Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 19:34

Milan ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së titullit kampion pas fitores 2-0 kundër Leçes. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alegri kanë arritur të marrin tri pikët dhe të shkëputen në renditje nga Juventusi ndjekës që është ndalur në një barazim pa gola në fushën e Xhenoas. 

Për kuqezinjtë, gjithçka ka qenë tepër e thjeshtë edhe për faktin që kanë gjetur shumë shpejt golin e avantazhit me anë të Noçerinos, i kthyer në një golashënues të mirëfilltë falë skemave të Alegrit. Mesfushori gjeti golin e tij të 9-të në kampionat, duke i hapur rrugën suksesit të vulosur në pjesën e dytë nga goli i 19-të i Zlatan Ibrahimoviç, që në këtë mënyrë është ngjitur në majën e tabelës së golashënuesve të kampionatit italian.

Ndërkohë, Juventus është ndalur në një barazim pa gola përballë Xhenoas dhe ka humbur hapin e kreut, duke mbetur 4 pikë pas Milanit falë 4 barazimeve radhazi që ka marrë në katër javët e fundit të kampionatit. Bardhezinjtë kanë qenë edhe të pafat përballë vendasve, pasi fillimisht Vuçiniç e pastaj Pepe kanë goditur shtyllën e portës së mbrojtur nga Frei. Pas golit të radhës të anuluar për pozicion jashtë loje, klubi bardhezi ka vendosur heshtjen për shtyp, shenjë e qartë që tashmë ekipi i drejtuar nga Antonio Konte po kalon një moment të rëndë tensioni.

Personazhi më i spikatur i javëve të fundit në kampionatin italian është Erion Bogdani, i cili me lojën dhe golat e tij po arrin të shpëtojë Sienën nga rënia në Serinë B. Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonisti absolut i fitores 2-0 të Sienës në fushën e ish-skuadrës së tij, Çezenës, pasi ka përgatitur golin e avantazhit për ekipin e tij, ndërsa ka mbyllur ndeshjen me golin e dytë. Bogdani ka shënuar 3 gola në katër ndeshje me Sienën, duke u kthyer kësisoj në sulmuesin më në formë në qarkullim. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Katania-Fiorentina      1-0

Xhenoa-Juventus        0-0

Milan-Leçe                   2-0

Atalanta-Parma           1-1

Çezena-Siena                0-2

Renditja

Milan 57, Juventus 53, Lacio 48, Udineze 46, Napoli 46, Roma 41, Inter 40, Katania 38, Kievo 34, Palermo 34, Fiorentina 32, Bolonja 32, Atalanta 33, Xhenoa 33, Siena 32, Kaljari 31, Parma 31, Leçe 25, Çezena 17, Novara 17.

 
Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 23:45

Fabio Borini është ylli i ri i Romës dhe për këtë sezon ka lënë krejtësisht në hije emrat më të njohur si ai i Françesko Totit, apo futbollistëve të blerë me bujë, si Lamela e Bojan. Sulmuesi 20 vjeçar italian ka shënuar golin e tij të 9-të në këtë kampionat duke zgjidhur që në minutën e tretë ndeshjen e Romës përballë Palermos, të përfunduar 1-0. Falë 7 golave të Borinit në 7 javët e fundit, Roma është ngjitur dalëngadalë në renditje dhe tashmë mban vendin e 6-të. Objektivi i kryeqytetasve vazhdon të jetë sigurimi i pjesëmarrjes në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm, pasi luftojnë për të qenë mes 5 skuadrave më të mira në renditjen e Serisë A. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Friday, 09 March 2012 23:38

Interi mund të buzëqeshe përsëri. Pas 9 ndeshjesh radhazi ku kishin parë vetëm humbje e barazime, zikaltërit kanë arritur t’i gëzohen një fitoreje që u mungonte që prej 22 janarit. “Viktima” e Interit ka qenë Kievo që është nënshtruar në fushën e saj vetëm në minutat e fundit të një sfidë të luftuar.

Interi dukej sikur do të fitonte lehtësisht këtë ndeshje, pasi arrin të vërë në vështirësi menjëherë ekipin vendas. Lusio fiton penallti në minutën e 14, por Milito gabon nga pika e bardhë, pasi Sorrentino pret gjuajtjen e tij qendrore. Pak minuta më vonë, Shnajder godet traversën, ndërsa gjithë pjesa e parë kalon nën hegjemoninë e Inter.

Edhe pjesa e dytë shfaq të njëjtën tablo, ku zikaltërit janë padronë të lojës, ndërsa vendasit mendojnë më shumë të mbrohen dhe thumbojnë vetëm me kundërsulm. Kur duket se ndeshja po shkon drejt një barazimi, Interi gjen golin falë mbrojtësit Samuel, i cili gjen rrugën e rrjetës pas zhvillimit të një goditje nga këndi në minutën e 88-të. Vetëm 2 minuta më vonë, është Milito që dyfishon avantazhin e Interit pas një pasimi të Zanetit, duke hipotekuar fitoren 2-0 të zikaltërve. Ky sukses është shumë i rëndësishëm për zikatërit, si për renditjen në kampionat, ashtu edhe për moralin para garës së rëndësishme kundër Olimpik Marsejës për Ligën e Kampioneve.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur sot, Napoli ka fituar 6-3 përballë Kaljarit, në një ndeshje spektakolare për tifozët e pranishëm në stadium. Napoletanët nuk kanë vënë asnjëherë në diskutim suksesin, dukë shënuar me Hamshik  e Kanavaro, para se Astori të shënonte në portën e tij për të çuar avantazhin e vendasve në 3-0 që në minutën e 30-të. Larrivei shënon për Kaljarin për të çuar rezultatin në 3-1 para pushimit të ndeshjes, por me kthimin në fushë të skuadrave, historia përsëritet.

Këtë radhë janë Laveci me penallti dhe Gargano që çojnë në 5 numrin e golave për Napolin, ndërsa Larrivei kundërpërgjigjet në minutën e 77-të. Maxho shënon golin e 6-të për ekipin vendas në minutën e 84-t të ndeshjes, por është përsëri Larrivei që shënon për miqtë, duke gjetur golin e tij të tretë personal në këtë sfidë spektakolare.

Tashmë Napoli është me pikë të barabarta me Udinezen në vendin e  katërt në renditje dhe është kthyer në një pretendent serioz për vendin e tretë që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)