Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 22:25

Shkup – Me 1 qershor, në Ohër do të mbahet Samiti për bashkëpunim rajonal në të cilin do të marrin pjesë 16 kryesues të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkpunimit në Evropën Juglindore (PBEJ), ku nikoqir i të gjithë këtyre do të jetë Gjeorgje Ivanov, presidenti i Maqedonisë.

Sa I përket ftesës për pjesëmarrje të presidents së Kosovës, Atifete Jahjaga apo kryeministrit, Hashim Thaçi në këtë samit, nuk ka asnjë konfirmim nga kabineti I presidentit Ivanov. Edhepse, më herët mediet raportonin se në këtë samit është e ftuar edhe Kosova. Ndërsa, është konfirmuar prania e presidentit serb, Tomislav Nikoliq dhe kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, diplomatit serb, Vuk Jeremiq.

Pikat e rendit të ditës, në këtë samit, do të jenë temat për bashkëpunim rajonal dhe dialog për partneritet dhe fqinjësi të mirë në Evropën Juglindore, por edhe temat mbi zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat si dhe adaptimi ndaj ndryshimeve klimatike.
Deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, presidenti i Bullgarisë Rosen Plevneliev, presidenti kroat Ivo Josipoviq, Presidenti rumun Trajan Basesku, presidenti serb Tomislav Nikoliq, presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i këshillit të Bosnjë- Hercegovinë Nebojsha Radmanoviq si dhe ministri i jashtëm turq, Ahmet Davutoglu. Në kuadër të këtij samiti janë ftuar edhe përfaqësues të tjerë të lartë të OKB-së, Bashkimit Evropian, etj. 
Ndërkohë, mospraninë në këtë samit deri tani e ka paralajmëruar presidenti grek, Karolos Papulias.  

 
Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 09:57

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një takim me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe rolin që ka luajtur UNESCO për ruajtjen, evidentimin dhe vlerësimin e pasurive e vlerave kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Zyra e shtypit e Presidentit, bëri të ditur se, Presidenti Topi zhvilloi dje pasdite një takim të veçantë pune me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në kuadrin e Samitit të 9-të të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po mbahet në Serbi.

Presidenti Topi vlerësoi lart edhe rolin dhe kontributin personal të Drejtores së Përgjithshme Bokova, duke shprehur besimin në përkushtimin dhe punën e autoriteteve dhe institucioneve shqiptare për të bërë të mundur që procesi i bashkëpunimit me UNESCO-n të vazhdojë me sukses.

“Kultura, historia, arti i popujve të ndryshëm kanë provuar që nëpërmjet ndërlidhjeve të tyre me ato të fqinjëve, nuk njohin kufi duke luajtur rolin e tyre të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëjetesës mes popujve dhe vendeve të Ballkanit”, vuri në dukje Presidenti Topi, duke shtuar se, “rajoni ynë, pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, ka fituar një paqe dhe siguri afatgjatë, duke u orientuar i tëri drejt integrimit në familjen e madhe evropiane”.

Duke diskutuar për temën e këtij Samiti të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore dhe rolin që luan arti modern e bashkëkohor, Presidenti Topi vuri në dukje nevojën e përfshirjes së Kosovës në këto takime dhe nisma rajonale, sepse vetëm duke forcuar lidhjet e gjithanshme, duke përfshirë edhe ato kulturore mes Kosovës dhe fqinjëve të saj si dhe komunikimi, pajtimi dhe orientimi drejt të ardhmes integruese do të jetë plotësisht i mundur dhe paqja, harmonia e begatia do të karakterizojnë të ardhmen e rajonit tonë, aq shumë të trazuar në të shkuarën.

Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova vlerësoi bashkëpunimin e efektshëm me institucionet shqiptare dhe garantoi se, organizata që ajo drejton do të vazhdojë të ndihmojë e të mbështesë vendin tonë në strategjitë kombëtare dhe projektet e veçanta.

Bokova theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e Samitit të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Viminacium, për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve të rajonit, veçanërisht atyre kulturore e artistike, duke nënvizuar se vlerat e pasuritë e përbashkëta kulturore dhe historike të popujve ballkanikë, shërbejnë si mjete të efektshme bashkimi dhe ndërveprimi mes kulturave të ndryshme.

 
Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 20:10

Tiranë – Presidenti Bamir Topi vlerësoi sot, rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si një element qëndrueshmërie, bashkëpunimi dhe kontribues në proceset e rëndësishme integruese të shtetit maqedonas.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, në kuadër të punimeve të Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Biseda midis dy Presidentëve u përqendrua në zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Presidenti Topi dhe Presidenti maqedonas, Ivanov shprehën vullnetin e përbashkët politik për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, duke vënë në dukje nevojën për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, për investime të përbashkëta në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike në të dyja vendet dhe veçanërisht në fushën kulturore-artistike.

Presidenti Topi vuri në dukje se angazhimi i plotë i Shqipërisë dhe Maqedonisë për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh vjen mbi parimet e standardet, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian.

Nga ana e tij, Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, pasi theksoi rëndësinë e këtyre takimeve të niveleve më të larta për rritjen dhe thellimit e bashkëpunimit rajonal, vuri në dukje se, “nëse ka dialog, mirëkuptim e bashkëpunim mes Krerëve të Shteteve respektive, kjo frymë do të transmetohet edhe në nivelet e tjera të vendeve tona, duke bërë që mesazhet e dala nga ky Samit si dhe bashkëpunimi i gjithanshëm gjithnjë e në rritje të ndikojë në të ardhmen e përbashkët integruese evropiane të mbarë rajonit tonë”.

 

 

 
Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 14:37

Beograd – Në prag të samitit, presidenti Ivanov dje në Beograd pati takim me presidentin serb, Boris Tadiq, gjatë të cilit konstatuan se në të gjitha sferat ka dinamikë pozitive në bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë dhe se ai nuk është dhe nuk guxon të pengohet nga pozicionet e ndryshme lidhur me Kosovën apo çështja kishtare.

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov po merr pjesë të premten në Samitin e 9-të rajonal të shefave të shteteve të Evropës Juglindore, të cilin këtë vit e organizon Republika e Serbisë në bashkëpunim me UNESKO-n.

“Arti bashkëkohor dhe pajtimi në Evropën Juglindore” është temë e samitit, i cili do mbahet në lokalitetin arkeologjik Viminacium afër Kostolacit, 100 kilometra në juglindje të Beogradit. Në prag të samitit, presidenti Ivanov dje në Beograd pati takim me presidentin serb, Boris Tadiq, gjatë të cilit konstatuan se në të gjitha sferat ka dinamikë pozitive në bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë dhe se ai nuk është dhe nuk guxon të pengohet nga pozicionet e ndryshme lidhur me Kosovën apo çështja kishtare.

Në tubim, nikoqir i të cilit është presidenti serb, Boris Tadiq, do të marrin pjesë edhe gjashtë presidentë nga rajoni – i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i Kroacisë, Ivo Josipoviq, i Bullgarisë, Georgi Pervanov, i Bosnjë e hercegovinës, Bakir Izetbegoviq dhe i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe drejtoresha e përgjithshme e UNESKO-s, Irina Bokova.

Ivanov do të flasë në sesionin e dytë plenar, pas të cilit pjesëmarrësit duhet të miratojnë deklaratë të përbashkët. Nën moton “Kultura – urë për zhvillim”, UNESKO do të promovojë iniciativa në të cilat kultura është bazë për zhvillim social dhe ekonomik dhe pritet të mbështesë projekte tejkufitare për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale në rajon, kulturës bashkëkohore dhe etnokulturës, kulturës moderne dhe industrive kulturore të cilyt nxisin zhvillim dhe hapin vende të punës.

Ivanov, në margjinat e takimit të premten do të ketë takim edhe me presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, si dhe me eurokomisarin për arsim, kulturë dhe të rinj, Andrulla Vasiliu. Ndryshe, samitet e shefave të shteteve të EJL-së mbahen prej vitit 2003, kur Ohri ishte nikoqir i tubimit të parë rajonal të presidentëve – “Dialogu i civilizimeve” i inicuar nga presidenti Boris Trajkovski. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 13:56

Beograd – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në fjalën e mbajtur në Samitin e 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Serbi deklaroi se “Kosova nuk duhej të mbetej jashtë këtij Samiti”.

“Ajo është një pjesëmarrëse legjitime në veprimtari të tilla, si dhe një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Kosova, me kulturën e saj të vjetër e të re, me artin e saj modern e bashkëkohor, me zërat e saj më të artikuluar, do t`i forcojë lidhjet politiko- kulturore me popujt e tjerë në rajon dhe sidomos me fqinjët”, nënvizoi Topi ndërsa shtoi se duhet vullnet i gjithanshëm, sepse pajtimi është plotësisht i mundur.

Sipas tij popujt nuk mund dhe nuk duhet të jetojnë me tensione dhe me komplekse që vijnë nga e kaluara, por në paqe e në harmoni dhe sigurisht, gjuha e artit, pluraliteti i tij janë instrumente shpirtërore të pazëvendësueshme komunikimi.

“Sot në rajonin tonë po përjetojmë një periudhë mirëkuptimi gjithnjë e më shumë të pranishme. Politika nuk mund të pengojë artin, nuk mund të pengojë institucionet, në mënyrë që të promovojë kulturën e dialogut dhe komunikimit që vjen nëpërmjet tij. Kjo është arsyeja që unë them, që paradoksalisht, ajo që ndodh në tryeza më të gjera në Evropë, ku personalitetet e Kosovës janë të pranishme, ajo duhet të ndodhë edhe këtu. Unë jam i bindur që politika e moderuar e lidershipit të rajonit do të bëjë të mundur që në tryeza të tilla të jetë e pranishme edhe Presidentja e re e Kosovës, e cila normalisht duhet të ishte e pranishme edhe sot” u shpreh Presidenti shqiptar.

Gjithashtu, ai theksoi se mesazhi që do të përcillet nëpërmjet këtij Samiti do t`i shërbejë forcimit të dialogut dhe njohjes së mëtejshme e të ndërsjellë mes popujve dhe kulturave të vendeve të rajonit.

Pasi theksoi se Ballkani historikisht ka treguar që zotëron fuqi për të jetuar në një mjedis me fizionomi të ndryshme nga të tjerët, në fjalën e tij, Presidenti i Republikës nënvizoi faktin se “arti dhe kultura janë mjete të fuqishme për të tejkaluar problemet që kanë mbajtur peng për një kohë të gjatë rajonin tonë” dhe se “ai nxit shprehi të reja, që përjashtojnë dhunën, intolerancën dhe paragjykimet.”

“Trashëgimia jonë kulturore njëherazi na identifikon e na dallon nga njëri-tjetri, por edhe na bën të kuptojmë edhe sa të ngjashëm jemi”, u shpreh Presidenti i Republikës, duke nënvizuar se “arti modern, ashtu si trashëgimia kulturore e secilit prej vendeve tona duhet nxitur, promovuar, ruajtur dhe duhet kaluar brezave pasardhës”.

Në kuadër të rëndësisë dhe nevojës së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit ballkanik, Topi theksoi se “një bashkëpunim më i madh dhe i gjithanshëm është i mundur dhe i domosdoshëm ndërmjet kulturave tona”.

“Bashkëpunimet nuk janë vetëm idilike”, tha Presidenti Topi, “ndonjëherë ato janë edhe të vështira, por mbi të gjitha ato duhet të jenë të vërteta. Prej tyre pritet një reflektim mbi kontradiktat e ndasitë e së kaluarës në mënyrë që ato të mos pengojnë proceset integruese”, theksoi ai.

 
Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 11:59

Tiranë – Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, do të mbërrijë sot në Serbi, për të marrë pjesë në një konferencë rajonale lidhur me trashëgiminë kulturore.

Presidenti Topi do të qëndrojë në Serbi deri më datën tre shtator, ku pritet të ketë edhe disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.

Kjo konferencë ka të bëjë me ripajtimin dhe trashëgiminë, ndërkaq për herë të nëntë organizohet me shefat e shteteve të Evropës Juglindore dhe këtë vit organizohet nga presidenca serbe. Aty pritet të marrin pjesë të gjithë presidentët e rajonit, duke përjashtuar përfaqësuesit e Kosovës.

Konferenca do të mbahet me datë 2 shtator në qytetin e kohës romake, Viminacijum, afër qytetit të Pozharevcit. Presidenti Topi viziton për herë të parë në cilësinë e presidentit Serbinë pasi një vit më parë pati refuzuar të ishte pjesë e samitit të presidentëve të Europës Juglindore në Novi Sad, një samit që mbahet çdo vit, për shkak të situatës politike dhe mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në kohën kur serbët bojkotonin çdo takim ku ftoheshin përfaqësuesit e Prishtinës.