Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 00:21

Tiranë- Këshilli i Ministrave për të nderuar kujtimin e të ndjerit Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar, shpalli zi kombëtare, të dielën nga ora 12.30 deri në 14.30.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 do të mbahet një minutë heshtje.

Ndërkohë, ceremonia e homazheve do të organizohet ditën e diel, nga ora 12.30 deri 14.30, në mjediset  e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas vendimit, Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar do të transmetojë muzikë funebre.

Vendimi parashikon që shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 
Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 00:17

Prishtinë-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Godo dhe Partisë Republikane të Shqipërisë, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe politikanit, kryetarit të nderit të Partisë Republikane të Shqipërisë, Sabri Godo.

Në telegramin e ngushëllimit, Thaçi shprehet se “me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe politikanit të mençur shqiptar, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, mikut tim, Sabri Godo”.

Ai thekson se në shoqërinë, kulturën dhe politikën shqiptare, Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore, i cili në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij reflektonte urtësinë, inkurajonte bashkëpunimin, unitetin dhe vendosmërinë për të punuar në të mirë të mbarë kombit shqiptar.

“Në momentet më të vështira dhe më vendimtare për çlirimin e Kosovës, gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jam dëshmitar i kontributit të çmuar të Sabri Godos në mbështetjen e fuqishme të luftës dhe në unifikimin e faktorit politik shqiptar për t’u vënë në shërbim të plotë të çlirimit të Kosovës”, thekson shefi i qeverisë kosovare.

Ai shon se Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha institucionet e vendit dhe populli i Kosovës, do të jenë përherë mirënjohës për rolin e pazëvendësueshëm të politikanit dhe intelektualit Sabri Godo për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të mbështetësit të madh të Kosovës, Sabri Godo”, përfundohet në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Thaçi

Krasniqi: Politika dhe kultura shqiptare e humbi Godon

Prishtinë-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Kransiqi u ka shprehur ngushëllime familjes së shkrimtarit dhe politikanit Sabri Godo, i cili u nda sot nga jeta në moshën 82 vjeçare.

“Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, i cili kontribuoi aq shumë për transformimet demokratike të Shqipërisë dhe për ruajtjen e ekuilibrimeve politike në procese të ndjeshme, është humbje e madhe për politikën e kulturën shqiptare, për familjen e tij dhe miqtë e shumtë që kishte”, shprehet Krasniqi.

Më tej ai thekson se “Sabri Godo ishte shumë i mirëpritur në Kosovë, së cilës i kushtoi angazhim të përhershëm, kurse në rininë e tij kishte qenë këndej kufirit me armë në dorë për lirinë e shqiptarëve dhe të popujve jugosllavë”

 
Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 00:03

Tiranë: “Sabri Godo, me veprimtarinë e tij politike në këto 20 vite, u shndërrua në simbol të urtësisë, maturisë dhe mençurisë së politikanit”, tha sot në mbrëmje, Kryeministri Sali Berisha, pas një vizite ngushëllimi pranë familjes Godo.

Kreu i Qeverisë shprehu ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe dhe të pakompensueshme të njërit prej personaliteteve më të shquara të politikës dhe letrave shqiptare, Sabri Godos.

“Sabri Godo themeloi dhe drejtoi me aftësi dhe mençuri të madhe Partinë Republikane dhe dha një kontribut thelbësor në procesin e hartimit të ligjeve themelore të vendit.

Ai dha kontribut të madh në të gjithë dialogun midis forcave politike në Shqipëri, por edhe midis faktorëve politikë shqiptarë jashtë Shqipërisë”, tha Berisha.

Ai vlerësoi se Sabri Godo ka një kontribut themelor në letrat shqipe me veprat e tij për Skënderbeun, Ali Pashën etj.

“Sabri Godo është korifeu i romanit historik shqiptar. E kam njohur prej shumë dekadash dhe ruaj kujtimet e një intelektuali të shquar, të një atdhetari të vërtetë, një mendimtari të shquar.

Me ndarjen e tij nga jeta, politika shqiptare humbi më të urtin e saj, letrat shqipe humbën korifeun e romanit historik të tyre dhe mendimi intelektual shqiptar, njërin nga mendimtarët më të shquar”, tha Berisha.

 
Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 17:14

Tiranë-Presidenti Topi e ka cilësuar një lajm të dhimbshëm për familjen dhe shoqërinë shqiptare vdekjen e politikanit, shkrimtarit dhe skenaristit Sabri Godo.

Kreu i shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat ka vlerësuar figurën e Sabri Godos si moderator të politikës shqiptare në 20 vitet e fundit dhe një personalitet me emër në fushën e kulturës.

Po kështu kryetari i PS-së Edi Rama iu shprehu ngushëllimet familjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godos, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta.

“Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i PS-së, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryetarit socialist.

“Sabri Godo do të çmohet gjithnjë prej nesh për konseguencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare”, përfundon mesazhi.

Edhe lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta iu shprehu sot ngushëllimet familjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godos, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta. “Politikës do t’i  mungojë fjala e urtë e Godos.Ai ishte një shëmbull i qetësisë dhe maturisë”, shprehet Meta.

Më tej në mesazhin e ngushëllimit, kreu i LSI-së, vlerëson rolin e Sabri Godos në Kushtetutën e vendit. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 14:26

Ndërron jetë prëesidenti i nderit i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo. Pas një sëmundje të rëndë, Godo ndërroi jetë pak çaste më parë. Një figurë mjaft e njohur e politikës shqiptare, prersidenti i nderit i PR-së, Godo nuk mundi të mposhtë sëmundjen, duke u ndarë nga jeta në moshën 82 vjeçare.