Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 13:28

Bernd Shuster, trajneri i fundit që arriti të shpallë kampion Realin e Madridit në vitin 2008, para erës Guardola, ka kritikuar ashpër formacionin e zgjedhur nga Zhoze Murinjo për sfidën e parë kundër Barcelonës në Kupën e Mbretit të humbur në “Santiago Bernabeu”.

Gjermani nuk është kursyer ndaj portugezit në intervistën e dhënë për “Onda Cero”, duke sqaruar se ajo ndeshje i kushtoi Realit kualifikimin. “Sot jemi të gjithë dakord, ata që dinë shumë dhe ata që dinë më pak, se ai formacion ishte një barbari, pa pikë respekti ndaj askujt. Duke parë kush luante në atë sfidë thashë me vete: ‘Kjo është e pamundur’. Një lojtar që nuk luante prej kohësh në formacion, Pepe në mesfushë… ishte shumë e çuditshme në një moment kur duhej eliminuar Barça”.

“Më vinte keq, pasi kjo skuadër mund të luajë një kundër një dhe nuk mund t’ia heqësh këtë armë. Nëse humbet raste, nuk ke pse shan gjyqtarin”, ishte komenti i ashpër i Shuster ndaj Murinjos.

Nuk ka vonuar edhe kundërpërgjigja, këtë radhë nëpërmjet zëdhënësit të portugezit, Eladio Parames, i cili nuk është kursyer ndaj trajnerit gjerman nëpërmjet deklaratave të bëra në Twitter.

“Barbari është të shkosh në Turqi dhe të mashtrosh njerëzit duke mos dalë në stërvitje, duke humbur ndeshje dhe duke kërcyer nga gëzimi kur të pushojnë nga puna. Ndoshta kjo është arsyeja pse flet kaq shumë për Murinjon, pasi dëshiron të tërheqë vëmendjen e ndonjë klubi. Barbari është të thuash se nuk mund të fitohet në ‘Kamp Nou’”, ishte komenti i Parames.

Ky i fundit ka vazhduar edhe më tej duke sulmuar rëndë Shuster. “Murinjo është trajner edhe kur fle gjumë, jo ti. Barbari është të kritikosh publikisht një koleg. Koleg?! Ok, nëse e pranojmë se Shuster është trajner… Ai e meriton ta hedhësh në gjyq dhe paratë e fituara t’ia japësh një instituti që mbështet të sëmurët mendorë”, deklaroi Parames në Twitter, duke theksuar në fund se këto ishin komente personale dhe se nuk i bënte në emër të Murinjos. (LajmeShqip.com)