Lajme Shqip Tuesday, 18 June 2013 18:16

Prizren -Ish-ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Christopher Hill nuk ka mundur t’iu besojë syve, kur nga Prishtina për në Malishevë ka udhëtuar nëpër autostradë. “Nuk po mundem të besoj se deri në Malishevë kam udhëtuar nëpër autostradë”, tha Hill.

Hill, i cili gjatë luftës ka qenë ndërmjetësues në Kosovë, të martën ka marrë pjesë në inaugurimin e ujësjellësit në fshatin Banjë të Malishevës. Ai kujtoi kohën e luftës ka qenë në Banjë dhe vendet e tjera. “Këtu kam qenë edhe në kohët e vështira dhe tani është mirë këtu”, tha Hill. Ai tha se ndjehet krenar që pas shumë vitesh është kthyer në Malishevë. “Është nder të kthehem këtu përsëri, pasi i mbaj mend të gjitha të këqijat që kanë ndodhur këtu”, tha Hill. Ai falënderoi popullin e Kosovës për miqësinë që kanë me popullin amerikan, raporton PrizrenPress.

Në fshatin Banjë të Malishevës është bërë inaugurimi i rehabilitimit të ujësjellësit. Inaugurimi i këtij projekti është financuar nga USAID misioni në Kosovë dhe Komuna e Malishevës. Përveç, ish-ambasadorit Hill, pjesëmarrës të ceremonisë së inaugurimit të ujësjellësit ishte edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj dhe drejtori i ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor”, Besim Baraliu. “Jam krenar që jam anëtar i bordit të IRD-së, pasi ndihmojmë komunitetin në tërë botën”.

Kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, tha se ndihet shumë i gëzuar për disa arsye. “E para, për përurimin e këtij ujësjellësi që furnizon rreth 20 mijë banorë të Malishevës, me ujë cilësor, e dyta se pse këtu gjendet drejtoresha e USAID-së në Kosovë, Maureen Shauket, e cila na ka mbështet jo vetëm në këtë projekt dhe treta, është nder dhe respekt, që sot kemi ish ambasadorin, mikun çmuar Christopher Hill, i cili ka merita të jashtëzakonshme për lirinë e Kosovës” , tha Kilaj

Ndërsa drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, tha se populli i Kosovës, është popull që ka shumë vullnet. “Ky investim është nga taksapaguesit amerikan, por ju duhet ta mirëmbani atë ,dhe për ta mirëmbajtur ju duhet ta paguani shpenzimin e ujit që e bëni, pasi uji nuk është pronë private e askujt”, tha Shauket. Ajo tërhoqi vërejtjen e saj, për problemin e kyçjeve ilegale në sistemin e ujësjellësit.

Nga ky projekt, kanë përfituar Malisheva, dhe disa fshatra të saj, si Banja, Carralluka dhe Lumnishta, duke siguruar ujë për pije për afro 20 mijë banorë. Vlera e këtij projekti është 160 mijë euro, ndërsa komuna ka investuar 90 mijë

 

 
Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 14:40

Kosovë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi sot se “përurimi i kilometrave të parë në territorin e Kosovës të Rrugës së Kombit, të ndërtuar me standarde dhe parametra modern, është filli i një vepre të dëshiruar dhe të pritur shumë gjatë që Kosova dhe Shqipëria po e realizojnë sot”.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të 38 kilometrave të para të autostradës kosovare, në vazhdimin e Rrugës së Kombit, nga Durrësi në Morinë, Jahjaga tha se rruga është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe të shteteve dhe lidhja jonë në korridoret e rëndësishme evropiane.

“Sot po tejkalojmë barrierat e fundit që penguan lëvizjen e lirë mes qytetarëve tanë për të qenë bashkë si të gjithë popujt që mbështesin vlerat evropiane dhe që ndërtojnë ura bashkëpunimi. Ndërtimi i autostradës sipas standardeve evropiane me mjetet e buxhetit të shteteve tona, tregon përgjegjësinë dhe përkushtimin e institucioneve, si dhe mirëkuptimin e sakrificën e qytetarëve, që të gjitha mjetet e potencialin që e kanë ta vënë në funksion të zhvillimit, të mirëqenies dhe të stabilitetit”, deklaroi ajo.

Presidentja kosovare u shpreh se ndërtimi i kësaj rruge është realizim i një ëndrre shekullore.”Ne sot po e realizojmë një ëndërr. Një vepër të një vlere të pakrahasueshme morale që çon në afrimin e njerëzve dhe ju shërben qytetarëve dhe vendeve tona. Po e dëshmojmë se mund t’i përballojmë të gjitha vështirësitë dhe se mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë”, përfundoi Jahjaga.

 
Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 14:20

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të hapjes së 38 kilometrave të para të autostradës kosovare, që është vazhdimi i Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri, në afërsi të kufirit, në Vërmicë, aty ku nisi puna më 25 prill të vitit të kaluar.

“Sot me ne këtu në Vermicë është mbarë kombi shqiptar. Janë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe kudo që janë. Ata gëzojnë së bashku me ne inaugurimin sot në Kosovën e lirë e të pavarur të kësaj rruge madhështore, të kësaj autostrade që bashkon shqiptarët më shumë se kurrë në idealin e unitetit kombëtar, në idealin e Prizrenit. Në idealin e pavdekshëm të atyre grave dhe burrave që sakrifikuan dhe derdhën lumenj gjaku për të Shqipërinë e pavarur. Idealin e  atyre që derdhën lumenj gjaku dhe sakrifica për të bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur në nderimin më të madh të arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit mendjendritur të kombit shqiptar, Ibrahim Rugovës”, tha Berisha.

Shefi i qeverisë shqiptare tha se “Kosova në më pak se tre vite i dhuron qytetarëve të saj, kombit, por dhe rajonit e Evropës në tërësi, një kryevepër të punëve publike”.

Duke e quajtur autostradën si një dhomë të së ardhmes së Kosovës, Kryeministri u shpreh se, “në një kohë të vështirë autoritetet kosovare u angazhuan për të ndërtuar  rrugën më të rëndësishme për Kosovën, për Shqipërinë, por absolutisht dhe korridorin më fisibël për të gjithë rajonin”.

“Kjo është një rrugë me domethënie të madhe. Shënon një agim të ri të vërtetë politik, ekonomik, social për Kosovën”, tha Berisha, duke shtuar se, “kjo është rruga me të cilën Kosova kontribuon për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin, dhe integrimin rajonal. Është rruga me të cilën Republika e Kosovës investon për të ardhmen e shkëlqyer evropiane të qytetarëve të saj. Është rruga e zhvillimit të shpejtë të Kosovës, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj”.

Përveç Kryeministri Sali Berisha në ceremoni ishin të pranishëm edhe Presidentja e  Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kongresmeni amerikan, Elliot Engel, të cilët përshëndetën përurimin e  kësaj autostrade.

Autostrada e Kosovës, e cila me propozimin e qeverisë ka marrë emrin e Presidentit historik Ibrahim Rugova, sipas projektit do kalojë gjithë vendin, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë në Merdar – kufiri me Serbinë, në vazhdimin e Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë.

Ndërtimi i 38 kilometrave të parë të autostradës Morinë -Merdar ka kushtuar 330 milionë euro.

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur vazhdimin e ndërtimit edhe në seksionet e tjera, duke deklaruar se “për vitin tjetër nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe 296 milionë euro që të vazhdojë ndërtimi i autostradës Vërmicë-Prishtinë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 11:00

Ceremonia e inagurimit të hapjes së 38 kilometrave të para të autostradës kosovare, që është vazhdimi i Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri, do të zhvillohet mesditën e sotme në afërsi të kufirit, në Vërmicë, aty ku nisi puna më 25 prill të vitit të kaluar.

Përveç kryeministri të Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoni, do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha.

Autostrada kosovare, e cila me propozimin e qeverisë ka marrë emrin e presidentit historik Ibrahim Rugova, sipas projektit do kalojë gjithë vendin, nga Vërmica në kufirin me Shqipërinë, në Merdar – kufiri me Serbinë, në vazhdimin e Rrugës së Kombit nga Durrësi në Morinë.

Ndërtimi i 38 kilometrave të parë të autostradës Morinë-Merdar ka kushtuar 330 milionë euro.

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur vazhdimin e ndërtimit edhe në seksionet e tjera, duke deklaruar se “për vitin tjetër nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe 296 milionë euro që të vazhdojë ndërtimi i autostradës Vërmcë-Prishtinë”.

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 18:11

Prishtinë – Inaugurohen të shtunën afër dyzet kilometrat e para të autostradës kosovare të nisur nga Vërmica, në vazhdimin e Rrugës së Kombit të ndërtuar në Shqipëri.

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës sot pasdite, kryeministri Hashim Thaçi tha se “të shtunën do të bëjmë inagurimin e përfundimit të punimeve të 38 kilometërshit të parë të autostaradës nga Vërmica në drejtim të Prishtinës”.


Foto: Ministria e Infrastrukturës (Shkarko fotografinë në HQ)

“Është një autostradë shumë moderne, e standardit më të lartë perëndimor’, theksoi ai duke paralajmëruar vazhdimin e ndërtimit edhe në seksionet e tjera.

“Për vitin tjetër nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe 296 milionë euro që të vazhdojë ndëtimi i autostradës Vërmcë-Prishtinë, gjithëçka është duke shkuar sipas planifikimeve dhe axhendës që kemi”, tha kryeministri Thaçi duke uruar nga mbledhja e qeverisë për projektin madhor.

Në ceremoninë e inaugurimit më 12 nëntor të pjesës së parë të autostradës së Kosovës që nga kufiri me Shqiërinë kalon nëpër rajonin e Prizrenit pritet pjesëmarrja e personaliteteve të larta dhe e shumë qytetarëve nga dy vendet.

Kosova dhe Shqipëria kanë festuar së bashku në Morinë-Vërmicë, më 25 prill të vitit të kaluar, fillimin e ndërtimit të autostradës drejt Prizrenit e Prishtinës, në vazhdim të Rrugës së Kombit nga Durrësi.

Si në festën e madhe të gjithë kombit në Kalimash, në Shqipëri, poashtu në festë në Vërmicë, në Kosovë, së bashku ishin kryeministri shqiptar, Sali Berisha dhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi. (LajmeShqip.com)