Lajme Shqip Tuesday, 11 February 2014 15:35

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto dhe ai i  i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, në një konferencë për shtyp kanë prezantuar paketën e masave për rritjen e sigurisë rrugore.

Haxhinasto tha se do të merren masat e nevojshme për sigurinë rrugore. Sipas tij, do të liberalizohet tregu me një sistem të paprekshëm nga korrupsioni, por do të ketë kontrolle të rrepta. “Masat tona janë kryesisht të dy  sektorëve, të transportit dhe forcimit të ligjit. Sa i takon mjeteve më të sigurta do të forcojmë të gjithë procedurën e kontrollit të mjeteve, do liberalizojmë tregun dhe do ta bëjmë sistemin të paprekshëm nga korrupsioni, do të vendosim elementet e  sigurisë në kontrollin e makinave, do të vendosim kontroll edhe për cilësinë e mjeteve dhe për ndotjen e gazrave”, tha Haxhinasto, raporton shekulli.

Gjithashtu ministri i Transportit theksoi se, do të ketë ndërhyrje sa i përket sinjalistikës në rrugë, ndërhyrje në ruajtjen e rrugës si një aset i rëndësishëm kombëtar dhe si një aset i qytetarëve. “Do ta ruajmë rrugën nga dëmtimet duke forcuar masat dhe ndëshkimet si dhe kompanitë që shpesh blejnë elementë të sinjalistikës për përfitimeve të tyre. Shumë rigoroz do të tregohemi në ndërhyrjet në rrugë, për ndërtimet të paligjshme dhe për hyrje-daljet të paautorizuara dhe do të vendosim një standard për hyrje-daljet në rrugë, në mënyrë që ato mos të jenë në pikat e zeza që shkaktojnë aksidentet”, shtoi më tej Haxhinasto.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë  propozimin për të dënuar me 10 ditë burg të shoferëve pa patentë dhe që drejtojnë automjetin në gjendje të duhur.

“Kemi parashikuar propozimin për ndryshim si masë minimale të dënimit pa leje drejtimi 10 ditë heqje lirie . Sepse të drejtosh mjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur nuk është shkelje e kodit rrugor por përbën vepër penale. Ndaj si e tillë Ministria e Brendshme ka prezantuar që dënimi minimal i mundshëm të jetë 10 ditë heqje lirie.  Për statistikë, në 4 muaj që nga  dita e parë të ushtrimit të detyrës policia filloi praktikën e arrestimit të personave, të cilët drejtojnë automjetin në gjendje të dehur dhe ky numër është 660 shtetas të ndalur, por që 83 persona janë dhënë vendimet nga gjykatat”, tha Tahiri.

“Kjo është paketa më e plotë në ndërhyrje dhe e ndërgjegjësimit tonë për të garantuar jetën dhe shëndetin e drejtuesve të pasagjerëve dhe kalimtarëve. Jemi të vetëdijshëm që siguria rrugore është një problem, e njohim si problem duam ta adresojmë dhe ndaj së bashku me kolegun Haxhinasto, do prezantojmë në qeveri, një paketë masash të plotë për administrim”.

 “Masat do mbeten në letër nëse nuk kujdesen dhe nëse nuk zbatohen dënimet për gjithë shkelësit e qarkullimit rrugor. Aksidentet rrugore dhe masat do jenë prioritet i qeverisë”. Tahiri theksoi që para kolaudimit, drejtuesi duhet të ketë shlyer një për një të gjitha detyrimet që ka në shtet. Po kështu Tahiri shpjegoi se fotografimi i shkelësve në qarkullimin rrugor, do të jetë një praktikë që do të ndiqet në vazhdimësi nga policia.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 10:39

Thellohet përplasja institucionale midis mazhorancës dhe kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzoi SHISH dhe drejtuesin e saj për inaktivitet në luftën kundër kriminalitetit. Në fjalën e tij, ministri Tahiri theksoi se përballë një situate të trashëguar pa informatorë dhe kapacitete reale për të luftuar kriminalitetin, policia po bën maksimumin, ndërkohë që SHISH me mosmarrje dhe mosdhënie informacioni cenon sigurinë kombëtare.”Këto janë akte terroriste dhe do të trajtohen si të tilla nga policia e shtetit. Jemi duke zhvilluar hetimin më të plotë me policinë e shtetit pa kursyer askënd. Do bëj maksimumin që këto ngjarje të ndërpriten njëherë e mirë.

Dje kam pasur një takim me Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilit i kam komunikuar se inaktiviteti, mosmarrja e informacionit dhe mosdhënia e informacionit cenon sigurinë kombëtare lidhur me këto akte terroriste. Sot që flasim kam zero informacion lidhur me këtë që ndodh nga SHISH. Kjo është e papranueshme dhe cenon sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar, cenon jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Ia kam komunikuar drejtorit të SHISH dhe pres prej tij të më japë informacion lidhur me këto akte terroriste. Unë pres që në luftën kundër të tilla akteve, pavarësisht se kanë një rritje të pajustifikueshme, gati artificiale, pres që përtej bashkëpunimit deklarativ të ketë bashkëpunim thelbësor.

Dhe bashkëpunim thelbësor unë nuk quaj të kem zero informacion nga SHISH lidhur me këtë gjendje, por të kem informacion të plotë”, deklaroi Ministri Tahiri. Ndërsa Sekretari i Komisionit të Sigurisë, Piro Lutaj, shkoi më tej duke kërkuar edhe ndërhyrjen e kryeministrit që SHISH të vendoset në efiçencë. ‘Këtu doli një problem shumë i madh, çështja e mungesës së informacinit nga institucionet e tjera dhe në mënyrë të veçantë nga SHISH. Dje presidenti është shpre- hur në mënyrë eksplicite duke thënë se: SHISH ka pasur marrëdhënie dhe bashkëpunim të lavdërueshëm me policinë dhe i ka dhënë informacione të rëndësishme për goditjen e trafikut dhe akteve terroriste. Nëse deri para 23 qershor drejtori i SHISH nuk qasej në zyrat e kryeministrit sepse nuk e qaste kryeministri, u lutem t’ia shprehni shqetësimin edhe kryeministrit që SHISH-in ta vendosë në efiçencë. Përsa i përket tritolit të gjithë e dinë shumë mirë që aktivizohet kur nuk është shoku Sali me njerëzit që kemi përballë. Grupet me në krye komandant Saliun i turren lëndinave për të hedhur në erë shtyllat e tensionit”, tha Lutaj. 

Dy ditë më parë, Presidenti Nishani do të shprehej kundër një shkarkimi nga mazhoranca e re të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi. Përkundër lajmeve në media dhe akuzave të deputetëve se po rikthehen në punë ish-punonjësit e ShIK-ut të ’97- s, vlerësimi deri më sot për ShISH dhe drejtuesin e saj, sipas Nishanit, është maksimal për punën që ata kanë kryer dhe po kryejnë. “Ajo që mund të them deri më sot për SHISH dhe drejtuesin e saj ka të bëjë me vlerësimin maksimal të punës që ata kanë kryer dhe po kryejnë. Natyrisht që aktiviteti i SHISH është ai që ka veçori specifike shumë të veçantë ndaj të cilit të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm. Janë fusha që kanë ekspertizë shumë të mirë dhe që arrijnë rezultate konkrete por kërkojnë angazhim maksimal. Pavarësia e tyre është jetësore për suksesin dhe garantimin e sigurisë kombëtare. Vullneti i presidentit do jetë i palëkundur në interes të sigurisë kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë, dhe të mirëfunksionimit të institucioneve të shtetit”, do të deklaronte presidenti Bujar Nishani në A1 Report. 

Policia ka nisur hetimet për terrorizëm 

Policia e Shtetit ka nisur zyrtarisht hetimet nëse ngjarjet e fundit me sulmet me bomba janë organizuar me qëllime terroriste. Pas shpërthimeve të bombave me celularë, Fran Rica, shef i Sektorit kundër Krimit Ekonomik, shprehet se nga hetimet rezultojnë se shpërthimet e telekomanduara janë përdorur në ngjarje të veçanta.”Këto janë objekte të hetimeve dhe nuk mund të jap një konkluzion. Nga hetimet e deritanishme rezulton që këto janë përdorur edhe në ngjarje të veçanta dhe jo pa shkak është edhe shqetësim i shtuar i joni për të ndërprerë këtë veprimtari të paligjshme Përveç hetimeve konkrete që do të çojnë tek personat përgjegjës, ne duhet të ndërpresim paligjshmërinë”, tha Rica për Top Channel. Drejtuesi i larte i Policisë së Shtetit bëri të ditur se tashmë ka nisur një aksion kontrolli.”Kemi nisur aksion kontrolli më të gjitha tregjet informale dhe kanë sekuestruar qindra numra telefonikë që gjendeshin në zotërim të personave të palicensuar. Të gjithë këta persona janë çuar për ndjekje penale. Po hetohet jo vetëm në drejtim të këtyre personave, por edhe ndaj kompanive apo punonjësve të kompanive që merren me këtë veprimtari”, thotë Rica. 

Vrasja e dy vëllezërve Çollaku 

Ministri i Brendshëm informoi dje anëtarët e Komisionit të Sigurisë rreth ngjarjes në kufi me Greqinë ku mbetën të vrarë dy vëllezër nga Korça dhe një punonjës i policisë greke. Në fjalën e tij, ministri Tahiri deklaroi se çështja tashmë po ndiqet dhe nga prokuroria shqiptare, ndërsa garantoi se policia ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm për të ndihmuar në zbardhjen e saj. “Rreth orës 08:30 Policia Kufitare komunikoi me telefon me një punonjës të policisë kufitare greke në rajonin e Prespës së Vogël, i cili informoi për vrasjen e një punonjësi të Policisë greke nga njëri prej dy shtetasve shqiptarë si dhe vrasjen e dy shtetasve shqiptarë nga shkëmbimi i zjarrit me patrullën e policisë greke. Në këto kushte, pasi është marrë mirëkuptimi i Policisë greke, dy patrulla të Policisë Kufitare kanë shkuar përtej kufirit, drejt vendit të mundshëm të ngjarjes dhe pasi kanë përshkuar rreth 3 km janë kontaktuar nga një patrullë e policisë greke. Nga kjo patrullë e Policisë është mësuar se: “Rreth orëve të mesnatës 07 – 08 dhjetor, patrulla e Policisë Kufitare greke ka konstatuar në tokën greke, në bregun verior të liqenit një varkëlundër dhe rreth 20 metra mbi liqen, në faqen e kodrës një kasolle prej plasmasi. Policët grekë kanë dëgjuar zëra njerëzish dhe u kanë thirrur ‘Policia’. Në atë çast njëri prej shtetasve ka qëlluar me armë drejt tyre duke plagosur rëndë një punonjës policie, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital. 

Menjëherë është kundër-përgjigjur policia greke duke vrarë më armë zjarri të dy shtetasit shqiptarë. Në vendngjarje grupi hetimor i policisë greke kishte përfunduar veprimet hetimore dhe kishte tërhequr kufomat për kryerjen e autopsisë”, deklaroi në seancë ministri Tahiri. Minsitri kërkoi që sa i përket vrasjes së dy vëllezërve Çollaku, politika të mos abuzojë me këtë ngjarje të rëndë. Ndërsa deputeti Aqif Rakipi shprehu dyshime në lidhje me raportin e paraqitur nga pala greke.” Normal të kalosh kufirin është shkelje , por që të marrin dhe kallash e armë me vete këta dy njerëz nuk i besoj. Shteti mos të bjerë pre e palës greke. Një i arratisur iku prej andej dhe ti e kape këtu, bëre punën tënde. Megjithatë është thënë se është vrarë dhe një tjetër. Mbase ai ka bërë një debat me punonjësit e tjerë. E ata thanë dy i vramë, e vrasim dhe këtë e mbyllim këtë çështje. Ky është mendimi im ndaj palës greke”, deklaroi deputeti Rakipi. /shekulli/

 
Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 15:28

Tiranë – Ministria e Punëve të Brendshme kërkon mbylljen e menjëhershme të numrave aktivë të telefonisë celulare, për të cilët nuk ka një pronar të individualizuar si dhe mbylljen e menjëhershme të numrave të tepërt të regjistruar në emrin e të njëjtit person.

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri i është drejtuar me një letër kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me cilësinë e autoritetit më të lartë përgjegjës në fushën e Telekomunikacionit Elektronik dhe Postar. Në këtë letër adresohet një shqetësim tepër serioz, lidhur me disa elementë të punës së operatorëve telefonikë celularë.

Ministri Tahiri shprehet në letrën drejtuar zotit Pirro Xhixho se, nga hetimet paraprake mbi disa çështje me rrezikshmëri kriminale të theksuar është evidentuar një element i përbashkët që mund të ketë lehtësuar kryerjen e veprimtarisë kriminale, numrat celularë pa pronar të identifikuar. Sipas ministrit ky fenomen i trashëguar prej kohësh, është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve.

Për këtë arsye ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga AKEP-ja zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, duke ofruar të gjithë ekspertizën e nevojshme për të bërë ndryshimet ligjore përkatëse, që do t’i japin fund një herë e mirë tregut të paligjshëm të kartave celulare, duke përfshirë sanksione penale për të gjithë përgjegjësit, nga operatorët celularë deri te shitësit dhe blerësit e numrave celularë fantazmë.

 
Lajme Shqip Saturday, 25 January 2014 23:36

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pas takimit që ka zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë me drejtuesit e kësaj drejtorie i është përgjigjur interesimit të mediave lidhur me arrestimin e Ilir Kupës. Tahiri foli edhe për përfshirjen e të arratisurit nga burgu grek në vepra kriminale në Shqipëri.

“Unë besoj që arrestimi i Ilir Kupës është një medalje në gjoksin e Policisë së Shtetit shqiptar, Policisë së Tiranës, FNSH-së, RENEA-s, të gjithë ne pra. Keni dijeni pra për karrierën kriminale të Kupës, për atë që ka ndodhur në Greqi, për ndjekjen e vazhdueshme të Policisë greke. Përtej shkëmbimit të informacionit, lidhur me atë që ka bërë dhe bashkëpunimit me policinë greke, kemi hetuar edhe çështje të cilat kanë qenë goxha sensitive në Shqipëri. Hetimet vazhdojnë lidhur dhe me grabitje me armë që unë besoj me arrestimin e Kupës do na çojnë në rrugë të mbarë”, tha Tahiri.

– Së bashku me Kupën thuhet që kanë qenë edhe 2 persona të tjerë. A janë identifikuar këta persona dhe kush është personi tjetër i arratisur nga burgu i Trikallës që ndodhet në Tiranë?

Aksioni vazhdon edhe tani që flasim dhe unë besoj që do të ketë rezultate të tjera. Ne jemi shumë të vendosur për të luftuar krimin në çdo skutë, siç jemi shumë të vendosur që edhe ndaj atyre që e nxisin, apo e provokojnë, të bëjmë që duhet.

– Kupa ka shtënë 2 herë më armë mbrëmë dhe është parandaluar dhe një ngjarje e cila mund të sillte pasoja. Çfarë keni gjetur tjetër veç dy armëve tek Kupa dhe këta 2 persona që e shoqëronin atë janë vënë në hetim?

Mos prisni detaje prej meje. Hetimet kanë nisur së pari për shkak të arratisjes së tij në Greqi, pastaj dhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Tiranë. Tri ditët e fundit janë intensifikuar goxha dhe rezultatet erdhën. Detaje lidhur me operacionin, s’ia vlen as t’i jap sepse vazhdon dhe unë pres rezultate të tjera. Por ndërkohë ajo që është e rëndësishme është që Policisë së Shtetit është në këmbë dhe shumë shpejt rezultatet do flasin akoma më fort sesa zëri  i të gjithë atyre që çirren sot majisur panik tek qytetarët.

– Kush është i arratisuri tjetër z.Ministër?

Shumë shpejt do ta merrni vesh.

– Arrestimi është bërë vetëm si meritë e Policisë shqiptare apo edhe për shkak të bashkëpunimit me policinë greke?

 

Por përtej shkëmbimit të informacionit edhe hetimet lidhur me atë që ka ndodhur në Tiranë, grabitjet e fundit me armë na çuan në drejtim të mbarë”.

 

Ilir Kupa: Do qëlloja mbi ju por ndërrova mendje. Ju lumtë më kapët 

Ilir Kupa, njëri prej të arratisurve nga burgu i Trikallas, Greqi  në mars të 2013 u arrestua sot në orët e para të mëngjesit në periferi të Tiranës.

Arrestimi është kryer në një banesë në Qafën e Kasharit, dhe sipas oficerëve të policisë dhe FNSH pjesë e operacionit të arrestimit Kupa ka bërë rezistencë dhe ka qëlluar me armë në ajër kur ka parë policinë.

“Do qëlloja mbi ju por ndërrova mendje. Ju lumtë më kapët”- mësohet të ketë thënë Ilir Kupa në momentin e arrestimit, raporton “A1 Report”. Kupa ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të cilët kanë arritur t’i largohen policisë./Shekulli/

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:54

Në dy muajt e parë të punës, ministritë kanë shpallur 35 tendera publikë, në vlerë totale 4.625.128 lekë apo e thënë ndryshe afro 46 mijë USD. Shuma modeste e shpenzimeve në raport me kabinetin paraardhës është një element që bie në sy por jo dhe aq referuar arsyeve që i kanë detyruar dikasteret të shpallin këto prokurime në kushtet kur kryeministri Rama përforcon gjithmonë e më shumë pretendimin se \”arka e shtetit është bosh\”. Rezultojnë katër ministri, respektivisht ajo e Brendshme; e Bujqësisë; Drejtësisë dhe e Financave, titullarët e të cilave i kanë nisur shpenzimet e fondeve të buxhetit të shtetit me blerje qumështi, kafeje, uji pa gaz, gota plastike deri dhe tek tabaka alumini, filxhanë porcelani e orendi të tjera për pritje-përcjellje si në rastin e ministrisë së Kulturës. Ndërkohë që ministria e Mirëqenies Sociale; ajo e Financës; e Arsimit si edhe e Punëve të Jashtme, më shumë sesa blerjes së këtyre asortimenteve iu kanë kushtuar rëndësi shpenzimit të fondeve publike për blerjen e detergjentëve e materialeve të ndryshme të pastrimit, duke patur kësisoj në fokus të harxhimeve, higjenën brenda institucionit. 

BILETA AVIONI

Dy nga 35 tenderat e parë publikë që bien në sy në raport me të tjerët lidhen me Ministrin e Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Veçantia e prokurimeve të shpallura prej dikastereve që ata drejtojnë lidhet pikërisht me faktin se janë shpenzime për udhëtime jashtë shtetit. Konkretisht ministri Veliaj ka shpenzuar nga fondet e buxhetit të shtetit afro 2 mijë USD për blerjen e një bilete avioni për itinerarin Tiranë-Boston; Boston-Tiranë, me nisje në datën 14 Tetor 2013 dhe kthim në datën 16 Tetor 2013. Arsyet e kësaj vizite nuk dihen. Ndërsa kolegu i tij Ahmetaj ka shpenzuar rreth 1.5 mijë USD për blerjen e një bilete avioni vajtje-ardhje me \”business class\” me destinacion Budapestin. Ky është i pari dhe i fundit prokurim publik që derimë tani është shpallur nga ministria e Zhvillimit Ekonomik. Në datën 18 shtator, qeveria publikoi \”Kodin Etik Ministror\”. Në nenin 30 të tij, sanksionohet se \”anëtari i Këshillit të Ministrave duhet të organizojë udhëtime efikase dhe me kosto efektive\”. Në kanë qenë apo jo efikase dhe me kosto efektive udhëtimet jashtë shtetit në rastin e ministrave Veliaj e Ahmetaj kjo mbetet në vlerësimin e Komisionit të Etikës. 

KARRIGIA

Pyetja se sa kushton karrigja e një ministri, në kuptimin monetar e jo atë politik, tashmë e ka edhe një përgjigje. Është pikërisht ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që për blerjen e karriges së tij e një tjetre rezerve ka paguar me fondet e buxhetit të shtetit rreth 1.4 mijë USD. Se çfarë kanë kaq të veçanta këto karrige për të justifikuar këtë shumë, sqarimi jepet në dokumentat e tenderit. \”Është e veshur me lëkurë të zezë në kafe, mbështetur në 5 rrota që krijojnë mundësinë e një lëvizjeje të lirshme. Karrigja duhet të kryejë të gjitha funksionet, ulje, ngritje dhe përkulje që krijon një relaks\”, – thuhet aty. A e gjeti ministri Tahiri, zyrën e tij pa karrige ku mund të ulej dhe a duhej bërë kjo blerje, mbetet një pyetje pa përgjigje. 

ISMAIL QEMALI

Vendimi i qeverisë për vendosjen në zyrat e shtetit të fotos së Ismail Qemalit ka detyruar ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti të shpallë tenderin publik për blerjen e fotografisë së tij. Referuar dokumentave të këtij prokurorimi, Panariti ka porositur 20 copë fotografi me vlerë totale 75 mijë lekë./GazetaShqiptare/