thellë 4-1 në favor të kuqezinjve.

Për t’u shënuar është lufta e ndezur për vendin e tretë që çon në Ligë e Kampioneve ku tashmë janë katër skuadra në kuotën e 55 pikëve: Napoli, Inter, Udineze dhe Lacio. Shkak për këtë renditje janë bërë fitoret 2-1 të Interit ndaj Çezenes, por sidomos suksesi 1-0 i Udinezes ndaj Lacios, që ka rihapur krejtësisht luftën për zonën Champions. Për momentin, vendin e tretë e mban Napoli për golavarazh më të mirë se rivalët. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Bolonja-Xhenoa          3-2

24′ Portanova, 38′ Ramirez, , 67′ Gariks / 59′ Palasio, 78′ Zhorkera

Atalanta-Fiorentina   2-0

11′ Denis, 51′ Bonaventura

Inter-Çezena               2-1

59′ Obi, 73′ Zarate / 57′ Çekareli

Leçe-Parma                 1-2

83′ Tomoviç / 67′ Xhovinko, 78′ Paleta

Novara-Juventus        0-4

17′, 65′ Vuçiniç, 40′ Borrielo, 51′ Vidal

Siena-Milan                  1-4

84′ Bogdani / 26′ Kasano, 29′, 92′ Ibrahimoviç, 90′ Noçerino

Udineze-Lacio              2-0

69′ Di Natale, 94′ Pereira

Renditja

Juventus 77, Milan 74, Napoli 55, Udineze 55, Lacio 55, Inter 55, Roma 51, Katania 47, Parma 47, Atalanta 46, Bolonja 45, Kievo 44, Siena 43, Palermo 42, Kaljari 42, Fiorentina 41, Xhenoa 36, Leçe 35, Novara 28, Çezena 22.

 
Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 10:01

Situata te Roma ka marrë një kthesë aspak të këndshme pasi ekipi është kontestuar ashpër para, gjatë dhe pas ndeshjes kundër Napolit të përfunduar me rezultatin 2-2. Tifozët e ekipit kryeqytetas nuk pajtohen me rezultatet e skuadrës e për më tepër kanë kërkuar publikisht largimin e trajnerit Luis Enrike. 

Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët kanë kërkuar sqarime nga kapiteni Toti për këtë situatë të krijuar dhe ky i fundit është detyruar që për disa minuta të ndalej poshtë tribunës për të qetësuar tifozët të cilët kërkonin të dinin arsyen e vërtetë të kësaj rënie në formë të skuadrës.

Edhe trajneri spanjoll Luis Enrike ka pranuar se shumë shpejt mund të detyrohet t’i japë lamtumirën ekipit, i gjendur përballë kësaj situate shumë të komplikuar.

“E ardhmja e Romës tani është ndeshja e radhës me Kievon, por është e sigurt që deri në fundin e sezonit do të jem unë i ulur këtu në stol. Pastaj do të flas me klubin dhe do të shohim cilat janë problemet dhe zgjidhjet”, tha ai.

Vetë kapiteni Toti ka preferuar që të mos e komentojë këtë episod, ndërsa mbetet i vetmi futbollist që nuk është kontestuar asnjëherë nga tifozeria e skuadrës verdhekuqe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 08:40

Lufta për titull mes Juventusit dhe Milanit ka për protagonistë absolutë Masimiliano Alegrin dh Antonio Konte, dy trajnerët të cilët nuk humbin rast për të thumbuar njëri-tjetrin me deklaratat e tyre.

I pari ka qenë Alegri, i cili u ka kujtuar juventinëve se si titulli deri tani po vendoset nga episodi i golit fantazmë që nuk iu dha Muntarit në sfidën direkte mes dy ekipeve.

“Deri tani ka vetëm një episod që po ndikon kampionatin. Pastaj, ndoshta Juventusi përfundon me 6 pikë para nesh. Por për momentin është kështu. Nuk po flas për pozicionet jashtë loje kundër Katanias, nuk po flas për katër episodet e Firences apo gjëra të tjera të këtij lloji. Ka vetëm një episod dhe ai është vendimtar”, tha trajneri i kuqezinjve.

Nuk ka munguar replika e Antonio Kontes, i cili ka vendosur t’u përgjigjet një për një të gjitha provokimeve që vijnë nga kuqezinjtë. “Alegri ka thënë se nëse marrim 86 pikë atëherë e meritojmë titullin? Shumë mirë, jam i lumtur, edhe pse ai ndryshon opinion çdo javë. Të mos flasim më për episodet se këto biseda vazhdojnë të më mërzitin”.

“Penalltia e humbur e Pirlos? Ajo është faji i im, pasi nuk i kam stërvitur djemtë për gjuajtjet e penalltive, sepse nuk na i jepnin kurrë…”, ishte batuta e trajnerit të bardhezinjve duke i kujtuar Milanit se edhe Juventus ka vuajtur nga vendimet e gjyqtarëve. (LajmeShqip.com)