Lajme Shqip Wednesday, 12 March 2014 18:15

Qytetarët serbë me dyshtetësi do të kenë mundësinë që të votojnë nga Kosova edhe për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që mbahen më 16 mars.  

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, sipas zëvendës kryeministres Edita Tahiri, është që Serbia nuk mund t’i organizojë zgjedhjet parlamentare në territorin e Kosovës dhe se këtë punë teknike do ta kryejë misioni i OSBE-së. Po ashtu, ajo ka thënë se ditën e votimeve do të ketë pika të grumbullimit por jo edhe pika të votimit. Po ashtu, nuk do të ketë shtabe e struktura organizative të zgjedhjeve, përfshi edhe numërimin e votave. 

Ndërkohë, kryeministri në largim i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë do të mbahen edhe në Kosovë sikurse që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ai ka kundërshtuar zëvendës kryeministren Edita Tahiri, duke thënë se Marrëveshja e Brukselit e arritur në dialogun Prishtinë – Beograd, nuk ua ka ndërprerë serbëve të drejtën të votojnë për shtetin e tyre.

Pavarësisht se a do të cilësohet si grumbullim i votave apo proces i votimit, për ministrin pa portofol për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, me rëndësi është që zgjedhjet të mbahen më 16 mars edhe në Kosovë.

Në anën tjetër, zëvendës kryeministrja Edita Tahiri thotë se Marrëveshja e Brukselit parasheh normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ndaj, sipas saj, kjo marrëveshje synon që të ndërpresë ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe jo përsëritjen e këtyre ndërhyrjeve siç po mëton shteti serb.

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë si tani, ashtu edhe në të kaluarën ka ngjallur reagimet e ekspertëve të proceseve zgjedhore dhe atyre të çështjeve kushtetuese-juridike. Ata kanë vlerësuar në disa raste se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, qoftë përmes organizimit të vendvotimeve, qoftë përmes pikave grumbulluese shkel ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës.

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 12:49

Beograd- Serbia po përgatit një ligj të ri, siç thuhet, për mbështetje financiare popullsisë serbe dhe joshqiptare në Kosovë “përmes qendrave kompetente lokale për punë sociale në kuadër të komunave serbe”.
Sipas Projektligjit, pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit kur do të formohet Bashkësia e komunave serbe, Serbia nuk do të financojë më strukturat e saj paralele në Kosovë, por këtë do ta bëjë përmes financimit të programit të Bashkësisë së komunave serbe, shkruan “Politika” e Beogradit. Sipas gazetës, ky ligj është i domosdoshëm për shkak të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parasheh që Serbia duhet të pushojë së financuari direkt institucionet, pas formimit të Bashkësisë së komunave serbe.
“Meqenëse vetëqeverisja lokale, arsimi, shëndetësia dhe puna sociale, që tani funksionojnë në sistemin juridik-financiar të Serbisë, nga ai moment kalojnë në kompetencë të Bashkësisë së komunave serbe, Serbia më nuk do të japë paga dhe kontribute për të punësuarit në organet, organizatat dhe shërbimet publike në Kosovë, por këtë do ta bëjë përmes financimit të programit të Bashkësisë së komunave serbe”, transmeton QIK-u shkrimin e gazetës “Politika”.
Gazeta citon projektligjin i cili parashikon financimin e pjesëtarëve të popullit serb dhe atyre joshqiptarë me një lloj ndihme sociale, “përmes qendrave kompetente lokale për punë sociale në kuadër të komunave serbe”.
Gazeta shtron pyetjen nëse serbët e Kosovës do të shndërrohen për Beogradin në “diasporë”.

 

 
Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 14:58

Ka përfunduar pa incidente tubimi në Vidovdan përderisa Policia e Kosovës ka filluar përcjelljen e 10 autobusëve nga Serbia që kishin ardhur në këtë tubim.

Deri me tani nuk është raportuar për incidente, përderisa patriarku Irinej në fjalën e tij i ka lutur serbët e Kosovës që të kthehen, siç ka thënë ai, “në vendlindjen e tyre”.

Tubimi i serbëve në Gazimestan sivjet ka qenë shumë më i qetë se viteve të mëparshëm kur ka pasur edhe arrestime të serbëve nga ana e Policisë së Kosovës për shkak të provokimeve që kanë bërë serbët qoftë me mbishkrime të ndryshme nëpër autobusë, raporton Express.

 

Irinej: Serbë, mos e harroni Kosovën

 

Pas mbajtjes së liturgjisë fetare në Gazimestan të tubuarve ju ka drejtuar Patriarku Irinej i cili ua ka dhënë një mesazh serbëve të pranishëm që nuk guxojnë ta harrojnë Kosovën.

“Asnjë serbë nuk guxon ta harrojë Kosovën sepse Kosova është e tyre”, ka thënë Irinej.

Patriarku po ashtu ka thënë se në këtë ditë të gjithë duhet të kujtojnë trimat që ranë në këtë betejë për Kosovën, duke aluduar në Betejën e Kosovës.

“Prandaj kërkojë që të gjithë serbët e Kosovës të kthehen në Kosovë në Kishat e tyre, në Tokat e tyre”, ka thënë Irinej, duke përmendur me radhë qytetet e Kosovës për të cilat ai ka thënë se janë serbe.

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 27 June 2013 09:46

Beograd – Zëvendës drejtori i zyrës së Serbisë për Kosovën, Kërstimir Pantiq ka thënë se serbët verior nuk do të dalin në zgjedhjet e nëntorit, sepse nuk duan t’i japin legjitimitet pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka shtuar se asnjë parti nga Serbia nuk mund të ndikoj tek ta që të veprojnë ndryshe.

“Nuk ka parti politike e cila mund të ndikoj që qytetarët të ndryshojnë qëndrimin. Andaj do të ishte jo-fer që bashkësia ndërkombëtar të fajësoj për këtë gjë Qeverinë e Serbisë”, i ka thënë ai gazetës Vecernje Novosti.

Ish-kryetari i komunës paralele të Mitrovicës tha se bojkotimi i zgjedhjeve nuk është gjë e ndaluar, dhe se nuk ekziston asnjë obligim ligjor që qytetarët duhet të marrin pjesë në ndonjë cikël zgjedhor.

“Askush nga serbët e Kosovës nuk dëshiron që Serbia të mos përparon apo të mos zhvillohet, dhe askush nga këto anë nuk dëshiron konflikt me shtetin e vet. Por, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se serbët nuk do të dalin në zgjedhjet, të cilat mund të zhvillohen më 3 nëntor”, ka porositur Pantiq.

 
Lajme Shqip Monday, 27 May 2013 14:44

 

Qeveria e Serbisë miratoi mbrëmë planin e zbatimit të marrëveshjës së arritur në Bruksel dhe një ditë më vonë serbët e veriut paralajmëronë themelimin e Kuvendit Krahinor në Kosovë. Kryetar i Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, Marko Jakshiq ka thënë se deri në fund të javës do të formohet Kuvendi i Krahinës autonome të Kosovës.
“Deri në fund të kësaj jave, do të formojmë Kuvendin e Krahinës autonome të Kosovës dhe në të do t’i bartim përgjegjësitë e shtetit te Serbisë. Kjo është e drejta jonë kushtetuese”, ka thënë Jakshiq, për mediat serbe, transmeton Kosovapress..
Ky veprim sipas tij bëhet pasi që serbët e veriut janë kundër marrëveshjës së arritur në Bruksel. “Kështu më nuk ka dhe për këtë, besojë që me këtë vlerësim pajtohen shumica e serbëve të Kosovës se marrëveshja e Brukselit është e papranueshme si dhe vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë. Midis nesh nuk do të mund të gjejnë serbë të cilët do të pranojnë marrëveshjen dhe planin e zbatimit të saj”, ka thënë Jakshiq.