Lajme Shqip Monday, 10 June 2013 08:24

E ardhmja e Samir Ujkanit mbetet e paqartë, por portieri i përfaqësueses shqiptare ka lëshuar sinjale te tjera se do të ishte gati të kthehej te Palermo nëse i ofrohet një fanellë titullari.

“Nuk di të them se ku do të luaj në sezonin e ardhshëm”, ka deklaruar portieri që kaloi 6 muaj në huazim te Kievo, pa arritur të aktivizohej me këtë skuadër. “Situata te Palermo është shumë e çuditshme, pasi në fakt aty janë 5 portierë nën kontratë me klubin”.

“Nuk di të them se cilat do të jenë zgjedhjet që do të bëjë klubi në këtë drejtim. Por nëse Palermo do të vendoste të besonte te unë, do të isha shumë krenar”, tha Ujkani për mediat italiane.

Futbollisti edhe më parë ka bërë të qartë se zgjedhja e tij për sezonin e ardhshëm do të bazohet mbi skuadrën që i garanton një vend si titullar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 January 2013 16:55

Ashtu siç pritej, Samir Ujkani ka kaluar sot zyrtarisht në radhët e Kievos duke u bërë portieri i ri i kësaj skuadre. Gardiani i përfaqësueses shqiptare kishte dy ditë që negocionte kushtet personale me Kievon dhe vetëm gjatë ditës së sotme ka rënë dakord për transferimin e tij.

Mediat italiane bënë të ditur që dje se futbollisti 24 vjeçar do të ikte nga Palermo, pasi kjo skuadër tashmë kishte Sorrentinon si zgjedhje të parë. Për Ujkanin u interesuan shumë ekipe, edhe emra të mëdhenj si Inter e Lacio, po Kievo ishte skuadra që i garantonte postin e titullarit.

Kushtet e transferimit flasin për një huazim deri në fundin e këtij sezoni, me të drejtë blerjen e gjysmës së kartonit të tij nga Kievo. Skuadra e Veronës shpreson që të arrijë të mbajë portierin edhe pas këtij sezoni, duke i ofruar një kontratë të re dhe duke e blerë përfundimisht nga Palermo, klub me të cilin Ujkani ka një kontratë deri në vitin 2014. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 15:08

Samir Ujkani do të veshë fanellën e Kievos në vazhdimin e këtij sezoni, duke u kthyer në titullar në radhët e kësaj skuadre. Lajmi është konfirmuar nga mediat italiane të cilat bëjnë të qartë se futbollisti shqiptar ka pranuar transferimin nga Palermo dhe firma mbetet një formalitet.

Që me aktivizimin e Sorrentinos në ndeshjen e fundjavës të Palermos, klubi bëri të qartë se Ujkani ishte në shitje pasi nuk dëshironin të mbanin futbollistin për ta mbajtur në stol. Për portierin shqiptar u interesuan shumë ekipe, mes të cilave edhe Inter, Lacio e Fiorentina, skuadra prestigjioze në kërkim të një portieri të dytë për pjesën e mbetur të sezonit.

Por lojtari i përfaqësueses shqiptare ka pranuar ofertën e Kievos, skuadër e cila i garantonte atij një vend titullari, pikërisht vendin e lënë bosh nga Sorrentino. Ujkani ka kaluar në radhët e veronezëve në formë huazimi deri në fund të sezonit, që kanë të drejtë të blejnë gjysmën e kartonit të tij në fund të këtij sezoni.

Kontrata ekzistuese e Ujkanit me Palermon përfundon në qershorin e vitit 2014, ndaj palermitanët kërkojnë të përfitojnë maksimalisht nga largimi i tij, duke shpresuar që Ujkani të zhvillojë një pjesë të dytë të mirë të dytë të sezonit te Kievo dhe çmimi i tij të rritet, duke garantuar të ardhura nga shitja e tij e mundshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 21 January 2013 15:36

E ardhmja e Samir Ujkanit po bëhet gjithnjë e më e paqartë, edhe pse portieri shqiptar vazhdon të jetë titullar te Palermo dhe ka qenë ndër më të mirët në fushën e lojës në barazimin 2-2 të shtunën ndaj Lacios.

Palermo po kërkon zyrtarisht nga Kievo portierin Sorrentino, duke dashur t’i besojë atij rolin e titullarit në skuadër dhe nga kjo lëvizje pritet të krijohet një valë masive transferimesh të portierëve në Itali.

Fakti që një nga portierët që mund të lëvizë është edhe Viviano, nga Fiorentina te Bolonja, ka bërë që klubi i Firences të hedhë sytë pikërisht nga portieri shqiptar që normalisht do të kërkojë një sistemim tjetër.

Mediat italiane bëjnë të ditur se edhe trajneri Montela ka dhënë pëlqimin e tij për këtë lëvizje, duke e parë Ujkanin si një lojtar me shumë perspektivë që mund të ndihmojë skuadrën e tij.

Kjo do të shtojë Fiorentinën në një listë të gjatë skuadrash që ndjekin me vëmendje situatën si Kievo, Bolonja, Lacio e Inter. Lojtari shqiptar ka bërë të qartë se do të transferohet te një skuadër që i mundëson të luajë dhe jo të qëndrojë në stol, pasi në moshën 24 vjeçare kërkon të jetë protagonist në fushën e lojës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 14 January 2013 09:41

Nëse Samir Ujkani do të largohet nga Palermo, rrugët për të janë të hapura edhe në ekipet më prestigjioze italiane, ku në radhë ka hyre edhe Interi. Lajmi i bujshëm është shpërndarë nga emisioni sportiv i “Rai”, rrjetit televiziv italian, që ka hapur skenarin e bujshëm të merkatos për futbollistin shqiptar.

Ndonëse sipas “Rai Sport” portieri shqiptar pritet të mbyllë këtë sezon te Palermo para se të largohet nga kjo skuadër, ai do të ishte shumë i gatshëm të largohej që tani nëse konkretizohet oferta nga një ekip tjetër që i ofron një vend si titullar.

Për 24 vjeçarin mendohet se një rol të tillë do t’ia ofrojë Kievo apo Bolonja, dy skuadra të cilat kërkojnë të bëjnë ndryshime në katërkëndorin e tyre.

Por ndaj tij ka interesim edhe nga skuadrat e mëdha, që e shohin si një portier të perspektivës dhe që e kërkojnë përkohësisht si portier të dytë në radhët e tyre. Pas Lacios dhe Napolit, tashmë duket se në garë ka hyrë edhe Interi. Zikaltërit kërkojnë Ujkanin që të luajë rolin e zëvendësit të Samir Handanoviç, pasi portieri tjetër i tyre, Luka Kastelaci, ka pësuar një dëmtim dhe do të qëndrojë shumë gjatë larg fushave të lojës.

Tani mbetet të mësohet se cila do të jetë lëvizja e vetë Ujkanit, duke parë se edhe Palermo nuk po kalon një situatë të mirë dhe rrezikon seriozisht rënien nga kategoria në fund të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 13 September 2012 10:01

Dy humbjet e Palermos në javët e para të kampionatit italian kanë bërë që të kritikohet paraqitja e çdo lojtari të kësaj skuadre, përfshirë edhe Samir Ujkanin që tashmë është portieri titullar i siçilianëve.

Por në mbrojtje të gardianit të portës shqiptare ka dalë ish-trajneri i tij te Novara, Atilio Teser, që e ka patur atë pjesë të ekipit nga viti 2010, deri në sezonin e kaluar. Me këtë skuadër ata ishin protagonistë duke u ngjitur nga Lega Pro në Serinë A brenda dy viteve.

“Unë nuk kam asnjë dyshim, Samiri është një portier për Serinë A dhe e ka treguar plotësisht këtë në radhët e Novaras. Nëse gjërat nuk ecin në nivel skuadre, faji nuk është vetëm i portierit”, deklaroi Teser për portalin Livesicilia.it.

“Ujkani ka një CV të shkëlqyer, ka edhe eksperiencë ndërkombëtare. Sipas meje, ai i ka të gjitha letrat në rregull për të bërë mirë me fanellën e Palermos. Klubi ka patur dhe do të vazhdojë të ketë besim te ai”, përfundoi Teser.

Në dy ndeshjet e para, Ujkani ka patur përballë si kundërshtarë skuadrat e Napolit dhe Lacios, të cilat kanë në gjirin e tyre disa nga sulmuesit më të fortë në Itali. Për këtë arsye, disa nga ekspertët e futbollit italian kanë bërë të qartë se ai nuk ka patur faj në këto humbje, e për më tepër ndaj Lacios ai ka qenë ndër më të mirët në fushën e lojës duke shpëtuar skuadrën e tij nga gola të tjerë të sigurt. (LajmeShqip.com)