Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 10:14

Fitorja 2-1 ndaj Sienës duket se ka kthyer entuziazmin në radhët e Interit, i cili ka ende shanse për t’iu afruar vendit të tretë pas humbjeve që pësuan rivalët kryesorë për këtë pozicion, Lacio, Udineze dhe Napoli. Vetë trajneri Andrea Stramaçioni ka treguar se ky është objektivi që zikaltërit i kanë vënë vetes për ndeshjet e mbetura të këtij kampionati.

“Ne na duhet ende të punojmë shumë, por aktualisht po shfaqemi mjaft mirë. Vendi i tretë? Ne mendojmë se është i mundur. Nuk po shohim tabelën e klasifikimit, thjesht po i marrim ndeshjet me radhë”, tha ai pas përfundimit të kësaj sfide që i la 6 pikë larg nga Lacio që mban aktualisht këtë pozicion.

Edhe sulmuesi Diego Milito, autori i dy golave në këtë fitore, ka treguar se vendi i tretë është objektivi që tani të gjithë të kjo skuadër i kanë vënë vetes.

“Shpresojmë që eksperienca jonë të na ndihmojë. Ne nga ana jonë do të luftojmë deri në fund për të arritur këtë pozicion që është kthyer tashmë në një objektiv të mundshëm për skuadrën”, u shpreh autori i 20 golave në këtë kampionat.

Dje është folur edhe për merkaton e zikaltërve, ku presidenti Morati i ka mbyllur derën kthimit të mundshëm të Balotelit te ekipi i tij. “Kemi ndjekur atë që ka ndodhur. Teknikisht është i mirë po ne nuk kemi bërë asnjë lëvizje merkatoje për të. Sinqerisht e them që ai nuk bën pjesë në programet tona”, ishin fjalët e presidentit të Interit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 22:45

Alesandro Del Piero tregon se vazhdon të jetë ai historia e Juventusit me atë që bën në fushë dhe jo vetëm më vitet që ka në radhët e këtij klubi. Kapiteni legjendar i bardhezinjve, në ndeshje e tij të 700 me këtë skuadër, ka shënuar golin e fitores 2-1 në minutën e 82-të të sfidës kundër Lacios, për t’i dhënë përsëri kreun e renditjes skuadrës së tij. 

Ndeshja ishte shumë vendimtare për fatin e titulli tkampion, pasi Juventusit i duhej një fitore përballë ekipit që mban vendin e tretë  për të kaluar Milanin që luajti një ditë më parë. Por golit të Pepe në minutën e 30-të, iu përgjigj Mauri në minutën e fundit të pjesë së parë, duke bërë që skuadrat të shkonin në barazim në pushimin e ndeshjes.

Në pjesën e dytë, pavarësisht epërsisë së Juventusit, bardhezinjtë e kanë të vështirë të çajnë mbrojtjen kundërshtare dhe të kalojnë Marketin e vëmendshëm. Atëherë Konte vendos të hedhë në fushë Del Pieron, i cili nuk gabon në sfida vendimtare, siç e ka treguar më parë edhe ndaj Interit e Milanit. Kapiteni legjendar i bardhezinjve tregon klasin dhe eksperiencën e tij me një goditje dënimi në minutën e 82-të, duke e dërguar topin pikërisht në krahun ku nuk e priste askush, për të vulosur rezultatin përfundimtar 2-1 për ekipin e tij.

Për t’u shënuar në ndeshjet e tjera të kësaj jave është fitorja e Romës ndaj Udinezes, që ka hapur plotësisht garën për vendin e tretë në renditje, sidomos pas rrëshqitjes së Napolit në fushën e tij përballë Atalantës.

Në fundin e tabelës, situata bëhet shumë më e komplikuar pas fitores së Leçes në fushën e Katanias, pasi është hapur krejtësisht lufta për mbijetesë kur kanë mbetur vetëm 6 ndeshje nga fundi kampionatit. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Roma-Udineze           3-1

8′ Osvaldo, 87′ Totti, 90′ +2′ Markinjo / 41′ Fernandes

Katania-Leçe               1-2

52′ Bergesio / 88′ Korvia, 90′ Di Mikele

Fiorentina-Palermo    0-0

Xhenoa-Çezena           1-1

41′ Rosi / 76′ Mutu

Inter-Siena                  2-1

42′, 81′ (p) Milito / 6′ D’Agostino

Juventus-Lacio           2-1

30′ Pepe, 83′ Del Piero / 45′ Mauri

Napoli-Atalanta            1-3

14′ Laveci / 10′ Bonaventura, 58′ Belini, 68′ Karmona

Parma-Novara             2-0

27′ Xhovinko, 40′ Xhonathan

Renditja

Juventus 68, Milan 67, Lacio 54, Udineze 51, Roma 50, Napoli 48, Inter 48, Katania 43, Kievo 42, Atalanta 40, Palermo 40, Siena 39, Kaljari 38, Bolonja 37, Fiorentina 37, Xhenoa 36, Parma 35, Leçe 34, Novara 25, Çezena 21.

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 22:08

Milan ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në fushën e Kievos duke u ngjitur edhe një herë në kreun e renditjes së kampionatit italian.

Pas vetëm 9 minutash lojë ka qenë Sulei Muntari që ka shënuar me një supergol nga distanca, duke gjetur disi të papërgatitur Sorrentinon që sheh topin të përfundojë në rrjetë.

Reagimi i Kievos ka ardhur me anë të Bredli, Tero e Pelisier pa gjetur rrugë e rrjetës prej pasaktësisë së tyre apo pritjeve të Abiatit, ndërsa Milani përpiqet vetëm të administrojë më së miri këtë avantazh deri në përfundimin e pjesës së parë.

Edhe pjesa e dytë flet për Kievon që sulmon, por tashmë pa bindjen e duhur, e qetë edhe prej faktit se thuajse ka siguruar mbijetesën në Serinë A dhe nuk ka arsye pse të sforcohet. Si rrjedhojë, Milani shkon pa probleme deri në fundin e 90 minutave duke marrë një fitore që e çon përsëri para Juventusit, ndërsa kjo e fundit duhet të luajë një sfidë të vështirë kundër Lacios. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 16:28

Antonio Konte nuk mendon për Milanin por vetëm si të fitojë ndeshjen e radhës, atë ndaj Lacios. Për të, fakti që ekipi po luan për titullin kampion është një bonus, pasi në fillimin e sezonit askush nuk e mendonte që bardhezinjtë do të përfaqësoheshin në këto nivele.

“Sido që të ishte situata në renditje, do të luanim vetëm për të fituar, pasi skuadra është rritur në mënyrë të ndjeshme. Mos harroni që në fillim të sezonit, të gjithë na parashikonin në vend të 5 apo 6. Fjalën “titull” nuk e kemi përmendur asnjëherë pasi do të ishte çmenduri, motoja jonë ishte: Do të luajmë në maksimum e pastaj shohim”.

Para të shtunës, kampionati varej nga Milani, por tani është krejtësisht në dorën e bardhezinjve të përcaktojnë fatin e tyre nëse arrijnë të fitojnë ndeshjet e mbetura.

“Duhet të fitojmë dhe pikë! Kjo temë nuk duhet të ndryshojë deri në fundin e sezonit. Skuadra është në gjende të mirë dhe ka entuziazëm e ndërgjegjësim të jashtëzakonshëm. Duam që të luajmë të gjitha mundësitë që kemi pa patur keqardhje”.

“Milani është një superfuqi, e ndërtuar për të fituar gjithçka, të cilën ne e marrim si shembull. Për ne është e rëndësishme të dalim nga fusha e lojës me fanellën e djersitur, ashtu siç kemi bërë që nga java e parë. Është e qartë që jemi në garë dhe që do ta provojmë deri në fund, por rezultati përfundimtar nuk do të hedhë poshtë gjithsesi sezonin tonë, i cili që sot mund të quhet i jashtëzakonshëm”.

“Ndeshja me Lacion? Mund të them vetëm se në rast fitoreje, do të sigurojmë Ligën e Kampioneve dhe kthimin mes protagonistëve nga dera kryesore”, ishin fjalët e trajnerit të Juventusit. (LajmeShqip.com)