Lajme Shqip Saturday, 31 August 2013 12:04

Tiranë -Kryeministri Berisha priti sot artistin holandez Jaap van’tVeer, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Alpet shqiptare. Z.Jaap van’t Veer, duke e falënderuar Kryeministrin për takimin, u shpreh se nuk mund të mos e takonte para se të largohej nga detyra e Kryeministrit dhe t’i shprehte personalisht mbresat gjatë viteve të punës në Shqipëri.
“Kam dhjetë vjet që punoj dhe jetoj në Alpet shqiptare dhe jam dëshmitar i transformimeve të mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturën dhe mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Unë së bashku me një grup bashkëpunëtorësh punojmë në Alpet shqiptare, në Luginën e Valbonës dhe në Bjeshkët e Namuna, të cilat ne tashmë i quajmë Bjeshkët e Bekuara” u shpreh ai, raporton albeu.

Si shprehje të këtij vlerësimi, z. Jaap van’t Veer i dhuroi Kryeministrit një skulpturë, me të cilën, u shpreh se kishte mishëruar disa nga etapat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, prej Skënderbeut, pushtimeve, lirisë dhe demokracisë. Artisti holandez e ka cilesuar Berishen si Gjergj Kastrioti i kohëve të sotme.

Kryeministri Berisha, duke e falënderuar për vlerësimet dhe veçanërisht për përkushtimin që tregon ndaj natyrës, historisë dhe aktualitetit shqiptar, i uroi punë të mbarë në misionin e tij fisnik. Populli shqiptar, natyra e truallit të tij, u shpreh Kryeministri, janë kthyer në frymëzim për shumë njerëz të famshëm, të cilët, nga ana e tyre, i kanë bërë të njohura botës virtytet e tij njerëzore dhe bukuritë natyrore të viseve shqiptare.