Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 14:45

Ndeshja e të shtunës mes Kaljarit dhe Interit, e përfunduar në barazim 2-2, ka prodhuar shumë polemika, të nisura që pas golit të avantazhit 2-1 të vendasve, të shënuar nga Pinija. Që nga ai moment, shpërthen një lumë problemesh që do të shoqërojnë këtë skuadër edhe në vazhdim. 

Sulmuesi i Kaljarit shkon të festojë golin e tij me tifozerinë e skuadrës ndërsa gjyqtari Guida e nxjerr me karton të kuq sepse ishte ngjitur në rrjetën që rrethon pistën, pasi i jep edhe kartonin e dytë të verdhë, një ndëshkim absurd po të shihet se skena të tilla përsëriten çdo javë nëpër stadiume të ndryshme pa u ndëshkuar.

Ndërsa Pinija largohet nga fusha e lojës mes sharjeve dhe protestave të tifozëve, gjakrat nxehen edhe mes stafeve të dy skuadrave. Përgatitësi atletik i Interit, Stefano Rapeti, fyen Kosu, lojtari i Kaljarit pret zëvendësimin dhe sa del nga fusha i vërsulet pankinës së zikaltërve. Meqë nuk e gjen aty, vrapon drejt tunelit të dhomave të zhveshjes ku gjen Rapetin dhe mes palëve fluturojnë sharjet e më pas edhe grushtet, aq sa është dashur ndërhyrja me forcë e të pranishëmve për t’i ndarë.

Në tribuna, situata përjetohet edhe më keq. Presidenti i Kaljarit, Çelino, nuk kursen sharjet ndaj drejtuesve të Interit dhe fillon të këndojë bashkë me tifozët e skuadrës së tij. “Hajdutë, hajdutë… po vjen policia të arrestojë gjyqtarin”,”Vetëm vidhni, dini vetëm të vidhni” filloi të këndonte ai në stadium, i inkuadruar dhe nga telekamerat.

Ndërkohë, vërshëllimat kanë ardhur edhe nga tifozeria e Interit, e cila ka sulmuar ashpër Diego Forlan, një zhgënjim absolut i sezonit zikaltër. Edhe pse kapiteni Zaneti ka dalë në mbrojtje të uruguaianit në fund të ndeshjes, të gjithë e kuptuan qartë që blerja e tij gjatë verës së kaluar ishte një nga dështimet më të mëdha të këtij viti. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 10:22

“Le të themi se nuk ka qenë një javë e shkëlqyer mes barazimit në Katania, humbjes me Barcelonën dhe sidomos kësaj humbje me Fiorentinën”. Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, është munduar të analizojë momentin aspak pozitiv të kuqezinjve dhe të gjejë sa më shpejt zgjidhjen për këtë situatë që ka ndryshuar tërësisht sezonin e ekipit të tij.

“Kanë mbetur ende 21 pikë të mundshme për t’u fituar dhe duhet të jemi në gjendje të rimarrim menjëherë veten, pasi do të vazhdojmë luftën për titull, që nga ndeshja në Verona. Penalltitë në ndeshje? Ajo e Maksi Lopez ishte “bujare”, ndërsa ajo e Kasanos (që nuk u dha në minutat e fundit) ishte penallti”, komentoi trajneri.

“Kjo është një ndalesë që nuk e priste askush, as ne vetë. Tani na duhet të tregojmë karakter dhe të nisemi më të zemëruar se më përpara pasi vetëm kjo na nevojitet. Por Fiorentina meritoi gjithçka me atë që dha në fushën e lojës. Kuptohet që ndjemë pak lodhje pas Barcelonës dhe një terren i tillë na penalizoi më shumë pasi ishte e vështirë të vrapoje me top”

Pakënaqësisë së shfaqur nga presidenti Berluskoni gjatë ndeshjeve të Ligës së Kampioneve i është shtuar edhe ajo e tifozëve të cilët braktisën stadiumin menjëherë pas golit të Amauri. Por Alegri është i qetë, ndonëse në mediat italiane flitet prej ditsh rreth shkarkimit të tij të mundshëëm në fund të sezonit.

“Nuk e ndjej veten të rrezikuar. Klubi do të bëjë vlerësimet e tij në fund të sezonit, por unë dua të vazhdoj të përqendrohem vetëm te kampionati. Duhet që të qëndrojmë më të qetë dhe të shkëputur nga ajo që thuhet rreth e rrotull. Shumëkush priste me padurim që ne të humbnim, u kënaqën të gjithë por tani nuk ka më”, ishin falët e trajnerit të Milanit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 20:05

Juventusi ka fituar 2-0 në transfertë përballë Palermos dhe ka marrë përsëri kreun e renditjes së kampionatit italian, duke përfituar nga humbja në shtëpi e Milanit. Bardhezinjtë, vetëm dy javë më parë, ishin 4 pikë larg kuqezinjve, ndërsa tani e shohin veten 1 pikë para tyre, kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje deri në fundin e kampionatit. 

Juventusi ka dominuar përballë Palermos duke treguar që në minutat e para që dëshironte një sukses në këtë sfidë, duke njohur edhe rezultatin e Milanit në ndeshjen e zhvilluar në drekë. Kualjarela, Vuçiniç e Kaceres humbin tre raste të mira para portës kundërshtare dhe duhet pritur vetëm pjesa e dytë e ndeshjes, kur Bonuçi arrin të kalojë në avantazh skuadrën e tij pas një goditje nga këndi të Pirlos. Tentativat e Palermos për të barazuar nuk janë të forta dhe nga kjo përftojnë bardhezinjtë që gjejnë edhe golin e dytë me Kualjarelan, duke vulosur suksesin 2-0 në këtë sfidë shumë të rëndësishme.

Ironikisht, bardhezinjtë duhet të falënderojnë “të padëshiruarin” Amauri për vendin e parë në renditje, pasi sulmuesi i nxjerrë jashtë ekipi dhe i huazuar te Fiorentina, ka rezultuar vendimtar në fitoren e skuadrës së tij në fushën e Milanit. Kuqezinjtë kaluan në avantazh të parët me anë të Ibrahimoviç në minutë e 31-të të ndeshjes falë një penalltie të fituar nga Maksi Lopez. Por një kundërsulm i Jovetiç në fillimin e pjesës së dytë vendos barazpeshën në shifra, ndërsa vendasit duken të lodhur edhe nga sfida e të mërkurës kundër Barcelonës. Për këtë arsye, futja e Amaurit në minutat e fundit është lëvizja e duhur e Delio Rosit, pasi sulmuesi bëhet protagonist duke dërguar topin në rrjetë në minutën e 89-të, duke i shkaktuar një humbje të pamenduar kuqezinjve.

Rezultati tjetër i bujshëm i javës është humbja 4-2 e Romës në fushën e Leçes, ku kryeqytetasit kanë humbur edhe mundësinë për t’iu bashkuar skuadrave që luftojnë për një vend në Ligën e Kampioneve. Një mundësi e humbur ka qenë edhe barazimi 2-2 i Interit në Kaljari, pasi zikaltërit humbin një tjetër mundësi për të ngjitur shkallë në renditjen e kampionatit. (LajmeShqip.com)

Renditja

Palermo-Juventus     0-2

56′ Bonuçi, 69′ Kualjarela

Atalanta-Siena            1-2

9′ Skeloto / 13′ Larrondo (p), 90′ Destro

Kaljari-Inter                2-2

5′ Astori, 61′ Pinija / 7′ Milito, 64′ Kambiaso

Çezena-Bolonja            0-0

Kievo-Katania              3-2

7′ Bredli, 20′ Pelisier (p), 51′ Paloski / 32′ Andreoli (ag), 85′ Almiron

Leçe-Roma                  4-2

22′, 49′ Muriel, 44′, 55′ (p) Di Mikele / 88′ Bojan, 90′ Lamela

Milan-Fiorentina         1-2

31′ Ibrahimoviç (p) / 47′ Jovetiç, 89′ Amauri

Novara-Xhenoa           1-1

68′ Maskara / 8′ Rosi

Udineze-Parma           3-1

45′, 90′ Asamoah, 56′ Di Natale / 85′ Lukareli

Renditja

Juventus 65, Milan 64, Lacio 51, Udineze 51, Napoli 48, Roma 47, Inter 45, Katania 43, Kievo 42, Palermo 39, Siena 39, Caljari 38, Atalanta 37, Bolonja 37, Fiorentina 36, Xhenoa 35, Parma 32, Leçe 31, Novara 25, Çezena 20.