Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 20:22

Gjykatësi sportiv në Itali ka vendosur që të pezullojë për tre javë mbrojtësin e Milanit, Filip Mekses për grushtin që i ka dhënë Marko Borrielos, gjatë takimit Milan-Juve të Serisë A. 

Pas shqyrtimit të imazheve nga kamera të ndryshme në stadium, është parë qartë se goditja e Mekses ka qenë me dashje dhe për rrjedhojë, ai do të mungojë në 3 takimet e ardhshme të kuqezinjve.

Ndërkohë, gjykatësi sportiv ka vendosur që të mos japë asnjë dënim për Muntarin e Pirlon, dy futbollistë të tjerë që akuzoheshin për gjeste antisportive në të njëjtën ndeshje. Sipas tij, ndërhyrjet e lojtarëve kanë qenë pjesë e lojës dhe nuk meritojnë dënim nëpërmjet provës televizive.

Një ndëshkim është dhënë edhe për Adriano Galianin, i cili është paralajmëruar për pezullim në rast përsëritje. Administratori i përgjithshëm i Milan është paralajmëruar pasi në pushimin e ndeshjes ka “fyer disa anëtarë të klubit kundërshtar me fjalë të pahijshme dhe provokuese, shkelje të cilat janë konstatuar në vend nga zyrtarët e Federatës Italiane”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 11:06

Ndeshja Milan-Juventus nuk ka ndikuar në renditjen e kampionatit, por ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet mes kuqezinjve të Milanos dhe bardhezinjve të Torinos.

Milanistëve nuk u ka pëlqyer arbitrimi i ndeshjes dhe kanë bërë shkaktarë direkt juventinët, duke aluduar për metoda të përdorura që në periudhën e “Calciopoli”.

Vetë administratori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galiani, ka qenë i qartë: “Ka përfunduar një miqësi që zgjaste prej vitesh, nga nesër me Juventusin ka vetëm një raport konkurrence sportive”. Por nëse ky i fundit ka zgjedhur diplomacinë për të treguar pakënaqësinë e tij, ndryshe mund të thuhet për “Milan Channel”, që ka bombarduar rëndë juventinët.

Nëpërmjet këtij kanali televiziv, kuqezinjtë akuzojnë juventinët se kanë përgatitur në mënyrë “strategjike” ndeshjen për të ndikuar të gjyqtarët. “Plani juventin” është i ndërtuar në 5 pika bazë: 1) deklarata e Marota pas Juve-Siena; 2) ankesat e Konte pas ndeshjes me Parmën; 3) komunikata zyrtare e klubit në mbështetje të Konte; 4) sulmi i Andrea Anjelit ndaj Federatës dhe 5) kërkesa e Kielinit për provë televizive ndaj Ibras pas ndeshjes së Kupës së Italisë, e cila ndikoi në vendimin e faljes apo jo të dënimit të suedezit.

Komentet mbi “golin fantazmë” kanë qenë edhe më të rënda, duke lënë të kuptohet se gjithçka ishte pasojë e manovrave të vjetra bardhezi, që fillonin me penalltinë e famshme të Julianos ndaj Ronaldos.

Për më tepër, faqja zyrtare e internetit të klubit ka protestuar edhe për gabimet e gjyqtarëve duke shenjestruar Andrea Pirlon, i cili sipas tyre, ka goditur dy herë me bërryl Van Bomel gjatë ndeshjes.

Me pak fjalë, dy aleatët më të fortë në futbollin italian, i kanë shpallu luftë të hapur njëri-tjetrit dhe tashmë pritet të shihet se si do të shkojnë gjërat në fushë dhe jashtë saj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 09:38

Napoli ka mundur Interin me rezultatin 1-0 dhe ka marrë vendin e 5-të në renditjen e Serisë A. Mendohej se napoletanët do të ishin të lodhur pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Çelsit, por ata kanë treguar të kundërtën, duke dominuar përballë zikaltërve që zhyten më thellë në krizën e tyre. 

Ndeshja është dominuar nga ekipi vendas që me Kavanin, Lavecin e Xhemajlin, ka krijuar raste të shumta për shënim. Goli që do të vendoste ndeshjen erdhi në minutën e 59-të kur Xhemajli bëri një sllallom mes mbrojtjes interiste duke pasuar më pas për Lavecin që me një diagonale të pakapshme dërgoi topin në rrjetë.

Reagimi i Interit erdhi vetëm në minutat e fundit kur Pacini e Poli humbën mundësinë të barazonin me gjuajtjet e tyre. Tani zikaltërit gjenden në vendin e 7-të në renditje dhe rrezikojnë seriozisht që sezonin e ardhshëm të mos marrin pjesë në Kupat e Evropës.

Ndërkohë, vazhdon e ethshme gara për vendin e tretë në renditje që siguron edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Si Udineze ashtu edhe Lacio kanë fituar në ndeshjet e tyre, duke qenë në kuotën e 45 pikëve, të ndara vetëm nga golavarazhi.

Të dy këto skuadra kanë hequr dorë nga lufta për titull, ndonëse janë vetëm 6 pikë larg Milanit kryesues, pasi mendojnë më shumë të ruhen nga sulmi i Napolit që i ndjek me 5 pikë diferencë. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Atalanta-Roma            4-1

Kaljari-Leçe                 1-2

Katania-Novara           3-1

Kievo-Çezena              1-0

Siena-Palermo              4-1

Bolonja-Udineze           1-3

Lacio-Fiorentina           1-0

Napoli-Inter                 1-0

Renditja

Milan 51, Juventus 50, Udineze 45, Lacio 45, Napoli 40, Roma 38, Inter 36, Palermo 34, Katania 33, Kievo 33, Atalanta 31, Kaljari 31, Xhenoa 31, Parma 29, Fiorentina 28, Bolonja 28, Siena 26, Leçe 24, Novara 17, Çezena 16.

 
Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 19:22

Erjon Bogdanit i kanë mjaftuar katër javë për t’u përshtatur me ekipin e tij të ri, Sienën, e për t’u bërë pjesë e sukseseve të këtij ekipi që lufton për mbijetesë.

Sulmuesi shqiptar, në eksperiencën e tij të dytë në radhët e kësaj skuadre, nuk ka vonuar të gjejë edhe golin e parë sezonal, duke ndihmua në fitoren 4-1 përballë Palermos. Në ndeshjen e tij të parë si titullar me këtë skuadër, sulmuesi shqiptar ka qenë ndër më të mirët në fushë

Ai e ka treguar këtë jo vetëm duke shënuar golin e avantazhit 2-1, por edhe duke u treguar i vlefshëm në mbrojtje para shtatlartëve të Palermos.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të Serisë A, bie në sy shkatërrimi i Romës me rezultatin 4-1 në fushën e Atalantës, duke komplikuar disi pretendimet e kryeqytetasve për pjesëmarrje në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, edhe Novara e Samir Ujkanit është mundur përballë Katanias me rezultatin 3-1, duke komplikuar më shumë qëndrimin në elitën e futbollit italian. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Kievo-Çezena              1-0

Kaljari-Leçe                 1-2

Katania-Novara           3-1

Siena-Palermo             4-1

Atalanta-Roma            4-1

 
Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 10:52

Tensioni i madh në ndeshjen Milan-Juventus ka përfshirë jo vetëm tifozët në tribuna dhe lojtarët në fushë por edhe drejtuesit e të dy skuadrave. Polemikat janë shtuar pas “golit fantazmë” të Muntarit që nuk është parë nga vijërojtësi Romanjoli në pjesën e parë të ndeshjes.

Administratori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galiani, ka qenë aq i irrituar pas këtij rasti, sa në pushimin e ndeshjes ka hyrë në dhomat e zhveshjeve të gjyqtarëve duke u ankuar te kryesori Taliavento. “Një metër, ishte një metër brenda!”, mësohet të ketë ulëritur Galiani në lidhje me golin e Muntarit.

Por kjo ankesë e tij ka sjellë reagimin e drejtuesve të Juventusit ku fillimisht homologu i tij Marota, e më pas vetë presidenti Andrea Anjeli, u kanë kërkuar zyrtarëve të Federatës Italiane të mbajnë shënim incidentin pas ky mund të cilësohet presion direkt ndaj gjyqtarëve.

Adriano Galiani nuk është ndalur këtu, pasi ka filluar të debatojë edhe me përgjegjësin për shtyp të bardhezinjve, Klaudio Albanese. “Po tani a do të merrni përsëri gazetat për t’u ankuar?”, ishin fjalët e tij, ndërsa më pas i është kthyer trajnerit të Juventusit, Antonio Konte: “Vazhdoni të ankohuni se funksionon!”.

Por trajneri i Juventusit nuk i ka lënë gjë mangët duke u kundërpërgjigjur flakë për flakë. “Shih kush flet, këtu është mafia!”, ishin fjalët e teknikut të bardhezinjve.

Për të evituar ndonjë skenë më të turpshme, Adriano Galiani është detyruar të braktisë stadiumin gjatë zhvillimit të pjesë së dytë të ndeshjes, por polemikat kanë vazhduar me trajnerin e kuqezinjve, Masimiliano Alegri, që ka parë t’i iki nga duart fitorja që mund t’i sillte titullin kampion.

“Rezultati i ndeshjes është ndryshuar nga ai episod. Në disa raste nuk duhet folur për gjyqtarët sepse pastaj përfundon duke u ndihmuar prej tyre”, ishte thumbimi i tij ndaj drejtuesve të Juventus. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 February 2012 10:23

Silvio Berluskoni nuk ka qenë shumë i kënaqur me drejtimin e gjyqtarëve të ndeshjes Milan-Juventus dhe ka reaguar menjëherë pas përfundimit të saj.

“Një fitore e merituar do të kishte sjellë më shumë qetësi në vazhdimin e kampionatit. Por Milani ka një mision të tijin për të vazhduar në kohë: më të fortë se zilia, më të fortë se padrejtësitë, më të fortë se të gjithë”, ishte komenti i presidentit të kuqezinjve.

Ky i fundit, nuk ka kursyer polemikat as para ndeshjes, duke komentuar pezullimin e Zlatan Ibrahimoviç për shpullën e dhënë ndaj Aronikas.

“Skualifikimi i Ibrahimoviç nuk është i padrejtë, është i turpshëm”, ishte komenti i ish-kryeministrit italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 25 February 2012 23:13

Milan dhe Juventus janë ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e javës së 25-të të Serisë A por nuk mund të thuhet kurrsesi se janë ndarë paqësisht mes tyre. Ndeshja ka qenë mjaft e tensionuar për shkak të debateve rreth arbitrave dhe pezullimit të Ibrahimoviç, polemika që do të vazhdojnë duke parë atë që ndodhi në fushën e lojës. 

Sfida ka filluar më së miri për vendasit e Alegrit, që kanë vënë menjëherë nën trysni mbrojtjen e Juventus duke detyruar bardhezinjtë të gabojnë. Në një nga këto raste, në minutën e 15-të, Bonuçi i fal topin Noçerinos, i cili nga distanca, falë edhe një devijimi, arrin të mposhtë Bufon. 1-0 dhe “San Siro” është në delir!

Pritet reagimi i Juventus, por bardhezinjtë duken të trembur para shpejtësisë së manovrës kuqezi. Këta të fundit, gjejnë edhe golin e dytë në minutën e 24-t me një gjuajtje me kokë të Muntari, por vijërojtësi Romanjoli, në mënyrë të pabesueshme, nuk sheh që Bufon e pret topin brenda portës së tij dhe bën shenjë që loja të vazhdojë mes protestave të kuqezinjve.

Ky episod bën që ndeshja të tensionohet më shumë dhe lojtarët e të dy skuadrave nuk kursejnë gjestet antisportive ndaj njëri-tjetrit, ndërsa rastet e mirëfillta para portave mungojnë.

Në pjesën e dytë, Juventus mundohet të marrë kontrollin e lojës po nuk ia arrin, pasi Milani është mjaft i sigurt në mbrojtje dhe vë gjithmonë në vështirësi prapavijën bardhezi me kundërzbritjet e shpejta të Emanuelson, Robinjo dhe El Sharaui.

Por kur duket se kuqezinjtë i kanë mbyllur çdo shteg Juventusit, në minutën e 82-të vjen goli i barazimit me autor Matrin, i cili shënon në portën e Abiatit duke mundur në shpejtësi Tiago Silvan.

Gjithçka përfundon 1-1, mes polemikave të ashpra që sjellin edhe një debat në fushën e lojës mes thuajse të gjithë futbollistëve të të dy skuadrave, ku përzihen edhe drejtuesit respektivë.

Milan mbetet kryesues i kampionatit me 51 pikë, ndjekur me një pikë më pak nga Juventusi, por bardhezinjtë kanë ende një ndeshje të prapambetur për të zhvilluar. (LajmeShqip.com)