Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 22:23

Juventus ka kaluar Parmën në ndeshjen e javës së parë të Serisë A, duke fituar 2-0 për të vijuar serinë pozitive të sezonit të kaluar. Skuadra e drejtuar nga Karrera nuk ka qenë e shkëlqyer gjatë pjesës së parë, por ka bërë detyrën në pjesën e dytë, e udhëhequr nga Asamoah, një nga blerjet më cilësore të merkatos së verës për kampionët në fuqi. 

Pjesa e parë nuk ka patur shumë raste për t’u shënuar, edhe për shkak të vendosjes së mirë taktike të Parmës që nuk ka lënë shumë hapësira në prapavijë. Për më tepër, Vidal gabon një 11-metërsh në minutën e 34-t, pas një faulli të diskutueshëm në zonë ndaj Lihtshtajner.

Por me fillimin e pjesës së dytë, bardhezinjtë duken të transformuar, pasi janë më agresivë dhe krijojnë rrezikshmëri para portës kundërshtare. Pikërisht Asamoah është protagonist në minutën e 54-t kur pas një depërtimi të shpejtë në krahun e majtë, jep një pasim në qendër për Lihtshtajner që nuk mund të gabojë duke dërguar topin në rrjetë.

Kalojnë vetëm 4 minuta dhe Juventus gjen edhe golin e dytë, me autor Andrea Pirlon, i cili tregon zgjuarsinë e tij futbollistike me një goditje dënimi që portieri Mirante nuk e kontrollon siç duhet dhe topi kalon vijën e portës.

Kaq i mjafton Juventusit për të siguruar fitoren dhe në minutat e mbetura mendon vetëm si të administrojnë këtë rezultat që konfirmon se kampionët mbetet pretendentë kryesorë për titullin.

Në ndeshjen e pasdites, Fiorentina ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme 2-1 përballë Udinezes, falë golave të Stevan Jovetiç që ka përmbysur golin e Maikosuel në pjesën e parë të takimit. (LajmeShqip.com)