Lajme Shqip Sunday, 17 June 2012 11:30

Tiranë –  Në Beograd u mbajt Samiti i Kryetarëve të Shteteve/Qeverive të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP). Samiti u parapri nga takimi i një ditë më parë, i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të kësaj nisme. Këto takime shënuan edhe mbylljen e Kryesisë të Serbisë në SEECP.

Delegacioni shqiptar në dy takimet u kryesua nga z.Selim Belortaja, zv/ministër i Punëve të Jashtme. Të dy takimet lidheshin përmes një agjende të ngjashme. Çështjet e shqyrtuara në takimin e Ministrave të Jashtëm do të duhet të merrnin miratimin final gjatë punimeve të Samitit. Samiti miratoi edhe zgjedhjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme bëri të ditur se në të dy ndërhyrjet e bëra nga kryetari i delegacionit shqiptar u vu në dukje fryma konstruktive dhe kontributi i Shqipërisë në proceset dhe nismat e bashkëpunimit rajonal. U nënvizua progresi i bërë në proceset integruese, jo vetëm si objektiv prioritar i politikës sonë të jashtme, por edhe si forcë shtytëse për reformat e brendshme.

Theks i veçantë iu vu nevojës për respektimin e parimit të gjithëpërfshirjes të vendeve të rajonit-në  tryezat rajonale, si dhe u bë thirrje për përshpejtimin e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale, në përputhje me marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së.

Rendi i ditës parashikonte gjithashtu, miratimin e Deklaratës Politike të SEECP.  Veçanërisht, gjatë Samitit, u konstatua ashpërsimi i gjuhës kundër Kosovës si një shtet i pavaruar si dhe një qëndrim i prerë kundër përfaqësimit të saj në forumet rajonale, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në fjalën e tij Presidenti serb Nikoliç nënvizoi se “pozita parimore e Serbisë lidhur me të ardhmen e Kosovës mbetet e pandryshuar. Ne nuk do të njohim kurrë, direkt apo indirekt, deklaratën e njëanshme të pavarësisë”.  

Ndërsa Ministri i Jashtëm serb, z.Jeremic, theksoi se “.kudo dhe për aq kohë sa do të ketë Republikë të Serbisë, nuk mund të ketë  ‘Republikë të Kosovës”. Gjatë gjithë procesit të negocimit të deklaratës, thuhet në njoftimin e mësipërm, delegacioni shqiptar insistoi në nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel për dialogun Prishtinë-Beograd.

Mbas shume tentativave për të riorganizuar negociata për këtë paragraf me ndjeshmëri të lartë, pala serbe nuk u përgjigj në asnjë rast. Duhet theksuar se qëndrimi ynë ishte në  një linjë me atë të disa delegacioneve te pranishme,  përfshirë delegacionin e Komisionit Europian. Gjuha e përdorur në propozimin shqiptar përkon tërësisht me formulimet zyrtare të BE-së. Pala shqiptare tregoi gatishmëri për të arritur në kompromis. Konsensusi u bë i pamundur sidomos pas fjalimeve të lartpermendura. Ndërkohë që pala serbe insistoi deri në fund në përjashtimin e termit “marrëveshje ekzistuese”. Si përfundim Kryetari i seances lajmëroi mosmiratimin e Deklaratës politike për shkak te mosdhënies së konsensusit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 June 2012 17:04

Beograd – Takimi i shefave të shteteve të qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL), i cili u mbajt në Beograd, përfundoi sot pa sjelljen e deklaratës së përbashkët për shkak të mos harmonizimit të delegacionit shqiptar me tekstin e propozuar.

Fakti që Deklarata e Samitit nuk përfshin çështjen e Kosovës dhe qëndrimet e BE-së lidhur me të, ka bërë që Shqipëria të refuzojë firmosjen e saj dhe Samiti të ndërpresë punimet për një kohë të pacaktuar.

“Shqipëria nuk mund të pranojë këtë draft-rezolutë për shkak se nuk përmendet rezoluta e Budvës, si dhe rëndësia e marrëveshjes që është arritur tashmë dhe është zbatuar. Ajo që kërkojmë është që rezoluta në këtë segment të jetë në pajtim me qëndrimet e BE-së”, ka thënë përfaqësuesi i Shqipërisë.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç deklaroi në konferencë për shtyp se deklarata nuk mund të pranohet pa konsensus dhe se Shqipëria ka kërkuar diçka që Serbia nuk mund ta pranojë.

“Bëhet fjalë për atë që të hapet kapitull i ri në organizatë, gjegjësisht t’u jepet mundësi përfaqësuesve qeveritarë nga Prishtina të marrin pjesë në mënyrë e cila nuk është e pranueshme për Serbinë, pasi që deri më tani nuk është dakorduar”, theksoi Nikoliç. (LajmeShqip.com)