Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 17:43

Milan ka treguar se është kandidat kryesor për fitoren e titullit kampion duke fituar me lehtësi mbresëlënëse ndaj Çezenës me rezultatin 3-1 për të kaluar përsëri një pikë para Juventus në renditje, në prag të sfidës direkte të javës së ardhshme. Gjithçka ka qenë shumë e thjeshtë për kuqezinjtë që gjejnë rrugën e rrjetës dy herë me anë të Muntarit dhe Emanuelson në pjesën e parë. Ndërkohë, në pjesën e dytë, Robinjo është i jashtëzakonshëm duke shënuar golin e tretë, si për të treguar se dygolëshi ndaj Arsenalit nuk është një rastësi. Goli i Pudil shërbeu vetëm si ngushëllim për Çezenën që nuk mundi të bënte më shumë, e ndalur me saktësi edhe nga pritjet e Abiatit. 

Në ndeshjet e tjera të të dielës bie në sy fitorja minimale e Romës 1-0 ndaj Parmës, ku autor i golit të vetëm në këtë sfidë të komplikuar ishte Borini. Më këto tre pikë, Roma ngjitet në vendin e 5-të në renditje, për t’u bërë protagoniste në luftën për kualifikimin në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, Novara e Samir Ujkanit ka arritur të marrë një tjetër pikë në barazimin pa gola ndaj Atalantës. Portieri shqiptar ka qenë si zakonisht titullar dhe falë pritjeve të tij, porta e Novarës nuk pëson gol prej 3 ndeshjesh radhazi. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Leçe-Siena            4-1

Çezena-Milan       1-3

Xhenoa-Kievo       0-1

Novara-Atalanta  0-0

Roma-Parma        1-0

Renditja

Milan 50, Juventus 49, Lacio 42, Udineze 41, Roma 38, Napoli 37, Inter 36, Palermo 31, Kaljari 30, Xhenoa 30, Kievo 30, Fiorentina 28, Parma 28, Atalanta 28, Katania 27, Bolonja 25, Siena 23, Leçe 21, Novara 17, Çezena 16.

 
Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 13:17

Parulla e shfaqur nga 9-vjeçari Filipo para ndeshjes Inter-Bolonja ka bërë xhiron e botës dhe ka marrë me tepër famë pas humbjes 3-0 të zikaltërve para publikut të tyre.

“A mund të fitoni? Ndryshe në shkollë do të tallen me mua! Faleminderit Filipo”. Kjo parullë tashmë është bërë e famshme duke përfunduar në faqet e para të gazetave italiane. Si rrjedhojë, “Telelombardia” ka arritur të intervistojë tifozin e vogël zikaltër, i cili i ka idetë shumë të qarta në lidhje me skuadrën e tij.

“Unë nuk ndryshoj skuadër, mbetem tifoz i Interit. Kur fituam “triplete” isha unë që tallesha me shokët e mi, ndaj tani mund të ec me kokën lart. Shpresoj që kjo parullë ndaj Bolonjas të jetë e fundit e këtij lloji”, ishin fjalët e 9-vjeçarit.

Besnikëria e tij ndaj ngjyrave zikaltër ka sjellë edhe reagimin e Interit, që ka ftuar Filipon me gjithë familjen e tij të marrë pjesë në një ditë stërvitje në klubin zikaltër të hënën.

Ndoshta një fanellë me autograf e Zanetit apo Militos mund të bëjë më të lehta talljet e shokëve në shkollë për tifozin 9-vjeçar… (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 February 2012 00:08

Juventusi i kthehet fitoreve dhe e bën këtë në mënyrën që e ka karakterizuar gjithmonë, falë një insistimi prej “provincialeje”, siç kërkon trajneri Konte. Bardhezinjtë janë gjendur në disavantazh që në minutat e para të takimit por falë ngulmimit kanë arritur të përmbysin gjithçka dhe të sigurojnë një sukses që i ngjit përsëri në kreun e Serisë A. 

Takimi fillon si mos më keq për Juventus, pasi Barrientos gjen rrugën e rrjetës që në minutën e 4-t me një gjuajtje të pakapshme për Bufon. Por bardhezinjtë reagojnë menjëherë duke vënë në vështirësi portierin Kisiçki me gjuajtjet e Borrielo e Kualjarela.

Megjithatë, goli i barazimi vjen nga këmbët e Adrea Pirlos, i cili gjen të papërgatitur portierin kundërshtar dhe shënon me një goditje dënimi. Skuadrat shkojnë në pushimin e ndeshjes në barazim, ndërsa më parë kishin gjetur shtyllën si Kualjarela, ashtu edhe Bergesio.

Por në kthimin në fushë është përsëri “profesori” Pirlo që jep leksion me organizmin e lojës dhe nga një prej harkimeve të tij vjen goli i dytë i Juventus me autor Kielinin. 10 minuta para përfundimit të sfidës, Kualjarela shënon edhe golin e tretë, ndërsa Katania nuk ka më forcë të reagojë edhe për shkak të inferioritetit numerik pas largimit me karton të kuq të Mota.

Me këtë sukses 3-1, Juventus rigjen vendin e parë në klasifikim, ndërsa pret me qetësi ndeshjen e Milanit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 10:43

Humbja turpëruese 3-0 në shtëpi përballë Bolonjës duket se do të sjellë fundin e eksperiencës së shkurtër të Klaudio Ranierit në pankinën e Interit.

Disfata ka lënë një shije të keqe te tifozët të cilët kanë vërshëllyer në kor ekipin ndërsa kanë thirrur emrin e Zhoze Murinjos.

Një fakt të tillë e ka pranuar edhe Ranieri, i cili është i ndërgjegjshëm për gabimet që janë bërë, prandaj i ka kërkuar falje publike presidentit Morati.

“Ajo që mund të bëjmë si ekip është t’i kërkojmë falje presidentit dhe tifozëve të skuadrës të cilët na mbështetën fuqimisht derisa rezultati shkoi 0-2. Morati iku para përfundimit të takimit? Ai nuk mund të kundërshtonte ekipin ndaj mënyra që ka zgjedhur për të protestuar ishte kjo”.

“Mua nuk më shkon ndër mend të jap dorëheqjen. Tifozët kërkojnë Murinjon? Nuk duhet ta harrojnë, por ai është e kaluara. Nuk ekziston më ajo skuadër dhe në drejtim nuk është më ai trajner”, ishte komenti i prerë i Ranierit pas përfundimit të ndeshjes.

Por falja publike duket se nuk do t’i shpëtojë vendin atij. Sipas burimeve pranë klubit zikaltër, Morati ka vendosur që të bëjë shumë shpejt një ndryshim në pankinë, të dytin sezonal.

Mediat italiane kanë filluar të përmendin emrin e Luis Figos, i cili pritet të ulet në stolin e skuadrës bashkë me Bepe Barezin, për të drejtuar ekipin deri në fundin e këtij sezoni. Më pas do të mendohet për të bindur Murinjon të kthehet apo për të afruar një prej emrave që qarkullojnë prej kohësh në ambientin zikaltër: Guardiola, Kapelo, Vijas-Boas apo Blank. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 22:59

Inter ka harruar si fitohet! Zikaltërit kanë shënuar një tjetër ndeshje zhgënjyese, duke u mundur në shtëpi nga Bolonja me rezultatin 3-0, duke plotësuar në mënyrë të pabesueshme 20 ditë ferri ku janë mundur edhe nga Leçe e Novara. Skuadra zikaltër rrezikon seriozisht që vitin e ardhshëm të luajë në Europa League, pasi falë këtyre rezultateve negative radhazi, kanë humbur mundësinë për t’u ngjitur në vendin e tretë në renditje, si dhe i kanë dhënë mundësinë skuadrave të tjera t’i kalojnë. 

Ndeshja është vendosur që në pjesën e parë të takimit, ku Marko Di Vaio ka shënuar dy gola të njëpasnjëshëm brenda dy minutave. Nëse i pari ishte një pavëmendje e mbrojtjes që e lë atë të lirë në zonë, i dyti është një dhuratë e Ranokias që ia fali topin sulmuesit, në vend që t’ia kalojë portierit të tij. Rezultati përfundimtar plotësohet nga goli i Akuafreska, i cili përfiton nga një tjetër pavëmendje e mbrojtjes duke depërtuar qetësisht në zonë për të shënuar golin e tretë.

Në takimin tjetër, Napoli ka fituar 3-0 në fushën e Fiorentinës falë dy golave të Kavanit dhe një goli të Lavezit. Napoletanët përgatiten në këtë mënyrë më së miri për ndeshjen e mesjavës kundër Çelsit, duke qenë të qetë tashmë edhe në renditje ku janë ngjitur në vendin e pestë dhe i janë afruar më tepër zonës së kualifikimit për në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)