Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 20:54

Skënderbeu, kampion i Shqipërisë për dy vite radhazi në futboll, e ka filluar kampionatin me një fitore duke triumfuar 3-1 në transfertë në fushën e vështirë të Vllaznisë.

Në një ndeshje me shumë rivalitet, për shkak edhe të përforcimeve të rëndësishme të shkodranëve, duke filluar nga stoli ku ulej Shpëtim Duro, diferencën mes dy skuadrave e ka bërë sulmuesi kroat Pero Pejiç, i cili ka treguar aftësitë e tij para portës duke shënuar të tre golat për ekipin korçar.

Në fakt ka qenë skuadra shkodrane që është shfaqur më kërkuese që nga minutat e para, e mbështetur nga një publik i zjarrtë që kishte mbushur shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Por Pejiç është bërë menjëherë protagonist me golat e tij, duke iu shmangur dy herë radhazi pozicionit jashtë loje të ekipit shkodran për të shënuar në portën e Vujadinoviç. Në fillimin e pjesës së dytë, ai ka plotësuar tregolëshin personal, duke vulosur praktikisht fatin e ndeshjes.

Pavarësisht tentativave të dëshpëruara të shkodranëve për të kërkuar një përmbysje, ata kanë arritur të shënojnë vetëm golin e nderit në minutën e 77-të me Smajlin, të paktën duke dhënë sinjale se në takimet e ardhshme mund të përmirësohen dhe të kërkojnë rezultate.

Sot zhvillohen një pjesë e ndeshjeve të tjera të javës së parë të Kategorisë Superiore ku bie në sy takimi Tomori-Tirana, për të parë se si do të fillojnë sezonin kryeqytetasit, të cilët në këtë edicion kanë pretendime për titull. (LajmeShqip.com)