Lajme Shqip Monday, 03 February 2014 12:11

Ideja e bashkimit të selive diplomatike që është hedhur së fundmi në Ballkan ka provokuar debate dhe aktivizuar dyshimin karakteristik ballkanik. Por a sjell ajo probleme?

Sipas ish-drejtorit të Drejtorisë Politike në Ministrinë e Jashtme, Shpëtim Çuçka, çështja duhet referuar së pari në të drejtën ndërkombëtare dhe mandej në planin politik. Ky i dyti, mund të japë efekte të vërteta, vetëm nëse shtysat e unifikimit të selive vijnë nga brenda dhe jo si sugjerime nga jashtë.

 Z. Çuçka, kohët e fundit disa vende në rajon kanë hedhur idenë për seli të përbashkëta diplomatike. Çfarë përfaqëson sipas jush kjo ide?

 Ndryshimet që kanë ndodhur në jetën politike ndërkombëtare gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit kanë sjellë ndër të tjera edhe pasoja jo të vogla, për ta thënë butë kështu, në rrafshin diplomatiko- juridik. Është vënë re një shtim i rasteve të shpërfilljes së normave të së drejtës ndërkombëtare dhe, ç’është më e rëndë, të shkeljes së hapur të statutit të OKB-së. 

Lajmi, që u dha në shtypin tonë dhe për të cilin ju pyesni, nuk është i qartë nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Konkretisht: ç’do të thotë “seli të përbashkëta diplomatike”?

 Kuptohet, këtu fjala që sjell paqartësi është “të përbashkëta”. Mos me këtë nënkuptohet që personeli i një përfaqësie të tillë diplomatike do të përbëhet nga nëpunës të disa shteteve? Mirëpo e drejta ndërkombëtare njeh, domethënë pranon, vetëm përfaqësitë e subjekteve të së drejtës ndërkombëtare ose, thënë më thjeshtë, përfaqësitë e shteteve të veçanta.

 Vetë këto shtete mund të mbajnë marrëdhënie me organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe të shkëmbejnë me to përfaqësi mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, por as organizatat ndërkombëtare dhe as grupshtetet nuk përbëjnë subjekte të së drejtës ndërkombëtare në kuptimin juridik të termit. 

Pse? Sepse themeli i së drejtës ndërkombëtare është statuti i OKB-së, pra, i Organizatës së Kombeve (d.m.th shteteve, vendeve) të Bashkuara. 

Rrjedhimisht, dy a më shumë shtete mund të duan të krijojnë përfaqësi të përbashkëta, por, për sa kohë që ato nuk kanë krijuar një subjekt të vetëm të së drejtës ndërkombëtare, pra, për sa kohë nuk kanë hequr dorë nga subjektiviteti i mëparshëm për të marrë  subjektivitetin e ri, atëherë edhe hapja prej tyre e një përfaqësie të përbashkët është një veprim juridikisht i pamundur: 

i pamundur si për shtetin e veçantë, që merr pjesë në ngritjen e një përfaqësie të përbashkët (kushtetuta e një vendi nuk mundet parimisht të autorizojë kalimin e qëndrueshëm dhe për çdo çështje të së drejtës së përfaqësimit te një institucionsubjekt me përbërje të huaj, domethënë të autorizojë lënien e sovranitetit), 

ashtu edhe për shtetin pritës, i cili në kontakte me përfaqësinë diplomatike “të përbashkët” ose me titullarin e saj nuk do ta ketë të qartë rast pas rasti se me përfaqësuesin e cilit shtet ka të bëjë dhe cilit shtet mund t’i ankohet për shkeljet e mundshme të titullarit ose anëtarëve të përfaqësisë.

 Ndërkohë në praktikën ndërkombëtare njihet si diçka e rregullt rasti, kur një shtet zgjedh mundësinë që interesat e tij në një shtet të caktuar të trajtohen dhe të mbrohen nga përfaqësia diplomatike e një shteti të tretë.

 Në thelb këtu kemi të bëjmë me dukurinë e ndërmjetësisë. Dhe për këtë mjafton që të trija palët, shteti që kërkon përfaqësimin, shteti që ka përfaqësinë dhe shteti pritës të japin pëlqimin. 

Të dhënat publike për rastin në fjalë të vendeve fqinjë janë të pamjaftueshme dhe rreth kësaj çështjeje vetëm mund të bëhen hamendësime. 

Në rast se ka një përpjekje të disa shteteve të ish-Jugosllavisë për të shfrytëzuar këmbyerazi përfaqësitë e njëri-tjetrit në vende të treta dhe në rast se kjo është një prirje e brendshme e jo një “sugjerim” nga jashtë, atëherë mund të thuhet se kjo përçapje është shenjë e qartë e një vullneti politik për t’u afruar me njëri-tjetrin.

 Mendoj se nuk do të ishte aspak çudi sikur nisma të vinte si shtysë e brendshme e vetë këtyre vendeve. Pas disa dhjetëvjeçarësh bashkëpunimi brenda një shteti dhe 20 e ca vjetësh jetese  ndarazi këto vende i 

kanë pasur të gjitha mundësitë të arrijnë në një përfundim pak a shumë të qartë se cila periudhë për ta ishte më e dobishme, më e frytshme, më e sigurt, cili mekanizëm organizimi politik ihste më i përparuar. Shkruante historiani romak Salusti: 

“Nga bashkimi shtohen edhe gjërat e vogla, nga përçarja shkatërrohen edhe të mëdhatë”. Nuk përjashtohet që kjo ide a nismë të vijë edhe nga “sugjerime” shtetesh a faktorësh të fuqishëm

. Edhe në këtë rast ajo mund të ecë drejt realizimit, por bindja ime është se në këtë rrethanë ajo nuk do të jetë vepruese dhe e qëndrueshme. Filozofia ka kohë që ka arritur në përfundimin se burimi i lëvizjes është vetëlëvizja. 

Pritet së shpejti një vizitë e z. Rama në Beograd. Pse mendoni ju bëhet kjo vizitë dhe nëse mund të jepni një shpjegim, ka vlerë fakti që është një përfaqësues i Shqipërisë që shkon në Serbi dhe jo anasjelltas? 

Nga të gjitha vendet fqinjë Serbia është vendi rajonal dhe evropian, me të cilin kemi pasur dhe kemi marrëdhëniet më të dobëta që nga koha e krijimit të shtetit shqiptar.

 Dhe nëse do të nisemi nga mënyra si shpaloset sot publikisht qëndrimi i shqiptarëve – kryesisht i njerëzve të politikës, të shtypit dhe inteligjencies – ndaj këtij shteti, atëherë krijohet përshtypja se Serbia përbën një fatkeqësi historike dhe të sotme për vendin dhe popullin tonë, fatkeqësinë pakrahasueshmërisht më të madhe për ne, një fatkeqësi jo vetëm të pashlyeshme nga kujtesa, por edhe të pakapërcyeshme praktikisht. 

Është e qartë se nëse shoqëria dhe qeveritë tona do të vazhdojnë t’i përmbahen këtij vlerësimi dhe këtij qëndrimi, natyrisht që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona do të mbeten në pikën e sotme, madje, pse jo, do të shkojnë drejt zeros së pakufizuar. 

Sepse mbajtja dhe zhvillimi i marrëdhënieve janë më të vështirë sesa prishja e tyre. Për të mbajtur dhe zhvilluar marrëdhëniet duhet vullneti i dy palëve, për t’i prishur ato mjafton edhe vullneti i njërës palë.

 Në vitin 2002 Shqipëria ndërmori, pas 51 vjetësh, një vizitë në nivel ministri të Jashtëm në Serbi. Dhe gjatë asaj vizite doli, ndër sa e sa gjëra të tjera, edhe diçka e panjohur për palën tonë: 

që në universitetin e Beogradit punonte katedra më e vjetër e gjuhës shqipe në Ballkan, e vitit 1926. Sot pothuajse 12 vjet nga ajo vizitë do të  duhej të shtrohej pyetja: Cilat kanë qenë rrjedhojat e saj? Serioziteti i veprimtarisë së shtetit kërkon që kjo pyetje të marrë – madje duhej ta kishte marrë ndërkohë – një përgjigje sa më të qartë, sa më të plotë dhe sa më objektive. 

Unë e kam të vështirë të përfytyroj ndërmarrjen e një hapi të dytë të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, në kushtet kur platforma e përgatitjes së këtij hapi nuk do të ngrihej edhe mbi një përgjigje të tillë. 

Për aq sa jam në dijeni, në politikën tonë të jashtme të njëzet e ca viteve të fundit aspekti i përgatitjes analitike dhe të mirëstudiuar të takimeve më të rëndësishme politike me shtete a organizata të ndryshme ka qenë njëra ndër mangësitë më serioze, pra, edhe njëri prej shkaqeve më të rëndësishme të mossukseseve.

 Ju shtroni pyetjen, që besoj se duhet të jetë me interes për lexuesit e gazetës suaj, se përse (sipas meje) ndërmerret vizita e kryeministrit tonë në Beograd. Unë nuk mund të them se për cilat arsye dhe nën cilat shtysa – të brendshme apo të jashtme – po ndërmerret ajo. Dhe, që të shprehem edhe më hapur, nuk e përqendroj aq vëmendjen te kjo pikë. Si rregull një sqarim të tillë askush nuk do të mund ta bënte më mirë sesa vetë kryeministri nëpërmjet një interviste për mjetet e informacionit publik, sikurse është praktikë e një diplomacie serioze dhe qëllimmirë. Por unë kam mendimin tim se përse do të duhej të ndërmerrej një vizitë e një niveli kaq të lartë në Serbi. 

Dhe mendimi im është që kjo vizitë do të duhej të nisej vetëm nga arsyet tona shtetërore dhe nga asnjë arsye tjetër e jashtme, cilado qoftë ajo.

 Unë mendoj që, përderisa një kryeministër i vendit tim e gjeti të arsyeshme ta kryejë këtë vizitë, synimet e saj duhet të jenë të rëndësishme dhe kurrsesi për imazh, duhet të jenë largshikuese dhe jo rastësore, të thella dhe jo sipërfaqësore, të qëndrueshme dhe jo të çastit. 

Në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë ka nevojë të kryhet një kthesë, një kthesë e vërtetë, në emër të rregullimit përfundimtar të marrëdhënieve dhe të zhvillimit të shkëmbimeve në të gjitha fushat me interes të dyanshëm, nga politika e diplomacia deri tek ekonomia, arsimi, kultura dhe, së fundi, turizmi. 

Ndërmjet dy popujve tanë ka aq shumë pika takimi dhe aq ngjashmëri të mira, sa vështirë të përfytyrohet. Ndërmarrja e një vizite kthese do të ishte një hap guximi historik për të kapërcyer të gjitha ato pengesa të 

krijuara dhe të ushqyera nga mendësi e, pse jo, edhe keqdashje të caktuara – faktorësh të jashtëm por edhe të brendshëm – pengesa, mendësi e faktorë që e kanë lënë vendin tonë, për ta shprehur me gjuhë shahistike, në gjendje pati. 

Sa për pyetjen se cila është vlera e faktit “që është një përfaqësues i Shqipërisë që shkon në Serbi dhe jo anasjelltas” do të thosha se, kur një vizitë është vërtet e rëndësishme, atëherë çështja se cila palë e ndërmerr udhëtimin bëhet dytësore.

 Qeveritarët tanë në këta dhjetëvjeçarë pas 1990-ës kanë ndërmarrë aq vizita në vende, me të cilat nuk na lidh praktikisht asgjë, ose kanë kryer vizitë në raste, kur vizitën do të ishte dashur rreptësisht ta ndërmerrte pala e huaj për shkak të interesit të saj diplomatik, saqë ngjarja, për të cilën po më pyesni, nuk mund të vlejë për krahasim.  

Rasti Shqipëri-Kosovë dhe rasti i multietnicitetit Në mjedisin politik shqiptar nuk duket se ka një ide të qartë mbi këtë çështje, por këtu duhet shkëputur qëndrimi i kryetarit të Kuvendit, Z. Meta, i cili u shpreh se ideja e ambasadave të përbashkëta duhet të aplikohet edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në fakt ka mundësi reale që kjo gjë të bëhet dhe çfarë dobie do të sillte ajo, sipas jush? 

Nuk mund të them që në zyra të caktuara të shtetit tonë mungon informacioni rreth një nisme të tillë të mundshme dhe një vlerësim përkatës. Ndërkohë pyetja juaj sikur mbart një hije shqetësimi lidhur me hapin që mund të hedhin disa vende të rajonit për të bashkërenduar veprimtarinë diplomatike. 

Të krijohet përshtypja sikur kjo nismë do të ishte e pakëndshme për ne dhe se për këtë arsye e si kundërpeshë ndaj saj edhe ne do të duhej të ndërmerrnim të njëjtin veprim me Kosovën.

 Bindja ime është se përvojat e mira dhe të këqija të vendeve të tjera, sidomos atyre jo të mëdha dhe që ndodhen pranë nesh, do të duheshin trajtuar me qetësi dhe duke nxjerrë përfundime të vlefshme. Ne, sipas meje, e bëjmë këtë në mënyrë të pamjaftueshme, për të mos thënë që nuk e bëjmë fare. 

Ndërkaq në historinë tonë të largët por edhe më të afërt shpesh kemi bërë me tepri, edhe në fushën e marrëdhënieve me jashtë, diçka tjetër: kemi përqafuar mënyrën e sjelljes së shteteve të fuqishme. Pikërisht nga pozat prej të fuqishmi na kanë ardhur jo pak të këqija. 

Nuk jam në gjendje të marr me mend se çka dashur të thotë kryetari i Kuvendit lidhur me nevojën për të zbatuar edhe ne idenë e ambasadave të përbashkëta. Po të jetë për përfaqësimin e ndërsjellë diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës në vende të treta, kjo duket fare normale, aq më tepër në dritën e takimeve të qeverisë sonë me atë të Kosovës.

 Por gjithnjë duhet ruajtur përkatësia shtetërore e përfaqësive dhe duhet mbajtur mirë parasysh çështja nëse një vend i caktuar e ka njohur apo jo Kosovën si shtet të pavarur.

 Në këtë rast nuk mund të merret përsipër nga ne roli i përfaqësimit të Kosovës, pasi kjo do të shihej nga shteti pritës si një provokim. Sa për dobinë që do të kishte nga kjo Shqipëria dhe Kosova, do të thosha se përveç leverdisë financiare (shkurtimit të shpenzimeve për të mbajtur përfaqësi diplomatike atje ku ka një të tillë pala tjetër) 

është edhe përfitimi diplomatik, pasi secili nga dy vendet, si Shqipëria ashtu edhe Kosova, do ta zgjeronin sferën e veprimit të tyre diplomatik duke përfituar nga  ndihmesa e palës tjetër. Natyrisht këtu ka edhe një faktor tjetër që duhet mbajtur parasysh mirë: cilësia e kryerjes së shërbimit diplomatik. Në këtë pikë shërbimi ynë (për atë të Kosovës nuk mund të flas) ka pasur probleme të shumta dhe të mprehta.

 Në kushtet kur shumica e shteteve ballkanike që kanë iniciuar këtë nismë, janë multietnike, ky lloj bashkëpunimi mund të rezultojë problematik? 

Nuk e kam për parim të trajtoj bashkëpunimin e të tjerëve, kur nuk konstatoj që nga ky bashkëpunim mund të vijë diçka haptazi e dëmshme për të tretët. Por po pranoj ta trajtoj pyetjen tuaj si diçka teorike dhe vetëm në këtë rrafsh mund të parashtroj disa mendime: 

Së pari, përse detyrimisht një bashkëpunim shtetesh me përbërje shoqërore disakombëshe do të duhej të ishte problematik? Një ndër shtetet me përbërjen kombësore më të larmishme në botë, Britania e Madhe, nuk ka pasur probleme të dukshme ndërkombësore, me përjashtim të përplasjeve në Irlandën e Veriut, së paku deri ditën që kryeministri i saj shpalli publikisht dështimin e politikës së multikulturalizmit (term, që në këtë rast ishte i barasvlershëm me shumëkombësinë).

 Në përgjithësi përvoja historike ka treguar që shoqëritë me përbërje disakombëshe janë më të qëndrueshme, më të përparuara. Pse? 

Sepse në to mundësitë për të mënjanuar plagë të tilla të vjetra të shoqërive njëkombëshe si klanizmat dhe krahinorizmat janë mjaft më të mëdha. Në rastin konkret mund të përsëris idenë e shprehur më lart: 

përvoja e një bashkëpunimi prej disa dhjetëvjeçarësh dhe sidomos ajo e ftohjes dhe e largimit prej dy dhjetëvjeçarësh të tjerë, e shoqëruar gjithë kjo përvojë me zhvillimet e fundit politike në botë si dhe me pasojat e gjithanshme të krizës ekonomike, mundet fare mirë t’i kenë shtyrë këto vende të rajonit drejt 

rishikimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe të shqyrtimit të mundësive për një bashkëpunim diplomatik qoftë edhe, si fillim, në çështjen e përfaqësimit të ndërsjellë nëpërmjet përfaqësive që secili prej tyre ka aktualisht. 

Jeta tregon se ai mësim, që nuk përfitohet nëpërmjet vrojtimit të mençur, do të gëlltitet një ditë, qoftë edhe në mënyrë të kundërvullnetshme, si pasojë e forcës detyruese që ushtron realiteti. Qeniet dhe shoqëritë e arsyeshme zgjedhin rrugën e parë./Shekulli/