Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 09:44

Tiranë – Futja e lëndëve fetare në kurrikulat arsimore, raporti i të rinjve me fenë, fondamentalizmi islamik dhe polemikat mbi Xhaminë e Madhe janë disa nga çështjet mbi të cilat jep opinionin e tij kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça.

Në një intervistë për gazetën Panorama ai pohon se në shumë reagime vihet re një tendencë islamofobie që nuk lë aspak shije të mirë.

“Islami është fe e paqes, sigurisë dhe mirëqenies. Islami ka deklaruar gjithmonë se njerëzit gëzojnë respekt pa iu nënshtruar diskriminimit socialpolitik, materialo-shpirtëror, kulturoro-racial dhe të çfarëdo lloji tjetër, dhe i ka nderuar ata me një status të tillë mbi të gjitha krijesat. Kuranideklaron:
“Dhe sigurisht ne i kemi nderuar bijtë e Ademit”. (Isra, 76)
E drejta për të jetuar, liria e praktikimit të fesë, gjuhës, ligjit, kulturës, veshjeve dhe tolerancës, e treguar ndaj jomyslimanëve, buron natyrshëm nga Islami. Kjo është ajo që përfaqëson feja islame. Nëse dikush ka prirje jashtë kësaj kornize dhe madje pretendon se me këtë veprim përfaqëson Islamin, kjo është për shkak të paditurisë ose interesave personale, që mund të jenë çfarëdolloj. Kurani është i qartë, Tradita Profetike është e qartë dhe të gjithë njerëzit sot kanë mundësi të informohen rreth tyre…” shprehet kreu i KMSH-se.