Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 22:39

Juventus ka përfituar nga hapi i gabuar i Milanit për të shkurtuar në dy pikë diferencën me kreun e renditjes dhe për të rihapur luftën për titullin kampion. Skuadra e Antonio Kontes ka mundur 3-0 Napolin në një përballje pa shumë histori mes dy ekipeve ku vendasit kanë dominuar ndjeshëm gjatë të gjithë ndeshjes. 

Bardhezinjtë kanë imponuar ritmin e tyre që në minutat e para duke provuar në disa mënyra për të kaluar në avantazh, ndërsa Napoli mendon vetëm si të mbrohet, duke lënë shumë të izoluar përpara Lavecin e Kavanin. Rastet më të mira për vendasit vijnë falë goditjeve të dënimit të Pirlos, por De Sanktis arrin të shpëtojë portën e tij me ndërhyrje vendimtare.

Megjithatë, portieri i napolitanëve nuk arrin të bëjë asgjë në minutën e 53-të të ndeshjes kur Bonuçi devijon në portë një gjuajtje të Vuçiniç për të kaluar në avantazh bardhezinjtë. Napoli nuk reagon dhe për më tepër fillon të lërë më shumë hapësira në prapavijë, duke i krijuar mundësinë Juventusit që ta vërë në vështirësi në kundërsulm.

Në një nga këto raste, në minutën e 75-të, është Vidal që shënon një gol spektakolar pasi trullos mbrojtjen e Napolit me fintet e tij, para se të lëshojë një të majtë të pakapshme në portën e De Sanktis.

Ndeshja është praktikisht e mbyllur, por jo për Kualjarelan, i cili shënon golin e tretë pas një asisti perfekt të Del Pieros, për të vulosur suksesin 3-0 të bardhezinjve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 18:26

Andrea Stramaçioni e ka filluar me një ndeshje “tipike” për Interin karrierën e tij te zikaltërit, një fitore mes drithërimash 5-4 ndaj Xhenoas. Trajneri i ri ka debutuar me një fitore të pabesueshme ku suksesi dukej i lehtë por që në minutat e fundit mund të kthehej në një makth. 

Interi tregoi probleme të mëdha, ku 5 golat e shënuar (Milito 3, Zarate dhe Samuel) nuk fshehën gafat e rënda në mbrojtje që kanë ndikuar sezonin zikaltër. Për më tepër, fakti që ekipi vuri në diskutim një avantazh prej 3 golash lë të kuptohet se Stramaçioni do të ketë shumë punë nëse dëshiron të luftojë për një vend në Kupat e Evropës në javët e ardhshme. Por “Interi i çmendur” duket se i ka pëlqyer presidentit Morati, i cili sipas vetë trajnerit të ri është shfaqur i kënaqur pas përfundimit të kësaj sfide mjaft të veçantë.

Një rezultat tjetër mjaft i rëndësishëm është humbja e Udinezes në Siena, duke i hequr mundësinë ekipit të Guidolin të ringjitet në vendin e tretë që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Nga ky rezultat ka përfituar Roma që me fitoren 5-2 ndaj Novarës është tashmë vetëm 4 pikë larg vendit të tretë që aktualisht mbahet nga Lacio. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Roma-Novara             5-2

Kaljari-Atalanta          2-0

Leçe-Çezena               0-0

Fiorentina-Kievo        1-2

Inter-Xhenoa              5-4

Bolonja-Palermo         1-3

Siena-Udineze             1-0

Renditja

Milan 64, Juventus 59, Lacio 51, Udineze 48, Napoli 48, Roma 47, Inter 44, Katania 43, Kievo 39, Palermo 39, Kaljari 37, Atalanta 37, Siena 36, Bolonja 36, Xhenoa 34, Fiorentina 33, Parma 32, Leçe 28, Novara 24, Çezena 19.

 
Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 11:15

Barazimi me Katanian ka inatosur kuqezinjtë e Milait të cilët e shohin si të papranueshëm faktin se për të dytën herë ndëshkohen nga mosdhënia e të ashtuquajturit “gol-fantazmë”. Klubi dhe vetë lojtarët pretendojnë se goli i padhënë ndaj Katanias ishte i njëjtë me atë të padhënë të Muntarit ndaj Juventusit, duke aluduar për vendime të qëllimshme të gjyqtarëve.

Nëse trajneri Alegri ka akuzuar direkt Juventusin për ndikim psikologjik ndaj gjyqtarëve, administratori Galiani është munduar të jetë pak më i qetë, ndonëse edhe ai ka shprehur dyshimet e tij. “Ka shumë pak gjëra për të thënë. Nuk komentoj kurrë gjyqtarët por është hera e dytë që topi kalon vijën e portës dhe nuk na e japin gol. I kuptoj gjyqtarët dhe i kuptoj vijërojtësit kur gabojnë pozicionin jashtë loje, por nuk kuptoj pse Milan shënon dy gola të rregullt e nuk i jepen”.

“Në ndeshje të tjera shoh që janë shumë të aftë t’i shohin raste të tilla, me sa duket ne jemi shumë pa fat. Shpresoj që këto episode të mos ndryshojnë rezultatin përfundimtar të kampionatit”, tha ai, duke aluduar për një kalim të mundshëm nga Juventusi.

I të njëjti mendim është edhe Maksi Lopez, sulmuesi i transferuar te Milani gjatë janarit pikërisht nga radhët e Katanias. “Nuk na dhanë një gol. Kjo është hera e dytë dhe janë 4 pikë që na janë hequr pa meritë. Është e vështirë të jesh i qetë kur përfundon ndeshja dhe e sheh se gjyqtarët kanë gabuar përsëri”, u shpreh ai. Reagimi i Akuilanit ishte i njëjtë. “Gjyqtarët na penalizuan për herën e dytë këtë vit, shpresoj që të mos ndodhë më”.

Por personazhi direkt i kësaj ngjarje, mbrojtësi Markeze i Katanias që largoi topin nga vija fatale, është i bindur se vendimi i gjyqtarëve ishte i drejtë. “A shënoi Robinjo? Absolutisht jo! Unë isha në trajektore dhe arrita të evitoj që topi të kalonte vijën e bardhë. Sfera hyri pjesërisht por jo plotësisht, ndaj nuk mund të cilësohet gol”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 20:35

Milan i ka dhënë mundësinë Juventusit të shkurtojë në 2 pikë diferencën mes dy skuadrave pas barazimit 1-1 në fushën e Katanias. Por ky barazim ka ardhur mes polemikave, nga Milani por edhe nga Katania. Shkak është bërë një gol fantazmë që nuk është dhënë në favor të kuqezinjve si dhe një gol i anuluar për Katanian për pozicion jashtë loje të dyshimte të Gomez. 

Kuqezinjtë, të lodhur edhe nga ndeshja me Barcelonën në mesjavë dhe duke menduar për atë të radhës në “Kamp Nou”, kanë vendosur të lënë pushim Nestën e Sedorf, ndërsa edhe Boateng është ulur përsëri në pankinë. Kjo i jep mundësinë Katanias të ndërtojë lojë e të vërë në vështirësi ekipin e Alegrit.

Por klasi i Zlatan Ibrahimoviç bën diferencën, pasi suedezi arrin të nxjerrë të lirë para porte Robinjon në minutën e 34-t dhe ky i fundit dërgon qetësisht topin në rrjetë. Katania kundërpërgjigjet me gjuajtjen e Gomez, që ndalet nga traversa pak minuta më vonë.

Mesfushori i vendasve gjen edhe rrugën e rrjetës në minutën e 47-të, por vijërojtësi anulon për pozicion jashtë loje të dyshimte. Megjithatë, barazimi nuk vonon me Spolin i cili dërgon topin në rrjetë pas zhvillimit të një goditje nga këndi kur shënohet minuta e 57-të e ndeshjes.

Në minutën e 65-të vjen edhe episodi shumë i diskutueshëm kur Robinjo gjuan drejt portës dhe Markeze që e largon topin nga vija fatale, mes protestave të Milani që kërkon të sinjalizohet goli. Nga ky moment ndeshja ndizet më shumë, por asnjë nga skuadrat nuk arrin të gjejë më rrugën e rrjetës.

Takimi përfundon 1-1 me kuqezinjtë e inatosur se i kanë dhënë një tjetër mundësi Juventusit të afrohet në renditje, ndërsa trajneri Alegri ka ftuar bardhezinjtë të mos ankohen më për gjyqtarët. (LajmeShqip.com)