Lajme Shqip Saturday, 17 August 2013 18:05

Beograd – Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar sot se vendi i tij është i vendosur që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse e rrezikon hyrjen në Bashkimin Evropian.

“Serbinë tash e pret një periudhë e zhvillimit dhe prosperitetit, gjendemi në rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian, dhe jemi këmbëngulës që të mos e pranojmë pavarësinë e Kosovës, saqë jemi të gatshëm ta rrezikojmë atë rrugë, e cila është ardhmëria jonë, por ekziston diçka që quhet krenari”, tha Tomisllav Nikolliq, gjatë takimit të sotëm në Beograd, me presidentin e fondacionit “Barack H. Obama”, Abongo Malim Obama.

Zoti Nikolliq ka thënë se shpreson se Ballkani në të ardhmen do të jetoj në paqe.

Abongo Malim Obama, vëlla i presidentit amerikan, Barack Obama, ka thënë se është me rëndësi ajo që është e përbashkët, e jo dalluese, sepse kjo është çelës i paqes dhe stabilitetit, raporton agjencia Beta, duke u mbështetur në njoftimin e presidencës së Serbisë.

 
Lajme Shqip Monday, 29 April 2013 15:10

Beograd – Nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vucic ka deklaruar sot se është i bindur se shumica e qytetarëve të Serbisë do ta pranonin marrrëveshjen për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, po që se dalin në referendum.

Ai ka thënë se qeveria nuk do të pranojë shantazhin e pakicës.

“Presim vendimin përfundimtar të serbëve të Kosovës. Referendumi ka kuptim nëse ata janë të gatshëm ta zbatojnë, në rast se rezultati nuk shkon në favor të tyre”, ka thënë Vucic gjatë një vizite në Zagreb, sic transmeton Evropa e Lirë.

Ai ka riktujtuar se ka ofruar dorëheqje, po që se marrëveshja nuk kalon në referendum.

Beogradi ka paralajmëruar mundësinë e shpalljes së referendumit në lidhje me marrëveshjen e arritur në dialogun me Prishtinën, duke e përfshirë edhe territorin e Kosovës.

Mbajtja e nje referendumi në Kosovë është kundërshtuar nga zyrtarët kosovarë.

Gjilas: Referendumi i panevojshëm

Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, subjekt opozitar, Dragan Gjilas ka thënë se personalisht e kundërshton referendumin mbi marrëveshjen me Kosovën, por se kryesia e PD-së do të vendosë në lidhje me të të martën.

“Qëndrimi im është se referendumi është i panevojshëm sepse ekziston një shumicë e qartë e forcave pro-evropiane dhe deputetëve në parlament dhe duhet shmangur rrezikun nga një referendum i pasuksesshëm dhe nga mosdalja e 50 për qind të votuesve”, ka thënë Gjilas.

Serbia ende nuk ka marrë vendim për referendum, por zyrtarët qeveritarë kanë thënë se mund të organizojnë një të tillë për të pyetur popullin në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën të arritur në Bruksel më 19 prill.(G.E/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 28 April 2013 12:23

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se për hir të së ardhmes së vendit të tij, askush më nuk ka të drejtë të fshihet, aq më pak pas Kosovës, sepse përpjekjet e reja për t’u fshehur do të përfundonin me eksode të reja, viktima dhe humbje të reja. Në shkrimin autorial për beogradasen “Politika”, Daçiq ka lënë të kuptohet se Serbia është bërë si “Gernika e Ballkanit”, pasi në njëzet vjetët e fundit “ka përjetuar të gjitha llojet e kataklizmës”.

“Shpërbërja e disa shteteve, përjashtimi nga komuniteti ndërkombëtar, sanksionet, varfëria, bombat, uria, plaçkitja e vetes dhe e pronave tona. Këtë, natyrisht, nuk e kemi bërë vetëm ne. Bota shpesh ka qenë e ashpër ndaj Serbisë. Por, pjesa që kemi bërë vetë gjithmonë është përcjellë me justifikime dhe arsyetime të përsosura”, ka shkruar Daçiq.

Sipas tij, çdo e keqe që Serbia i ka shkaktuar vetvetes është justifikuar me “qëllime të larta, qiellin, shenjtërinë, kombin.” “Kur për herë të parë, para më shumë se tre vjetësh, kam thënë se duhet të ndalojmë të gënjejmë dhe për temat e rëndësishme, siç është Kosova, duhet të flasim të vërtetën, kam nisur zinxhirin e ngjarjeve, i cili ka shkuar drejt një qëllimi – heqjes së justifikimeve”, ka thënë Daçiq.

Gjithnjë sipas tij, Marrëveshja e Brukselit është pikërisht kjo – heqja e barrës 20-vjeçare nga supet e popullit, “rrezikut se do të fajësohet dhe akuzohet nëse nuk zgjidh një detyrë të pamundur”.

Zhdukja biologjike e Serbisë, shkatërrimi i infrastrukturës së saj, shkatërrimi i ekonomisë, kulturës, shkencës, shëndetësisë, arsimit – të gjitha këto, ka shkruar Daçiq, janë arsyetuar me detyra të mëdha kombëtare, me “kërkimin katrorit të rrethit të Ballkanit” – “kjo është dashur të ndalet”.

“Qëllimi i parë, si qeveri dhe koalicion, ka qenë të ndalojmë të gënjejmë, edhe njëri-tjetrin, edhe të tjerët, njerëzit në Serbi, miqtë dhe armiqtë në botë. Të fillojmë, ngadalë, ta zbresim Serbinë në tokë”.

“Është dashur ta bëjmë një gjë të tillë, sepse në Serbi, për shkak të së ardhmes së saj, askush nuk ka të drejtë të fshihet. Dhe, për Zotin, nuk ka pasur ku të fshihet. Aq më pak pas Kosovës. Sepse, çdo tentativë e re për fshehje do të përfundonte me një eksod tjetër, më të dukshëm, me viktima dhe humbje të reja, me padrejtësi të reja”, ka shkruar kryeministri serb.

Kosova, sipas tij, do të vazhdonte, pa ndonjë gjykim apo përgjegjësi, kah Evropa, “ndërsa ne do të shtyheshim përsëri në një vrimë të thellë të Ballkanit, në dëshpërim, fatkeqësi, uri dhe mjerim”.

Kjo, sipas Daçiqit, nuk do të ishte e drejtë për fëmijët; nuk do të ishte e drejtë që atyre të mos iu lihet asgjë përveç ndjekjes së pakuptimtë të zgjidhjeve të pamundura.

“Dhe, i gjithë thelbi i marrëveshjes së Brukseit është kjo. Të shënojmë fillimin e fundit dhe fundin e fillimit. Të gjejmë mënyra, të bëjmë atë për të cilën jemi zgjedhur. Jemi zgjedhur për atë që Serbia të jetë vend ku ka punë, rrugë, shkolla, spitale, libra, teatro, barna dhe njerëz të kënaqur. Jemi zgjedhur nga zgjedhjet në tokë dhe jo në qiell. Ka përfunduar historia për Serbinë qiellore”, ka shkruar Daçiq për gazetën beogradase “Politika”.

 
Lajme Shqip Friday, 26 April 2013 14:04

Beograd – Kuvendi i Serbisë e ka filluar debatin lidhur me marrëveshjen ndërmjet Serbisë e Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve, që është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja ishte arritur më 19 Prill në Bruksel gjatë dialogut ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ati j të Serbisë, Ivicva Daçiq.

Tashmë Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka miratuar edhe qeveria e Serbisë.

Pritet që votimi për marrëveshje të bëhet sot më vonë gjatë ditës.

Siç ka thënë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, me këtë marrëveshje, “të dy palët e gjetën terrenin e përbashkët për nivelin e autonomisë, që serbët e Kosovës do ta gëzojnë”. Pritet që në përgjigjje, serbët ta njohin qeverinë e Kosovës.

Disa qindra qytetarë janë mbledhur sot para Kuvendit të Serbisë për të protestuar kundër marrëveshjes.

Ata kanë brohoritur “tradhti” dhe “ustashë”.

Duke folur lidhur me marrëveshjen Serbi – Kosovë, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq tha:

“Sot vendi ynë është i shkatërruar. Vetëm nëse kemi guxim, nëse ne nuk do ta gënjejmë vetveten dhe të tjerët, dhe vetëm nëse ne kemi vizion të qartë, atëherë ne, gjenerata jonë, do të jetë në gjendje ta ndërtoj vendin, në mënyrë që fëmijët tanë, nuk do të duhet t’i pastrojnë gërmadhat. Kjo është ajo përse ne zhvilluam negociata: për ta ndalur të kaluarën, varfërinë, dhe disfatat, që nuk kishin fund. Dikush do të duhej ta bënte këtë, në mënyrë që nga asgjëja të bëjmë diçka”.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 25 April 2013 17:46

Bruksel – Baronesha Catherine Ashton ia ka lënë emrin asaj që serbët e Kosovës mund të fitojnë nëse implementojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel duke thënë se ajo është një nivel autonomie.

Ashton ka shkruar në një OP-ED në “New York Times” për vështirësitë e bisedimeve Thaçi – Dacic, ku ka lavdëruar dy Kryeministrat.

“Në fund dy palët gjetën gjuhën e përbashkët për një nivel autonomie që duhet ta gazojnë serbët e Kosovës” ka shkruar Përfaqësuesja e Lartë.

Ndërkaq, sipas “New York Times” serbët kanë fituar autonomi të limituar për çështje të caktuara.

“Një pjesë (e marrëveshjes) u jep serbëve të Kosovës autonomi të kufizuar mbi shëndetësinë, edukimin dhe përfaqësimin në poste të larta policore dhe gjykata ku serbët janë shumicë derisa në përgjithësi ruhet autoriteti legal I qeverisë së Kosovës” thuhet në një editorial të New York Times.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 12:39

Beograd – Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka zhvilluar sot një bisedë me telefon me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, dhe e ka njoftuar me vendimin që ka marr qeveria serbe, duke miratuar marrëveshjen që bëri me Prishtinën.

Sipas një njoftimi nga zyra e kryeministrisë serbe, thuhet se miratimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, ka qenë unanim nga kabineti qeveritar.

Për këtë vendim të sotëm, kryeministri serb ka njoftuar personalisht edhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd, Vincent Deger, të cilit i ka dorëzuar letrën formale të miratimit të marrëveshjes bazë me Prishtinën nga ana e qeverisë së Serbisë.

 
Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 20:47

Berlin – Republika Federale e Gjermanisë aktualisht është ndoshta vendi anëtar i BE’së që po bën më së shumti presion ndaj Serbisë që t’i normalizojë raportet me Kosovën, si kusht kyç para anëtarësimit në BE.

Në këtë kuadër, të enjten, Grupi më i madh Parlamentar në Bundestagun Gjerman, CDU/CSU, ka dalë më kushte shtesë për Beogradin.

Gjatë një takimi që përfaqësuesit e këtij fraksioni kanë pasur me Komisionerit për Zgjerim të BE’së, Stefan Fule, ia kanë bërë të qartë parakushtet e këtij grupi, në rast të fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Udhëheqës të këtij grupi, javë më parë ishin në një vizitë në Ballkan, derisa së fundmi ata pritën edhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhajn.

Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU, Andreas Schockenhoff renditi kushtet që duhet t’i përmbush Beogradi.

“Në dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë nevojitet që: Marrëveshje të qarta dhe konkrete rreth të drejtave të serbëve si dhe rreth shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës. Po ashtu rreth transparencës së ndihmës financiare të Serbisë për serbët e Kosovës. Këto marrëveshje duhet të pranohen dhe të mbështeten edhe nga qytetarët e veriut të Kosovës. Përfshirja e një plani të caktuar kohorë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, përfshirë këtu edhe raportet mbikëqyrëse nga BE. Për një vendim pozitiv të Grupit Parlamentar CDU/CSU këto marrëveshje duhet të gjejnë zbatimin e duhur. Kjo në veçanti vlen për fushat e rëndësishme si fusha e sigurisë, administratës dhe transparenca e granteve nga Serbia”, tha ai.

Nëse Parlamenti gjerman deri në Samitin e BE’së më 27/28 Qershor duhet të vendosë për hapjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë, atëherë, sipas tij, paraprakisht duhet që marrëveshjet e lartpërmendura deri në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të BE’së të hënën që vjen, në detaje dhe në mënyrë pa asnjë mëdyshje të pajtohen në formë të shkruar dhe të pranohen në tërësi nga qeveritë e të dy vendeve.

“E domosdoshme për Grupin Parlamentar CDU/CSU për të marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë, është gjithashtu që të dyja palët para fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE në formë të një deklarate të shkruar apo verbale – të tregojnë vullnet të dukshëm që gjatë kohës së negociatave për anëtarësim të rregullojnë marrëdhëniet e tyre me detyrime ligjore me qëllim që Serbia dhe Kosova si dy shtete të barabarta dhe të pavarura dhe me të gjitha të drejtat sipas traktateve të BE-së bashkë të ushtrojnë të drejtat dhe obligimet e tyre”, tha Schockenhoff.

Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU tha se “Grupi Parlamentar gjerman CDU/CSU nuk do të merr vendime rezervë. Një metodë e propozimit sipas të cilit ne qershor Serbisë do ti ofrohet një datë për hapjen e negociatave, me kusht që deri atëherë kushtet të caktuara të jenë përmbushur, për ne është e papranueshme. Grupi parlamentar CDU/CSU një vendim për hapjen e negociatave me Serbinë do të merr vetëm në bazë të përmbushjes se kushteve të përmendura paraprakisht”.

Para dy ditëve, kryediplomati kosovarë, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite zyrtare në Berlin kishte kërkuar mbështetjen e Fraksionit CDU/CSU dhe Bundestagut gjerman për procesin e dialogut dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Para dy ditëve, kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, gjatë një vizite zyrtare në Berlin kishte kërkuar mbështetjen e Fraksionit CDU/CSU dhe Bundestagut gjerman për procesin e dialogut dhe perspektivën evropiane të Kosovës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 17:50

Bruksel – Bashkimi Evropian e ka shtyrë publikimin e pritur gjatë të progresit të Serbisë dhe Kosovës, në synimet e tyre për lidhje më të afërta me bllokun, ka thënë sot komisionari për zgjerim, Stefan Fyle.

Ai e ka arsyetuar shtyrjen duke e theksuar rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që do të mbahet nesër në Bruksel.

“Ne jemi të sigurt se ky dialog në nivelin e kryeministravedo të rezultoj me marrëveshje të qartë”, u tha Fyle gazetarëve në Strasburg, në margjina të seancës plenare të Parlamentit Evropian.

“Është koha për Serbinë dhe Kosovën që të lëvizin nga e kaluara”, tha ai dhe shtoi se çfarëdo “finale pozitive” nga bisedimet, do të “reflektoj” në raport, i cili u ndihmon vendeve anëtare të BE-së për të vendosur nëse Serbia dhe Kosova duhet të lejohen të ndërmarrin hapa të mëtejshëm në synimet për afrim me Bashkimin Evropian.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 08:18

Zagrep – Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të pranojë propozimin e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe që ta vazhdojnë dialogun me Prishtinën, në mënyrë që Beogradi ta marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

“I bëjmë thirrje Serbisë për të përfituar nga kjo mundësi, sepse ne duam të shohim që Serbia po i plotëson kushtet për fillimin e negociatave”, tha Reeker gjatë vizitës së tij në Zagreb, raportet Fena.

Ai përsëriti pikëpamjen e Departamentit të Shtetit se diskutimi i djeshëm për gjykatat penale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është shndërruar në një polemikë “çekuilibruar” dhe “nxitëse”.

“Debati ishte një mundësi për të forcuar sistemin global të gjykatave ndërkombëtare, ndërsa u shndërrua në debat negativ”, tha Reeker, duke shtuar se SHBA-të mbështesin fuqishëm punën e Tribunalit të Hagës dhe të gjykatave tjera të Kombeve të Bashkuara.

Reeker tha se iniciativën për këtë debat, të iniciuar nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, SHBA fuqimisht e kundërshtonte dhe se diskutimin e bojkotuan shumica e vendeve perëndimore meqë i kishin parasysh përpjekjet për të sulmuar Tribunalin e Hagës.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 09:51

Bruksel – BE-ja nuk mund ta ndryshojë orarin. Të martën më 16 prill miratohet raporti i Komisionit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, ndërsa Ashton të hënën, më 22 prill, raporton para ministrave të jashtëm të BE-së për dialogun.

Këto janë edhe afatet e fundit për arritjen e marrëveshjes. Bashkimi Evropian vazhdon të jetë në pritje që Serbia të ndryshojë mendjen dhe të pranojë propozimin e marrëveshjes që ka dalë si rezultat i tetë rundeve të dialogut mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq. Në anën tjetër, Serbia kërkon vazhdim të dialogut, në pritje që të pranohen kërkesat e saj, ndërkohë që kryeministri i Kosovës ka shprehur gatishmëri për takime të reja. Gjithçka duket ende e paqartë, sepse në Bruksel vazhdojnë të heshtin rreth mundësive për raunde të reja të dialogut pasi që Ashton kishte thënë se raundi i tetë në Bruksel ishte edhe i fundit formal në nivel të tillë për çështjen e veriut të Kosovës.

Prandaj ende nuk dihet nëse do të ketë takim të ri, cili do të ishte qëllimi i tij. Në Bruksel pohojnë se elementet e marrëveshjes, të cilat janë në tryezë, ofrojnë zgjidhjen më të mirë për veriun e Kosovës, ndërsa Beogradi atë ofertë e ka refuzuar. Prandaj nuk duan të flasin nëse do të kërkohet që Kosova të bëjë lëshime të reja për ta bërë marrëveshjen të pranueshme për Serbinë.

Në Bruksel kanë konfirmuar se Prishtina ka dhënë përgjigje pozitive në propozim-marrëveshjen, por nuk kanë dashur të hynin në detaje rreth formës me të cilën është kërkuar dhe është dhënë përgjigjja.(LajmeShqip.com)