Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 23:10

Janë dashur 7 javë që Interi të marrë 7 fitore radhazi dhe të kalojë nga një skuadër që rrezikonte rënien nga kategoria, në një skuadër që hyn në zonën e Ligës së Kampioneve dhe pretendon për titullin kampion.

Skuadra e drejtuar nga Ranieri ka arritur të mundë 2-1 Lacion që mbante pikërisht vendin e katërt, duke kapërcyer kryeqytetasit dhe duke mbetur vetëm 6 pikë larg kreut.

Ndeshja në fakt ka qenë më e komplikuar se mendohej për zikaltërit, të cilët janë gjetur në disavantazh në minutën e 30-të të takimit ku rRoki ka kaluar në avantazh miqtë me një gjuajtje me të djathtën. Megjithatë, para pushimit të ndeshjes ka menduar Milito të rivendosë barazinë duke kaluar Marketin.

Ndonëse është Lacio që kontrollon më shumë topin, Interi arrin të tregohet një skuadër cinike dhe gjen golin me Pacinin në minutën e 63-të, duke arritur më pas të administrojë avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.

Skuadra e Ranierit, falë kësaj ecurie të jashtëzakonshme, tani shihet përsëri si një pretendente për titullin kampion. (LajmeShqip.com)

Renditja

Juventus 41, Milan 40, Udineze 38, Inter 35, Lacio 33, Roma 30, Napoli 29, Palermo 24, Kievo 24, Xhenoa 24, Kaljari 23, Parma 23, Katania 22, Fiorentina 22, Atalanta 20, Bolonja 20, Siena 19, Çezena 15, Leçe 13, Novara 12.

 
Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 18:02

Paraqitja e jashtëzakonshme e Samir Ujkanit nuk i ka mjaftuar Novarës për t’i rezistuar Milanit. Portieri shqiptar ka qenë protagonist në këtë ndeshje duke shpëtuar disa herë portën nga gola të sigurt, por në pjesën e dytë të ndeshjes nuk ka mundur të bëjë asgjë ndaj Ibrahimoviç që ka shënuar një dopietë (një gol me thembër) për të vulosur fitoren 3-0 të Milanit, ndërsa goli tjetër është shënuar nga braziliani Robinjo.

Me këtë fitore, Milani vazhdon të mbajë vendin e dytë në renditjen e kampionatit, ku është vetëm 1 pikë pas Juventusit të vendit të parë. Hapin e kreut e mban edhe Udineze që çimenton vendin e tretë falë fitores 2-1 ndaj Katanias. Udhëheqësi i kësaj skuadre që ka çuditur të gjithë vazhdon të jetë Antonio D Natale, i cili për të tretin vit radhazi, e sheh veten në kreun e renditjes së golashënuesve më të mirë të Serisë A.  

Ndërkohë, Napoli ka bërë një tjetër hap fals në këtë sezon, duke barazuar 1-1 në fushën e Sienës, në kontrast me paraqitjen që bën në Ligën e Kampioneve ku është treguar një ekip i madh. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

22.01.2012

Bolonja-Parma          0-0

Leçe-Kievo                 0-0

Novara-Milan              0-3

Palermo-Xhenoa          5-3

Siena-Napoli                 1-1

Udineze-Katania           2-1

Kaljari-Fiorentina         0-0

 
Lajme Shqip Sunday, 22 January 2012 09:22

Juventus ka vazhduar të ruajë kryesimin i vetëm në Serinë A pas fitores 2-0 ndaj Atalantas, duke u shpallur “Kampion dimri”.

Pas një pjese të parë ku ishin vetëm bardhezinjtë që provuan në të gjitha mënyrat të shënonin, rezultati u zhbllokua në minutën e 55-të, kur Lihtshtainer gjeti rrugën e rrjetës me një goditje me kokë.

Mesfushori Xhakerini, i futur në fushën e lojës si zëvendësues, shënoi golin e dytë për Juyentus në minutën e 82-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar dhe duke i dhënë bardhezinjve një avantazh prej 4 pikësh ndaj Milanit që luan sot.

Në takimin tjetër të së shtunës, Françesko Toti shënoi dy herë brenda 8 minutave të para, duke kontribuar në suksesin 5-1 të Romës ndaj Çezenës. Kapiteni i kryeqytetasve çoi totalin e tij në 211 gola në Serinë A, duke kaluar Gunar Nordahl të Milan si golashënuesi më i mirë me fanellën e të njëjtës skuadër. (LajmeShqip.com)