Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 08:47

Çfarë do të bëjë Del Piero pas përfundimit të këtij sezoni? Kjo është pyetja që të gjithë tifozët e Juventusit i bëjnë vetes dhe lojtarit në fjalë, i cili brenda një jave ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës duke udhëhequr skuadrën e tij në suksese të rëndësishme ndaj Milanit e Interit.

Festimi i golit ndaj zikaltërve ishte një nga momentet e rralla ku Del Piero shprehu të gjitha emocionet e tij në një sezon të cilin e ka ndjekur kryesisht nga pankina pa protestuar asnjëherë. “Festimi i golit? Përfaqësonte rëndësinë që kishte kjo ndeshje”, ka shpjeguar ai pas takimit.

“E ardhmja? Nuk dua të humb asnjë moment nga kjo aventurë, po bëjmë maksimumin për t’i qëndruar afër Milanit. Do të ketë kohë mjaftueshëm për të menduar rreth të ardhmes. Atë që duhej të bëja një vit më parë, e kam realizuar, tani thjesht dua t’i gëzohem kësaj nate”, ishin fjalët e kapitenit pas ndeshjes duke mos treguar nëse po mendon të vazhdojë të luajë në Evropë, SHBA apo Azi.

Edhe trajneri Antonio Konte ka folur me superlativa për ish-shokun e tij të skuadrës. “Për mua, ai dhe Bufon janë një vlerë e shtuar e skuadrës, në këto momente ndjehet mirë dhe për këtë arsye e aktivizoj”.

“Kur ka topin në këmbë, është e vështirë që të mos konkretizojë. Flas me të shpesh dhe kemi një raport të hapur, të dy mendojmë për të tashmen që është gjëja më e rëndësishme për Juventusin”, ishin fjalët e trajnerit të bardhezinjve për numrin 10 të skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 22:15

Juventus konfirmon dominimin në ndeshjet direkte ndaj skuadrave më të forta në Itali, duke mundur 2-0 Interin për të mbetur në distancë prej 4 pikësh në luftën për titull pas Milanit. Bardhezinjtë kanë triumfuar përballë zikaltërve pas një ndeshje entuziazmuese, ashtu siç ka qenë gjithmonë i ashtuquajturi “Derbi i Italisë”.  

Dy skuadrat e fillojnë takimin si të barabarta, me vendasit që rrezikojnë me Pepen e Matrin, ndërsa Inter që kundërpërgjigjet me Militon, por Bufon e Xhulio Sezar shpëtojnë portat respektive. Me kalimin e minutave, frenat e lojës i merr në dorë Juventus por rastet i krijon Inter. Forlan, Milito dhe Obi provojnë në të gjitha mënyrat të kalojnë Bufon por gardiani i bardhezinjve duket qartë që është kthyer në formën që i ka dhënë famën e portierit më të mirë në botë. Si rrjedhojë, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.

Konte vendos të ndryshojë diçka pak minuta pas fillimit pjesë së dytë dhe gjen personin e duhur për të shtyrë skuadrën drejt fitores, Alesandro Del Pieron, i cili hyn në fushë në vend të Matrit. Sulmuesi bëhet protagonist duke i dhënë një pasim të artë Markizios, i cili godet në kuadrat por Xhulio Sezar devijon në goditje nga këndi. Në zhvillimin e saj, mbrojtja e Interit harron krejtësisht të lirë Kaceres, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë me një gjuajtje me kokë.

Goditja është shumë e rëndë për Interin dhe Juventusi përfiton, falë Del Pieros, i cili fillimisht nxjerr të vetëm para porte Vuçiniç, me malazezin që gjuan topin në këmbët e Xhulio Sezar. Atëherë idhulli i tifozëve të Juventusit vendos të mbyllë vetë ndeshjen me një diagonale në minutën e 70-të, duke shënuar një gol si në kohët e tij më të mira për të ngritur në këmbë të gjithë “Juventus Stadium”.

Duartrokitjet e publikut vendas shoqërojnë ekipin deri në vërshëllimën finale që siglon edhe një herë një sezon të jashtëzakonshëm për bardhezinjtë dhe një vit për t’u harruar të Interit, që tashmë ka rënë në vendin e 8-të në renditje, i kapërcyer edhe nga Katania. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 20:02

Lacio ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Kaljarit duke përfituar nga ndalesat e ndjekësve për t’u shkëputur më tej në vendin e tretë në renditje. Ekipi i drejtuar nga Edi Reja tashmë mban 3 pikë avantazh ndaj Napolit dhe Udinezes pas barazimeve që kanë regjistruar këta të fundit këtë fundjavë.

Kryeqytetasit e kanë patur shumë të vështirë të gjenin golin përballë Kaljarit, ndërsa gjithçka është vendosur vetëm në minutën e 88-të pas një gjuajtje me kokë të mbrojtësit Diakite në zhvillimin e një goditje dënimi. Për Lacion, në gjendje gatishmërie ka qenë edhe Lorik Cana, i cili ishe i ulur në stolin e rezervave por nuk u aktivizua në këtë sfidë.

Rezultati më i papritur ka qenë ai i Napolit ku vendasit janë ndalur në barazim 2-2 nga Katania, edhe pse kryesonin 2-0 kur kishin mbetur edhe 15 minuta lojë, falë golave të Xhemajlit dhe Kavanit. Fillimisht Spoli e pastaj Lanzafame kanë shënuar për miqtë që me këtë pikë të marrë në transfertë vazhdojnë të ëndërrojnë për një vend në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Atalanta-Bolonja         2-0

Lacio-Kaljari                1-0

Napoli-Katania            2-2

Xhenoa-Fiorentina      2-2

Novara-Leçe                0-0

Çezena-Parma              2-2

Kievo-Siena                   1-1

Renditja

Milan 63, Juventus 56, Lacio 51, Napoli 48, Udineze 48, Roma 44, Katania 42, Inter 41, Atalanta 37, Bolonja 36, Palermo 36, Kievo 36, Kaljari 34, Xhenoa 34, Siena 33, Fiorentina 33, Parma 32, Leçe 27, Novara 24, Çezena 18. 

 
Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 09:15

Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të jetë vendimtar për Milanin dhe dy golat e tij kundër Romës i dhanë suksesin kryesuesve të kampionatit italian, duke i dhënë mundësinë të shkëputen me tej nga Juventus.

Suedezi ishte në dyshim deri në minutat e fundit para ndeshjes për shkak të një dëmtimi të marrë përballë Juventus në Kupën e Italisë ku luajti vetëm një pjesë loje dhe pastaj u detyrua të zëvendësohej.

“Ka disa ditë që ndjej dhimbje në shpinë por adrenalina në fushë e bën që të harrohet. Fatmirësisht shkoi gjithçka si duhej. Mendoj se ky është sezoni më i mirë në karrierën time dhe se forma që kam patur në kampionat ka qenë thuajse perfekte. Ndjehem mirë fizikisht dhe mendërisht, ndaj kam luajtur pjesën më të madhe të ndeshjeve deri tani. Ka mbetur edhe një muaj dhe lodhja është normale në këtë pikë, por un për vete ndjehem mirë”, tha ai pas takimit.

Një nga problemet kryesore të Milanit në këtë sezon kanë qenë dëmtimet, ku listës së gjatë i është shtuar edhe Tiago Silva që do të mungojë për ndeshjen e mesjavës ndaj Barcelonës.

“Pa shokët e skuadrës asgjë nuk do të ishte mundur. Më vjen keq për Tiago Silvën, të shpresojmë që situata të jetë më e mirë sesa duket. Gjithë këto dëmtime nuk janë të mira, ka mbetur vetëm një muaj dhe na duhen të gjithë në fushë”.

“Të mërkurën do të jetë një ndeshje e madhe pasi Barcelona është klubi më i mirë në botë. Ata janë favoritë, por ne nuk kemi asgjë çfarë të humbasim, ata kanë!”, përfundoi Ibrahimoviç. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 21:29

Milani ka dashur të mbyllë sa më shpejt çështjen e titullit kampion dhe ndeshja ndaj Romës ka qenë një etapë e rëndësishme për kuqezinjtë në rrugën e tyre drejt titullit. Për këtë arsye, fitorja e rëndësishme 2-1 ndaj kryeqytetasve i ka dhënë qetësi skuadrës e cila tashmë ka çuar në 7 pikë diferencën me Juventusin ndjekës, ndërsa tani mendon vetëm për përballjet e Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës. 

Ndeshja ka folur që në minutat e para për kuqezinjtë që kanë dominuar në lojë dhe në raste. Ibrahimoviç e El Sharaui nuk arrijnë të mposhtin Stekelenburg dhe në momentin kur sulmuesi i ri italian i kuqezinjve arrin ta kalojë gardianin e Romës, topi ndalet në shtyllë. Roma riorganizohet dhe me rastin e parë të vërtetë gjen rrugën e rrjetës. De Rosi provon një gjuajtje drejt portës që kthehet në pasim për Osvaldon, i cili nuk fal dhe në minutën e 43-të shënon golin e avantazhit për miqtë.

Por Milani nuk tronditet dhe vendos barazinë në shifra pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Ibrahimoviç shënon nga pika e bardhë pas një 11-metërshi të fituar pas prekjes së topit me dorë në zonë nga De Rosi. Rastet për kuqezinjtë vijojnë njëri pas tjetrit dhe Muntari godet traversën, ndërsa Ibrahimoviç sheh të ndalen gjuajtjet e tij nga Stekelenburg. Por sulmuesi suedez hakmerret në minutën e 83-të, kur kalon topin mbi portierin holandez e më pas e dërgon atë në rrjetë me një gjuajtje me kokë.

2-1 dhe Milani shkëputet 7 pikë nga Juventus, që ka një ndeshje shumë të vështirë përballë Interit të dielën në darkë. Megjithatë, për kuqezinjtë ka edhe një lajm të keq, pasi qendërmbrojtësi Tiago Silva është larguar pas vetëm pak minutash lojë i dëmtuar dhe me shumë mundësi do të mungojë në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës. (LajmeShqip.com)