Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 23:36

Ndeshjet e fundit të javës së 23-të të Serisë A kanë sjellë një rezultat të papritur, humbjen e Romës 1-0 përballë Sienës. Kryeqytetasit vinin nga disa paraqitje të mira dhe dukeshin si një skuadër e motivuar për të luftuar për vendin e tretë në renditje. Por ekipi i drejtuar nga Luis Enrike nuk ka ditur të shfrytëzojë mundësinë që i është dhënë nga ndalesa e rivalëve direkt duke u mundur në këtë sfidë dhe duke lënë pikë të rëndësishme për klasifikimin ku mban vendin e 6-të.

Goli i vetëm i ndeshjes është shënuar me 11-metërsh nga Kalaio, i 10-ti në këtë edicion për sulmuesin e Sienës që ka thyer rekordin personal në kampionatin elitar italian. Me këtë fitore, skuadra ku bën pjesë edhe Erjon Bogdani, është shkëputur 5 pikë nga Leçe e vendit të 18-të, duke u larguar nga zona e ftohtë renditjes.

Ndërkohë, në sfidën tjetër të të hënës, Napoli ka mundur 2-0 Kievon duke gjetur suksesin pas 5 ndeshjesh radhazi pa fitore. Goli i avantazhit është shënuar nga Britos, ndërsa rezultati është vulosur nga 11-metërshi i Kavanit. Me këtë fitore, napolitanët janë ngjitur në vendin e 7-të në renditjen e kampionatit.

Të mërkurën do të luhen dy sfida të prapambetura, të cilat u shtynë në javët e mëparshme për shkak të dëborës, Atalanta-Xhenoa dhe Parma-Juventus. (LajmeShqip.com)

Renditja

Milan 47, Juventus 45, Lacio 42, Udineze 41, Inter 36, Roma 35, Napoli 34, Palermo 31, Xhenoa 30, Kaljari 30, Fiorentina 28, Kievo 27, Parma 27, Katania 27, Atalanta 24, Siena 23, Bolonja 22, Leçe 18, Çezena 16, Novara 16.

 
Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 18:24

Samir Ujkani dhe Novara janë kandidatët kryesorë për t’u rikthyer në Serinë B në sezonin e ardhshëm, por do ta bëjnë me kokën lart. Këtë sezon ata kanë arritur të bëjnë diçka që shumë skuadra e ëndërrojnë: të mundin dy herë Interin. Skuadra piemonteze ka arritur të triumfojë 1-0 në fushën e zikaltërve falë një goli të shkëlqyer të Karaçolo, për të mbajtur gjallë shpresat e mbijetesës, por më tepër për të respektuar maksimalisht kampionatin. Si zakonisht, portieri Ujkani ka qenë titullar në katrkëndorin e Novarës dhe ka dhuruar një paraqitje të shkëlqyer duke devijuar çdo gjuajtje drejt portës së tij për të ruajtur këtë rezultat të jashtëzakonshëm për klubin dhe për të personalisht. (LajmeShqip.com) 

Katania-Xhenoa          4-0

Atalanta-Leçe              0-0

Inter-Novara               0-1

Renditja

Milan 47, Juventus 45, Lacio 42, Udineze 41, Inter 36, Roma 35, Napoli 31, Palermo 31, Xhenoa 30, Kaljari 30, Fiorentina 28, Katania 27, Parma 27, Kievo 27, Atalanta 24, Bolonja 22, Siena 20, Leçe 18, Çezena 16, Novara 16.

 
Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 13:49

Seria A do të jetë përsëri e përgjysmuar për shkak të dëborës që ka mbuluar gadishullin Apenin. Për shkak të mbi 40 centimetrave dëborë të rënë vetëm ditën e fundit në qytetin e Bolonjës, është vendosur që të mos luhet takimi Bolonja-Juventus, pasi nuk garantohet dot siguria e tifozëve për shkak të shkallëve të ngrira në stadiumin “Dall’Ara”.

E njëjta situatë ka sjellë shtyrjen edhe të ndeshjes Parma-Fiorentina, duke përfshirë në kaos kalendarin e Serisë A dhe duke bërë të domosdoshme reformat si në kalendarin e aktivitetit, ashtu edhe në stadiumet e papërshtatshme italiane.

Tashmë mbeten për t’u përcaktuar datat e zhvillimit të këtyre dy ndeshjeve të shtyra, pasi janë caktuar ata të takimeve të mëparshme që pësuan spostim gjatë javës së kaluar. (LajmeShqip.com)

Ndeshjet për t’u rikuperuar

15.02.2012

Atalanta-Xhenoa          18:30, Java 21

Çezena-Katania            18:30, Java 22

Parma-Juventus           18:30, Java 21

21.02.2012

Bolonja-Fiorentina        18:30, Java 21

22.02.2012

Siena-Katania               18:30, Java 21

Pa datë të caktuar

Bolonja-Juventus          Java 23

Parma-Fiorentina          Java 23

 
Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 23:04

Ndeshja e parë e javës së 23-të të Serisë A ka sjellë një fitore mjaft domethënëse të Lacios, që ka arritur të ngjitet përkohësisht në vendin e tretë në renditje.

Bardhekaltërit kanë luajtur në “Olimpiko” përballë Çezenës, në një ndeshje që u komplikua që në fillim. Ishte Mutu që kaloi në avantazh miqtë në minutën e 14-të, ndërsa në minutën e 35-të, Jakuinta dyfishoi shifrat me një 11-metërsh. Për më tepër, Lacio u gjend edhe në inferioritet numerik, pasi në rastin e penalltisë, në minutën e 33-të, ishte mbrojtësi Konko që u ndëshkua me karton të kuq.

Por pjesa e dytë tregon një Lacio krejtësisht ndryshe, që nuk ka çfarë të humbasë dhe sulmon, ndonëse në inferioritet numerik dhe në disavantazh. Kryeqytetasit bëjnë mrekullinë brenda 10 minutash, nga e 53-ta në të 63-tën, duke shënuar me anë të Hernanes, Luliç dhe Kozak, për të përmbysur sfidën duke e çuar rezultatin në 3-2 në favor të tyre.

Me këtë sukses,  Lacio ngjitet në vendin e tretë në kuotën e 42 pikëve, 1 më shumë se Udineze që luan të shtunën përballë Milanit, ekipit që mban vendin e dytë në klasifikimin e Serisë A. (LajmeShqip.com)