Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 00:32

Java e 21-të e Serisë A, e përgjysmuar nga dëbora, ka sjellë rezultate mjaft të rëndësishme ku bie në sy fitorja 2-0 e Lacios ndaj Milanit. Kryeqytetasit kanë siguruar një sukses të rëndësishëm që jo vetëm i mban ato në vendin e katërt, por i ka afruar ndjeshëm me kreun. Heroi i ndeshjes ka qenë kapiteni Tomaso Roki, i cili fillimisht ka dhënë një pasim të artë për golin e parë të shënuar nga Hernanes, e më pas ka vulosur ndeshjen me një predhë të pakapshme për Abiatin. Me këtë humbje, kuqezinjtë i kanë dhënë një mundësi Juventusit të shkëputet në kreun e renditjes, pasi bardhezinjtë kanë një ndeshje të prapambetur dhe vazhdojnë të jenë një pikë para. 

Ndeshja më e çuditshme e javës ka qenë padyshim ajo mes Inter dhe Palermos, e përfunduar me rezultatin 4-4. Nga njëra anë, Diego Milito i është kthyer ditëve më të mira duke shënuar 4 gola në portën e palermitanëve. Por nga ana tjetër, Fabricio Mikoli ka dhuruar spektakël duke shënuar 3 herë për të marrë një pikë të rëndësishme në transfertë për ekipin e tij.

Një rezultat i rëndësishëm për t’u shënuar është edhe ai i Udinezes që me fitoren 2-1 ndaj Leçes mbetet 3 pikë larg kreut dhe vetëm 2 pikë larg Milanit të vendit të dytë. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Napoli-Çezena              0-0

Udineze-Leçe               2-1

Lacio-Milan                  2-0

Inter-Palermo             4-4

Kaljari-Roma               4-2

Renditja

Juventus 44, Milan 43, Udineze 41, Lacio 39, Inter 36, Roma 31, Napoli 30, Palermo 28, Xhenoa 27, Kaljari 26, Fiorentina 25, Parma 24, Kievo 24, Katania 23, Atalanta 23, Bolonja 21, Siena 19, Leçe 16, Çezena 16, Novara 12.