Lajme Shqip Sunday, 19 May 2013 23:12

Milani ka siguruar vendin e tretë në Serinë A dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, por fitorja 2-1 ndaj Sienës do të shoqërohet me polemika të shumta për mënyrën se si erdhi ky rezultat. 

Kuqezinjtë ishin në garë me Fiorentinën, e cila për vetë fitoi lehtësisht 5-1 ndaj Peskaras dhe ishte thuajse gjatë gjithë kohës më e vëmendshme me atë që i ndodhte skuadrës së Alegrit përballë Sienës.

Në fakt vendasit i bënë një nder kushërinjve, duke kaluar në avantazh të parët me anë të Tercit dhe duke bllokuar çdo tentativë të Milanit. Edhe largimi me karton të kuq i Ambrosinit nga njëra anë dhe Terlicit në anën tjetër dukej se nuk do të ndryshonte këtë rezultat dhe Milani po i afrohej një vendi të katërt të bujshëm.

Por në minutën e 83-të, Felipe shkakton faull ndaj Balotelit, e pavarësisht protestave të Sienës, gjyqtari bën shenjë nga pika e bardhë, ku si zakonisht gjuan vetë sulmuesi, përsëri i pagabueshëm. Por Milanit i duhej një tjetër gol për të siguruar Ligën e Kampioneve dhe e gjen atë vetëm 3 minuta më vonë, kur mbrojtja e Sienës harron në zonë Mekses, i cili ka kohën e duhur të ulë topin dhe të dërgojë topin në rrjetë. Me këtë fitore, Milani siguron vendin e tretë, ndërsa Fiorentina duhet të kënaqet me pjesëmarrjen në Europa League.

Atje do t’i bashkohet Udineze, skuadër që siguroi vendin e pestë pasi shkatërroi me rezultatin 5-2 Interin në “San Siro”, ku këtë radhë tifozeria zikaltër nuk pushoi së vërshëllyeri kundër skuadrës dhe duke kërkuar në kor dorëheqjen e drejtuesve për këtë sezon shkatërrimtar, të mbyllur në vendin e 9-të në klasifikim. (LajmeShqip.com)

Seria A

Java 38 / Rezultatet

Atalanta-Kievo 2-2

10’ Stendardo, 84’ Xhorxhi / 76’, 90’+3” Tero

Bolonja-Xhenoa           0-0

Kaljari-Lacio                1-0

76’ Desena

Torino-Katania 2-2

53’ Çerçi, 83’ Bianki / 25’ Almiron, 62’ Bergesio

Peskara-Fiorentina       1-5

77’ Vitiljo / 16’, 24, 59’ Ljajiç, 28’ Fernandez, 54’ Jovetiç

Siena-Milan                  1-2

25’ Terci / 84’ (p) Baloteli, 87’ Mekses

Roma-Napoli               2-1

47’ Markinjo, 58’ Destro / 84’ Kavani

Palermo-Parma            1-3

76’ Mikoli / 38’ Gobi, 41’ Valdes, 45’ Belfodil

Inter-Udineze               2-5

12’ Huan, 63’ Roki / 1’ Pinzi, 10’ Domici, 41’ Di Natale, 52’ Gabriel Silva, 67’ Muriel

Klasifikimi: Juventus 87; Napoli 78; Milan 72; Fiorentina 70; Udinese 66; Roma 62; Lacio 61; Katania 56; Inter 54; Parma 49; Kaljari 47; Kievo 45; Bolonja 44; Sampdoria 42; Atalanta 40; Torino 39; Xhenoa 38; Palermo 32; Siena 30; Peskara 22. (Penalizime: Siena -6, Atalanta -2, Torino -1, Sampdoria -1).

 
Lajme Shqip Saturday, 18 May 2013 23:11

Juventusi ka dominuar kampionatin italian në këtë sezon, por bardhezinjtë nuk kanë arritur ta mbyllin me një fitore Serinë A, pasi janë mundur në javën e fundit nga Sampdoria me rezultatin 3-2. Për më tepër, skuadra gjenoveze bëhet e vetmja që ka një bilanc pozitiv në këtë vit në Serinë A, pasi ka arritur të mundë në të dy ndeshjet ekipin e Kontes. 

Bardhezinjtë e filluan mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh me anë të Kualjarela, pas një mori rastesh të krijuara, por baraspesha në shifra u vendos pak minuta më vonë nga një penallti e Eder.

Edhe në pjesën e dytë ishte Juventusi që kishtr iniciativën, duke kërkuar me ngulm golin, por në momentin më të mirë të kampioneve, Sampdoria godet përsëri me De Silvestrin. Konte orienton tërësisht drejt sulmit skuadrën e tij, por në këtë mënyrë i krijon mundësinë vendasve që të kundërsulmojnë rrezikshëm, me Ikardin që gjen golin e tretë për skuadrën e tij.

Një gol i Xhakerinit në fund të takimit nuk shërbeu për të kthyer ndeshjen për Juventusin, që largohet kokulur pas humbjes 3-2, duke u ndalur në kuotën e 87 pikëve në kampionat, ndërsa kishte shpresuar që të thyente rekordin e pikëve në këtë sezon ku ishte forca dominuese e Serisë A. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 23:04

Emri i skuadrës së tretë që do të luajë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm nga kampionati italian do të mësohet vetëm në javën e fundit të Serisë A, pasi Milani që mban aktualisht vendin e tretë në kampionat nuk ka arritur të presë biletën sot me një fitore ndaj Romës. Kuqezinjtë janë ndalur në barazim 0-0 nga Roma në “San Siro” dhe ruajnë një avantazh prej dy pikësh ndaj Fiorentinës që i ndjek në renditje.

Tashmë atyre u duhet një sukses në javën e ardhshme në fushën e Sienës, të ndërgjegjshëm që kundërshtarët e tyre nuk luajnë për asgjë pasi kanë rënë matematikisht në Serinë B. Por këta të fundit mund të kërkojnë t’u bëjnë një nder kushërinjve të Fiorentinës që nga ana e tyre në javën e fundit luajnë një ndeshje shumë të thjeshtë në letër në fushën e Peskara.

Por takimi i mbrëmshëm mes Milanit dhe Romës, më shumë se për emocionet në fushë do të kujtohet për skandalin e radhës të racizmit në Itali. Tifozët e Romës kanë ulëritur vazhdimisht dhe kanë lëshuar kore të njëpasnjëshme raciste në adresë të lojtarëve me ngjyrë të Milanit, e sidomos Mario Balotelit. Pas rasteve të përsëritura, gjyqtari Roki ka ndërprerë për dy minuta ndeshjen në pjesnë e dytë dhe vetëm pas qetësimit të situatës dhe paralajmërimit me altoparlant për ndërprerjen e plotë të takimit, është rifilluar ndeshja. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 18:27

Nëse tre vite më parë Interi fitonte kampionatin, Kupën dhe Ligën e Kampioneve, në sezonin e ardhshëm zikaltërit do të kenë pushim mesjavat, pasi zikaltërit kanë humbur përfundimisht mundësinë të marrin pjesë në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm. Skuadra e Stramaçionit, pas barazimit 0-0 me Xhenoan në ndeshjen e parafundit në kampionat, ka mbetur në vendin 9-të në renditje, ndërsa nuk ka mundësinë tashmë matematike të marrë pjesë as në Europa League në vitin tjetër. 

Një skuadër që vazhdon të shpresojë në Ligën e Kampioneve është Fiorentina, e cila ka fituar 1-0 ndaj Palermos për të mbetur një pikë pas Milanit të vendit të tretë, edhe pse kuqezinjtë kanë një ndeshje më pak se ata. Humbja e Palermos dekretoi edhe rënien nga kategoria të kësaj skuadre. Bashkë me të, në Serinë B do të shkoj edhe Siena, e mundur 2-1 nga Napoli i vendit të dytë.

Ndërkohë, mbetet e ndezur deri në javën e fundit lufta për një vend në Europa League në sezonin e ardhshëm, pas një dueli mes Udinezes e Lacios që luftojnë për vendin e 5-të në klasifikim. (LajmeShqip.com)

Seria A

Java 37 / Rezultatet

Xhenoa-Inter                  0-0

Fiorentina-Palermo       1-0

41’ Toni

Kievo-Torino                  1-1

10’ Tero / 19’ (p) Çerçi

Udineze-Atalanata         2-1

42’, 52’ Di Natale / 10’ De Luka

Lacio-Sampdoria          2-0

10’ Flokari, 90’ (p) Kandreva

Napoli-Siena                 2-1

73’ Kavani, 90’ Hamshik / 36’ Grilo

Klasifikimi: Juventus 87 pikë, Napoli 78, Milan 68, Fiorentina 67, Udineze 63, Lacio 61, Roma 58, Katania 55, Inter 54, Parma 46, Kaljari 44, Kievo 44, Bolonja 40, Sampdoria 39, Atalanta 39, Torino 38, Xhenoa 37, Palermo 32, Siena 30, Peskara 22.

 
Lajme Shqip Saturday, 11 May 2013 21:13

Rekordi i 91 pikëve në një kampionat i vendosur nga Juventusi i Fabio Kapelos në vitin 2006 do të qëndrojë në fuqi për të paktën edhe një sezon, pasi bardhezinjtë e Antonio Kontes nuk do të mund ta thyejnë në këtë edicion të Serisë A. 

Juventusit i duheshin 2 fitore në dy ndeshjet e fundit të Serisë A për të kaluar këtë kuotë pikësh, por tentativa e tyre ka dështuar që në provën e parë, pasi në “Juventus Stadium”, në ditënr kur do të festohej titulli kampion, ata janë ndalur nga Kaljari në barazim 1-1.

Pakkush e priste këtë rezultat, duke pasur parasysh se Kaljari nuk luante për asgjë dhe kishte siguruar prej kohësh mbijetesën në Serinë A. Por sardët kanë dhënë një shembull konkret se si duhet respektuar kampionati dhe nuk janë dorëzuar para Juventusit.

Për më tepër kanë qenë miqtë që kanë kaluar në avantazh me anë të Ibarbo në fillimin e ndeshjes, ndërsa i kanë bërë rezistencë sulmeve të ekipit vendas, që gjeti golin e barazimit me Vuçiniç në pjesën e dytë vetëm falë një pasigurie të portierit Agazi.

Ky në fakt ishte objektivi që Juventusi i kishte vënë vetes në këtë fund kampionati, por duket se do ta tentojë në sezonin pasardhës, meqë pritet që të jetë përsëri pretendente kryesore për titullin kampion në Itali. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 May 2013 23:12

Fate të kundërta për dy skuadrat e Milanos që në këtë sezon kanë nisur procesin e rinovimit të tyre. Nga njëra anë, Milani po bëhet gati të sigurojë në fundjavë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, ndërsa nga ana tjetër, Interi sheh t’i largohet edhe pjesëmarrja në Europa League, pasi tashmë është në vendin e 8-të në kampionat. 

Milani ka kaluar pa shumë probleme me rezultatin 4-0 skuadrën e Peskaras, duke fituar në fushën e kësaj të fundit lehtësisht. Dy golave të të zakonshmit Baloteli i janë shtuar edhe ato të mesfushorëve Muntari e Flamini, duke bërë që kuqezinjve t’u mjaftojë një fitore në dy ndeshjet e mbetura për të siguruar përfundimisht vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.

Skuadra tjetër e Milanos, Interi, po bëhet gati për një tjetër vit me vuajtje, larg skenës më të rëndësishme evropiane, pasi humbja 3-1 në shtëpi ndaj Lacios ka bërë që zikaltërit të përfundojnë në vendin e 8-të në renditje dhe nëse nuk tregohen të vëmendshëm në javët e fundit, mund të kalohen edhe nga Katania. Në një situatë të tillë, tifozeria ka filluar të kontestojë rëndë klubin, duke akuzuar drejtuesit për paaftësi, siç e kanë shprehur publikisht nëpërmjet një liste të gjatë me kërkesa që kanë vendosur në formë parullash në shkallët e “San Siros”. Megjithatë, duhet theksuar se për ekipin e Stramaçionit vazhdon mallkimi i dëmtimeve, pasi në këtë ndeshje u dëmtuan Xhonatan dhe Ranokia.

Ndërkohë, vazhdon ecuria e fitoreve për Juventusin e Kontes që ka mundur Atalantan me rezultatin 1-0 dhe i afrohet më shumë rekordit të 92 pikëve në kampionat, i arritshëm nëse fitohen edhe dy sfidat e fundit të mbetura nga ky sezon. (LajmeShqip.com)

Seria A

Java 36 / Rezultatet

Peskara-Milan              0-4

10’ (p), 57” Baloteli, 33’ Muntari, 51’ Flamini

Atalanta-Juventus         0-1

18’ Matri

Bolonja-Napoli 0-3

53’ Hamshik, 63’ (p) Kavani, 67’ Xhemajli

Kaljari-Parma               0-1

80’ Rosi

Inter-Lacio                   1-3

33’ Alvarez / 22’ (ag) Handanoviç, 45’+3’ Hernanes, 77’ Onazi

Palermo-Udineze          2-3

34’ (p) Mikoli, 81’ Hernandez / 9’ Muriel, 64’ Anxhela, 83’ Benatia

Sampdoria-Katania      1-1

35’ De Silvestri / 68′ Spoli

Siena-Fiorentina           0-1

14’ Gonzalo Rodriguez

Torino-Xhenoa 0-0

Klasifikimi: Juventus 86 pikë; Napoli 75; Milan 68; Fiorentina 64; Udineze 60, Roma 58; Lacio 58; Inter 53; Katania 52; Parma 46, Kaljari 43, Kievo; Bolonja 40; Atalanta 39; Sampdoria 39; Torino 37; Xhenoa 36; Palermo 32; Siena 30; Peskara 22. (Penalizime: Siena -6, Atalanta -2, Torino -1, Sampdoria -1).

 
Lajme Shqip Sunday, 05 May 2013 22:49

Interi në sezonin e ardhshëm mund të qëndrojë jashtë Kupave të Evropës. Zikaltërit, kur mbeten 3 javë nga fundi i Serisë A, janë në vendin e 8-të, pozicion të cilin e kanë “fituar” pas humbjes 3-1 në fushën e Napolit, ku regjistruan disfatën e 14-të të këtij edicioni, të 4-tën në 5 ndeshjet e fundit. 

Pavarësisht mungesave të shumta për shkak dëmtimesh në radhët e zikaltërve, Napoli ka dominuar bindshëm që nga minuta e parë në të fundit, duke gjetur 3 herë rrugën e rrjetës me Edinson Kavanin, i zgjuar përsëri në pjesën e dytë të sezonit dhe falë golave të tij ka arritur të mbajë ekipin në vendin e dytë në renditje. I vetmi sinjal i Interit ishte penalltia e shënuar nga Alvarez, shumë pak për një skuadër që teorikisht duhej ta kishte interpretuar këtë ndeshje për jetë a vdekje.

Nëse zikaltërit i dhanë fund ëndrrave të tyre për Ligën e Kampioneve dhe kanë ende pak shpresa për pjesëmarrjen në Europa League, napolitanët kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në turneun më të rëndësishëm për klube në Evropë dhe në javët e mbetura do të kërkojnë të mbrojnë vendin e dytë nga sulmet e Milanit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 May 2013 18:17

Juventusi është shpallur për vitin e dytë radhazi kampione e Italisë, pasi me fitoren e sotme 1-0 ndaj Palermos, ka siguruar matematikisht trofeun që sipas Federatës Italiane është i 29-ti, ndërsa vetë bardhezinjtë numërojnë 31 të tillë, duke rreshtuar edhe ata dy që janë hequr nga procesi “Calciopoli”. 

Fitorja e sotme e Juventusit ndaj Palermos i ka hequr përfundimisht çdo dyshim titullit të bardhezinjve, të cilët kanë fituar fal golit të Vidal me penallti në pjesën e dytë të ndeshjes dhe janë konfirmuar si ekipi më i fortë në Itali. Tashmë skuadra e Kontes do të kërkojë të bëjë hapin cilësor edhe në Evropë, ndërsa pritet të mësohen se cilat janë lëvizjet në merkato për klubin torinez.

Në ndeshjet e sotme, një fitore shumë e rëndësishme ka qenë ajo e Milanit me rezultatin 1-0 ndaj Torinos, me Mario Balotelin që ka gjetur rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e tij të 9-të në 10 ndeshjet që është aktivizuar për kuqezinjtë. Kjo është një mesatare mbresëlënëse për sulmuesin italian që me golat e tij po mban Milanin në vendin e tretë në renditje, duke i siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

Përsa i përket luftës për mbijetesë, fitorja e Xhenoas me rezultatin 4-1 ndaj Peskaras ka komplikuar përsëri pozitat e Palermos dhe Sienës, skuadra të cilat bashkë me Paskaran janë kandidate kryesore për të rënë në Serinë B. (LajmeShqip.com)

Seria A

Java 35 / Rezultatet

Udineze-Sampdoria     3-1

29’, 52’ Di Natale, 87’ Muriel / 34’ Eder

Parma-Atalanta            2-0

44’ Parolo, 58’ Biabiani

Lacio-Bolonja               6-0

22’, 36’, 39’, 50’, 61’ Klose, 32’ Hernanes

Juventus-Palermo        1-0

59’ (p) Vidal

Xhenoa-Peskara           4-1

19’ Floro Flores, 30’, 54’ Borrielo, 70’ Bertolaçi / 35’ Skuli

Katania-Siena               3-0

14’, 52’, 71’ Bergesio

Milan-Torino                  1-0

84’ Baloteli

Klasifikimi: Juventus 83 pikë; Napoli 69; Milan 65; Fiorentina 61; Roma 58; Udineze 57; Lacio 55; Inter 53; Katania 51; Kaljari 43, Parma 43; Bolonja 40; Kievo 40, Atalanta 39; Sampdoria 38; Torino 36;  Xhenoa 35; Palermo 32; Siena 30; Peskara 22. (Penalizime: Siena -6, Atalanta -2, Torino -1, Sampdoria -1).

 
Lajme Shqip Sunday, 28 April 2013 23:05

Milani ka mbrojtur vendin e tretë në Serinë A me një fitore shumë të rëndësishme 4-2 përballë Katanias, ndonëse i është dashur të djerësijë shumë për të marrë këto tri pikë, pasi e ka parë veten dy herë në disavantazh. 

Miqtë kaluan të parët në avantazh që në minutën e 30-të me Legrotaljen, në atë që ishte gjuajtja e tyre e parë në portë në një pjesë të parë të dominuar nga Milani. Fatmirësisht për Alegrin, posti i të cilit në drejtimin e kuqezinjve është vënë në diskutim, Flamini arriti të barazonte rezultatin para fundit të pjesë së parë.

Por Katania u tregua e aftë të shfrytëzonte një tjetër gabim në prapavijën e Milanit për të shënuar golin e dytë me Bergesion, kur luhej minuta e 65-të e ndeshjes. Në disavantazh për të dytën herë, Alegri gjen menjëherë zëvendësimin e duhur, duke hedhur në fushë Pacinin, i cili brenda 3 minutash shënon 2 gola për të kthyer plotësisht ndeshjen në favor të Milanit. Në fund ka kohë për pak lavdi edhe për Mario Balotelin, që shënon golin e radhës me një penallti të cilën e fitoi vetë, për të vulosur rezultatin përfundimtar 4-2.

Suksesi ktheu përsëri Milanin në vendin e tretë në klasifikim, ndërsa tani ka 1 pikë më shumë se Fiorentina që e ndjek hap pas hapi në luftën për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 28 April 2013 17:27

Juventusi ka vazhduar dominimin në derbin e Torinos, duke mposhtur 2-0 skuadrën që mban emrin e këtij qyteti, pas një ndeshje që nuk do të kalojë pa polemika.

Shkak për të është një penallti e mohuar në minutat e fundit për Torinon, kur rezultati ishte 0-0, ndërsa pas saj, në minutat 86 dhe 92 erdhën dy golat e bardhezinjve me Vidal e Markizio. Skuadra e Kontes ka mundësinë që në takimin e javës së ardhshme ndaj Palermos të sigurojë matematikisht titullin kampion, nga i cili e ndajnë vetëm 2 pikë.

Nëse titulli kampion është çështje praktikisht e mbaruar, lufta për të siguruar vendin e tretë në renditje që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve bëhet gjithnjë e më e ethshme. Fiorentina, me fitoren 3-0 ndaj Sampdorias mbetet plotësisht në garë për të siguruar vendin e tretë, të cilin e mban tani me një diferencë prej 2 pikësh nga Milani që luan në darkë.

Në pritje të një gabimi të mundshëm nga skuadrat që janë përpara është edhe Roma, e cila është zgjuar në javët e fundit dhe sot ka mundur lehtësisht 4-0 skuadrën e Sienës. Në javët e ardhshme, verdhekuqtë luajnë pikërisht ndaj Fiorentinës e Milanit, që do të thotë se me dy fitore në sfidat direkte, mund të jenë në një pozicion shumë të favorshëm për të siguruar Ligën e Kampioneve.

Një skuadër që i ka thënë përfundimisht lamtumirë ëndrrave për turneun më të rëndësishëm evropian për klube është Interi, që sot u mund nga Palermo në një ndeshse ku zikaltërit dhanë paraqitjen zhgënjyese të radhës. Për më tepër, ka ardhur një tjetër dëmtim, ai i kapitenit Zaneti, i cili është larguar nga fusha e lojës që në minutat e para dhe pritet t’i ketë dhënë lamtumirën këtij sezoni, ashtu si shumë futbollistë të tjerë të zikaltërve në këtë edicion që ka qenë i mallkar për ta. (LajmeShqip.com)

Seria A

Java 34 / Rezultatet

Sampdoria-Fiorentina       0-3

36′ Kuadrado, 41′ Ljajiç, 73′ Akuilani

Kievo-Xhenoa                    0-1

73′ Borrielo

Palermo-Inter                    1-0

10’ Iliçiç

Torino-Juventus                0-2

86′ Vidal, 90’+2’ Markizio

Parma-Lacio                     0-0

Roma-Siena                      4-0

14’, 41’, 67’ Osvaldo, 16’ Lamela

Klasifikimi: Juventus 80 pikë, Napoli 69, Fiorentina 61, Milan 59, Roma 55, Udineze 54, Inter 53, Lacio 52, Katania 48, Kaljari 42, Bolonja 40, Parma 40, Atalanta 39, Kievo 39, Sampdoria 38, Torino 36, Palermo 32, Xhenoa 32, Siena 30, Peskara 22.