Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 15:12

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk ekziston asnjë arsye e justifikueshme për të vonuar vendimin për datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai u ka thënë gazetarëve në Beograd se për Serbinë nuk është e pranueshme që të presë edhe gjashtë muaj, sepse një gjë e tillë do të nënkuptonte “edhe gjashtë muaj vështirësi, të cilat tashmë ekzistojnë në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”.
“Nuk është e mjaftueshme që kemi vështirësi në zbatimin e marrëveshjes me Prishtinën, por duhet të mendojmë nëse Këshilli i BE-së, në muajin dhjetor, do të sjellë vendim apo do të ketë pyetje të reja”, ka thënë Daçiq.
Këshilli i Evropës pritet të mblidhet më 28 qershor, ndërsa diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë dhënë sinjale se ai do të marrë vendim pozitiv për Serbinë.Ndërkohë edhe Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pret lajme “shumë të mira” për vendin e tij, më 27 dhe 28 qershor, kur Këshilli i Evropës të vendosë për t’i ndarë datën e negociatave për anëtarësim në BE.
“Me gjithë atmosferën e keqe, pres lajme shumë të mira sepse Serbia ka bërë gjithçka që i është kërkuar”, ka thënë Vuçiq.