Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 10:44

Ky nuk është më Interi i Uesli Shnajder! Mesfushori holandez duket se ka humbur pozicionin e privilegjuar që mbante në skuadër dhe nervozizmi i tij në fushë e shpjegon qartësisht situatën ë futbollistit. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai është zënë edhe me Pacinin në fushën e lojës, ndërsa pamjet kanë bërë xhiron e televizioneve italiane. 

Më pas, ai nuk ka kursyer edhe kritikën ndaj trajnerit që e largoi nga fusha e lojës në pushimin e ndeshjes. “Zëvendësimi? Ishte vendim i trajnerit. Do të flas me të rreth kësaj çështje”, ishte komenti i shkurtër i holandezit para kamerave.

Ndërkohë, Ranieri e ka bërë të qartë se skuadra aktualisht funksionon më mirë pa Shnajder dhe se po mundohet t’i gjejë futbollistit një vend në formacion. “Ai nuk po luante keq, por unë desha të kisha më shumë siguri në mbrojtje. Nuk luajmë aq mirë me 4-3-1-2 dhe prandaj preferoj të luaj me 4-4-2”, ishte shpjegimi i Ranierit.

Për më tepër, trajneri e ka të vështirë t’i gjejë atij një pozicion tjetër, duke thënë se për lojtarin do të ishte e pamundur të luante në krahë. “E kemi thënë edhe më parë që ai është një lojtar qendre që nuk mund të kushtëzohet duke luajtur në krahë. Ndoshta kur të kthehet Forlan mund të provojmë diçka tjetër, por për momentin formacioni ynë më i mirë është 4-4-2”, deklaroi Ranieri duke lënë të kuptohet se holandezit do t’i duhet të mësohet me stolin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 29 January 2012 23:19

Milani vazhdon të ndjekë me të njëjtin hap Juventusin duke lënë të kuptohet se ky rivalitet për titullin kampion mund të vazhdojë deri në javët e fundit. Kuqezinjtë kanë mundur 3-0 Kaljarin falë një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme të Zlatan Ibrahimoviç. Sulmues suedez ka qenë autor i golit të parë me një goditje dënimi vdekjeprurëse, ndërsa ka dhënë pasmin për golin e dytë të shënuar nga Noçerino. Goli i tretë i takimit ka ardhur në fundin e pjesës së dytë, falë një depërtimi të Ambrozinit. Kuqezinjtë mbeten një pikë pas Juventusit në renditje, ndërsa bëhen gati për të udhëtuar drejt fushës së vështirë të Lacios në mesjavë. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Sunday, 29 January 2012 18:54

Interi pësoi humbjen e parë pas 7 fitoresh radhazi në Serie A, duke u dorëzuar 1-0 përballë Leçes në “Via Del Mare”. Guijermo Xhakomaci shënoi golin e vetëm të ndeshjes pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, duke regjistruar një nga surprizat më të mëdha të javëve të fundit. Megjithëse Interi dominoi pjesën e dytë dhe kishte dy gola të anuluar për pozicion jashtë loje, zikaltërit nuk ishin në gjendje të kalonin portierin e vendasve Benasi, i cili prodhoi një numër të jashtëzakonshëm pritjesh gjatë 90 minutave të takimit. 

Humbja e Interit, si dhe ajo e Udinezes një ditë më parë, ka ndihmuar Lacion që ka fituar 3-0 ndaj Kievos, falë dygolëshit të Miroslav Kloses dhe golit të Hernanes. Skuadra e Rejas është ngjitur përsëri në vendin e katërt, si dhe i është afruar ndjeshëm vendit të tretë që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Një ndeshje emocionuese ka qenë ajo mes Xhenoas dhe Napolit, e përfunduar me rezultatin 3-2 për gjenovezët. Rodrigo Palasio dhe Alberto Xhilardino çuan rezultatin në 3-0, ndërsa në minutat e fundit ishin Kavani dhe Laveci që vunë në dyshim rezultatin përfundimtar të kësaj sfide me dy golat e tyre. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Fiorentina-Siena      2-1

Çezena-Atalanta      0-1

Roma-Bolonja           1-1

Leçe-Inter                1-0

Kievo-Lacio              0-3

Xhenoa-Napoli         3-2

Palermo-Novara      2-0

Milan-Kaljari             3-0

Renditja

Juventus 44, Milan 43, Udineze 38, Lacio 36, Inter 35, Roma 31, Napoli 29, Palermo 27, Xhenoa 27, Fiorentina 25, Parma 24, Kievo 24, Kaljari 23, Katania 23, Atalanta 23, Bolonja 21, Siena 19, Leçe 16, Çezena 15, Novara 12.

 
Lajme Shqip Sunday, 29 January 2012 10:37

Trajneri i Juvenusit, Antonio Konte, ka treguar se është një perfeksionist dhe pavarësisht fitores 2-1 ndaj Udinezes, nuk ka festuar, po ka menduar si të korrigjojë gabimet e shfaqura nga skuadra gjatë këtij takimi.

“I bëra komplimente lojtarëve pasi ishte një ndeshje që duhej fituar duke vuajtur dhe ne e bëmë një gjë të tillë. Por u kam thënë edhe se duhet të përmirësojmë mbajtjen e topit. Kaluam në avantazh por Udineze na priste në mesfushën e saj dhe kemi humbur topin disa herë në raste ku ata mund të na dëmtonin rëndë. Goli i tyre ishte një dhuratë që ia bëmë ne. Duhet të ishim më të vëmendshëm, por edhe kjo bën pjesë në procesin e rritjes”, ishte komenti i Kontes.

Tekniku i bardhezinjve ka thurur elozhe në veçanti për Xhakerinin, një futbollist që mbërriti pa bujë nga Çezena gjatë merkatos verore, por që është treguar mjaft i vlefshëm në manovrën e ekipit duke luajtur në pozicione të ndryshme.

“Xhakerini? Ajo që po përjeton ai është një përrallë e bukur! Ka intensitet, ritëm, teknikë, kalon kundërshtarin, gjen kohën e duhur për depërtimin. Shembulli i tij duhet të na japë forcën që të investojmë te lojtarët që vijnë nga skuadra më të vogla”, përfundoi trajneri i kryesuesve të kampionatit italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 23:17

Ecuria e Juventusit nuk ndalet. Përballë skuadrës që këtë sezon po luan futbollin më të bukur në Itali, Udinezes, skuadra e Kontes ka fituar duke ditur të imponojë ritmin dhe duke shfrytëzuar në maksimum potencialin e saj sulmues.

Pa Vuçiniç të dëmtuar, Juventus është shfaqur në fushë me një formacion ku mes titullarëve mungonte edhe Markizio, ndërsa Kualjarela është partner i Matrit në repartin e avancuar. Menjëherë janë vendasit që tregojnë se duan me çdo kusht të fitojnë ndeshjen, duke imponuar ritmin e tyre por edhe duke qenë mjaft të vëmendshëm në prapavijë përballë kundërzbritjeve të Di Natales.

Goli i avantazhit për Juven vjen në minutën e 42-të, kur Matri arrin të shtyjë në rrjetë një grushtim të Handanoviç ndaj gjuajtjes me kokë të Kualjarelës. Por entuziazmi i vendasve nuk zgjat, pasi me fillimin e pjesës së dytë, një aksion model kundërsulmi i Udinezes sjell baraspeshën në shifra. Një kombinim Armero-Di Natale-Floro Flores, nxjerr këtë të fundit para portës dhe ai nuk gabon duke e dërguar topin pas krahëve të Bufon.

Për të zgjidhur situatën mendon përsëri Matri, i cili në minutën e 62-të arrin të rrotullohet në zonë dhe dërgon topin aty ku Handanoviç nuk mund të arrijë, duke kaluar përsëri përpara Juventusin.

Konte vendos të mos rrezikojë më dhe i jep udhëzime lojtarëve që të mbrojnë rezultatin në minutat e mbetura, gjë që juventinët e bëjnë më së miri. Ata marrin tre pikë që i vlejnë jo vetëm për të ruajtur kreun e renditjes, por edhe për t’u shkëputur tashmë 6 pikë nga Udineze që ishte një nga rivalët.

Në takimin tjetër të së shtunës, Katania dhe Parma janë ndarë në paqe në barazimin 1-1. (LajmeShqip.com)