Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 15:18

Policia e Kosovës-operacione të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar.

Rajoni i Prishtinës dhe ai i Gjakovës, kanë qenë cak i tri operacioneve të suksesshme të kryera brenda dy ditësh nga Policia e Kosovës, në luftës kundër krimi të organizuar. 43 mijë dollar të falsifikuara janë konfiskuar në rajonin e Prishtinës, ndërkaq më shumë se 10 kilogram  marihunaë dhe 700 gram heroinë, në rajonin e Gjakovës.

Në konferencën për media, policia konfirmoi se në aksionet policore janë arrestuar 11 persona në mesin e tyre edhe një zyrtar policor. Policia njoftoi e ka arrestuar edhe të kërkuarin Florim Fazliu, i dyshuar për vepra kriminale në grupin e Enver Sekiraqës. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi përgëzoi policinë duke thënë se këto suksese ndihmojnë në proceset integruese të vendit. 

 “ Kemi Fitbekun e Brukselit që kanë parë seriozitetin e institucioneve tona dhe kjo do të ndihmojë në procesin e integrimeve dhe liberalizimin e vizave. Fokusi jonë është në shkatërrimin e rrjeteve të organizuara, prandaj objektivisht është herët por shihet një ambient i qetë, dhe ka shumë më pak vjedhje”.

Rexhepi tha se do të përkrahë punën e ndërgjegjshme të policisë në ruajtjen e rendit në vend, ndërsa ka shtuar se nuk do të ketë mëshirë ndaj atyre që kanë abuzuar me vendin e punës në polici. Për luftën e krimit të organizuar foli edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë, Naim Rexha. Ai tha se tashmë është aprovuar strategjia e Qeverisë së Kosovës, që deri në vitin 2017 do të jetë udhërrëfyes në luftën kundër krimit të organizuar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 14:11

Prishtinë – Janë tri kushte që i shumëkërkuari për disa vepra penale, Enver Sekiraqa ia ka vënë Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) para se ai të bjerë vullnetarisht në duart e organeve të rendit.

E para, Sekiraqa ka kërkuar nga ndërkombëtarët që t’i ofrojnë siguri dhe me këtë të jetë i pandehur i mbrojtur e jo në ndonjë cilësi tjetër.

Sekiraqa po ashtu ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit dhe jo të qëndrojë në burgim. Sipas një dënimi të mëhershëm me të cilin ai është shpallur fajtor për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, për veprën penale të kanosjes si dhe për veprën penale të dhunimit.

E treta dhe më kryesorja, ka qenë kërkesë që Sekuraqës t’i sigurohet një gjykim nga ndërkombëtarët dhe jo nga vendorët për shkak se ai nuk beson në drejtësinë që e ndajnë gjykatësit vendorë dhe në atë që e hetojnë prokurorët e vendit.

Burime të gazetës brenda misionit kanë saktësuar se Enver Sekiraqa i ka bërë këto kërkesa duke pasur frikë nga policët vendorë e posaçërisht nga njësiti ROSU i Policisë së Kosovës me të cilët në vazhdimësi ka qenë në konflikt, e posaçërisht pas vrasjes së policit të mbrojtjes së afërt Triumf Riza. Si shtytës i kësaj vrasjeje pas shpine, është i dyshuar Enver Sekiraqa, i cili në ditën e vetëdorëzimit është marrë në pyetje për këtë vepër, por edhe për veprën penale të zhvatjes dhe atë të dhunimit. Pos nga policët, të njëjtat burime kanë saktësuar se Enver Sekiraqa nuk do të ndihej i sigurt sikur në burgun ku do të qëndrojë të ketë siguri vetëm nga vendorët.

“Në kohën kur Sekiraqa ka qenë në burgun e Lipjanit, aty është djegur qelia e tij, por ai pati shpëtuar e kur ka qenë në burgun e Mitrovicës në të njëjtin, ai thotë se i është hedhur helm dhe duke u bazuar nga e kaluara e tij në burgjet në Kosovë, ai ka kërkuar siguri nga misioni EULEX”, ka saktësuar një burim i gazetës i afërt me rastin. Enver Sekiraqa është vetëdorëzuar e më pas është arrestuar nga policë të EULEX-it të premten e javës së kaluar. Ai me duar të lira, nën shoqërinë e policëve të EULEX-it, por edhe të dy vendorëve, ka dalë nga shtëpia e tij të premten në mesditë.

“Ai ka qenë i bindur që të dorëzohet dhe të përballet me pafajësinë e tij. Që ai të dorëzohet nuk e kam shtyrë unë, por ai ka qenë i bindur dhe propozimi për dorëzim ka qenë i tij. Unë vetëm se kam shkuar me policët të premten në shtëpinë e tij ku edhe është dorëzuar klienti im”, thotë mbrojtësi i Enver Sekiraqës, avokati Bashkim Nevzati nga Prizreni.

Nuk i lidhen duart: Ai përshkruan se në atë ditë Sekiraqa ka qenë në shtëpinë e tij në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë i shoqëruar nga prindërit, dhe se largimi i tij nga shtëpia për në polici, është bërë me duar të lira. “Ishin kryesisht policë të EULEX-it, por me sa kuptova ishin edhe dy policë vendorë”, tregon avokati. Nevzati me klientin e tij është takuar vetëm dy herë. Takimi i parë iu kishte mbetur në gjysmë për shkak se ishte rrezikuar zënia e klientit të tij nga organet e rendit, ndërsa në takimin e dytë thotë se ka shkuar bashkë me policët, në ditën kur edhe është dorëzuar Enver Sekiraqa i kërkuar edhe përmes Interpolit.

Nevzati ka marrë pjesë edhe në intervistimin për orë të tëra që ka zgjatur në zyrën e një prokurori të EULEX-it. “Sekiraqa është vetëdorëzuar që të ballafaqohet me dyshimet që i vihen në barrë e për të cilat, ai ndihet plotësisht i pafajshëm. Tërësisht i pafajshëm është deklaruar edhe të premten kur është marrë në pyetje nga prokurori i EULEX-it në lidhje me vrasjen e policit Triumf Riza, në lidhje me veprën penale të zhvatjes dhe për veprën penale të dhunimit”, njofton avokati duke mos u lëshuar në deklaratën që ka dhënë Sekiraqa në prokurori.

Avokati shprehet i befasuar se si Enver Sekiraqa pavarësisht se është marrë në pyetje nga prokurori, nuk është dërguar për caktim të masës së paraburgimit tek gjyqtari i procedurës paraprake por i njëjti po mbahet në burgim sipas një dënimi të shqiptuar për dhunim, kanosje e pengim të personit zyrtar. Sekiraqa, sipas avokatit, është i dënuar me vendim të plotfuqishëm me dy vjet burgim, por i njëjti vendim, sipas tij, është pezulluar të ekzekutohet për shkak se ndaj dëshmitares që ka dëshmuar për dhunim, një prokurore e EULEX-it ka ngritur aktakuzë për dëshmi të rrejshme ndaj Enver Sekiraqës e Agron Bytyqit.

Ky i fundit është i dënuar me tri vite burgim dhe pavarësisht se nuk ka qenë në arrati, avokati qartëson se ai nuk ka shkuar në vuajtje të dënimit për shkak se ai vendim është i pezulluar. “Një veprim i tillë i EULEX-it që klientit tim të mos i caktohet paraburgimi nuk është konform marrëveshjes gojore që është arritur para se të bëhet vetëdorëzimi i tij për shkak se vendimi me të cilin ai është dënuar është i pezulluar”, ka thënë avokati Nevzati.

Pritet zbulimi i disa krimeve: EULEX-i, ndërkaq, insiston se ka vendim të plotfuqishëm sipas të cilit po mbahet në burgun e Dubravës, Enver Sekiraqa. Duke e anashkaluar veprën penale të dhunimit, zyrtarë të EULEX-it njoftojnë se Enver Sekiraqa po mbahet në burg si i dënuar për veprën penale të kërcënimit dhe atë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Siç kemi thënë edhe të premten, policia e EULEX ka arrestuar Enver Sekiraqën bazuar në një urdhërarrest nga shkurti i vitit 2008. Ai po hetohet për përfshirjen e tij të mundshme në vrasjen e Triumf Rizës. Ky hetim është në proces dhe në këtë kohë nuk mund të japim detaje tjera. Sekiraqës gjithashtu i duhet të vuajë dënimin prej dy vjetësh me burg për kërcënime dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Ky dënim nuk është pezulluar dhe Sekiraqa është duke e vuajtur atë në burgun e Dubravës”, ka njoftuar zëdhënësja e sektorit të drejtësisë në EULEX, Bardha Azari. 

Zyrtarë nga misioni EULEX bëjnë me dije se me Enver Sekiraqën kanë qenë në kontakt që nga nëntori i vitit 2011. Në tre muajt e fundit, sipas të njëjtave burime, Sekiraqa ka qenë në Prishtinë, por i fshehur nga policia. Që nga 2008-ta kur Enver Sekiraqa është arratisur, sipas këtyre burimeve, ai ka qëndruar në Irlandë, në Angli, në Çeki, në Beograd, por asnjëherë në pjesën veriore të Mitrovicës. Arsyet e arratisjes së tij dhe personat që e kanë shtyrë atë të arratiset, janë disa nga pyetjet, përgjigjet e të cilave Sekiraqa i ka dhënë para prokurorit ndërsa i njëjti sipas burimeve të gazetës, pritet që të japë dëshmi edhe në lidhje me “Grupin e Llapit” si dhe në lidhje me disa krime të tjera që kanë ngjarë në vend e për të cilat dyshohet se ai ka njohuri. (Zëri)

 
Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 14:44

Prishtinë (PLOTESUAR 28 SHTATOR, 15:45)- Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi ka konfirmuar arrestimin e Enver Sekiraqes. Ai ka thënë, se Sekiraqa është arrestuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me EULEX’in. “Po është arrestuar Sekiraqa. Për detaje tjera pyeteni policinë”, ka thënë Ministri Rexhepi. (LajmeShqip.com)

************************************

Prishtinë – Është arrestuar njeriu më i kërkuar në Kosovë. Ai është Enver Sekiraqa, i cili akuzohet edhe për vrasjen e policit të Njësisë së Speciale, Triumf Riza.

Burime të Express brenda policisë kanë treguar se Sekiraqa është arrestuar sot rreth orës 15:30. “Enver Sekiraqa është në duart e policisë”, ka thënë një zyrtar i lartë policor në kusht anonimiteti.

Më herët për Sekiraqën ka pasur njoftime se ndodhet në Republikën e Irlandës, ndërkohë para disa ditësh pati dështuar një aksion i policisë për ta arrestuar atë në Prishtinë. Sekiraqa akuzohet edhe për vepra të tjera penale.

Gjatë ditës është raportuar se policia ka arrestuar po të premten Agron Eminin dhe Shpend Bobajn, dy persona nga klani i Enver Sekiraqës. Këta dy të dyshuar ishin autorët e plagosjes që ndodhi ditë më parë afër kinemasë “ABC” në Prishtinë, ku mbeti i plagosur shtetasi Fisnik Vitija. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 19:00

Prishtinë – Naser Sekiraqa, vëllai i të shumë kërkuarit Enver Sekiraqa, është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës në lidhje me një tentim vrasje që ka ndodhur në qershor të këtij viti në Vranjevc të Prishtinës.

I dyshuari Sekiraqa, tre muaj pasi ishte shpallur në kërkim të organeve të rendit, ka vendosur që të dorëzohet dhe të marrë dënimin që i takon.

Lajmin për vetëdorëzimin e Naserit e ka konfirmuar për Indeksonline edhe Policia e Kosovës.

Flora Ahmeti, zëdhënës e policisë rajonale, ka thënë se arrestimi ka ndodhur me datën 10 të këtij muaji, ndërsa i njëjti do të gjykohet për një vrasje në tentative që ka ndodhur me 14 qershor në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë.

Ajo tha se i dyshuari menjëherë është dërguar në prokurori, ndërsa të njëjtit i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Në anën tjetër, sot mediat në vend raportojnë se i shumë kërkuari Enver Sekiraqa i shplallur në kërkim edhe nga Interpoli, po bënë plan që të marrë rrugën e të vëllait, të vetëdorëzohet në polici.

Por ndryshe nga Naseri, Enveri mendon se më mirë është të vetëdorëzohet tek EULEX-i, pasi që Policisë së Kosovës nuk i beson më. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 August 2012 14:17

Prishtinë – Në pjesën e dytë të dëshmisë se këtij ish-polici, “Koha Ditore” sjell tregimin se si grup zyrtarësh policorë i kishin vënë syrin Enver Sekiraçës për ta vrarë.

Ai ka thënë se në vitin 2006, kur ishte ndalur nga Policia në Ferizaj, Besnik Hasanaj ia kishte dhënë një revole të vjetër Bejtullah Mehmetit, i cili ia kishte futur Sekiraçës në veturë.

“Ata e kishin pastruar paraprakisht pistoletën nga shenjat e gishtërinjve, nëse më kujtohet saktësisht. Pasi që A. A. kishte arritur në stacionin policor, pas arrestit ajo ishte aty edhe më herët, por unë nuk e kam parë dhe pastaj hetimi shkoi në njësinë rajonale hetuese, i cili kërkoi që të udhëzohej kontrollimi i veturës”.

Dëshmitari ka thënë se pak më vonë kishte shkuar avokati i Enver Sekiraçës, në praninë e të cilit ishte kontrolluar vetura dhe i ishte gjetur pistoleta TT. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 17:30

Prishtinë -Një i dyshuar në lidhje me rastin e shpërthimit në bulevardin “Bill Clinton” është paraqitur përpara gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë më 7 qershor. Kështu njofton Zyra për Informim e EULEX-it.

“Gjykatësi i procedurës paraprake i ka urdhëruar këto masa për një muaj: të konfiskohen dokumentet e udhëtimit të dyshuarit, i dyshuari të mos largohet nga vendbanimi i tij dhe të paraqitet në polici tri herë në javë, si dhe i dyshuari të mos kontaktojë me të pandehurit tjerë apo dëshmitarët në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Sipas EULEX-it, i dyshuari është vetë-dorëzuar më 7 qershor, pasi që gjykatësi i procedurës paraprake e kishte lëshuar urdhër-arrestin për të më 28 maj 2012. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 15:24

Prishtinë (PLOTESUAR)- Janë liruar tre policët e arrestuar sot në lidhje me rastin e shpërthimit në lagjen “Dardania” në Prishtinë, saktësisht të lokalit “Sekiraça”, që ishte pronë e të shumë kërkuarit Enver Sekiraça. Këtë e ka konfirmuar një zëdhënës i EULEX-it.

*********************************

Prishtinë-  Katër persona janë arrestuar në kuadër të një hetimi lidhur me shpërthim në Bulevardin Bill Klinton, që kishte ngjarë në shtator të vitit 2007, bën të ditur EULEX-i përmes një komunikate për media.

Gjatë operacioneve të sotme, policia e EULEX-it e ka arrestuar një të dyshuar në rajonin e Gjilanit, ndërsa janë bastisur edhe dy prona.

Policia e Kosovës i ka arrestuar edhe tre të dyshuar. Në mesin e tyre ka pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të PK-së.

Hetimet është duke i zhvilluar një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), thuhet në njoftim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 09:03

Prishtinë – Enver Sekiraça po interesohet t’i jap fund jetës si “kaçak”. I shumëkërkuari për një seri veprash penale po “negocion” dorëzimin e tij tek autoritetet ndërkombëtare në Kosovë për të dalë edhe para organeve të drejtësisë. Kurrsesi para drejtësisë kosovare. Ai po i beson vetëm EULEX-it, shkruan sot gazeta kosovare “Koha Ditore”.

Burime nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë thënë kësaj gazete se familjarët e Enver Sekiraçës kanë përcjellë mesazhin e familjarëve të tyre, se është i gatshëm t’u dorëzohet autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë.

“Para disa ditësh familja e Enver Sekiraçës ka kërkuar nga EULEX-i që të marrë komplet rastin, sepse ai nuk u beson autoriteteve kosovare”, i ka thënë një burim gazetës kosovare. Enver Sekiraca besohet se po fshihet në Republikën e Irlandës. Për të ka urdhër arrest ndërkombëtar.

EULEX-i ka konfirmuar vetëm se rasti i Sekiraçës është në Prokurorinë Speciale. “prokuroria Speciale nuk mund të mohojë apo konfirmojë informacionet që keni dhënë”, ka thënë shkurt Krasniqi.